Falënderimi i plotë i takon Allahut, Atë e lavdërojmë  dhe i jemi mirënjohë. Ai udhëzon kë të dojë prej robërve të Tij, që pastaj e dëgjojnë dhe e respektojnë, dhe lë në humbje kë të dojë, që pastaj kundërshtojnë urdhrin e Tij dhe e mëkatojnë. Dëshmojmë se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Një dhe i pashoq, i Madhërishmi, i Larti. Dëshmojmë gjithashtu se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

E më pas: O robër të Allahut! Ju këshilloj  juve dhe veten time me frikë dhe devotshmëri ndaj Allahut. Sepse devotshmëria është këshilla e Allahut për robërit, është furnizimi i të devotshmëve për Ditën e Kthimit. Allahu thotë:  “O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun ashtu siç i takon të keni frikë prej Tij dhe mos vdisni veçse duke qenë muslimanë.” (Ali Imran: 102)

O besimtarë! Prej qëllimeve më madhështore dhe objektivave më fisnike është që njeriu të kujdeset për veprat e mira dhe të nxitojë drejt tyre. Me këtë lartësohet pozita e tij njerëzore e afrohet me natyrën e engjëjve dhe zbukurohet me moralin e profetëve dhe të besimtarëve të sinqertë. Për këtë arsye, Islami fisnik e ka porositur njeriun që të bëjë mirë me njerëzit, pa dallim besimi apo race. Allahu i Lartësuar thotë: “Nxitoni për të mirën, kudo që të jeni, Allahu do t’ju mbledhë të gjithëve. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm mbi çdo gjë.” (Bekare: 148)

Qëllimet e njerëzve janë të ndryshme, dhe synimet e tyre janë të llojllojshme. Disa i drejton egoja dhe pasionet, duke kërkuar famë, pozitë, pushtet e mbizotërim padrejtësisht mbi tokë. Ndërsa imani -besimi e bën besimtarin të orientohet kah veprat e mira dhe gara drejt tyre. Prandaj motoja e muslimanit dhe qëllimi i jetës së tij duhet të jetë fjala e Allahut: Bëni mirë, që të shpëtoni.” (Haxh: 77)

O robër të Allahut! Prej bujarisë së Allahut është se Ai u ka hapur robërve të Tij shumë dyer mirësish dhe u ka urdhëruar që të nxitojnë e të garojnë drejt tyre në çdo kohë, për shkak të shpërblimeve që sjellin: shtim të sevapeve, ngritje të shkallëve dhe shlyerje të gjynaheve. Allahu thotë: “O ju që keni besuar! Përuluni, bëni sexhde, adhuroni Zotin tuaj dhe bëni mirë që të shpëtoni.” (Haxh: 77)

Dhe sepse Allahu është Bujar, Ai e di çfarë fshehin gjokset dhe çfarë mbajnë në vete nijetet, prandaj thotë: “Çfarëdo të mire që të bëni, Allahu e di atë.” (Bekare: 197)

Prej madhështisë së dhuntisë së Allahut është se Ai e pranon veprën e mirë që bëhet vetëm për Të, sado e vogël të duket, dhe e shpërblen me shpërblim të madh. Ai thotë: “Kush sjell një të mirë, ka shpërblimin e dhjetëfishtë të saj, ndërsa kush sjell një të keqe, shpërblehet vetëm me të barasmen e saj.” (En’am: 160)

Vëllezër të dashur! Në këtë hutbe do t’ju përmend disa shembuj veprash të mira, të cilave shumë njerëz nuk u kushtojnë rëndësi, duke i parë si të zakonshme e të thjeshta, por në realitet janë vepra të mëdha të mira, që njeriu mund t’i kryejë e të fitojë shpërblim të madh tek Allahu, me kusht që nijeti të jetë i drejtë dhe i pastër për Allahun.

Kur ti e përmend Allahun, e lagë gjuhën tënde me  tesbih -subhanallah, ose me  tahmid -elhamdulilah, ose me  tehlil -la ilahe ilallah, ose me  tekbir -Allahu ekber  ti je duke bërë mirë. Nuk të kushton as mund, as pasuri. Ka ardhur në hadith se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo tesbih është sadaka, çdo tahmid është sadaka, çdo tehlil është sadaka, çdo tekbir është sadaka, urdhërimi për të mirë është sadaka dhe ndalimi nga e keqja është sadaka.” (Transmeton Muslimi)

Gjithashtu, kur kërkon falje prej Allahut, i lutesh për mëshirë dhe shlyerje mëkatesh, ti je duke bërë mirë dhe po i bindesh urdhrit të Allahut që thotë:“Kush bën keq, ose i bën padrejtësi vetes së tij, e më pas kërkon falje nga Allahu, ai do ta gjejë Allahun Falës dhe Mëshirues.” (Nisa: 110)

Në hadithin e Profetit ﷺ thuhet: “Kush e bën istigfarin kërkimin e faljes pjesë të shpeshtë të jetës së tij, Allahu i hap derë daljeje nga çdo vështirësi, i jep zgjidhje nga çdo brengë dhe e furnizon prej nga nuk e pret.” (Ebu Davud)

O besimtarë! Dua t’ju tërheq vërejtjen për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e shtimit të istigfarit -kërkimit të faljes, sepse ai, me lejen e Allahut, është mbrojtje nga ndëshkimi, është dalje dhe shpëtim për njerëzit në jetën e tyre, në realitetin e tyre bashkëkohor, nga sprovat, fatkeqësitë dhe trazirat që i rrethojnë nga çdo anë. Lusim Allahun e Madhëruar për siguri dhe shpëtim prej tyre.

Vërtet, nga mëshira e Allahut ndaj nesh dhe nga bujaria e Tij për ne, është ajo që Ai e ka lidhur me istigfarin shpërblime të mëdha, begati të shumta dhe dhurata të gjera. Shtimi i istigfarit dhe pendimit është prej shkaqeve që zbresin mëshirat hyjnore, mirësitë e Allahut dhe është shkak për shpëtim në dynja dhe ahiret. Allahu i Madhëruar thotë: “Pse nuk i kërkoni falje Allahut, që të mëshiroheni?” (Neml: 46)

Dhe thotë: “Pendohuni tek Allahu, të gjithë, o besimtarë, që të shpëtoni.” (Nur: 31)

Nëse istigfari shtohet në një ummet, e përhapet mes individëve të tij, dhe buron nga zemra të sinqerta e të bindura, atëherë Allahu me të largon prej njerëzve dhe vendit të tyre lloje të shumta sprovasash, ndëshkimesh e fatkeqësish. Allahu thotë: “Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata kërkojnë falje.” (Enfal: 33)

O vëlla musliman!

Kur ti del nga shtëpia jote, nga vendi i punës, apo nga dyqani yt për të shkuar në xhami e për të falur një prej namazeve të obliguara, ti je duke bërë mirë. Në hadithin e saktë thuhet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush shkon në xhami në mëngjes ose në mbrëmje, Allahu ia përgatit atij në xhenet një vendbanim sa herë që të shkojë në mëngjes ose në mbrëmje.” (Buhariu dhe Muslimi)

Kur ti siguron ujë të pijshëm dhe ua shpërndan njerëzve nëpër shtëpi, në xhami apo në vendet ku qëndrojnë, ti je duke bërë mirë, duke shpresuar shpërblimin e madh të Allahut. Sidomos nëse këtë e bën si sadaka për shpirtin e prindërve a të afërmve që kanë ndërruar jetë. Ka ardhur në hadith se Sa’d ibn Ubade r.a. tha: “O i Dërguari i Allahut, nëna ime ka vdekur, a të jap sadaka për të?” Ai ﷺ tha: “Po.” E pyeta: “Cila sadaka është më e mira?” Ai tha: “Uji.” (Ebu Davud)

Kur ti largon një pengesë nga rruga, duke hequr diçka që mund t’i dëmtojë njerëzit, ti je duke bërë mirë. Në hadithin e saktë thuhet: “Një burrë ishte duke ecur në rrugë dhe pa një degë me gjemba. Ai e hoqi atë nga rruga e Allahu e fali për këtë vepër.” (Buhariu dhe Muslimi)

Kur ti siguron një karrige me rrota për një të sëmurë, një të moshuar, qoftë në shtëpi apo në spital, kjo është sadaka. Ti je duke bërë mirë, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo vepër e mirë është sadaka.” (Muslimi)

Kur ti mbjell një pemë dhe dikush prej krijesave të Allahut përfiton nga ajo, qoftë nga fruti, nga hija, nga gjethet apo në ndonjë mënyrë tjetër, ti je duke bërë mirë. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk ka musliman që mbjell një pemë, e nga ajo të hahet diçka, ose t’i merret diçka, ose ta hajë një kafshë e egër, ose ta hanë zogjtë, e ajo të mos jetë sadaka për të.” (Buhariu dhe Muslimi)

Kur ti i jep ujë një njeriu, një kafshe apo një zogu dhe ia shuan etjen, ti je duke bërë mirë. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Në çdo krijesë me shpirt ka shpërblim.” (Buhariu dhe Muslimi)

Kur ti sheh dikë që ecën në vapën përvëluese apo në shiun e rëndë dhe e merr me makinën tënde për ta çuar në vendin ku dëshiron, ti je duke bërë mirë dhe duke ndihmuar. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo musliman duhet të japë sadaka.” I thanë: “Po sikur të mos ketë mundësi?” Ai tha: “Atëherë le të punojë me duart e tij, të përfitojë vetë dhe të japë sadaka.” Thanë: “Po sikur të mos mundet?” Ai tha: “Atëherë le t’i ndihmojë të varfërit dhe ata që kanë nevojë.” (Buhariu dhe Muslimi)

Po ashtu, kur ti e udhëzon dikë në rrugën që kërkon, apo i tregon vendin që dëshiron të arrijë, ti je duke bërë mirë. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “T’i tregosh rrugën dikujt është sadaka.” (Tirmidhiu)

O besimtarë!

Kur ti takon njerëzit me të cilët punon, ose banon pranë tyre, apo që i takon në vendin tënd të punës, në treg, në udhëtim, në xhami, apo kudo tjetër dhe i përshëndet me një fytyrë të hapur, me një buzëqeshje të ëmbël, me një pamje të këndshme e të qetë ti je duke bërë një vepër të mirë dhe po kërkon prej Allahut shpërblimin dhe mëshirën e Tij. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Buzëqeshja jote në fytyrën e vëllait tënd është sadaka.” Dhe në një hadith tjetër: “Një prej veprave të mira është që ta takosh vëllain tënd me fytyrë të gëzuar.”

Po ashtu, kur viziton një të sëmurë, ia jep selamin, interesohesh për shëndetin e tij, ia gëzon zemrën dhe lutesh për të, ti je duke bërë një vepër të mirë. Në hadithin e saktë thuhet: “Kur njeriu viziton vëllain e tij musliman, ai ecën mes pemëve të xhenetit deri sa të ulet. Kur ulet, mëshira e Allahut e mbulon atë. Nëse vizita është në mëngjes, shtatëdhjetë mijë engjëj luten për të deri në mbrëmje. Nëse është në mbrëmje, shtatëdhjetë mijë engjëj luten për të deri në mëngjes.” (Sahih Tergib: 3476)

Gjithashtu, kur hyn në shtëpinë tënde, apo në një tjetër shtëpi, në xhami, në zyra, në tregje apo në vendet ku gjenden njerëz, dhe aty e përmend Allahun dhe përshëndet me selam, ti je duke bërë mirë. Sepse Pejgamberi ﷺ i tha Enesit r.a.:  “O biri im! Kur të hysh tek familja jote, përshëndeti me selam, që të kesh bereqet mbi veten dhe mbi familjen tënde.” ( Tirmidhiu: 589)

Po kështu, kur shkon nëpër dyqane dhe paguan borxhet e disa familjeve të varfra, duke e bërë këtë vetëm për kënaqësinë e Allahut, ti je duke bërë mirë. Ke shlyer borxhin e tyre dhe ia ke larguar një prej vështirësive të jetës. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:  “Kush dëshiron që Allahu ta shpëtojë nga një vështirësi e Ditës së Gjykimit, le t’ia lehtësojë barrën një borxhliut, ose le t’ia zbresë një pjesë të atij borxhi.” ( Tirmidhiu: 1930)

Dhe kur ti kujdesesh për nevojat e disa xhamive, duke siguruar mus’hafë, qilima, altoparlantë, rafte për Kur’anin, ventilatorë, kondicionerë, si dhe duke kontrolluar dyert e dritaret, rregulluar llambat elektrike dhe pajisjet e ujësjellësit, dhe gjithçka tjetër që kërkon kujdes dhe riparim herë pas here,  ti je duke bërë një vepër të mirë, dhe , me lejen e Allahut të Madhëruar, je prej atyre që e gjallërojnë Shtëpinë e Allahut në tokë, si në kuptimin fizik ashtu edhe në kuptimin shpirtëror.

O muslimanë!
Dijeni se dera e Allahut është e hapur, se mirësia e Tij për ata që e dëshirojnë nuk mbyllet, dhe dhuratat e Tij për robërit e Vet zbresin e ngrihen pa pushim. Ku janë vallë ata që garojnë në punë të mira, dhe drejt tyre nxitojnë?

Ne i lutemi Allahut të Madhëruar që të na bëjë prej njerëzve të së mirës, dhe të na japë sukses që të jemi nga ata për të cilët Ai ka thënë: “Për këtë le të garojnë ata që garojnë.” (Mutaffifin, 26)

O Allah! Ne të lutemi për vepruesin e së mirës që t’i shtosh besimin, t’ia zgjerosh riskun, t’i japësh lumturi në dynja e ahiret, begati në jetën e tij, shëndet në trupin e tij, dhe në botën tjetër ta shpërblesh me Xhenetin Firdeus, o Zot i botëve!

Allahu na bëftë neve dhe juve dobi me Kuranin e madhërishëm dhe me udhëzimin e të Dërguarit të nderuar.
Unë them këtë fjalë timen dhe i kërkoj falje Allahut të Madhëruar e të Lartësuar për veten time, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo mëkat; kërkoni edhe ju faljen e Tij, sepse Ai është Falësi dhe Mëshirëploti.

Hutbja e dytë

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve. Në dorën e Tij është e gjithë e mira dhe Ai është i Fuqishëm mbi çdo gjë. Dëshmojmë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, nuk ka mirësi veçse prej Tij dhe nuk mbetet askush tjetër veç Fytyrës së Tij të Lartësuar. Dëshmojmë se i Dërguari ynë, Muhamedi ﷺ, është robi dhe i dërguari i Tij; nuk ka të mirë që nuk na udhëzoi drejt saj, e nuk ka të keqe që nuk na paralajmëroi prej saj. Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi ata që i pasojnë me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

O muslimanë e muslimane!
Ka ardhur në hadith të saktë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kushdo që jep në rrugën e Allahut dy sende (d.m.th. nga çdo gjë një dyshe-çift), ai thirret nga dyert e xhenetit: ‘O robi i Allahut, kjo është një mirësi.’ Kush është nga njerëzit e namazit, thirret nga dera e namazit; kush është nga njerëzit e xhihadit, thirret nga dera e xhihadit; kush është nga njerëzit e agjërimit, thirret nga dera e Rejjanit; kush është nga njerëzit e sadakasë, thirret nga dera e sadakasë.”

Atëherë Ebu Bekri (radijallahu anhu) tha: “O i Dërguari i Allahut, babai dhe nëna ime qofshin flijuar për ty! Nuk ka asnjë dëm për atë që thirret nga ndonjë prej këtyre dyerve (sepse përfundimi i tij është fitimi i xhenetit), por a ka ndonjë njeri që thirret nga të gjitha këto dyer njëherësh?” I Dërguari ﷺ tha:  “Po, dhe unë shpresoj që ti, o Ebu Bekër, të jesh prej tyre.”

Kjo është e vërteta, o robër të Allahut, për të cilën ia vlen të punohet. Rrugët e së mirës janë të shumta, dhe dyert e veprave të mira janë të hapura.

Dijetarët kanë thënë: në shumicën e rasteve, veprat e mirësisë nuk hapen të gjitha për një njeri të vetëm. Nëse i hapet dera e një pune të mirë, zakonisht nuk i hapet tjetra. Por ka nga robërit e Allahut të cilëve u hapen shumë dyer njëkohësisht, dhe këta janë të paktë.

Shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ  nga dashuria e tyre e madhe për të mirën dhe kujdesi i tyre për veprat e mira, i drejtoheshin shpesh të Dërguarit me pyetje: “Cila vepër është më e mira? Cila vepër është më e dashura tek Allahu?” Sepse ata e dinin se njeriu nuk ka mundësi dhe nuk ka fuqi të përfshijë të gjitha veprat në të njëjtën kohë.

Për këtë arsye, përgjigjet e të Dërguarit të Allahut ﷺ ishin të ndryshme në kohë të ndryshme dhe në rrethana të ndryshme; urtësia e kësaj qëndron në faktin se edhe pyetësit ndryshonin në gjendjet e tyre, në prirjet e tyre, apo në atë që u përshtatej më shumë. Kështu, ai ﷺ i mësonte secilit atë që kishte më tepër nevojë, ose atë që i përshtatej dhe  ishte më i dobishëm për të.

O besimtarë!
Kuptimi i së mirës është i gjerë, ai nuk është i kufizuar vetëm në një fushë të caktuar. Fjala “e mirë” përfshin çdo gjë që i sjell dobi njeriut, qoftë në këtë botë apo në botën tjetër. Dhe ja, o robër të Allahut, ne gjendemi në ditë dhe netë të veçanta  për faljen e mëkateve, për pranimin e pendimit, për shumëfishimin e shpërblimeve dhe ngritjen e shkallëve tek Allahu. Prandaj, ejani dhe tregoni Allahut  të Lartësuar se jeni prej atyre që bëjnë mirë në këto sezone të mirësisë; mos i humbni këto mundësi të vyera! Sepse i mençuri nuk tregohet kurrë i painteresuar për veprat e mira, nuk vonon dhe nuk shtyn në të ardhmen afrimin me Allahun, por përkundrazi, tregohet vigjilent, shfrytëzon çdo rast dhe i plotëson ato që i ka humbur.

Muslimani duhet të përpiqet të kërkojë të mirën, ta shtojë atë dhe të mësohet me të, derisa të bëhet pjesë e natyrës së tij dhe një cilësi e qëndrueshme në jetën e tij. Ka ardhur nga një prej shokëve të nderuar të Profetit ﷺ se ka thënë: “Mësoni vetet tuaja me të mirën, sepse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: ‘E mira adaptohet me zakon, ndërsa e keqja me shprehi. Kujt Allahu ia do të mirën, ia mundëson  të thellohet në fe.’”

Muslimani është i urdhëruar të kërkojë të mirën gjatë gjithë jetës, por më së shumti i kërkohet që të jetë i përkushtuar dhe i vendosur për të shfrytëzuar ditët dhe netët e veçanta, siç është ky muaj i madh. Në këtë muaj hapen dyert e xhenetit, dhe nuk ka gjë tjetër për ata që garojnë në të mirë veçse të hyjnë të vendosur, dhe nuk ka rrugë tjetër për ata që duan të jenë të parët, përveçse të nxitojnë.

Të shpëtuarit e dinë mirë sa humbje dhe fatkeqësi e madhe është që një njeri ta arrijë këtë muaj dhe të privohet nga falja e Allahut. Ka ardhur hadithi i saktë ku i Dërguari ﷺ ka thënë:
“Qoftë i poshtëruar ai njeri, të cilit i vjen Ramazani dhe largohet prej tij, ndërsa nuk i është falur.”

O Allah! Na ndihmo që të bëjmë të mira dhe bëna prej atyre që nxitojnë për to!

Adnan ibn Abdullah Elkattan

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org – Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve