Hytbe e Qabes 24-08-1441 H 17-04-2020
Shejh Mahir El Muajkili Tema: Caktimi i Allahut është i mirë.
Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Ai i mban hapur dyert e mirësive për ata që punojnë dhe i ka bërë të shumëllojshme aspektet e praktikimit të normave fetare për besimtarët. Atë e falenderoj, I Lartë e i pa të metë, e Atij i jam mirënjohjës.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, i Vetëm e i Pashoq. Ai është Zot i mëshirshëm e fisnik, i jep kohë mëkatarëve e i shpërblen vepërmirët.
Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Ai e ka këshilluar umetin e tij. U ka treguar atyre aspektet e bamirësisë që të marrin pjesë në to. I ka orientuar tek e mira që të veprojnë sipas saj. I ka tërhequr vërejtjen prej dyerve të së keqes që të distancohen prej saj. Nderimet e Allahut, shpëtimi dhe begatitë e Tij qofshin mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe pasuesit e udhëzimit të tyre deri në ditën e gjykimit.
O besimtarë u porosis ju dhe veten time të jemi të devotshëm ndaj Allahut. Jini të devotshëm ndaj Allahut, Allahu ju mëshiroftë.
I aftë është ai i cili e nënshtron vetveten dhe punon për atë që vjen pas vdekjes e i pamundur është ai i cili ndjek dëshirat e vetes dhe shpreson tek Allahu me shpresa të kota.
O muslimanë, besimi në vendimin dhe përcaktimin e Allahut është një prej gjashtë shtyllave të besimit. Në sahihun e Muslimit përcillet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) kur është pyetur për besimin ka thënë: Të besosh Allahun dhe engjujt e Tij, Librat e Tij, të dërguarit e Tij, ditën e gjykimit dhe të besosh kaderin (përcaktimin) qoftë i mirë apo i keq.
Allahu i madhërishëm ka përcaktuar çdo gjë që ndodh me krijesat e Tij; të ardhurat dhe afatet e tyre. Ai i ka sprovuar krijesat e Tij me të mirat e më të këqijat. Sprova në mirësi dhe sprova në vështirësi. Ja Ademi (Alejhi selam), Allahu e krijoi me dorën e Tij, i dha shpirt prej Tij, i urdhëroi egjujt e Tij ti binin në sexhde pastaj e sprovoi me ngrënien e pemës dhe e nxorri prej xhenetit. E për pasardhësit e tij ka thënë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit” (El Bekare; 155).
Rob të Allahu në vështirësi e në sprova gjejmë shumë mundësi e dhurata. Kjo është një e vërtetë të cilën e pranon një njeri i cili është vërtet i kënaqur me Allahun, mendon mirë për Të, mështetet me vërtetësi tek Ai, ia lë tërë çështjen Atij lart, i sigurtë se do përmbushet premtimi i Tij se Allahu dëshiron për robërit e tij mirësinë dhe suksesin, fitoren dhe shpëtimin.
Mund të vijë dëmi nga ana e mirësisë e mund të vijë mirësia nga ana e të dëmshmes: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (El Bekare; 216).
Ditën e Hudejbijes Profeti (salallahu alejhi ue selem) bëri marrëveshje paqeje me idhujtarët. Disa nga sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta) panë se me këtë marrëveshje po u bëhej padrejtësi. E Për këtë Umeri r.a tha: O i Dërguar i Allahut a nuk jemi në të vërtetën e ata në të kotën? Ai tha: Po. Ai tha: A nuk do të jenë të vrarët tanë në xhenet e të vrarët e tyre në zjarr? Ai tha: Po. Ai tha: Atëherë përse të marrim
më të ultën në fenë tonë e të kthehemi mbrapsht pa vendosur Allahu se çdo të bëhet mes nesh dhe atyre? Ai (salallahu alejhi ue selem) tha: O i biri i Khatabit unë jam i Dërguari i Allahut e Allahu kurrë nuk do të më nxjerrë me humbje. Umeri pastaj shkoi tek Ebu Bekri e i tha atij po të njëjtat fjalë që i tha Profetit (salallahu alejhi ue selem). Ebu Bekri r.a i tha: Ai është i dërguari i Allahut e Allahu atë kurrë nuk do ta nxjerrë me humbje. Allahu pas kësaj zbriti: “Ne të dhamë ty një fitore të qartë” (El Fet’h; 1). Umeri tha: O i Dërguar i Allahut fitore është ajo? Ai tha: Po. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
O muslimanë ajo që po ndodh në botë sot në dukje është e keqe dhe fatkeqësi mirëpo ndoshta Allahu do të sjellë pas saj mirësi të shumta. Kjo e gjitha është në dijen dhe urtësinë e Allahut, vendimin dhe përcaktimin e Tij. Allahu është në mendimin e mirë që robi ka për Të. Mëshirëploti përcakton për robërit e Tij vetëm të mirën kështu që të mos ankohet njeriu prej përcaktimit të Allahut e të mos i humbë shpresat nga mëshira e Tij se ndoshta kjo gjë e urryer mund të të jetë shkaktare e ndonjë mirësie që nuk arrihet vetëm përmes saj. Allahu di, kurse ju nuk dini.
O ju që besoni Allahun dhe të dërguarin e Tij, fjala e Allahut të madhërishëm: “është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.” (Nisa; 19) është thirrje për t’iu dorëzuar urdhërit të Allahut, është ilaç ndaj ankthit dhe pesimizmit, është shkak i arritjes së qetësisë dhe stabilitetit. Ky ajet nuk fton në thyerje e në lënien e aktivitetit apo arsyetim për plogështi e përtaci. Kur flasim për pranimin me kënaqësi të vendimit të Allahut dhe përcaktimit të Tij, për lënien e tërë çështjeve Atij që është lart kjo nuk duhet të na shtyjë drejt pamundësisë dhe mospërpjekjeve, drejt lënies së shkaqeve apo shkurajimit. Por të punohet me tërë mundësitë e me tërë forcat dhe me përpjekje aq sa të jetë e mundur për të kryer shkaqet që na ka mundësuar Allahu. Duke u përballur me caktimet po me caktimet e Allahut.
Në sahihun e Muslimit përcillet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Besimtari i fortë është më i mirë e më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët, e në të dy ka mirësi. Përpiqu të fitosh atë që të bën dobi, kërko ndihmë prej Allahut e mos u trego i pamundshëm.
Le ta dijmë o besimtarë se shfaqja e fukarrallëkut para Allahut është rruga për të fituar kënaqësinë e Tij dhe afërsinë me Të. Ajo është një derë e madhe e rrugëdaljes dhe largimit të belave e të vështirësive.
Fuqia dhe krenaria e njeriut gjenden në shfaqen e dobësisë dhe përulësisë para Zotit. Ditën e Bedrit, Profeti (salallahu alejhi ue selem) shfaqi para Zotit varfërinë e madhe dhe nevojën e tij për Krijuesin. Në sahihun e Muslimit shënohet se Profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selem) u drejtua nga Kibla, ngriti duar dhe nisi ti lutet Zotit të tij duke thënë: Allahu im, përmbushe atë që më ke premtuar! Allahu im, më jep atë që më ke premtuar! Allahu im nëse e shkatërron këtë grup njerëzish prej ithtarëve të islamit nuk do të adhurohesh më mbi tokë. Ai vazhdonte ti lutej Zotit të tij me duar të ngritura lart i drejtuar nga Kibla derisa i ra ridaja (rrobe e hedhur mbi krahë). Ndërkohë erdhi Ebu Bekri dhe e kapi nga pas dhe i tha: O Profet i Allahut mjafton lutja që i bëre Zotit tënd. Ai do ta përbushë atë që të ka premtuar. Allahu i madhërishëm zbriti: “Ju kërkuat ndihmë nga Zoti juaj e Ai ju përgjigj: Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj të cilët do të vijnë njëri pas tjetrit” (Enfal; 9). Allahu e ndihmoi me engjuj.
Ndërsa ditën e Hunejnit përpak sa nuk zbriti disfata mbi sahabet r.a e i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ishte mes tyre, kur disa njerëz menduan se fitorja do vijë në sajë të numrit të tyre të madh, forcës dhe armatimit të tyre. Aq sa pati prej tyre që thanë: Sot nuk mund të na mundë një pakicë! Mirëpo u sprovuan për shkak të kësaj fjale. Zoti u dha mësimin e duhur pë shkak të mahnitjes se tyre me numrin e madh për ti treguar se fitorja vjen vetëm prej Tij.
“Dhe në ditën e (luftës së) Huneinit, kur juve ju mahniti numri juaj i madh. Por ai numër nuk ju solli dobi aspak, sepse toka ju duk juve e ngushtë, edhe pse është e gjerë dhe kthyet shpinën duke ia mbathur. Pastaj, Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të Dërguarin e Vet dhe mbi besimtarët, si dhe zbriti luftëtarë (engjëj), të cilët ju nuk i patë dot e i dënoi jobesimtarët. Kështu u “shpërblyen” mohuesit.” (Teubeh; 25,26).
Ibn Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë ka thënë: Robi sa më i përulur ndaj Allahut të jetë, sa më nevojtar për Të e sa më i nënshtruar ndaj Tij atëherë do të jetë më afër Allahut, më i nderuar tek Ai dhe me pozitë më të lartë.
Këto ditë janë ditët e duhura ku ne të shfaqim nevojën që kemi për Zotin tonë, të afrohemi tek Ai me punët tona të mira, të bëjmë mirë sa më shumë sepse duke bërë mirë Allahu e largon fatkeqësinë, e heq epideminë, fal gjynahet, mbulon të metat, largon streset dhe brengat.
Në Mu`xhem El Eusat të Taberanit shënohet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Duke bërë mirë mbrohesh nga përfundime të këqija.
Punët e mira janë të shumta e hallet e njerëzve janë të lloj llojshme; të ushqesh një të uritur, të ndihmosh të vobektin, ti shtysh afatin e shlyerjes një borxhliu, të falësh një të keqe që ta ka bërë dikush, të ndërhysh për të zgjidhur një hall dikujt, të veshesh me roba një që smundet apo të mësosh një të paditur. Nëse nuk ke mundësi ti bësh këto atëherë thuaj një fjalë të mirë sepse fjala e mirë është sadekah ose për ndryshe le të mjaftojë qëndrimi në shtëpinë tënde e përmbaju të mos i bësh keq njerëzve sepse kjo është sadeka prej teje ndaj vetes tënde.
“O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd. Nëse do, Ai ju zhduk dhe sjell krijesa të reja. Kjo gjë nuk është e vështirë për Allahun.” (Fatir; 15-17).
Allahu më dhëntë mua edhe ju begati në Kuran e në sunet e na mundësoftë të kemi dobi me ajetet e urtësitë në të.
Thashë këtë që dëgjuat dhe i kërkoj falje Allahut për veten dhe për ju nga çdo gjynah. Kërkojini falje se ai është Falës.
Hutbeja e Dyte
Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut i cili posedon suksesin, të mirat, bujarinë, pasurinë. Ai i shpërblen ata që duronë gjatë sprovave dhe fatkeqësive.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të prejtë përveç Allahut, i Vetëm e i Pashoq posedues i bujarisë e i mirësisë.
Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij i zgjedhur. Nderimet e Allahut, shpëtimi dhe begatitë e Tij qofshin mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe bashkëshortet e tij dhe pasuesit e udhëzimit të tyre deri në ditën e takimit.
O muslimanë, islami e ka ruajtur njeriun në çdo aspekt; në zemër, në fizik, në vetvete, në familje e në shoqëri. Islami ka bërë detyrë të ruhen ‘domosdoshmëritë e pesta’ prej të cilave është edhe ruajtja vetvetes.
Allahu ia shpërbleftë Shërbëtorit të Dy Xhamive të Shenjta dhe mëkëmbësit të tij besnik të cilët shëndetin e njeriut dhe nderimin e tij e kanë vënë në prioritetet e tyre parësore duke mos bërë dallim mes një nënshtetasi e një rezidenti.
Një prej punëve madhështore, të larta e të dashura tek Madhështori i Lartë është ajo që po bëjnë ministritë, organizatat, përfaqësuesit e tyre dhe vullnetarët që i janë bashkangjitur atyre në lidhje me përpjekjet madhështore për mbrojtjen e jetës, mbrojtjen prej epidemisë, për mbrojtjen e sigurisë ushqimore dhe shoqërore. Veçanërisht përpjekjet e përfaqsuesve të sektorit shëndetësor të cilët i ka nderuar Allahu me këtë mision të lartë. Puna e tyre është një prej veprave më madhështore, njohuritë e tyre janë prej dijeve më të ndritura e më të dobishme pas dijeve rreth Librit të Allahut dhe Traditës së Profetit (salallahu alejhi ue selem) për shkak se ruan fizikun e njeriut. Ruajtja e fizikut të njeriut është ruajtje e mendjes dhe e fesë.
Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Dy kategori, njerëzit nuk bëjnë dot pa to; dijetarët e fesë së tyre dhe mjekët e trupit të tyre. Unë nuk njoh dije më të vyer pas dijes mbi Hallallin (të lejuarën) dhe Haramin (të ndaluarën) më të mirë se mjekësia.”
Fekhru Er Rraziu në lidhje me vlerën e mjekëve ka thënë: “Mjekët posedojnë atribute të cilat nuk i gjen tek të tjerët, prej tyre: Unanimiteti i të gjitha besimeve dhe feve në lidhje me vlerësimin e zanatit të tyre mbi të tjerët dhe përpjekja e tyre gjithmonë për të gëzuar e për të rehatuar të tjerët. Sikur mjeku të vlerësohej vetëm për faktin që i sëmuri ndodh që të përmallohet për të do ishte mjaftueshëm sepse në sëmundjet e vështira ndodh që njeriu të urrejë të takojë me familjen e me fëmijët e tij mirëpo ka dëshirë të takohet me mjekun, rehatohet kur e sheh, i kënaqet shpirti kur e ka pranë dhe e vështron. E kjo e lartëson mjekun mbi të tjerët.” Këtu mbaruan fjalët e tij Allahu e mëshiroftë.
O Drejtues dhe përfaqësues të mjekësisë dhe ju që angazhoheni me ruajtjen e shëndetit sa e sa sëmundje Allahu i largon nëpërmjet jush e sa dhimbje heq. Urime për ju dhe për përgëzimin që keni prej Profetit (salallahu alejhi ue selem): “Atij që i largon besimtarit një dhimbje prej dhimbjeve të kësaj bote, Allahu atij i largon një dhimbje prej dhimbjeve të ditës së kijametit. Allahu është në ndihmë të robit për aq kohë sa robi është në ndihmë të vëllait të tij.” Transmeton Muslimi.
Puna juaj është një vepër me të cilën fitohet dashuria e Allahut, afrimi me Të dhe kënaqësia e Tij për shkak të mirësisë ndaj njerëzve e kjo është pozitë nderi dhe vlerë e madhe. Allahu thotë: “Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve.” (El Araf: 56). “…bëni të mira; Allahu me të vërtetë i do bamirësit.” (El Bekare: 195)
Rrukajeh r.a e bija e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) u sëmur përpara betejës së Bedrit. I Dërguari i Allahut [ e urdhëroi burrin e saj Osmanin të qëndronte pranë saj e të kujdesej për shëndetin dhe nevojat e saj. Kështu që Osmani, Allahu qoftë i kënaqur me të mungoi në betejën e madhe të Bedrit. Profeti (salallahu alejhi ue selem) i tha: Ti do të keshë shpërblimin dhe pjesën e plaçkës së luftës njëjtë me një person që ka marrë pjesë në Bedër. Transmeton Buhariu. I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ndau për të pjesë nga plaçka e luftës njëjtë me luftëtarët pjesëmarrës në betejë. E me këtë rast Osmani, Allahu qoftë i kënaqur me të u radhit ndër pjesëmarrësit në betejen e Bedrit për të cilët Allahu ka thënë: “Veproni çka të doni se ju u kam falur!” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Urime për ju drejtues dhe përfaqësues të mjekësisë se ju keni marrë përgjegjësi dhe keni fituar nder: “Kjo është mirësia e Allahut; Ai ia jep atë kujt të dojë. Allahu zotëron mirësi të madhe.” (Xhumu`a: 4)
Ndërsa përfaqësuesit tanë të rendit në mejdan dhe rojet që vigjilojnë në kufijtë e vendit tonë u mjafton si pozitë nderi dhe si shpërblim përgëzimi i të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem): “Dy sy nuk i prek zjarri; një sy i cili loton prej frikës ndaj Allahut dhe një sy që qëndron zgjuar, ruan në rrugë të Allahut.” Transmeton Tirmidhiu me zinxhir të saktë transmetimi. Lum për ata sy që rrinë zgjuar për të siguruar rehatinë e njerëzve të Gjithëmëshirëshmit. Lum për ata sy që rrinë zgjuar për të ruajtur kufijtë për të garantuar siguri e për të thyer armikun. Juve ju takon prej nesh lutja e sinqertë që Allahu tu japë begati në veprat tuaja, e tu ruaj nga të gjitha anët.
Dijeni o besimtarë se Allahu ju urdhëron për diçka fisnike ku e fillon me Veten e Tij. Allahu ka thënë fjalë fisnike: Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)
O Allah nderoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse ke nderuar familjen e Ibrahimit
O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit
Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.
O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër mëkëmbësit e tij të drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe shokët e profetit Tënd Muhamed dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ne bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde! O më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!
O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!
O Allah këtë vend bëje të sigurtë e të qetë dhe tërë vendet muslimane!
O Allah rregulloje çështjen e muslimanëve në çdo vend me mëshirën Tënde o Dhurues e i Lartmadhërishëm!
O Allah të lutemi Ty me mirësinë, buajrinë, fsnikërinë të na ruash nga çdo e keqe dhe e urryer!
O Allah largoji prej nesh çmimet e larta, epideminë, kamatën, imoralitetin, tërmetet, vështirësitë dhe sprovat e rënda të dukshme e të padukshme!
O Allah na ruaj nga largimi i mirësive të Tua, nga largimi i faljes Tënde, nga befasia e ndërshkimi tënd dhe nga i gjithë zemërimi Yt!
O Allah na ruaj prej mundimit të fatkeqësive, prej rënies në hidhërim, prej fatit të keq dhe prej gëzimit të armiqve!
O Allah na ruaj prej zgjebes, çmendurisë, lebrozës dhe prej çdo sëmundjeje të keqe!
O Allah na çliro prej kësaj situate që na ka kapluar!
O Allah largoje këtë fatkeqësi mbi këtë umet! Me butësinë, mirësinë, bujarinë dhe fisnikërinë Tënde, Ti ke fuqi për çdo gjë!
O Allah na sill pas vështirësisë lehtësim, pas ankthit çlirim e pas ngushtisë rrugëdalje!
O Allah na mundëso përfundim të mirë në gjithë çështjet tona, na mbro prej poshtërimit në këtë jetë e prej ndëshkimit në jetën tjetër!
O Allah zbrit mbi ne qetësi dhe rezistencë, na kthe për tek Ti me kthim të bukur!
O Allah zbrit mbi ne qetësi dhe rezistencë, na kthe për tek Ti me kthim të bukur e të lavdëruar me mëshirën tënde o më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!
O Allah na i shëro të sëmurit tanë, na i shpëto të sprovuarit tanë, ndihmoji të dobëtit tanë!
O Allah, o i Larmadhërishëm, o i Gjallë e i Përjetshëm jepi sukses Shërbëtorit të Dy Xhamive të Shenjta për atë që Ti dëshiron e kënaqesh. Jepi atij shpërblimin më të mirë për islamin dhe muslimanët. O Allah jepi sukses atij dhe pasardhësit të tij besnik të bëjnë atë që është e dobishme për islamin dhe muslimanët!
O Allah jepi sukses të gjithë udhëheqësve të muslimanëve në atë që dëshiron dhe kënaqesh.
O Allah jepi sukses atyre që punojnë në sektorin e shëndetësisë në vendin tonë dhe në çdo vend tjetër o Zot i botëve!
O Allah ndihmoji ata dhe bëji të dobishëm, jepi ide të qarta dhe inspiroji të bëjnë të saktën dhe të duhurën në veprat e tyre. Ruaji ata prej çdo të keqeje e të urryer me mirësinë, bujarinë dhe fisnikërinë Tënde o më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!
O Allah jepi fitore ushtarëve tanë që vigjëlojnë në kufijtë e vendit tonë, O Allah jepi atyre fitore të madhe të shpejtë e jo të vonuar me mëdhirën Tënde o më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!
Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Teje i pastër je prej mangësive e ne jemi të padrejtë!
Zoti ynë ne i kemi bërë padrejtësi veteve tona, nëse Ti nuk na fal e nuk na mëshiron do të jemi prej të shkatërruarve!
O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!
Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!
I lartësuar qoftë Zoti Ynë, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe lutja jonë e fundit të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!
Burimi: https://3teshenjta.com/