Hutbeja e Reisu-l-ulemas së Turqisë: 1)
Falënderimet e panumërta i takojnë Allahut të Madhërishëm, i Cili na ka nderuar me Islamin dhe Imanin dhe i Cili nga mëshira e Tij na ka bërë vëllezër. Salavatet dhe bekimet qofshin për Pejgamberin e fundit, të dërguar si mëshirë për botët – për Muhamedin (savs).
Vëllezërit e mi të dashur në xhaminë e Gazi Husrev-Beut!
Në fillim dua të gjithëve me respekt t’ju përshëndes me selam, dhe juve vëllezër muslimanë në BeH, t’ua përcjellë përshëndetjet e përzemërta dhe të ngrohta nga vëllezërit tuaj nga Turqia. Mëshira dhe begatia e Allahut qoftë mbi të gjithë juve! Allahu na e pranoftë namazin e xhumasë!
Të dashur vëllezër!
Në ajetet e lexuara në fillim të hutbes Allahu i Plotfuqishëm thotë:
“O njerëz! Ne, me të vërtetë, u krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre dhe u bëmë juve popuj dhe fise, për t’u njohur (në mes vete). Më i lavdërueshëm te Allahu është ai që i druan më së shumti Atij. Me të vërtetë, Allahu është i dijshëm dhe asgjë nuk i është e fshehtë Atij.“ (el-Huxhurat, 13)
Kurse në hadithi sherifin e cituar në fillim të hutbes Muhamedi (savs) thotë: “O njerëz! Zoti juaj është një! Babai juaj është një! Nuk ka përparësi arabi ndaj jo-arabit, e as jo-arabi nuk ka përparësi ndaj arabit, as i kuqi nuk ka përparësi ndaj të ziut, as i ziu ndaj të kuqit, përveç me devotshmëri … ”
Të dashur vëllezër!
Si qenie, ne të gjithë jemi të krijuar nga e njëjta materie. Si njerëz, ne të gjithë e ndajmë një baba dhe një nënë të përbashkët, ne të gjithë vijmë nga Ademi (a.s.) dhe Hava. Ndërsa si pasardhës të Ademit dhe Havës, para Zotit jemi të gjithë të njëjtë si dhëmbët e krehërit. Imam Aliu (r.a.) ka thënë: „Edhe nga raca edhe nga besimi ne jemi vëllezër.“ Të gjithë jetojmë në të njëjtën botë, e ndajmë të njëjtin univers.
Vëllezër!
Sipas traditës sonë, njeriu për njeriun nuk është ujk, por njeriu për njeriun është mbështetje, strehë, shpresë dhe atdhe. Secili njeri, individualisht, është karakter unik i Zotit, vepër e përsosur dhe përfaqësues i kësaj bote. Njeriu është krijesa më e bukur dhe faktor absolut i gjithë krijimit. Si krijesa njerëzore, vëllazëria jonë është e bazuar në kodin moral dhe ligjor. Feja jonë e lartë Islami na tregon se ne me grupet e ndryshme fetare dhe etnike jetojmë në paqe, e cila është e bazuar në dispozitat ligjore dhe morale. Pejgamberi ynë i dashur Muhamedi (savs), pasi e bëri hixhretin e nënshkroi një marrëveshje me jomuslimanët dhe kështu e themeloi sistemin moral dhe ligjor, sipas të cilit pjesëtarët e feve dhe kulturave të ndryshme mund të jetojnë së bashku në paqe.
Të nderuar besimtarë!
Ne jemi bijtë e të njëjtës kulturë dhe qytetërim. Ne besojmë në të njëjtin Zot, Pejgamber, Libër dhe në Ditën e Gjykimit. Në të njëjtën sexhde bijmë për të Mëshirshmin, dhe në të njëjtën kible Rrugën tonë të drejtë e gjejmë. Sipas dëshmisë së Kuranit të shenjtë, ne jemi vëllezër. Sepse Allahu i Plotfuqishëm thotë: “انما المؤمنون اخوة” “… Besimtarët, në të vërtetë, janë vëllezër.“ Vëllazëria jonë nuk është e bazuar në origjinën tonë, në racë, në ngjyrë, në gjuhën me të cilën flasim, e as në vendin ku jetojmë.
Të bashkuar rreth vlerave të larta / universale, vëllazëria jonë është vëllazëri e Islamit, e bazuar në besim (iman) dhe devotshmëri, dhe kjo vëllazëri i ka detyrimet e saj morale dhe ligjore. Muslimani i cili i plotëson detyrimet e vëllazërisë, është si një pjesë e përsosur e një tërësie, si një organ në trup dhe si një tullë në mur. Muslimani i cili kujdeset për detyrimet e vëllazërisë, do ta vlerësojë vëllanë e tij në besim ashtu siç e vlerëson vetveten. Ai vëllanë e tij nuk e përbuzë, nuk e fyen as nuk e poshtëron. Ai vëllait tij i dëshiron të njëjtën gjë sikurse vetvetes. Vëllait tij, as me gjuhë, as me dorë nuk i shkakton dëme. Nuk i bën atij zullum, padrejtësi dhe armiqësi dhe as nuk e lë në baltë.
Të nderuar vëllezër!
Sot, bota islame po kalon një nga momentet më të vështira në historinë e saj. Për fat të keq, në shoqëritë islame po zhvillohen konflikte të brendshme ku fajtor është sektarizmi, racizmi dhe diskriminimi ideologjik, i cili po merr jetë të pafajshme. Qendrat e qytetërimit që për shekuj kanë qenë vend i paqes dhe sigurisë po zhduken në flakë.
Islami, i cili është shpallur si paqe, shpresë, mëshirë dhe shpëtim për njerëzimin, sot po përballet me akuza të padrejta për terrorizëm dhe dhunë. Në shumë pjesë të botës muslimanët janë të ekspozuar ndaj presioneve dhe praktikës së margjinalizimit, diskriminimit, shtypjes dhe dhunës, të cilat janë të papajtueshme me ndërgjegjen dhe ndjenjat njerëzore. Islamofobia dita ditës po zgjerohet me shpejtësi.
Vëllezër të dashur dhe të respektuar në besim!
Si bashkësi e muslimanëve e cila për udhëzues të vet e merr Librin e shenjtë Kuranin dhe pejgamberin Muhamed (a.s.), ne duhet ta forcojmë vetëdijen e ummetit. Në botë që të mundë të fitojë e vërteta dhe drejtësia, virtyti dhe mirësia, dhembshuria dhe mëshira, ne duhet t’i përgjigjemi thirrjes së Allahut të Madhërishëm.
Ne duhet të punojmë intenzivisht që qytetet islamike përsëri t’i bëjmë qendra të shkencës, diturisë dhe mençurisë. Duhet t’i miratojmë parimet e unitetit dhe bashkimit, bashkëpunimit dhe solidaritetit. T’i përqafojmë fuqishëm parimet të cilat e kanë ndërtuar qytetërimin unik islam. Në diskursin islamofobik të përgjigjemi me parime morale islame të cilat do t’i përvetësojmë në jetën tonë. Ne po punojmë intenzivisht që paqja dhe siguria të mbretërojnë në BeH, në Ballkan dhe në bashkësitë tona të afërta. Ne nuk duhet të harrojmë se zgjidhjen e cila mund të sjellë prosperitet dhe paqe për të varfrit, të shtypurit dhe mbarë botën e posedon vetëm feja jonë Islami.
Në fund të hutbes, dua që edhe njëherë t’i përshëndes vëllezërit e mi besimtarë në BeH, dhe tu shprehi respektin tim. Paqja, mëshira, begatia dhe falja e Allahut qoftë mbi ju!
Burimi: Preporod.com
Përshtati: Miftar Ajdini (Breziiri)
_________________________
1) Hutben e sotme ne xhaminë e Gazi Husrev Beut, në Sarajevë e mbajti Dr. Ali Erbash, kryetar i Dijanetit të Republikës së Turqisë, i cili e fali edhe namazin e xhumasë.