Feja Islame është Fe e krenarisë dhe e bujarisë, është Fe e ngritjes, punës dhe sakrificës dhe nuk është Fe e poshtërimit dhe nënçmimit dhe as që është Fe e përtacisë, dembelisë dhe mosveprimit.
Islami na urdhëron për të patur ambicie të larta dhe i nxit besimtarët që të pajisen me këtë virtyt dhe i udhëzon në drejtim të rrugëve për ta fituar këtë virtyt. Një gjë që secili e heton në Islam është se besimi dhe vepra në praktik shkojnë çdoherë në çift, për këtë shkak në Kur’an çdoherë kur përmendet besimi, se bashku në atë ajet përmendet edhe veprimi, apo puna në praktikë. Thotë Allahu (subhanehu ue teala): “Ata që besuan dhe vepruan vepra të mira, do të kenë shpërblime të shumta”. (et Tiin 6) Poashtu thotë në një Ajet tjetër: “Përveç atyre që besuan dhe vepruan vepra të mira dhe këshilluan në të vërtetë dhe këshilluan për në durim”. (el Asr 3)
Vepra në praktik paraqet shfaqje e ambicieve të larta nga brendia e personalitetit, sepse ambicia e brendshme është forca e cila e lëviz trupin për të arritur qëllimet dhe caqet.
Prej Edukatës Islame është se e edukon muslimanin në pajisjen me ambicie të larta, siç është urdhëri për fitimin e kafshatës së gojës në mënyrë hallall, ose duke e nxitur besimtarin që të ec nëpër tokë dhe ta kërkojë furnizimin e tij, derisa të ketë mundësi të kujdeset për veten e tij dhe të mos jetë i nevojshëm për të tjerët. Nga ana tjetër i ka ndaluar nga lypja prej njerëzve duke e denoncuar lypjen si fenomen negativ, përveç nëse është lypje për nevoja të skajshme.
Na ka mësuar Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se dora që jep është më e hajrit sesa dora që merr dhe e ka ndaluar nga lypja atë i cili ka mundësi që të punojë dhe të fitojë. Poashtu Allahu e ka lavdëruar Xhihadin dhe muxhahidin i cili e jep shpirtin e tij për Allahun dhe dihet se shpirti është prej gjërave më të shtrenjta që i posedon njeriu në këtë botë dhe kjo njëherit paraqet kulminacionin e veprave të mira dhe paraqet ambicien më të lartë dhe sakrificën kulminante.
Prej ajeteve nxitëse në ambicie të larta janë edhe ajetet Kur’anore ku qortohet kopracia dhe frikacakllëku dhe nga ana tjetër e ka lavdëruar zemrërgjerësinë dhe trimërinë. Thotë Allahu: “Nuk është i barabartë ai prej juve që ka dhënë (pasuri) dhe ka luftuar përpara çlirimit (Mekkes), ata janë në shkallë të larta mbi ata që kanë dhënë (pasuri) dhe kanë luftuar më pas, dhe të gjithëve Allahu do ju jep të mira”. (el Hadid 10)
E gjithë jeta e Pejgamberit tonë të dashur ka qenë me optimizëm dhe me ambicie të larta, sjellje me të cilën i ka edukuar shokët e tij dhe ata që do të vijnë pas të jenë prej ambiciozëve.
Disa thënie inspirative rreth ambicieve të larta:
- Thotë Omeri r.a: “Mos i zvogloni ambiciet tuaja, sepse s’kam parë njerëz më të ulët sesa ata që i zvoglojnë ambiciet e tyre”.
- Thotë Imam Maliku: “Miru me vepra të larta dhe të ndershme dhe ki frikë prej veprave të ulta dhe të fëlliqta”.
- Thotë Prijësi i besimtarëve Aliu r.a: “Bëhu burrë që e ka këmbën në baltë, ndërsa e ka ambicien në qiell”.
- Thotë Ahmed Sheukij: “Shpendi fluturon me fletët e tij, ndërsa njeriu fluturon me ambiciet e tija”.
- Thotë Johann Goethe: “Të jesh i ditur nuk mjafton, duhet të zbatojmë… të dëshirosh nuk mjafton, duhet të veprojmë”.
- Thotë Orison Marden: “Mos prit mundësi të jashtzakonshme, po shfrytëzoji mundësitë ekzistente dhe bëri ata të të jashtzakonshme”.
Nga: Dr. Muhammed bin Ibrahim
Përktheu me disa shtojca: Enis Arifi