Biseda më e bukur për besimtarin është biseda rreth xhenetit. Xheneti është vendi i të devotshmëve, është lumturia e zemrave të njerëzve të mirë, është shpresa e çdo robi të mirë të Allahut. Xheneti dhe të mira e tij janë mbi iluzionet e njeriut. Allahu thotë në Kuran: “Me të vërtetë, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë për banesa kopshtet e Firdeusit, ku do të qëndrojnë përherë, duke mos dëshiruar asnjë ndryshim” (Kehf 107,108).
Transmeton Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut ka përcjell fjalët e Allahut, i Cili ka thënë: “Kam përgatitur për robërit e mi të mirë çka syri nuk ka parë, veshi nuk ka dëgjuar, dhe zemra nuk ka menduar asnjëherë për të”.
Xheneti është çmimi më i shtrenjtë dhe më i leverdishmi për besimtarin. Për ta arrit këtë çmim ka nevojë për angazhim dhe punë. Kërkimi i xhenetit pa punë dhe pa angazhim është mendjelehtës dhe lojë. Allahu thotë në Kuran: “Sa për atë që dëshiron botën tjetër dhe përpiqet për të me gjithë shpirt e duke qenë besimtar, përpjekja e tij do të shpërblehet” (Isra’ 19).
Do të ndalemi, të tregojmë cilësitë e banorëve të xhenetit dhe veprat të cilat i kanë futur këta njerëz në xhenet.
Ebu Bekri dhe veprat e mira të tij.
Transmeton Ebu Hurejre se një ditë (në mëngjes) i Dërguari i Allahut tha: “Kush është ngrit sot me agjërim? Tha Ebu Bekri unë o i Dërguari i Allahut. I Dërguari i Allahut tha: Kush e ka përcjell sot një xhenaze? Ebu Bekri tha unë o i Dërguari i Allahut. Tha: Kush prej jush sot ka ushqyer një të varfër? Ebu Bekri tha unë. I Dërguari i Allahut tha: Kush ka vizituar sot një të sëmur? Ebu Bekri tha unë o i Dërguari i Allahut. Atëherë i Dërguari i Allahut tha: “Nuk bashkohen këto vepra te një njeri, përveç se do të hyj në xhenet”
Uthmani dhe shpenzimi i tij në rrugën e Allahut.
Kur i Dërguari i Allahut u shpërngul në Medine dhe nuk kishin ujë të mjaftueshëm përveç se në pusin “ Ruma”, i cili ishte pronë e një hebreu, i Dërguari i Allahut tha: “Kush blen këtë pus që myslimanët të pinë ujë prej tij, do të ketë një më të mirë se ky në xhenet?” Uthmani e bleu këtë pus nga paret e tij që kishte. Kur i Dërguari i Allahut ndërtoi xhaminë dhe numri i myslimanëve filloi të rritet, hapësira e xhamisë u bë e pamjaftueshme për njerëz. Atëherë i Dërguari i Allahut tha: “Kush blenë tokën e filanit (ngjitur me xhami) që ta rris xhamin do të ketë një vend edhe më të mirë në xhenet”. Uthmani e bleu këtë tokë me pasurinë e tij.
Bilali dhe abdesi i tij
Transmeton Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut pas namazit të sabahut iu drejtua Bilallit dhe i tha: “Më trego o Bilall cila është ajo punë që ti po e bënë në islam. Sepse, unë sonte kamë dëgjuar trokitjet e këpucëve tua në xhenet? Bilalli tha: nuk kamë vepruar ndonjë vepër më shpresëdhënëse se ajo që sa herë kam marr abdes ditën apo natën kam fal nga namazi sa kam pat mundësi” (shënon Buhariu).
Dashuria ndaj kaptinës Ihlas (kul huvallahu ehad)
Transmeton Enes b. Malik se ishte një njeri i cili ua falte namazin njerëzve në xhaminë Kuba (në periferi të Medinës), dhe çdo herë që lexonte në namaz diçka nga Kurani, së pari këndonte kaptinë Ihlas e pastaj fillonte me ndonjë kaptinë tjetër, dhe këtë e vepronte në çdo rekate të namazit. Shokët e ti e qortuan për këtë dhe i thanë ose lexoje vetëm këtë sure pas Fatihas, ose lexoje ndonjë kaptinë tjetër. Imami iu tha jo, nuk do ta lë asnjëherë, ose më leni kështu të ju prij juve ose zgjidhni dikë tjetër. Ishte njeriu më i mirë në mesin e tyre dhe nuk dëshironin që dikush tjetër të ju prij në namaz. Atëherë shkuan te Pejgamberi dhe i treguan për rastin. I Dërguari i Allahut e ftoi këtë njeri dhe e pyeti: O Filan çka po të pengon që mos të veprosh ashtu sikur po të këshillojnë shokët e tu? Çka po të shtyn që ta lexosh këtë kaptinë në çdo rekate? Njeriu tha: O i Dërguari i Allahut. Shumë e dua këtë kaptinë. I Dërguari i Allahut tha: Dashuria ndaj kësaj kaptine të ka futur në xhenet (shënon Buhariu)”.
Mirësia ndaj njerëzve
Transmeton Ebu Hurejre se një njeri i tha Pejgamberit o i Dërguari i Allahut, një grua bënë shumë namaz dhe agjërim vullnetar, por iu bënë keq fqinjëve me gjuhën e saj. I Dërguari i Allahut tha ajo është në zjarr. Pastaj tha një grua nuk bënë shumë namaz dhe agjërim vullnetar por ajo nuk iu bënë keq fqinjëve me gjuhën e saj. I Dërguari i Allahut tha ajo është në xhenet”.
Durimi në sprova
Transmeton Ataa b. Rebaha se Abdullah b. Abasi i ka thënë: A dëshiron të tregoj një grua prej banorëve të xhenetit? I thash po. Tha kjo grua e zezë e cila erdhi te Pejgamberi dhe i tha o i Dërguari i Allahut unë kamë epilepsinë, lute Allahun që të më shëroj nga kjo sëmundje. I Dërguari i Allahut i tha: nëse dëshiron unë i lutem Allahut, por nëse bënë durim e ke të garantuar xhenetin. Gruaja tha unë po bëjë sabër. Por, unë kur sëmurem më zbulohet trupi, andaj lute Allahun që kur të më kaploj kjo sëmundje mos të zbulohem. I Dërguari i Allahut u lut për të” (shënon Buhariu).
Ndërtimi i xhamive
Nga Uthmani transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush ndërton një xhami për Allahun, Allahu do ti ndërtoj një shtëpi të ngjashme në xhenet” (Buhariu).
Kush fal dymbëdhjetë rekate brenda ditës, përveç farzeve
Nga Ummu Habib transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “ Kush fal brenda ditës 12 rekate, përveç farzeve, Allahu do t’ia ndërtoj një shtëpi në xhenet” (shënon Myslimi).
Ai që është i kënaqur me Allahun për Zot dhe me Islamin për fe
Nga Ebu Seid transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush thotë se jam i kënaqur me Allahun për Zot, me Muhamedin për pejgamber dhe me Islamin për fe, i është obliguar xheneti”.
Ai i cili largohet prej polemikës
Nga Muadh b. Xhebel transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Unë i garantoj një shtëpi në xhenet, në mes të xhenetit, në xhenetin më të lart atij i cili e len polemikën edhe nëse është në të drejt, e len gënjeshtrën edhe nëse është duke bërë shaka dhe e përmirëson moralin e tij.
Ai i cili është i sinqertë në tregtinë e tij
Nga Ebu Seidi transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Tregtari i sinqertë dhe besnik do të jetë me Pejgamberët, të sinqertit dhe besnikët dhe me dëshmorët” (shënon Tirmidhiu, hadithi i mirë)
Këto janë disa shenja dhe udhërrëfyes që ta ndriçojnë dhe ta lehtësojnë rrugën për në xhenet. Allahun e lusim të na bëjë prej banorëve të xhenetit. AMIN
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati