Të gjitha falënderimet e plota dhe lavdërimet absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë zotërisë së bijve të Ademit, Muhammedit ﷺ të cilin e dërgoi All-llahu mëshirë për krejt krijesat e Tij, familjes së tij fisnike, shokëve të tij besnik dhe të gjithë atyre që e pasojnë traditën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Dashuria ndaj Vatanit është prej ndjenjave më  të fuqishme njerëzore, të cilën e gjejmë tek të gjithë popujt e në të gjitha kohët dhe vendet. Këtë dashuri sublime e kanë shprehure vazhdojnë ta shprehin gjithandej të gjitha shtresat dhe kategoritë, çdo njëri në formën e vet, poetët duke thurrur vargjet më të bukura, e letrarët duke derdhur emocionet e veta në formën më artistike mbi letrat e tyre, ndërsa pikëtorët duke u munduar që nëpërmjet brushës dhe ngjyrave të tkurrin brenda një tabloje tërë ato emocione. Kësisoj dashurinë për atdheun e gjejmë të shprehur gjithandej, pasiqë është pjesë e natyrshmërisë njerëzore me të cilën lind njeriu. Nga këtu gjen njerëz të shumtë nga popuj e kombe të ndryshme, po edhe nga populli ynë i shumë përvuajtur të cilët plaken në gurbet me mallëngjimin për atdheun e tyre, pasiqë rrethanat e jetës i kanë detyruar të migrojnë larg tij. I sheh ata se si digjen në mallin për atdhe edhe pse jeta që kanë ndërtuar në dheun e ri shpesh herë është më e begatshme dhe më e pasur materialisht nga ajo që kanë lënë. Por, malli për atdheun është ai i cili ua djeg zemrat dhe nuk i lë të shijojnë si duhet këto të mira, prandaj të njëjtët posa të qelet kjo temë ua ndin ofshamat e zjarrta që burojnë nga thellësia e tyre dhe shpesh herë ndodh që, sapo të qelet ky kapitull, lotët e tyre i tradhëtojnë ata e u rrjedhin skëterrë. Madje shumë kush prej tyre, vazhdimisht përmend se ka vetëm një dëshirë: që i gjallë apo i vdekur të bashkohet edhe njëherë me atdheun e tij.

Ato janë vetëm disa prej mënyrave sesi reflekton zjarri i ndezur i dashurisë për Atdheun. Krejt këto janë pjesë e ndjenjave të patjetërsueshme njerëzore dhe si të tillë e gjejmë të shprehur edhe tek Pejgamberët e Zotit s.a.v.s. të cilët me shumicë janë sprovuar me dëbim e shpërngulje të detyruar nga vendi i tyre. “Sa vend i bukur që je, sa e dashur më je! Sikur populli yt të mos më nxirrnin me dhunë prej teje, kurrë nuk do të kisha banuar diku tjetër” tha i Dërguari i Allahut ﷺ në çastet kur po ndahej i detyruar nga Vendlindja e tij Mekkeja për në vendit e migrimit Medine. Vereka bin Neufel, i afërmi i Hadixhes që shkoj për ta konsultaur në çastet e para të shpalljes i tha Muhammedit ﷺ se populli yt do të dëbojnë, e ai i çuditur pyeti: “Pse, a do të më nxjerrin me forcë ?”. Vereka ia ktheu: “Po, se nuk ka ardhë asnjë njeri me këtë që erdhe ti e të mos jetë persekutuar. Nëse jam atë ditë gjallë, do të ndihmoj…”.( Sahihul Buhari, nr.3)

Nga ky hadith disa dijetarë kanë thënë se përfitohet mësimi: se ndarja nga vatani është shumë e rëndë, ngase kur të Dërguarit ﷺ i tha Vereka se do të keqtrajtohesh, përgënjeshtrohesh e persekutohesh, ai nuk u bezdis shumë, por kur ia përmendi largimin nga atdheu, shpirti i tij lëvizi për dashurinë që kishte për vatan dhe tha: Pse a do të më nxjerrin me dhunë prej tij?!

I Dërguai i Allahut ﷺ kur i shihte shokët e tij muhaxhirë në Medine sesi po mallëngjehen e po mërziten për atdheun e tyre e luste Allahun që t’iu dhurojë dashuri edhe për Medinen. Ai lutej e thoshte: “O Allahu! Na e bë Medinën të dashur ashtu siç e duam Mekken, apo edhe më shumë!”.(Sahihul Buhari, nr. 5353)

Atdhedashuria ka qenë dhe vazhdon të jetë ndjenjë shumë e përhapur edhe në popullin tonë. Nga mesi ynë fatbardhësisht ka pasur dhe ka burra që njëmend këtë dashuri e kanë dëshmuar me vepra, praktikisht duke sakrifikuar çdo gjë të çmuar madje edhe duke dhënë më të shtrejntën dhe të paçmuarën shpirtin dhe jetën. Adem Jashari dhe familja e tij janë shembulltyra më e ndritur e kësaj atdhedashurie të sinqertë. Ata ishin, janë dhe to mbesin përgjithëmonë pishtar ndriques dhe shembull frymëzues për brezat e ardhshëm. Madje shembulli i sakrificës së tyre për vatan kalon kufinjtë dhe përmasat e kombit tonë, ai është i denjë të jetë shembull ndërkombëtarë për çdo popull të përvujatur nga okupuesi zullumqar. Atdhedashuria e tyre ishte përtej çdo limiti dhe mbi çdo pritshmëri. Allahu i shpërbleftë, ngase vetëm Ai mund t’ua shpërblejë këtë sakrificë madhore.

Megjithëkëtë, në mesin tonë kemi jo pak edhe të atillë të cilët gojën e kanë plot kombtarizëm, atdhedashuri e patriotizëm, ndërsa praktika nuk ua dëshmon asnjë nga pretendimet e tyre. Si mund të jetë patriot i mirë ai i cili nuk e kryen me nder dhe përgjegjësi punën e tij profesionale dhe obligimet e tij ndaj kombit, të cilin pretendon se aq shumë e don. Dashuria është ndjenjë subjketive e cila duhet të dëshmohet me vepra konkrete, dhe vetëm në atë mënyrë konfirmohet si e sa e fuqishme është në vevtevete si emocion. Fjala vie, mësimdhënësi i cili tërë ditën flet për atdhedashuri, porse nxënësve të vet lëndën nuk ua mëson siç duhet. Ai fillimisht nuk e përgadit materien e lëndës që e ka për detyrë t’ua shpjegojë nxënësve e rrjedhimisht, ai nuk është në gjendje që atë ta bëjë lehtë të kuptueshme për ta dhe kësisoj ai i gjymton ata në atë lëndë për jetë e mot. Për më keq, kjo vazhdon gjeneratë pas gjenerate, anise lënnda e tij mund të jetë prej lëndëve më të rëndësishme. Dhe kësisoj gjakderdhja në arsim vazhdon e vazhdon e vazhdon. Po për atë, i cili ka nxjerrur fillimisht të këtillin si kuadër e pastaj edhe ka punësuar një të paaftë të këtillë çfarë mund të themi? Po për ata përgjegjës që e dijnë jokompetencën e të këtillëve dhe ua vazhdojnë kontratat për mësimdhëie çfarë të themi? T’i themi se i kanë shërbyer Vatanit dhe janë atdhetarë. Kurrsesi.

Po mjeku i cili për një interest të ngushtë material e merrë në qafë pacientin e tij duke e zvarritur intervenimin e nevojshëm, vetëm se nuk ia ka dhënë “bakshishin meritor”, apo edhe duke i sygjeruar ekzaminime shtesë të panevojshme për të, vetëm e vetëm që të përfitojë nga gjendja e tij edhe ca lekë shtesë! Ky, hipokrit, i lig, dashakeq e keqbërësë mund të jetë, por assesi atdhetar e patriot edhe nëse gjatë tërë jetës së tij vishet kuq e zi. Atdheu ynë pret prej bijëve të vet që dashurinë e tyre ndaj tij ta dëshmojnë me mund, kontribut, angazhim konstruktiv, e sakrificë, ndërsa folklorizmi i thatë e retorika shterpë nuk është gjë tjetër vetëm se demagogji me të cilën të tillën rrejnë vetëm veten e tyre.

Po çfarë të themi për ata nëpunës të korruptuar të cilët që nga lindja e diellit e deri në perëndim nuk mendojnë gjë tjetër vetëm për realizimin e tenderave të tyre. Nëse i dëgjon duke ligjëruar për atdheun dhe dashurinë për të, të mahnisin me oratorinë dhe demagogjinë e tyre. Po politikanët udhëheqës, të cilëve kur ua dëgjon premtimet elektorale gjatë fushatave të mbushet një mendje se ata edhe tokën e babës do ta shesin në të mirën e përgjithsme, dhe se deri në fund të mandatit nuk ka nevojë të pritet, ndryshimet do të vërehen në gjysmën e tij. Por ja që kalojnë mandate pas mandati, parti pas partije, pushtetarë pas pushtetari meshkuj e femra, saqë kaloj nga pas çlirimi ynë një qerek shekulli dhe ne lum nuk po bëjmë. Madje as me shtetet fqinje të rajonit nuk po arrijmë të matemi dot. Sikur të ishin atdhetarë siç pretendojnë punët tona do të ishin më ndryshe. Përkundrazi, për çdo ditë e më shumë ne po ngecim, sistemi ynë arsimor pëson goditje pas goditjeje e nxënësit, e ardhmja e këtij kombi, sa shkojnë e degradohen në dy të rrafshet atë të arsimit dhe të edukimit. Po nëse e kthen kokën kah një sektor tjetër jetik, ai i shëndetsisë, çfarë të shohësh, shëndetsia publike është në kolaps dhe vetëm sa nuk ka dhënë shpirt për vete. Si është e mundur që asnjë qeveri nuk qe në gjendje ti rregullojë këta dy sektorë jetik për vendin dhe kombin tonë. Por ja që këtu është mejdani ku matet atdhedashuria e vërtetë nga ajo falso. Bukur e ka thënë vet populli ynë: “ Fjalët si Demushi e punët si askushi”.

Ne kemi nevojë për atdhetarë të mirëfilltë, të cilët punojnë shumë e flasin pak ose hiq, për të atillë që e proseprojnë këtë vend, e bëjnë atë më të mirë se që ishte ai dje dhe më të dashur për brezat e ri, këta të cilët për ditë e më shumë perspektivën e tyre nuk po e shohin në vendin dhe gjirin familjar të tyre! Një sipërmarrës që hap vende të reja pune dhe i trajton punëtorë me dinjitet duke u ofruar atyre kushte dhe paga të mira dhe duke ngjallur shpresën se edhe në këtë vend jetohet mirë, i tilli është shembull për atdhedashuri të vërtetë. Një politikan i pakorroptuar e i paxhenda të këtij apo atij tarafi, por që bosullë të veprimeve dhe qëndrimeve të tij ka vetëm intersin e përgjithshëm kombëtar, i tilli është atdhetari i vëretë i ditëve të sotme. Hoxha punëtor në xhematin e tij, i kujdesshëm me të gjithë të vjetër e të rinjë e sidomos me fëmijë e të rinjë që të udhëzohen e të edukohen në frymën e pastër islame është patrioti i ditëve të sotme. Çdo njëri prej nesh nëse sillemi me përgjegjësi përballë detyrimeve dhe angazhimeve tona në shoqëri do të jemi bijtë e mirë të këtij mëmdheu. Përdndryshe, “Në të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në vetvete.” ( Rrad: 11)

Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm në edukimin e fëmijëve të tyre, të cilët përbëjnë dhuratën më të çmuar që ata mund t’ia lëjnë kombit e atdheut, ndërsa mësuesit e profesorët nuk mund të kontribuojnë me diç më të madhe sesa përkushtimi në procesin edukativoarsimor. Mjekët në profilin e tyre të punojnë me zell e devotshmëri dhe pahile në trajtimin e atyre të cilëve me plot gojën u thojnë vëllezër e motra. Përgjegjësit e sektoreve të sigurisë të jenë shumë syqelë e tepër vigjilent në këto kohë trazirash e turbulencash ndaj çdo rrezku të mundshëm, i jashtëm apo i brendshëm qoftë ai. Pra që të gjithë ne, nga recepcionisti e deri tek kryeqeveritari duhet ta dëshmojmë se atdheu është mbi të gjitha dhe para të gjithave ashtu siç pretendojmë. Le ta dëshmojnë se e duan më shumë sesa interesat e ngushta personale e materiale, më shumë sesa korrupsionin e nepotizmin e përhapur gjithandej. Përndryshe ajo mbetet vetëm hipokrizi e demagogji me të cilën njeriu mundet ta mashtrojë vetëm veten e tij dhe askënd tjetër.

I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “ Çdo njëri prej jush është bari dhe do të merret në përgjegjësi për tufën e tij. Prijësi i popullit është bari dhe përgjegjës për tufën e tij (popullin e tij). Burri është bari i familjes së tij dhe përgjegjës për të dhe gruaja është bareshë e shtëpisë së burit dhe e fëmijëve të tyre, dhe përgjgjëse për ta. Robi është bari i pasurisë së zotëriut të tij dhe përgjegjës i saj. Pra gjithë, secili prej jush jeni barinj, dhe gjithë secili është përgjegjës për tufën e tij”. ( Shënon Buhariu dhe Muslimi).

Vetëm kur çdo njëri prej nesh ndien barrën e përgjegjësisë së tij dhe mundohet maksimalisht të kryejë detyrat e tij me zell të plotë, vetëm atëherë ne do të prosperojmë si komb e do ta bëjmë krenar Atdheun tonë si dhe do të arrijmë që atë do t’ua dorëzojmë gjeneratave të ardhshme edhe më të fortë e më të mirë sesa që e morrëm ne atë.

“Thuaju: “Punoni, sepse Allahu do ta shohë punën tuaj, e edhe i Dërguari i Tij dhe besimtarët. Pastaj do të ktheheni tek Ai që e di të fshehtën e të dukshmen, e mandej Ai do t’ju njoftojë për atë që keni punuar.” ( Ettevbeh: 105)