Besimtarë të nderuar!
Dalëngadalë rrugëtimit tonë me robërit e sinqertë të Allahut po i vjen fundi. Për javë dhe muaj të tërë ishim në shoqërim të tyre, shoqërim ky që na dhuroi mësime, porosi, këshilla por edhe kënaqësi të veçantë. Përjetuam një klimë dhe atmosferë adhurimi e cila gjallëroi, motivoi dhe mobilizoi shpirtrat tanë për të qenë sa më pranë Krijuesit, sa më adhurues, sa më të devotshëm.
Sot do të përshkruajmë vizionin dhe ambiciet e tyre, do të shohim se çfarë aspirojnë dhe mëtojnë të realizojnë në jetën e kësaj bote. Në fakt do të mësojmë për mençurinë dhe largpamësinë e tyre ngase këto dëshira nuk janë thjeshtë dëshira për dëfrim por prapa tyre qëndron qëllimi adhurues. Më konkretisht, këto çaste të bukura të kësaj dite të madhe do t’i kalojmë nën hijen e ajeteve të fundit nga kaptina el-Furkan që flasin për robërit e sinqertë të Allahut të Madhëruar.
“Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bën shembull për të devotshmit”. 75. Për shkak se duruan, të tillët shpërblehen me një shkallë të lartë (xhennet) dhe aty priten me përshëndetje të selamit. 76. Aty janë përgjithmonë, e sa vendqëndrim dhe vendbanim i mirë është ai.” (Kur’ani, el-Furkan, 74-76)
Largpamësi për xhelozi
Lutja e tyre për të patur bashkëshorte të ndershme dhe fëmijë të edukuar nuk është e rastësishme, sikur që asgjë nuk është e rastësishme në jetën e tyre. Një meditim sado i thjeshtë i tyre do të a bindte për madhështinë dhe rëndësinë që kanë ato dhe se më së paku synohet dëfrimi formal me to. Robërit e sinqertë të Allahut të Madhëruar kanë menduar që të mbjellat e tyre në dunja të mos thahen kurrë. Kanë dashur që dynjaja t’iu bëjë dobie dhe pas vdekjes dhe mu për këtë kanë zgjedhur që për gra të kenë ato me moralin më të mirë, mu ashtu siç na ka porositur i Dërguari i Allahut, Muhammedi, alejhi’s selam. “Femra martohet për katër gjëra: Për pasurinë e saj, për prejardhjen e saj, për bukurinë e saj dhe për fenë e saj, martohu me atë që është fetare, të jesh i lumtur.”[1]
Kështu është siguruar hapi i parë ose është vënë themeli i fortë i familjes, e që synohet me të krijimi i saj në atë formë si Allahu do. Më qartë ata duan që të kenë pasardhës që janë si drita e syrit për ta, që janë kënaqësi në këtë botë dhe që në botën tjetër janë të dobishëm për prindërit e tyre me lutjet që bëjnë për ta. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Kur të vdes njeriu ndërpritet puna e tij (nuk i arrijnë shpërblimet) vetëm se në tri raste: (në rast se ka lënë pas vetës) sadaka të vazhdueshme, dituri që sjell dobi dhe fëmijë të mirë që lutet për të.”[2]
Pra duan thjeshtë që të kenë fëmijë të edukuar në frymën fetare në mënyrë që ky mund i tyre në këtë botë të jep frytet në botën tjetër. Këta i janë përmbajtur me fanatizëm metodologjisë fetare në edukim ngase:
1) Kanë lutur Allahun e Madhëruar me etikën dhe edukatën përkatëse. Janë përulur para madhërisë së Tij dhe kanë parashtruar kërkesa për gjëra që feja i aprovon. Madje këta në fakt e kanë lutur Allahun e Madhëruar që dhurata e tyre prej Tij të jetë -figurativisht- me këtë sfond: edukatë dhe moral, ngase sa prej të sinqertëve kanë patur familjet e tyre të shkatërruara. Nuhi dhe Luti, alejhima’s selam, ishin të Dërguar të Zotit por familjet i kishin të devijuara. Këta shprehën varfërinë dhe dobësinë e tyre para Allahut se pa vullnet, dëshirë dhe ndihmë prej Tij nuk mund të bëhet asgjë. Pra, na dhuro fëmijë dhe pasardhës të hajrit që puna e tyre të na gëzojë ne. Shprehja: ” heb lena – na dhuro” në Kur’an kur përdoret në kontekst familjar nënkupton vetëm familjen dhe pasardhësit e edukuar dhe fetar. A nuk tha Allahu i Madhëruar për Ibrahimin, alejhi’s selam se kur deshi që ta qetësonte në këtë botë pas sfidave me popullin e vet:
“Ne atij (Ibrahimit) i falëm Is’hakun dhe Jakubin dhe secilin prej tyre e udhëzuam…” (Kur’ani, el-En’amë, 84[3])
2) Kanë reflektuar imazhin e vërtetë të devotshmërisë, e që nuk është në abstenimin nga martesa por në të, Pejgamberi, alejhi’s selam, siç shënon Muslimi në Sahihun e tij, ka mohuar qasjet e atyre tre vetave që erdhën në shtëpinë e tij dhe që njëri prej tyre për të qenë kinse më afër Allahut kërkoi që të izolohej nga jeta martesore. Martesa është njerëzore dhe feja nuk kërkon devotshmëri murgjish por devotshmëri njerëzore. Mund të jesh shumë i devotshëm nëse ke grua të sinqertë dhe familje të edukuar. Vet Muhammedi, alejhi’s selam, ka thënë se: ”Dunjaja është plaçkë (dëfrim) dhe dëfrimi më i mirë në të është gruaja e ndershme!” Transmeton Muslimi.
3) Kanë filluar me familjen së pari, ngase starti duhet të jetë pikërisht në familje. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që është më i miri për familjen e tij ndërsa unë jam më i miri prej jush ngase jam më i miri për familjen time.”[4]
Robërit e sinqertë të Allahut të Madhëruar me gjithë fokusin e tyre në familje, nuk fshehin ambiciet edhe për më gjerë. Ata duan që të jenë shembuj dhe model për të mirë për njerëzit, madje e lusin Allahun për një gjë të tillë. Kurtubiu ne koment të pjesës “e neve na bën shembull për të devotshmit” ka thënë: “Na bë shembull që të pasohemi…” Pra, na mundëso që të jemi prej atyre që bëjnë punë të mira, përfillin parimet fetare, ftojnë në fenë e Allahut, na mundëso që me veprat dhe sjelljet tona të jemi model për të tjerët për të na pasuar, e kështu të vjelim mirësi dhe shpërblime nga kjo vepër rrjedhëse ngase sa herë që dikush i pason ata, shpërblimi iu shkon dhe atyre pas vdekjes, mu ashtu siç na mësoi hadithi i sipërpërmendur.
E se këta vërtet kanë një largpamësi tregon edhe fakti se pasuri kanë llogaritur këtë që të bën dobi në ahiret sepse, siç thotë Ibrahim Nah’iu, këtyre nuk i ka interesuar pozita materiale, nuk kanë lutur Zotin që të marrin pozita qeverisëse por pozita shpirtërore.
Kësisoj ishte edhe gjendja e të Dërguarve të Allahut, atyre që më së miri e njohën Atë dhe rrugën e Tij. Ibrahimi, alejhi’s selam, babai i pejgamberëve, e kishte lutur Allahun:
“Më bën përkujtim të mirë ndër ata që vijnë pas” (Kur’ani, esh-Shuara, 84)
Ibni Kethiri, komentues i njohur i Kur’anit, ka thënë: (Ibrahimi, alejhi’s selam e luti Zotin) “Bë që njerëzit të më përmendin për të mirë pas vdekjes sime dhe të më pasojnë mua…!”
Shpërblimi i robërve të sinqertë
Shpërblimin që Zoti bujar ka përgatitur për këta besimtarë të sinqertë që sakrifikuan për Të dhe treguan sinqeritetin dhe përkushtimin më të madh, është Xhenneti, ku aty do të përjetojnë kënaqësitë e vërteta. Aty do të dëfrehen duke përjetuar paqen, mirësinë dhe qetësinë e vërtetë. Se çfarë shpërblimi kanë na mëson Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari i Ti., alejhi’s selam. Në Kur’an, në kaptinën ez-Zumer, 73, thotë:
“E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te xhenneti, e kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë atyre: “Selamun alejkum” – qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë.” Në kaptinën Kaf, 3-35, thotë: “Ndërsa besimtarëve të ruajtur xhenneti u afrohet krejt afër. 32. Kjo është ajo që u premtohej për secilin që pendohet dhe që e ruan besën e dhënë. 33. Për secilin që i është frikësuar Zotit pa e parë dhe ka qenë i kthyer te Ai me zemër të sinqertë. 34. (U thuhet) Hyni në të të shpëtuar, se kjo është dita e përjetshme. 35. Ata aty kanë çka të dëshirojnë, e te Ne ka edhe më shumë.”
Ndërsa nëse duam ta dimë se vërtetë çfarë shpërblimi kanë, atëherë do të kishte qenë mirë sikur të shikonim në shpërblimin e njerëzve më të thjeshtë në Xhenet për ta krahasuar më pas atë me shpërblimin e të robërve të sinqertë. I Dërguari i Allahut, Muhammedi, alejhi’s selam, ka thënë: “Vërtetë, Musai, alejhi’s selam, e luti Zotin e tij: O Zoti im! Cili ehte njeriu nga banorët e Xhennetit që ka pozitën më të ulët? Allahu i tha: Ai është njeriu që vjen pasi të kenë hyrë në Xhennet të gjithë dhe i thuhet Hy në Xhennet! O Zot! E si të hyj kur njerëzit kanë zënë vendet e tyre dhe kanë marrë dhuratat e tyre?! Këtij i thuhet: A pajton që të kesh pasuri aq sa ka patur një mbret i dunjasë? Po, pajtoj -perjgigjet. Atëherë ti do të kesh sa ai e edhe trefishin e saj që ka patur ai mbret –i thuhet. O Zot! Pajtoj! –thotë njeriu. Ti do ta kesh sikur atë (që ka patur ai mbret) dhe dhjetëfish më shumë! O Zot! Pranoj! Ti krahas kësaj do të kesh tërë atë që të dojë shpirti yt dhe të kënaqet syri yt! – i thotë Allahu.”[5]
Të nderuar vëllezër!
Rrugëtimi ynë me robërit e sinqertë të Allahut këtu shënon fundin, por para se të ndahemi dua të zbuloj para jush sekretin e këtyre personaliteteve: çfarë është ajo që i bën ata aq madhështorë dhe çfarë mundëson një shpërblim kaq të madh? Në fakt këtu nuk ka sekret ngase një gjë të tillë Allahu e ka përmendur shumë qartë në Kur’an dhe atë në vet ajetet me të cilat po e përmbyllim këtë seri hutbesh. “…Për shkak se duruan, të tillët shpërblehen me një shkallë të lartë (xhennet)…” (Kur’ani, el-Furkan, 75.)
Pra, durimi është çelësi i këtyre sukseseve. Dahhaku ka thënë: Për shkak se duruan duke respektuar urdhrat e Allahut dhe të Dërguarit të Tij (ata u shpërblyen)…dhe për shkak se duruan ndaj epsheve (nuk u mashtruan)…
Pra, për të përvetësuat tiparet dhe karakterin e robërve të sinqertë të Allahut duhet të durojmë, andaj duroni, duroni, duroni ngase: “… ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!“ (Kur’ani, ez-Zumer, 10.)
[1] Buhariu dhe Muslimi.
[2] Transmeton Tirmidhiu në Sunenin e tij ndërsa Albani e ka vlerësuar për autentik.
[3] Ngjashëm shih edhe: Ibrahim, 39; Merjem, 19; Sad, 30; Sad, 43; Merjem, 5, etj.
[4] Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibni Maxheh ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[5] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e ka klasifikuar autentik.