“Nëse All-llahu dëshiron t’ju ndihmojë, s’ka kush që mund t’ju mposhtë, e nëse Ai iu lë pa ndihmë, atëherë kush është ai pas Tij, që do t’ju ndihmojë? Pra vetëm All-llahut le t’i mbështeten besimtarët”. (Ali ‘Imran, 160)
Falënderimet, adhurimet, madhërimet janë vetëm për All-llahun xh.sh. Sunduesin e gjithë botëve, vetëm Atë e adhurojmë dhe prej Ti falje dhe ndihmë kërkojmë.
Paqja, shpëtimi dhe bekimi qofshin mbi zotërinë ton Muhammedin s.a.v.s. mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij besnik dhe mbi të gjithë ata që ndjekën, ndjekin dhe do të ndjekin rrugën e tij.
Të nderuar vëllezër besimtar!
Muaj i bekuar i Ramazanit nuk është muaj i letargjisë, heshtjes dhe pushimi nën hijen e agjërimit. Ai është gjithashtu muaj i përpjekjeve dhe i lëvizjes, e në lëvizje ka bereqet, siç kanë thënë të urtët. Në bazë të shënimeve të historisë islame, është e pamundur të mos e vërejmë se muslimanët, një numër të madh ngjarjesh të rëndësishme, kthesash, suksesesh, i kanë arritur pikërisht në muajin e Ramazanit. Ata nuk kanë qëndruar në shtëpi ulur, duke pushuar dhe duke pritur iftarin. Ramazani, për gjeneratën e artë ishte nxitje në vigjilencë, aktivitete, përpjekje dhe angazhim. Kurora e të gjitha sukseseve të Ramazanit, në fushën e jetës së përditshme, është triumfi i muslimanëve në Betejën e Bedrit. Beteja e Bedrit u zhvillua ditën e xhuma, më 17 Ramazan, vitin e dytë pas hixhretit. Edhe pse kjo ngjarje ka ndodhur sa e sa shekuj para nesh, porositë e sajë të ndritshme patjetër duhet të mbeten para nesh në mënyrë që t’i kemi në kujtesë, se secili prej nesh duhet të ketë Bedrin e tij.
Ta pyesim vetveten: “Ç’është ky Bedri im”?
Bedër në nivel individual, të dashur vëllezër, është arritja e fitores mbi atë që është armiku ynë më i madh në jetë. Nëse seriozisht e analizojmë gjendjen tonë reale, secili për vete, konkluzioni i ynë i qartë duhet të jetë: Dobësia, neglizhenca, shtyrja e pendimit dhe kthimi permanent i ynë në mëkatet e njëjta është armiku ynë më i madh.
Ebul-ferxh ibn el-Xhevziut, rahimehullah thotë:
“Është për të ardhur keq që një rob i Allahut xh.sh., bënë gabime gjithnjë e më shumë, e shumë pak pendohet.”
Fitorja jonë është në atë që ne të veprojmë të kundërtën: të bëjmë më pak mëkate, e më shumë të pendohemi. Sepse pendimi pengon bërjen e mëkateve.
Bedri ynë fitorja kundër dobësive tona.
Nëse triumfojë mbi nefsin tonë, triumfi mbi armikun e jashtëm është për gjysmë me i lehtë.
Gjendja reale në fushëbetejën e Bedrit ka shkuar në favor të mushrikëve mekas. Ishin më shumë në numër dhe më të fuqishëm në armatim, kurse muslimanët ishin shumë më pak. Por, muslimanët, me kohë triumfuan kundër dobësisë së tyre, u larguan nga mëkatet, i dhanë premtimin Allahut të Madhëruar dhe Muhammedit s.a.v.s., dhe vendosën që jeta e tyre të jetë feja dhe feja të jetë jeta e tyre. Pikërisht, për këtë ndodhi ajo për të cilën paralajmëroi ajeti Kur’anor në fillim të hutbes. “Nëse All-llahu dëshiron t’ju ndihmojë, s’ka kush që mund t’ju mposhtë….”. Për të na ndihmuar Allahu xh.sh., ne duhet ti ndihmojmë vetvetes duke ngadhënjyer mbi të këqijat e shpirtit tonë. Ajeti në vazhdim thotë: ”…. e nëse Ai iu lë pa ndihmë, atëherë kush është ai pas Tij, që do t’ju ndihmojë”. Besimtarët e sinqertë i janë drejtuar Allahut xh.sh. me këtë lutje:
“O Allahu im, çfarë ka humbur ai që të gjeti Ty, dhe çfarë gjeti ai që të humbi Ty!”.
Ai që e ka njohur Allahun xh.sh., nuk është në humbje sepse nuk është obliguar të largohet nga asnjë e mirë, nga asgjë që është e vlefshme dhe e dobishme! Pastaj, ç’është e cila është më e vlefshme për t’na hequr vëmendjen tonë nga rruga e bindjes ndaj Allahut, të Plotfuqishmit. Të gjitha thesaret dhe pasuritë e kësaj bote, i nënshtrohen njërës nga këto dy gjëra: Ose zhduket pasuria, ose zhdukemi ne, kështu që pasuria nuk do të na bëjë dobi. Por, nëse e ke Allahun përkrahës, Atë do ta kesh si mbështetje, dhe Bedri yt është i garantuar.
Të hedhim një shikim në fushëbetejën e Bedrit. Të shohim se si kanë kaluar mushrikët, të cilët iu mbështetën Iblisit dhe forvës së tyre, duke menduar se ndihma e Allahut xh.sh., nuk iu nevojitet. Ibni Kethiri në Tefsirin e tij i përmend fjalët e Abdullah in Abbassit r.a. i cili ka thënë: “Në ditën e Bedrit, Iblisi shkoi me pasuesit dhe me ushtrinë e tij dhe u futi në zemrat e mushrikëve bindjen që juve askush nuk mund t’ju ngadhënjej gjersa të jam unë mbrojtës i juaj. Kur u takuan (ushtritë) ai i pa engjëjt të cilët u vinin si përforcim për t’’iu ndihmuar, u kthye dhe iku, duke thënë: “Vërtet unë shoh atë çka ju nuk shihni “.
Kur ta mundim të keqen e shpirtit tonë, mirësia jonë është ajo që përfiton zemrën dhe shpirtin, hap portat dhe ndryshon rrethanat. Muslimanëve, sot u nevojitet më shumë se kurrë që të vazhdojnë të jenë të njohur ashtu siç ishin të njohur shekuj me radhë, për të mirë.
Vëllezër besimtar
Lufta e Bedrit na mëson, se edhe kur triumfojnë, kurora e fitoreve të muslimanëve mbetet mirësia dhe drejtësia. Të gjithëve në këtë muaj të bekuar, në këtë ditë të bekuar, ua përcjellim mesazhin e momenteve të kësaj xhumaje të bekuar: Identiteti personal i muslimanit është mirësia, edhe atëherë kur ka mundësi që lirshëm të përdor forcën.
Këtë e gjejmë në porositë e Pejgamberit s.a.v.s., të cilat i kanë zbatuar në praktikë shokët e tij besnikë. Kur muslimanët u kthyen nga beteja e Bedrit, të burgosurit Pejgamberi s.a.v.s., ua ndau shokëve të tij duke u thënë: “Ju urdhëroj që t’i trajtoni mirë të burgosurit”. Ebu Aziz ibn Umejr, vëllai i sahabiut Mus’ab bin Umejr, ishte në mesin e të burgosurve. Ai tregon: “Unë isha caktuar në grupin e ensarëve, kur ata u larguan nga Bedri. Kur e shtronin ushqimin për drekë apo për darkë, mua më jepnin bukë kurse ata hanin vetëm hurme, për shkak të urdhrit të Pejgamberit s.a.v.s., që ndaj nesh të sillen mirë. Kur vinte buka në duart e tyre së pari ma jepnin mua. Unë turpërohesha dhe ua ktheja atyre bukën, ata prapë ma kthenin mua dhe nuk donin ta preknin më atë.”
Ky është Islami, fe e cila na ka mësuar se kur t’i mundim dobësitë dhe të ligat tona, në gjoksat tonë kemi mjaftë hapësirë të duam, të falim, të gostitim, të ndajmë të mirën e të keqen dhe të jetojmë me krenarinë e besimit në modestinë e kësaj dynjaje.
Ajeti në fillimin të hudbes përfundon me fjalët: “Dhe vetëm Allahut, le ti mbështeten besimtarët!”
Allahu xh.sh. me të vërtetë është, mbështetja jonë më e fortë dhe përkrahja me e fuqishme. Të ngadhënjejmë në Bedrin tonë, sepse jeta është luftë, dhe fitorja mbi vetveten hap dyert e mirësive të përgjithshme dhe mëshirës së Allahut xh.sh.!
E lusim Allahun e Plotfuqishëm që t;na ndihmoj dhe t’na na forcoj, që t’na jep begati dhe mirësi, dëlirësi dhe mirësi të brendshme, dhe me Mëshirën e Tij t’na fal mëkatet dhe t’na bëjë nasib Xhenetin. Amin!
Autor: Prof. Enis ef. Burdžovic
Përktheu dhe përshtati: Esat ef.Rexha