Sedat ef.Islami
“Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, na bëj të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e ne na bëj shembull për të devotshmit”.(75). Për shkak se duruan, të tillët shpërblehen me një shkallë të lartë (Xhennet) dhe aty priten me përshëndetje të selamit. (76). Aty janë përgjithmonë, e sa vendqëndrim dhe vendbanim i mirë është ai.” (El Furkan, 74-76)
Largpamësi për xhelozi
Lutja e tyre për të pasur bashkëshorte të ndershme dhe fëmijë të edukuar nuk është e rastësishme, sikurse nuk është e rastësishme asgjë në jetën e tyre. Një meditim sado i thjeshtë i tyre, do të bindte për madhështinë dhe rëndësinë që kanë ato dhe për faktin se më së paku synohet dëfrimi formal me to. Robërit e sinqertë të Allahut të Madhëruar kanë menduar që të mbjellat e tyre në dynja të mos thahen kurrë. Kanë dashur që dynjaja t’u bëjë dobie edhe pas vdekjes dhe mu për këtë arsye kanë zgjedhur që për gra t’i kenë ato me moralin më të mirë, mu ashtu siç na ka porositur i Dërguari i Allahut, Muhamedi, a.s.: “Femra martohet për katër gjëra: Për pasurinë e saj, për prejardhjen e saj, për bukurinë e saj dhe për fenë e saj, martohu me atë që është fetare, të jesh i lumtur.”(1)
Kështu është siguruar hapi i parë ose është vënë themeli i fortë i familjes, me se synohet krijimi i familjes në mënyrën si do Allahu. Më qartë, ata duan që të kenë pasardhës që janë si drita e syrit për ta, që janë kënaqësi në këtë botë dhe që janë të dobishëm në Botën tjetër për prindërit e tyre, me lutjet që bëjnë për ta.
Pejgamberi, a.s., ka thënë: “Kur të vdesë njeriu, ndërpritet puna e tij (nuk i arrijnë shpërblimet) përveç në tri raste: (në rast se ka lënë pas vetës) sadaka të vazhdueshme, dituri që sjell dobi dhe fëmijë të mirë që lutet për të”.(2)
Pra, të devotshmit duan thjesht që të kenë fëmijë të edukuar në frymën fetare, në mënyrë që ky mund i tyre në këtë botë të japë fryte në Botën tjetër. Këta i janë përmbajtur me fanatizëm metodologjisë fetare në edukim, ngase:
1. Allahun e Madhëruar e kanë lutur me etikën dhe edukatën përkatëse. Janë përulur para madhërisë së Tij dhe kanë parashtruar kërkesa për gjëra që i aprovon feja. Madje këta në fakt E kanë lutur Allahun e Madhëruar që dhurata e tyre prej Tij të jetë -figurativisht- me këtë sfond: edukatë dhe moral, sepse sa prej njerëzve të sinqertë familjet e tyre i kanë pasur të shkatërruara. Nuhi dhe Luti, ishin të Dërguar
të Zotit, por familjet i kishin të devijuara. Këta shprehën varfërinë dhe dobësinë e tyre para Allahut, se pa vullnet, dëshirë dhe ndihmë prej Tij, nuk mund të bëhet asgjë. Pra, na dhuro fëmijë dhe pasardhës të hajrit, që puna e tyre të na gëzojë ne. Shprehja: ” heb lena – na dhuro” në Kur’an, kur përdoret në kontekst familjar, nënkupton vetëm familjen dhe pasardhësit e edukuar dhe fetarë. A nuk tha Allahu i Madhëruar për Ibrahimin, kur deshi ta qetësonte në këtë botë pas sfidave me popullin e vet: “Ne atij (Ibrahimit) i falëm Is’hakun dhe Jakubin dhe secilin prej tyre e udhëzuam…”. (El-En’am, 84) (3)
2. Kanë reflektuar imazhin e vërtetë të devotshmërisë, që nuk konsiston në abstenimin nga martesa, por pikërisht krijimin e familjes . Pejgamberi, a.s., siç shënon Muslimi në Sahihun e tij, ka mohuar qasjet e atyre tre vetave që kishin ardhur në shtëpinë e tij dhe njëri prej të cilëve, gjoja për të qenë më afër Allahut, kërkoi që të hiqte dorë nga jeta martesore. Martesa është njerëzore dhe feja nuk kërkon devotshmëri murgjish, po devotshmëri njerëzore. Mund të jesh shumë i devotshëm nëse ke grua të sinqertë dhe familje të edukuar.
Vetë Muhamedi, a.s. ka thënë: ”Dynjaja është plaçkë (dëfrim) dhe dëfrimi më i mirë në të është gruaja e ndershme”! (Muslimi).
3. Kanë filluar me familjen së pari, sepse fillimi duhet të jetë pikërisht në familje. Pejgamberi, a.s., ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që është më i miri për familjen e tij, e unë jam më i miri prej jush, sepse jam më i miri për familjen time”.(4)
Robërit e sinqertë të Allahut të Madhëruar, me gjithë përqendrimin e tyre në familje, nuk i fshehin ambiciet edhe për më gjerë. Ata duan të jenë shembull dhe model për të mirë për njerëzit, madje për një gjë të tillë e lusin Allahun.
Kurtubiu, në komentin e pjesës “e neve na bën shembull për të devotshmit” ka thënë: “Na bëj shembull që të pasohemi…”. Pra, na mundëso të jemi prej atyre që bëjnë punë të mira, përfillin parimet fetare, i thërrasin njerëzit në fenë e Allahut; na mundëso që me veprat dhe sjelljet tona, të jemi model për të tjerët për të na pasuar, e kështu të vjelim mirësi dhe shpërblime nga kjo vepër rrjedhëse, ngase, sa herë që dikush i pason ata, shpërblimi u shkon atyre edhe pas vdekjes, mu ashtu siç na mësoi hadithi i sipërpërmendur.
E se këta vërtet kanë një largpamësi, tregon edhe fakti se këtë e kanë llogaritur pasuri që të bën dobi në Ahiret, sepse, siç thotë Ibrahim Nah’iu, këtyre nuk u ka interesuar pozita materiale, ata nuk E kanë lutur Zotin që të marrin pozita qeverisëse, por pozita shpirtërore.
Kësisoj ishte edhe gjendja e të Dërguarve të Allahut, atyre që më së miri E njohën Atë dhe rrugën e Tij. Ibrahimi, babai i pejgamberëve, E kishte lutur Allahun: “Më bëj përkujtim të mirë ndër ata që vijnë pas”. (Esh-Shuara, 84)
Ibni Kethiri, komentues i njohur i Kur ’anit, ka thënë: (Ibrahimi, E luti Zotin) “Bëj që njerëzit të më përmendin për të mirë pas vdekjes sime dhe të më pasojnë mua…”!
Shpërblimi i robërve të sinqertë
Shpërblimi që Zoti Bujar ka përgatitur për këta besimtarë të sinqertë që sakrifikuan për Të dhe treguan sinqeritetin e përkushtimin më të madh, është Xhenneti, aty do të përjetojnë kënaqësitë e vërteta. Aty do të dëfrehen duke përjetuar paqen, mirësinë dhe qetësinë e vërtetë.
Se çfarë shpërblimi kanë, na mëson Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari i Tij. Në Kur ’an, në kaptinën Ez-Zumer, 73, thotë: “E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te Xhenneti, e kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë: “Selamun alejkum” – qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, prandaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë.”
Në kaptinën Kaf, 3-35, thotë: “Ndërsa besimtarëve të ruajtur Xheneti u afrohet krejt afër ”. (32).
Kjo është ajo që u premtohej për secilin që pendohet dhe që e ruan besën e dhënë. (33). Për secilin që i është frikësuar Zotit pa e parë dhe ka qenë i kthyer tek Ai me zemër të sinqertë. (34). (U thuhet): Hyni në të të shpëtuar, se kjo është dita e përjetshme. (35). Ata aty kanë ç’të dëshirojnë, e tek Ne ka edhe më shumë”.
Ndërsa, nëse duam ta dimë se çfarë shpërblimi kanë vërtet, atëherë do të kishte
qenë mirë sikur të shikonim shpërblimin e njerëzve më të thjeshtë në Xhenet, për ta krahasuar më pastaj atë me shpërblimin e robërve të sinqertë. i Dërguari i Allahut, Muhamedi, a.s., ka thënë: “Vërtet, Musai, E luti Zotin e tij: O Zoti im! Cili është njeriu nga banorët e Xhenetit që e ka pozitën më të ulët? Allahu i tha: Ai është njeriu që vjen pasi të kenë hyrë në Xhenet të gjithë, dhe i thuhet: Hyr në Xhennet! O Zot! E si të hyj kur njerëzit kanë zënë vendet e tyre dhe kanë marrë dhuratat e tyre?! Këtij i thuhet: A pajtohesh të kesh pasuri aq sa ka pasur një mbret i dynjasë? Po, pajtohem –përgjigjet. Atëherë ti do të kesh sa ai e edhe trefishin e saj që ka pasur ai mbret –i thuhet. O Zot! Pajtohem! –thotë njeriu. Ti do të kesh atë (që kishte ai mbret) dhe dhjetëfish më shumë! O Zot! Pranoj! Ti, krahas kësaj, do të kesh tërë atë që të dojë shpirti yt dhe të kënaqet syri yt! – i thotë Allahu”.(5)
Të nderuar vëllezër!
Rrugëtimi ynë me robërit e sinqertë të Allahut, këtu shënon fundin, por, para se të
ndahemi, dua të zbuloj para jush sekretin e këtyre personaliteteve: çfarë është ajo që i bën ata aq madhështorë dhe çfarë mundëson një shpërblim kaq të madh? Në fakt këtu nuk ka sekret, sepse një gjë të tillë Allahu e ka përmendur shumë qartë në Kur ’an, pikërisht në vetë ajetet me të cilat po e përmbyllim këtë seri hutbesh. “…Për shkak se duruan, të tillët shpërblehen me një shkallë të lartë (xhennet)…” (El-Furkan, 75.)
Pra, durimi është çelësi i këtyre sukseseve.
Dahhaku ka thënë: Për shkak se duruan duke respektuar Urdhrat e Allahut dhe të Dërguarit të Tij (ata u shpërblyen)…dhe për shkak se duruan ndaj epsheve (nuk u mashtruan)…
Pra, për të përvetësuar tiparet dhe karakterin e robërve të sinqertë të Allahut, duhet të durojmë, prandaj duroni, duroni, duroni ngase: “… ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” (Ez-Zumer, 10.)
(1) Buhariu dhe Muslimi.
(2) Tirmidhiu në Sunenin e tij ndërsa Albani e ka vlerësuar për autentik.
(3) Ngjashëm shih edhe: Ibrahim, 39; Merjem, 19; Sad, 30; Sad, 43; Merjem, 5, etj.
(4) Tirmidhiu dhe Ibni Maxheh ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
(5) Tirmidhiu ndërsa Albani e ka klasifikuar autentik.