Çallma apo turbani, siç e quajnë disa, është ajo copë, zakonisht e bardhë që mbështillet rreth festes, takijes apo kokës dhe që shërben si mbulim dhe zbukurim për të. Ajo është pjesë e kulturës dhe traditës jo vetëm arabe, por edhe e popujve të tjerë. Ajo ka qenë pjesë edhe e veshjes së të Dërguarit të Allahut, Muhamedit (alejhi salatu ue selam).
Në disa kultura, copa e gjatë e çallmës ka shërbyer edhe si qefin për atë që vritej në luftë. Pikërisht nga kjo praktikë, disa e kanë quajtur atë edhe si qefin mbi kokë. Edhe pse ky është një kuptim simbolik që i japin çallmës disa njerëz, ai është mjaft domethënës.
Në fakt, të jesh hoxhë duhet ta kesh të qartë, që në mos çallmën si qefin fizik e simbolik, gatishmërinë për të vdekur për besimin dhe misionin që mbart, duhet ta kesh prezent gjatë gjithë kohës, në mendje dhe në zemër.
Misioni i çdo hoxhe është misioni i Profetit (alejhi salatu ue selam), i cili kur e joshën, por edhe e kërcënuan të braktiste misionin e tij, tha: “Pasha Allahun, sikur diellin të ma vinin në të djathtën time dhe hënën në të majtën time që ta braktis këtë çështje, nuk do ta braktis, derisa ajo të ngadhënjejë ose të vdes në të.”
Kush vendos “çallmën” e hoxhës mbi kokë, duhet ta dijë se ajo duhet të jetë edhe “qefini” i tij, ku para së gjithash, i duhet të qefinosë me të, dëshirën për rehati dhe konformizëm, si dhe frikën për të mos thënë të drejtën dhe të vërtetën. Misioni i profetëve nuk trashëgohet me njerëz të trembur dhe me ata që i druhen sprovave, qoftë kjo edhe më e skajshmja, siç është vdekja.