Vëllezër të dashur, fjala jonë në këtë ditë të mirë e të bekuar ka të bëjë me një dukuri nga më të rrezikshmet, të cilën Islami e ka ndaluar dhe ka paralajmëruar ashpër për rrezikun dhe dëmin e saj; një dukuri që është përhapur mes bijve të shoqërisë dhe është bërë diçka e zakonshme ndër njerëz. Ajo është dukuria e bullizmit.
Cili është kuptimi i bullizmit? Cilat janë format dhe shfaqjet e tij? Dhe si e ka luftuar Islami këtë dukuri? Më huazoni zemrat dhe veshët tuaj, o të nderuar.
Së pari: përkufizimi i bullizmit. O besimtarë të njëshmërisë së Allahut, dijetarët e kanë përkufizuar bullizmin si sjellje agresive të përsëritur, që synon dëmtimin e një personi tjetër në mënyrë të qëllimshme, qoftë dëmtim psikologjik apo fizik. Veprimet që përfshihen nën këtë koncept janë të shumta dhe të larmishme.
Ai përkufizohet gjithashtu si çdo fjalë apo veprim që del nga një individ ose një grup individësh dhe shkakton lëndim e fyerje ndaj një personi tjetër më të dobët, qoftë fizikisht, apo verbalisht apo në çfarëdo forme tjetër, me qëllim frikësimin dhe nënshtrimin e tij, që ai të bindet dhe t’u nënshtrohet urdhrave.
Prej tij janë ofendimi me shikim, tallja dhe vënia e nofkave poshtëruese, përdorimi i fjalëve lënduese, ose shkrimi i fjalive që cenojnë ndjenjat e dikujt. Mund të jetë gjithashtu përjashtimi nga një aktivitet i caktuar, nga pjesëmarrja në një ngjarje shoqërore, apo detyrimi i një personi të bëjë diçka që ai e refuzon.
Bullizmi mund të arrijë edhe në dhunë fizike. Personi që bullizon, shpeshherë nuk është i vetëdijshëm për atë që bën, e ndonjëherë e bën me qëllim të plotë dhe shtysa, siç e përcaktojnë psikologët, mund të jetë xhelozia, ose fakti që ai vetë ka qenë viktimë e këtij veprimi më parë.
Së dyti: format dhe shfaqjet e bullizmit.
Forma e parë është racizmi i neveritshëm. Dijeni, Allahu ju bekoftë, se Islami i shikon njerëzit me barazi sa i përket origjinës së krijimit; nuk ka një gjini apo racë që të jetë më e privilegjuar se tjetra në krijim. Të gjithë njerëzit janë të barabartë në dinjitet, sepse janë bijtë e Ademit. Për këtë arsye Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit, i kemi mbartur në tokë dhe në det, i kemi furnizuar me të mira dhe i kemi priveligjuar mbi shumë prej krijesave Tona me një privilegj të veçantë” (El-Isra, 70). Nëse ka ndonjë dallim mes tyre, ai kthehet në thelb te veprat e mira që i fitojnë me përpjekjet e tyre të ndershme. Prandaj Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz, Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që është më i devotshëm” (El-Huxhurat, 13).
Nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të jetë Dita e Kiametit, Allahu urdhëron një thirrës të thërrasë: Unë e bëra kriter fisnikërinë dhe ju e bëtë kriter prejardhjen. Unë e bëra më fisnikun tuaj më të devotshmin, ndërsa ju nuk pranuat veçse të thonit: filani, biri i filanit, është më i mirë se filani, biri i filanit. Sot Unë e ngre kriterin Tim dhe e ul kriterin tuaj. Ku janë të devotshmit?” (Është transmetuar nga Taberaniu në El-Evsat dhe Es-Sagir, si dhe nga Bejhekiu, si hadith i ngritur (merfu‘) dhe i ndalur (mevkuf). Bejhekiu ka thënë se forma e saktë dhe e ruajtur është ajo mevkuf. Ky transmetim është përmendur më herët në fillim të Librit të Dijes, ndërsa hadithi i saktë nga Ebu Hurejra në këtë kuptim është fjala e Profetit ﷺ: “Atë që e vonojnë veprat e tij, nuk e shpejton prejardhja e tij.”)
Gjithashtu nga Ebu Hurejra, nga Profeti ﷺ, është transmetuar se ka thënë: “Allahu i Lartësuar ka hequr prej jush mendjemadhësinë e injorancës dhe krenarinë me etërit. Njerëzit janë bijtë e Ademit dhe Ademi është prej dheu. Njeriu ose është besimtar i devotshëm, ose është mëkatar i mjerë. Le të ndalen disa njerëz së krenuari me burra që nuk janë veçse qymyr nga qymyri i Xhehenemit, ose përndryshe do të jenë më të pavlerë tek Allahu sesa brumbulli që shtyn ndyrësirën me hundë”.
Sa për ata që i përçmojnë njerëzit sepse janë të pasur, sepse mbajnë poste joshëse, sepse fjala e tyre dëgjohet, apo sepse populli u druhet dhe i ka frikë, atyre u them: duhet ta kuptojnë se pesha e tyre në peshoren e fesë së Allahut matet sipas veprave të mira që bëjnë, të dobishme për veten dhe për të tjerët. Nëse nuk kanë vepra të mira që i bëjnë sinqerisht për hir të Allahut dhe brenda kufijve të Sheriatit të Tij, atëherë ata janë tek Allahu më të pavlerë dhe më të poshtër se insektet e ndyrësirave. Kjo është përmendur edhe në hadithin profetik për mendjemadhësinë, nga El-Ma‘ruri, i cili thotë: “E takova Ebu Dherrin në Rebdhe dhe ai kishte veshur një rrobë, ndërsa shërbëtori i tij po ashtu kishte veshur nga e njëjta rrobë. E pyeta për këtë dhe ai tha: ‘Unë e pata sharë një njeri dhe e pata fyer duke ia përmendur nënën. Atëherë Profeti ﷺ më tha: O Ebu Dherr, a e fyeve duke ia përmendur nënën? Ti je njeri që ende ke gjurmë të injorancës. Vëllezërit tuaj janë shërbëtorët tuaj; Allahu i ka vënë ata nën duart tuaja. Kush e ka vëllanë nën dorën e tij, le ta ushqejë me atë që ha vetë dhe le ta veshë me atë që vesh vetë; mos i ngarkoni me atë që nuk e përballojnë, e nëse i ngarkoni, ndihmojini’”. (Sahihul Buharij, nr. 30)
Nga bullizmi është edhe dëmtimi i fqinjit dhe ushtrimi i presionit ndaj tij. O besimtarë, një nga shfaqjet e bullizmit që po e vuajmë është bullizmi ndaj fqinjëve dhe sundimi i padrejtë mbi ta. Nga Ebu Hurejra transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pasha Allahun, nuk beson; pasha Allahun, nuk beson; pasha Allahun, nuk beson!” Iu tha: Kush, o i Dërguari i Allahut? Ai tha: “Ai nga të këqijat e të cilit fqinji i tij nuk është i sigurt”.
Në një transmetim tjetër: “Nuk hyn në Xhenet ai që nga dëmet e të cilit fqinji i tij nuk është i sigurt”.
Ibn Haxheri thotë: “Kjo është një theksim i fortë që tregon madhështinë e të drejtës së fqinjit dhe se dëmtimi i tij është prej mëkateve të mëdha”.
Nga Ebu Hurejra transmetohet se u tha Profetit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, filanja falet natën, agjëron ditën, jep lëmoshë, por i shqetëson fqinjët me gjuhën e saj”. Profeti ﷺ tha: “Nuk ka të mirë tek ajo; ajo është prej banorëve të Zjarrit”. Pastaj tha: “Ndërsa filanja tjetër fal vetëm farzet, jep sadaka pak gjizë por nuk i shqetëson njerëzit”. Profeti ﷺ tha: “Ajo është prej banorëve të Xhenetit”. ( Eledebul Mufred: 126)
Në hadithin e Ebu Xhuhajfes thuhet se një burrë erdhi te Profeti ﷺ duke u ankuar për fqinjin e tij. Ai i tha: “Nxirre plaçkën tënde në rrugë”. Ai e nxori, dhe njerëzit filluan të kalonin e ta mallkonin atë që e dëmtonte fqinjin. Pastaj ai erdhi te Profeti ﷺ dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, çfarë pësova nga njerëzit!” Ai tha: “Çfarë pësove prej tyre?” Tha: “Më mallkojnë”. Ai tha: “Të ka mallkuar Allahu para njerëzve”. Ai tha: “O i Dërguari i Allahut, nuk do ta përsëris më”. ( Eledebul Mufred: 124)
Tallja dhe përqeshja e të tjerëve
Nga shfaqjet e bullizmit ndaj të tjerëve në kohën e globalizimit, siç thuhet, në kohën e kanaleve satelitore, të qytetërimit dhe të përparimit, është shfaqur indiferenca e veshur me petka moderne të vjetruara. Njerëzit nuk i kushtojnë më rëndësi shumë prej çështjeve të fesë së pastër islame; kështu hixhabi u quajt risi dhe prapambetje, kamatën e quajtën përfitim, xhihadin e quajtën terrorizëm, ujku u bë bari, armiku i padrejtë u bë gjykatës, foli rruvejbida, u lanë çështjet në duart e atyre që nuk janë të denjë për to. Tallja dhe përqeshja u shndërruan në një “art” që shërbehet, përkrahet dhe kultivohet, madje u mësohet këtyre mendjelehtëve dhe u jepen shpërblime atyre që e praktikojnë në jetën e tyre. Çudi mbi çudi është se sheh njerëz që përqeshin, ndërkohë që janë si derra që tallin kuajt fisnikë, si qen që përqeshin gazelet e bukura; sheh gënjeshtarë që tallen me të sinqertët, tradhtarë që përqeshin besnikët, frikacakë që tallen me trimat dhe hipokritë që përqeshin të vërtetët.
“Nëse Taiju akuzohet për koprraci nga një Madiri,
dhe Kusaiu akuzohet për budallallëk nga ndonjë Bakili,
nëse retë sfidojnë qiellin nga marrëzia,
dhe toka krenohet ndaj qiellit me zhavorr e gurë,
nëse Suhaja i thotë diellit: ti je i vogël,
dhe nata i thotë agimit: ngjyra jote është e zbehtë,
atëherë, o vdekje, eja, se jeta është e neveritshme,
dhe o shpirt, bëhu serioz, se koha jote është tallëse.”
Kështu, ithtarët e “artit të qelbur” filluan të përqeshin dijetarët, halifët dhe prijësit, ndërsa mendjelehtët u tallën me gjithçka: njëri tallet me Kur’anin, tjetri me Sunetin, një tjetër me besimtarët dhe besimtaret.
O ju që besoni vetëm me gjuhë, ndërsa imani nuk ka hyrë në zemrat tuaja, ndaluni nga ky llum dhe kjo qelbje. O ju që nuk e merrni seriozisht talljen dhe përqeshjen, ejani të njihni realitetin e tyre dhe qëndrimin e sheriatit ndaj tyre.
Sot sheh dhe dëgjon hipokritë që tallen me besimtarë, laikë që përqeshin thirrës të sinqertë e të përkushtuar. Subhanallah! Një hipokrit që përpiqet të poshtërojë një dijetar, një kriminel që përçmon një të devotshëm. Kjo është një kohë kur peshoret janë përmbysur dhe gjithçka është bërë e zakonshme, derisa dijetari i fesë dhe i sheriatit u shndërrua në objekt talljeje dhe përqeshjeje. Ata tallen me veshjen e tij, me fjalën e tij dhe me dijen që ai mbart, derisa u lëkund besimi mes dijetarëve dhe masës së umetit. Prandaj, o ti që nuk e vret mendjen për këtë sprovë, dëgjo paralajmërimin e Allahut, kur Ai thotë: “O ju që keni besuar! Le të mos tallet një popull me një popull tjetër, se ndoshta ata janë më të mirë se këta; as gratë me gra të tjera, se ndoshta ato janë më të mira se këto. Mos e përqeshni njëri-tjetrin dhe mos i vini njëri tjetrit nofka fyese. Sa i shëmtuar është emri i shthurjes pas besimit! E kush nuk pendohet, ata janë mizorë” (El-Huxhurat, 11).
Tallja është përbuzje dhe përqeshje; ndonjëherë bëhet duke e bërë dikë objekt të një përqeshje dhe denigrimi publik, e ndonjëherë duke ia ulur vlerën dhe duke e barazuar me atë që nuk ka as nder, as peshë; siç thotë poeti:
“Ai është ai që, nëse jeton, nuk i kushtohet vëmendje,
dhe nëse vdes, askush nuk qan për të.”
Siç edhe thuhet: ai është aq i pavlerë sa nuk ia vlen as të përmendet.
Shembujt poetikë janë të shumtë dhe tregojnë përçmimin e njeriut ndaj vëllait të tij, nënvlerësimin e pozitës së tij, shkeljen e së drejtës dhe të dinjitetit të tij, si dhe mungesën e kujdesit ndaj tij. Nëse kjo ndodh mes një myslimani dhe vëllait të tij, ajo është një goditje e rëndë për lidhjen që i bashkon, sepse kjo nuk i shkon dhe nuk u lejohet atyre që janë të bashkuar në të njëjtin besim. Kjo lidhje e besimit është më e fortë, më e rrënjosur, më e qëndrueshme dhe më fisnike. Si mundet atëherë që njeriu të mos e respektojë nderin e vëllait të tij, për të cilin Allahu e ka urdhëruar qartë që të mos tallet e të mos e përqeshë? Të gjithë ata janë të barabartë para Allahut dhe të Dërguarit të Tij; nuk ka përparësi arabi ndaj joarabit, as joarabi ndaj arabit, përveçse me devotshmëri dhe vepra të mira. Prandaj, thirrja iu drejtua gjithë umetit islam, duke i ndaluar të gjithë nga tallja dhe përqeshja, kur Allahu i Madhëruar tha: “O ju që keni besuar! Le të mos tallet ndonjë popull me një popull tjetër, se ndoshta ata janë më të mirë se këta; as gratë me gra të tjera, se ndoshta ato janë më të mira se këto” (El-Huxhurat, 11).
Dijetari i madh Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Allahu i Lartësuar ndalon talljen me njerëzit, e që është përbuzja dhe përqeshja e tyre. Në hadithin e saktë nga i Dërguari i Allahut ﷺ thuhet: “Mendjemadhësia është refuzimi i së vërtetës dhe përbuzja e njerëzve”. ( Sahih Muslim, nr. 147) Qëllimi është nënçmimi dhe nënvlerësimi i tyre, dhe kjo është e ndaluar, sepse ai që përqeshet mund të ketë pozitë më të lartë tek Allahu dhe të jetë më i dashur për Të sesa ai që e përqesh dhe e përbuz. Për këtë arsye Allahu i Lartësuar e përsëriti ndalimin duke thënë: “O ju që keni besuar! Le të mos tallet ndonjë popull me një popull tjetër, se ndoshta ata janë më të mirë se këta; as gratë me gra të tjera, se ndoshta ato janë më të mira se këto” (El-Huxhurat, 11), duke e përmendur ndalimin për burrat e duke e bashkëngjitur edhe për gratë.
Nga Ebu Hurejra r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos u mbani zili mes vete, mos e ngrini çmimin me mashtrim, mos urreni njëri tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit dhe mos të shesë ndonjëri prej jush mbi shitjen e vëllait të tij. Bëhuni robër të Allahut, vëllezër. Myslimani është vëlla i myslimanit: nuk i bën padrejtësi, nuk e braktis, nuk e poshtëron. Devotshmëria është këtu, dhe bëri shenjë me dorë nga gjoksi i tij tri herë, mjafton për një mysliman prej së keqes që të përçmojë vëllanë e tij mysliman. Çdo gjë e myslimanit është e shenjtë-ndaluar për myslimanin: gjaku i tij, pasuria e tij dhe nderi i tij.” ( Sahih Muslim, nr. 1663)
Këtë fjalë e them dhe i kërkoj falje Allahut të Madhëruar për mua dhe për ju; kërkojini falje Atij, sepse Ai është Falës dhe Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Bullizmi ndaj krijesave të Allahut përmes nënçmimit dhe përgojimit. Fjala e Allahut të Lartësuar: “Mos e përqeshni njëri-tjetrin” (El-Huxhurat, 11), do të thotë: mos i nënçmoni njerëzit. Ai që tallet dhe përqesh është i qortuar dhe i mallkuar, siç thotë Allahu: “Mjerë për çdo përqeshës e shpifës” (El-Humeze, 1). Përqeshja mund të jetë me vepra, ndërsa shpifja me fjalë; siç thotë Allahu: “Përqeshës, që shkon duke përhapur thashetheme” (El-Kalem, 11), pra ai që i përbuz njerëzit, i thumbon dhe sillet mizorisht ndaj tyre, duke përhapur fjalë përçarëse. Prandaj këtu u tha: “Mos e përqeshni njëri-tjetrin” (El-Huxhurat, 11), ashtu siç u tha: “Mos e vritni njëri-tjetrin” (En-Nisa, 29).
Ibn Abasi, Muxhahidi, Sa‘id ibn Xhubejri, Katadeja dhe Mukatili ibn Hajjani kanë thënë se fjala “Mos e përqeshni njëri-tjetrin” do të thotë: mos e shani dhe mos e goditni njëri-tjetrin me fjalë. Ndërsa fjala e Allahut: “Mos i vini nofka fyese njëri-tjetrit” (El-Huxhurat, 11), do të thotë: mos e thërrisni njëri-tjetrin me nofka që i lëndojnë dhe i vjen rëndë t’i dëgjojë.
Të thërrasësh dikë me nofka të shëmtuara si: o gomar, o i prishur, o jobesimtar, o i shëmtuar, o çalaman, e të ngjashme, është prej shkaqeve të armiqësisë, urrejtjes dhe përçarjes, madje mund të çojë edhe në përleshje dhe fitne. Detyra është që njeriun ta thërrasësh me emra të bukur dhe me ato që ai i pëlqen: o filan, o Muhamed, o Ebu Abdullah. Sa për ta thirrur me emra e shprehje që i urren, kjo është pikërisht ajo që quhet nofkë fyese, dhe duhet pasur kujdes prej saj që të mos çojë në përçarje, armiqësi dhe urrejtje. Për këtë Allahu i Lartësuar tha: “Sa i shëmtuar është emri i shthurjes pas besimit” (El-Huxhurat, 11), duke sqaruar se kush i bën këto veprime është fasik, pra i dalë nga bindja ndaj Allahut. Si mund të jetë i kënaqur njeriu me gjendjen e tij që, pas besimit, të jetë i dalë nga bindja e Allahut?
Në traditën e të parëve tanë të mirë ka shumë ngjarje që tregojnë gjykimin e bullizmit në Islam. Një herë u tallën me një sahabi për hollësinë e këmbëve të tij, dhe përgjigjja erdhi nga i Dërguari i Allahut ﷺ për ta ngritur pozitën e tij përballë atyre që u tallën, duke ia thyer zemrat dhe duke ia nderuar vlerën.
Nga Abdullah ibn Mes‘udi r.a. transmetohet se ka thënë: “Po mblidhja për të Dërguarin e Allahut ﷺ misvak nga pema e Erakut. Era ia përkulte trupin dhe këmbët e tij ishin të holla, kështu që disa njerëz qeshën me hollësinë e këmbëve të tij. Profeti ﷺ tha: ‘Me çfarë po qeshni?’ Ata thanë: ‘Me hollësinë e këmbëve të tij.’ Atëherë Profeti ﷺ tha: ‘Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, ato janë më të rënda në peshore tek Allahu se mali Uhud.’” ( Musnedul Imam Ahmed, nr. 421)
Nga Ebu Hurejra transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dëgjon një njeri të thotë: ‘Njerëzit janë shkatërruar’, ai është më i shkatërruari i tyre.” ( Eledebul Mufred, nr. 759)
Bullizmi me dije është një tjetër formë e rrezikshme: kur dikush e mëson dijen për t’u krenuar me të para njerëzve, për t’i mundur në polemika dhe për t’i kthyer shikimet e njerëzve nga vetja.
Bullizmi me dije shfaqet edhe nëpër mexhlise: p.sh. lexon hollësi për një çështje dytësore në një libër, pastaj kur ulet me shokët ose me ata që janë më të vjetër se ai, e hap atë çështje dhe e zbërthen me imtësi; por nëse e pyet për çështjet më elementare të pastërtisë, nuk di të përgjigjet. Mund të ketë studiuar hollësisht kapitullin e martesës, por po ta nxjerrësh te kapitulli i shitblerjes, që vjen më herët në renditjen e juristëve, nuk gjen tek ai asgjë. Shumë njerëz sot bëjnë bullizëm në shkencën e hadithit: thonë filani transmeton nga filani, ka shkëputje dhe arsyeja e shkëputjes është kjo e ajo; por po ta pyesësh për një ajet nga Libri i Allahut, nuk di të përgjigjet.
Nga Xhabir ibn Abdullah transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos e mësoni dijen për t’u krenuar ndaj dijetarëve, as për të polemizuar me mendjelehtët, as për të zënë vendet më të dukshme nëpër mexhlise. Kush e bën këtë, atëherë Zjarri, Zjarri ( është për të).” ( Sunen Ibn Maxheh, nr. 254)
Bullizmi elektronik është bërë shumë i përhapur në kohën tonë dhe është shndërruar në mjet për të dëmtuar të tjerët përmes rrjeteve sociale. Dijeni, o robër të Allahut, se ai ka shumë forma: përhapja e thashethemeve dhe gënjeshtrave kundër personit që bullizohet, tallja me të, dërgimi i mesazheve lënduese dhe raciste, si dhe komentet fyese në platformat e komunikimit shoqëror.
Edhe përkrahja dhe miratimi e pëlqimi me like i atyre komenteve llogaritet bullizëm po ashtu. Po kështu, kërcënimi me publikimin e një fotografie, videoje apo bisede private është një formë e qartë dhune dhe shantazhi moral.
Nga format e bullizmit është edhe tallja me pamjen fizike, me ngjyrën e lëkurës, me fenë dhe kulturën, apo me paaftësinë për të lëvizur. Po ashtu, përdorimi i identitetit të viktimës në rrjetet sociale dhe puna e qëllimshme për t’ia njollosur imazhin publik përbën një shkelje të rëndë të nderit dhe privatësisë.
Një tjetër formë e rrezikshme është dërgimi i fotografive ose videove jo morale personit ndaj të cilit ushtrohet bullizëm, me qëllim poshtërimin, provokimin ose tronditjen e tij. Për këtë Allahu i Madhëruar ka paralajmëruar ashpër duke thënë: “Ata që dëshirojnë të përhapet imoraliteti mes besimtarëve, për ta ka dënim të dhembshëm në këtë botë dhe në botën tjetër; Allahu di, ndërsa ju nuk dini” (En-Nur, 19).
Bullizmi shfaqet edhe nëpërmjet vjedhjes së llogarive personale të viktimës dhe përdorimit të tyre për qëllime të papranueshme dhe joetike, me synim ndërhyrjen në privatësinë dhe jetën e tij personale. Kjo përfshin edhe përvetësimin e identitetit, kur personi bullizues shtiret si dikush tjetër dhe i mashtron njerëzit duke i bërë të besojnë se ai është vetë viktima. Kjo ndodh, për shembull, duke vjedhur fjalëkalimin e postës elektronike ose të llogarive në rrjetet sociale, apo duke marrë telefonin e tij pa dijeninë e tij, për të dërguar mesazhe fyese ose materiale të papërshtatshme nga llogaria e viktimës, në mënyrë që të tjerët të mendojnë se ai ajo është dërguesja.
Ekziston edhe një formë tjetër e bullizmit elektronik që bazohet në izolimin dhe margjinalizimin e viktimës, siç është përjashtimi i saj nga një aktivitet apo grup në internet, ose ftesa e të gjithë miqve në një rrjet social përveç viktimës, duke ia bërë të qartë se është përjashtuar me qëllim, sepse nuk dëshirohet prania e saj, duke e konsideruar të parëndësishme dhe të padobishme.
Nga El-Bera transmetohet se ka thënë: i Dërguari i Allahut ﷺ na mbajti një hutbe aq të fortë sa e dëgjuan edhe vajzat e reja në shtëpitë e tyre, ose siç tha, në dhomat e tyre, dhe tha: “O ju që keni besuar vetëm me gjuhë, ndërsa imani nuk ka hyrë në zemrat tuaja, mos i përgojoni myslimanët dhe mos u hulumtoni të metat e tyre. Sepse kush ia hulumton të metat vëllait të tij, Allahu atij do t’ia hulumtojë të metat, dhe kujt Allahu ia hulumton të metat, do ta turpërojë qoftë edhe brenda shtëpisë së tij.” ( Musned Ebi Jala, nr. 7423)
Allahu i Lartësuar gjithashtu thotë: “Allahu nuk e do shfaqjen e fjalës së keqe publikisht, përveç atij që i është bërë padrejtësi; dhe Allahu është Gjithëdëgjues, Gjithëdijshëm” (En-Nisa, 148).
Sejid Murad Selameh
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



