Muhamed ibn Jahja Edh-Dhuhli (vdiq në vitin 252 h.), konsiderohet prej kolosëve të rrallë të shkencës së hadithit. Shquhej posaqërisht për diturinë e gjerë dhe të thukët rreth dobësive të fshehta që mund të gjindeshin tek hadithet edhe pse dikush në shikim të parë mund t’i konsideronte ato hadithe të sakta (ilmul Ilel).
Shumë prej dijetarëve ia kishin vënë epitetin: Emirul Mu’minine fil hadith (prijës i besimtarëve në shkencën e hadithit), epitet ky që shumë rrallë e hasim tek ndonjë dijetar i hadithit. Njëherit ishte edhe mësues dhe hoxhë i kolosëve të mëdhenj të hadithit, imamëve: Buhariut, Muslimit, Ebu Davudit, Tirmidhiut, Nesaiut, Ibn Maxhes, Allahu i mëshiroftë të gjithë.
Dijetarët e mëdhenj El Hatib Bagdadiu dhe Miziu , Allahu i mëshiroftë, në biografinë e tij kanë përmendur se në një ditë shumë të nxehtë vere, në mesditë biri i tij Jahja, hyri në bibliotekën e të atit. Ai kishte ndezur një fanar për shkak të errësirës që mbretëronte në bibliotekë dhe përpilonte një libër.
I biri kur e pa në këtë gjendje i tha: O babai im! Është kohë e nxehtë vere dhe ky tym që del nga fanari në këtë kohë do të ta dëmtojë shëndetin. Sikur të ishe çlodhur pak!
I ati u përgjigj me fjalët: Më thua kështu o bir, ndërsa unë gjendem me të Dërguarin ﷺ, shokët e tij dhe tabiinët?!
Shembuj të këtillë janë të shumtë në historinë e lavdishme islame. Pasioni i madh për nxënien e diturisë nuk i pengoi nga leximi e studimi megjithë kushtet e vështira klimatike.
Biografia e dijetarëve muslimanë duhet të jetë frymëzim për muslimanët në përgjithësi dhe rininë univerzitare e parauniverzitare në veçanti. Ata, dhe para tyre i Dërguari i Allahut dhe shokët e tij, duhet të merren si model dhe frymëzim.
Mosshkëputja nga nxënia e diturisë gjatë sezonës së verës është shumë jetike, qoftë edhe nëse ndodh me intenzitet më të vogël për shkak të angazhimeve të punës apo diç tjetër.
Njeriu nuk është buton i kompjuterit apo i pajisjes elekrike që aktivizohet menjëherë në momentin kur e shtyp. Qasja në mësim dhe studim kërkon kohë, dhe nëse shkëputja është e gjatë njeriu nuk mund të jetë i sigurtë se do të kthehet në gjendjen e tij të mëparshme.
1) Tarih Bagdad 4/656, Tehdhibul Kemal 26/627-628.
Marr nga hoxhë Muhamed Broja