Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu, s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon.
Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.
Ditët po shkojnë, vitet po ecin, jeta po pakësohet, vdekja po afrohet. Njeriut nuk i mbetet asgjë tjetër, vetëm se të ndalet dhe të mendojë për aktivitetin e kaluar. Ai duhet të ndalet dhe të mendojë për veprimet.
Ne kemi hyrë tashmë në vitin e ri islamik 1431. Shkoi një vit i tërë me mbi 360 ditë, mbi 8600 orë, mbi 500,000 minuta!
Vallë, a më shumë ka kontribuar për të mirën apo për të keqen?!
Cilat janë arritjet e tij gjatë vitit që lamë prapa?
Libri i tij çfarë shënimesh përmban?
I mençur është ai që bën llogari para se t’i nënshtrohet llogarisë së Allahut të Lartësuar.
Besimtar i nderuar!
Kujto se zemra jote në mënyrë sistematike ka pasur rreth 40 milionë rrahje, një organ i cili me precizitetin më të madh ka kryer funksionin e programuar që nuk krahasohet me asnjë nivel kompjuterësh.
Sa frymëmarrje ke pasur? Rreth 11 milionë frymëmarrje, me lehtësi ke marrë frymë, e ke thithur ajrin e Allahut të Lartësuar, asnjëherë nuk të është ndalur fryma. Po të të kishte ndodhur ndonjë bllokim në sistemin e frymëmarrjes, do të paralizohej e bllokohej truri, veshi, syri, goja, zemra dhe do të kishte përfunduar jeta e dynjasë.
O ti njeri! O rob i Allahut!
Sinqerisht, për këto të mira të Allahut, a e ke falënderuar Atë me një sexhde?
Viti që shkoi ka kërkuar prej teje 1800 namaze farze, obligative, sa i ke humbur me arsye dhe pa arsye?
Namazet që i ke falur, sa prej tyre i ke falur në xhami, me përkushtim e devotshmëri? Apo i ke falur shpejt duke mos qenë i kujdesshëm?
Sa herë e ke lexuar Kuranin gjatë këtij viti? Lëre sa herë, por së paku një herë me vëmendje a e ke lexuar Librin e Allahut?
Gjatë vitit si i ke pasur punët dhe marrëdhëniet familjare e raportet me familjarët, të afërmit, miqtë, shokët?
Vëlla, a e ke përmendur Allahun shpesh, në këmbë, ulur, lëvizur?
A ke menduar për jetimin kur ke luajtur me fëmijët e tu?
A ke kujtuar të vejat e shkreta kur ke kaluar natën me familjen?
A ke menduar për muslimanët e uritur kur je kënaqur duke ngrënë fruta e perime?
A i ke kujtuar të sëmurët dhe ata që janë të paralizuar kur ke ecur e lëvizur shumë rehat?
Sa herë ke shprehur interesim për gjendjen e muslimanëve të shtypur, të vrarë, pa të drejtat elementare?
Vëlla, sa herë je penduar tek Allahu për gabimet dhe gjynahet e bëra?
Vëlla, si po e ndien veten pas këtyre pyetjeve?!
O ti njeri!
Mos harro llogarinë që do të japësh në ahiret, do të prezantohen veprat e tua një nga një e as gjëja më e imët nuk do të harrohet. Do të kesh shumë dëshmitarë që do të dëshmojnë. Do të dëshmojë toka, melajket dhe gjymtyrët.
Kjo tokë, nëpër të cilën po ecim, po ushqehemi, po pushojmë, do të jetë dëshmitare para Allahut të Lartësuar për mëkatet e tua. Po kjo tokë, një ditë do të ofrojë prova dhe do të dëshmojë për çdonjërin, do të flasë për çdo mëkat që është bërë në të. Do të vijë një ditë kur ajo do të shpalosë, do të zbulojë, do të publikojë dhe do të nxjerrë fshehtësitë dhe sekretet e tua.
“Kur të dridhet toka me dridhjen e saj të fuqishme, Dhe të nxjerrë toka atë që ka në brendinë e saj (barrën nga brenda), Dhe njeriu të thotë: “Çka kjo (që bën këtë dridhje)?” Atë ditë ajo i rrëfen tregimet e veta.” (Zelzele, 1-4)
Fjalët e Allahut: “Atë ditë ajo rrëfen tregimet e veta”, i shpjegon i Dërguari i Allahut me fjalët: “Pa dyshim që tregimet (lajmet) e asaj dite janë dëshmia për çdonjërin çka ka vepruar në sipërfaqen e tokës, duke thënë: “E ke bërë këtë dhe këtë vepër, po në këtë ditë. Këto pra janë rrëfimet e asaj dite.” (Transmeton Tirmidhiu, hadithi është hasen.)
Melaiket i shënojnë dhe i regjistrojnë veprat e tua të mira dhe të këqija. Allahu i Lartësuar thotë: “Por pa dyshim që mbi ju janë ruajtësit (melekët e caktuar me përgjegjësi për njerëzit) për t’ju vëzhguar ju. Kiramen Katibin (të nderuarit që shkruajnë veprat tua). Ata dinë gjithçka që ju veproni.” (Infitarë, 10-12)
Do të dëshmojnë edhe gjymtyrët: duart, këmbët, gjuha, sytë, veshët por edhe e tërë lëkura. Të gjitha këto o njeri do të dëshmojnë për ty në Ditën e Gjykimit. Do t’i zbulojnë mëkatet, krimet dhe haramet e tua dhe do t’i bëjnë publike. Allahu i Lartësuar thotë: “Sot Ne ua mbyllim gojët atyre.” (Jasin, 65)
E më pas ç’do të ndodhë: “Neve na flasin duart e tyre.” (Jasin, 65) Vallë a do të mbesë me kaq, jo! “Kurse këmbët e tyre dëshmojnë për atë që punuan.” (Jasin, 65)
Këto janë fjalët e Allahut, atëherë ti shpejto në kërkim falje, pendim, Allahu fal shumë: “E kërkoni falje prej Allahut, se Allahu është Mëkatfalës, Mëshirues!” (Muzemil, 20)
“Kush bën ndonjë të keqe ose e ngarkon veten, pastaj kërkon falje tek Allahu, ai e gjen Allahun Falës dhe Mëshirues.” (Nisa, 110)
Lutju Allahut të Lartësuar me lutjen kryesore që njihet si “zotëria, mbreti i istigfarit”:
“O Allah! Ti je Zoti im. Nuk meriton të adhurohet askush përveç Teje. Ti më krijove dhe unë jam robi Yt. I përmbahem betimit dhe premtimit që të kam dhënë, sa të kem mundësi. Tek Ty mbështetem nga të këqijat që kam bërë. E pranoj mirësinë Tënde ndaj meje dhe e pranoj mëkatin tim. Prandaj, më fal! Sepse Ti je Ai që fal mëkatet.”
Kujto Ebu Bekrin kur iu drejtua të Dërguarit të Allahut duke i thënë: “Më mëso një dua që ta them në namaz.” Muhamedi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, tha: “Thuaj! O Zot! Unë i kam shkaktuar vetes shumë padrejtësi, vetëm Ti je Ai që fal mëkatet. Prandaj, Ti më fal e më mëshiro, sepse Ti je Ai që fal dhe mëshiron.”
Gjithashtu i Dërguari i Allahut tha: “Vallahi, unë e lus Allahun për falje mëkatesh më shumë se 70 herë në ditë.”
I nderuar besimtar!
Beso bindshëm dhe vepro, mbill të mira, se do t’i vjelësh frytet e saj në botën tjetër. Bëhu rob i Allahut, rob i cili përulet në ruku dhe në sexhde, lexon Kuran, i nënshtrohet dhe i përulet Krijuesit Allah, rob i cili bën llogari vazhdimisht.
Bëhu rob i Allahut në shtëpi, rob i Allahut në xhami, rob i Allahut në rrugë, rob i Allahut në punë, rob i Allahut kur njerëzit të njohin dhe kur nuk të njohin, edhe kur të jesh në vetmi pa askënd, pos Allahut.
Allahu im! Ushqeji zemrat e besimtarëve me udhëzim të drejtë në Kuran dhe Sunet, që ta gëzojnë lumturinë në të dy botët!
Përgatiti: Ulvi Fejzullahu