O ju njerëz keni frikë Allahun, dhe bëhuni prej besimtarëve të sinqertë, të cilëve veprat e tyre ua vërtetojnë thëniet, se besimi nuk është shpresë e zbukurim, por është ajo që është ngulitur në zemër dhe e vërtetojnë veprat.
Allahu thotë: “O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni? Tek Allahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni”. Saf 2-3.
Besim i vërtetë është: bindje me zemër, shprehje me gojë dhe të vepruarit me gjymtyrë, shtohet me vepra të mira dhe pakohet me mëkate. Ai i ka gjashtë shtylla, ato janë: Besimi në Allahun, melaqet, librat, të dërguarit, Ditën e Kiametit dhe në caktimin e tij të mirë po të keq. Ai i ka shtatëdhjetë e disa degë, më e larta është fjala La ilahe il Allah (Nuk ka të adhuruar tjetër (me meritë) pos Allahut), e më e ulëta është largimi i një pengese nga rruga, edhe turpi është prej degëve të besimit. Pra ai që me fjalë thotë që është besimtarë, dhe dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër pos Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut, i bën veprat e mira me gjymtyrë, falet, e jep zeqatin, agjëron, e bën haxhin, e adhurime tjera, mirëpo nuk është i bindur me zemër dhe nuk beson me të vërtetë, ky person është dyfytyrësh, prej dyfytyrësisë së madhe që të nxjerr nga feja dhe është më e dëmshme se sa kufri i qartë. Allahu thotë: “Ka disa njerëz që thonë: “Ne i kemi besuar Allahut dhe jetës tjetër (Ahiretit), po në realitet ata nuk janë besimtarë.Ata përpiqen ta mashtrojnë Allahun dhe ata që besuan, po në të vërtetë ata nuk mashtrojnë tjetër, pos vetvetes, por ata nuk e hetojnë.Në zemrat e tyre kanë sëmurje, e Allahu u shton sëmundje edhe më shumë, e për shkak se ata përgënjeshtruan, pësojnë dënim të dhembshëm”. Bekare 8-10.
Tek ky, zbulohet realiteti i tij dhe del në shesh dyfytyrësia kur të sprovohet dhe gjatë ballafaqimit me vështirësi, Allahu thotë: “Ka disa njerëz që thonë: “Ne i kemi besuar Allahut, e kur goditet me ndonjë të keqe për shkak të (rrugës së) Allahut, ai sprovimin prej njerëzve e trajton si dënimin e Allahut”. Ankebut 10.
Ky person nuk është i qëndrueshëm, por lëvizë, qëndron me besimtarët nëse ata kanë një lehtësim nga Allahu, dhe qëndron me jobesimtarët kur ata janë në ndikim, dhe mbizotërim të përkohshëm për shkak të ngecjeve që gjenden tek muslimanët, Allahu i madhëruar thotë: “Ata janë që presin se ç’po ju ngjanë juve. Nëse me ndihmën e Allahut ngadhënjeni, ata thonë: “A nuk ishim me ju?” E nëse jobesimtarëve u takon ndonjë fitim, ata thonë: “A nuk mbizotëruam ne mbi ju (por nuk deshtëm të mposhtim) dhe penguam prej jush besimtarët!”. Nisa 141.
E kur të thirret që të gjykohet me Librin e Allahut dhe sunetin e të dërguarit ai nuk përgjigjet, pos nëse çështja është në dobi të tij, sikur që thotë Allahu: “E kur thirren që ndërmjet tyre të gjykojë Allahu dhe i dërguari i Tij, një grup prej tyre nuk i përgjigjen asaj. Po nëse është që e drejta u takon atyre (në atë gjykim), ata i shkojnë atij të bindur e me respekt”.
Robër të Allahut, ai i cili beson me zemër dhe e shpreh atë me fjalë, mirëpo nuk e vërteton besimin e tij dhe shprehjen me fjalë, nëse fjala e tij e kundërshton veprën atëherë kjo e prishë dhe kundërshton dëshminë se s’ka Zot tjetër dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, sikur ai që lutet të vdekurve, ther për të vdekurit, personi i tillë është politeist, mohues i Allahut, nuk i bën dobi shprehja e tij e dëshmisë e as përkatësia e tij në islam, nuk pranohet prej tij asnjë adhurim derisa të pendohet tek Allahu, e të adhuron sinqerisht Allahun.
Allahu thotë: “Ne ta shpallëm ty librin për hir të së vërtetës, andaj ti adhuroje Allahun duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij! Vini re! Adhurim i sinqertë është vetëm ai për Allahun! Ndërsa ata që në vend të Tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut, s’ka dyshim se Allahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim. E, është e vërtetë se Allahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë atë që është rrenës, jobesimtar”. Zumer 2.
Po ashtu edhe ai i cili deklaron se është mysliman, dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër pos Allahut, mirëpo nuk i realizon kushtet e fesë, as që falet, as që jep zeqat, as nuk agjëron, nuk e kryen haxhin, ky njeri nuk është mysliman,as që i bën dobi shprehja e dy dëshmive, e as përkatësia e tij islame, sepse nuk e ka realizuar atë që kërkohet prej dy dëshmive, dhe nuk i ka vepruar farzet e islamit.
Namazi është shtyllë e fesë në të cilën mbahet feja, kur mungon shtylla nuk mund të qëndron islami i vërtetë, zeqati është shoqërues i namazit në Librin e Allahut, shokët e të dërguarit salallahu alejhi ue selem kanë luftuar nën udhëheqjen e Ebu Bekrit ata që ndaluan dhënien e zeqatat, e i konsideroi të dalë nga feja, e luftërat me ata janë quajtur luftëra kundër renegatëve, ndërsa ata thonin La ilahe il Allah Muhameden resulullah.
Ndërsa ai që le diç prej adhurimeve tjera të cilat janë plotësuese të islamit, apo ka bërë mëkat prej mëkateve të cilat janë ndër shirkun dhe nuk janë prej gjërave që prishin fenë, ky person nuk llogaritet jobesimtarë, por llogaritet besimtarë me besim të mangët, e kjo mangësi lëviz varësisht prej mëkatit të cilin e ka vepruar, nëse është mëkat prej mëkateve të mëdha, sikur amoraliteti, vjedhja, vrasja e njeriut, pirja e alkoolit etj, prej mëkateve të mëdha, dhe ai është i njohur për ndalesën e tyre dhe nuk i bën hallall, ky njeri konsiderohet mëkatarë (fasik), bie prej tij besnikëria, është i kërcënuar me dënim të Zotit, merret sanksioni i obliguar për të, ky është qëndrimi i ithtarëve të sunetit dhe xhematit. Është besimtarë në besimin e tij, e fasik me mëkatin e tij, e nëse mëkati nuk arrin në gradën e mëkatit të madh, atëherë ai e mangëson besimin e ka gjynah për atë, mirëpo nuk llogaritet fasik, pos nëse vazhdon në të, apo e bën atë haptas, ngase të vazhduarit në mëkat të vogël mund ta shndërron atë në mëkat të madh.
Sikur që besimi mund të tretet apo të mangësohet, varësisht prej të keqes dhe gjërave të shëmtuara, ai po ashtu edhe ritet, shtohet me adhurim, sikur që thotë Allahu: “E Allahu u shton besimin atyre që u udhëzuan”. Merjem 76.
“E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve kur përmendet Allahu u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre”. Enfal 2.
“E kur zbret ndonjë kaptinë, ka prej tyre që thonë: “Cilit prej jush ia shtoi kjo besimin?” Sa u përket atyre që besuan, atyre u shtohet besimi dhe gëzohen për të”. Teube 124.
Andaj kujdesuni për gjëra që ju shtojnë besimin, dhe lënien e mëkateve e të këqijave që ua mangësojnë imanin.
Allahu thotë: “Beduinët thanë: “Ne kemi besuar!” Thuaj: “Ju nuk keni besuar ende, por thuani: Ne jemi dorëzuar, e ende nuk po u hyn besimi në zemrat tuaja. E nëse e respektoni Allahun dhe të dërguarin e Tij, Ai nuk ju pakëson asgjë nga veprat tuaja, se Allahu është shumë mëkatfalës, shumë mëshirues”. Besimtarë janë vetëm ata që i besuan Allahut, të dërguarit e Tij, e mandej nuk dyshuan dhe për hir të Allahut luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre. Të tillë janë ata të vërtetit”. Huxhurat 14-15.
SHEJH SALIH IBN FEUZAN ALI FEUZAN
Përktheu: Shpend Zeneli