Falënderimi i takon Zotit të botëve, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Njeriu, duke lëvizur nëpër dynja, lakmon dhe kërkon që të ketë kohë sa më tepër e ta gëzojë jetën, pasurinë, fëmijët dhe miqtë. Muslimani i lutet Allahut të Lartësuar që Ai ta bekojë e t’i japë bereqet. Pa dyshim që Muhamedi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, kërkonte bekimin e Tij në shumë çështje.
Bereqet do të thotë: Fryti, dobia, bekimi i Allahut të Lartësuar ndaj një gjëje, nëse është e paktë bëhet e shumtë, kur është shumë ka dobi të madhe, kurse fryti më i madh i bereqetit në të gjitha çështjet është përdorimi në kënaqësinë e Allahut të Lartësuar.
Allahu, kur e zbret bereqetin, përfshin çdo gjë si: pasurinë, fëmijën, kohën, punën, prodhimin, gruan, pasurinë, mjetin, shtëpinë, mendjen, trupin, etj..
– Bereqeti në pasuri; në rritje, shumim dhe bollëk.
– Bereqeti në shtëpi; në qetësi dhe pushim.
– Bereqeti në ushqim; në shumicë të mjaftueshme.
– Bereqeti në fëmijë në edukimin e tyre.
– Bereqeti në familje; duke pasur harmoni.
– Bereqeti në ymër; duke jetuar më gjatë me vepra të mira.
– Bereqeti në kohë; duke e shfrytëzuar atë në maksimum.
– Bereqeti në shëndet; i fuqishëm dhe aktiv.
– Bereqeti në dituri; në njohuri të bollshme.
Të gjithë duhet t’i kërkojnë bereqetet e lartpërmendura që të shtohen e të zhvillohen.
Si ta sjellësh bereqetin?
Në vazhdim po japim një manual duke reflektuar vetëm në disa parime drejtuese.
E para: Frikërespekti ndaj Allahut të Lartësuar. Takvallëku është çelësi i çdo mirësie. I Lartësuari thotë:
“Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka .”1
“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.”2
Takva do të thotë të kesh respekt ndaj Allahut për hir të Allahut dhe duke shpresuar shpërblimin prej Allahut. T’i lësh mëkatet për hir të Allahut duke u frikësuar nga dënimi i Allahut.
Pra, devotshmëria dhe frikërespekti ndaj Tij hap dyert e mirësive dhe të bekimit të tyre. Në një rast, një mirëdashës u shpreh në këtë mënyrë kur i paraqitën shqetësimin e ngritje së çmimeve duke i thënë: “I nderuar, janë ngritur çmimet.!”
Ai iu përgjigj: “Ulini çmimet me takvallëk.”
E dyta: Leximi i Kuranit. Fjalët e Allahut të Lartësuar janë bekim dhe shërim i sëmundjeve të zemrës dhe të trupit. Lexo fjalët e Tij:
“Ky (Kuran) është një Libër i bekuar, të cilin ta kemi shpallur ty (o Muhamed), si vërtetues të atij (Teuratit) që gjendet para tij dhe që të paralajmërosh popullin e nënës së qyteteve (Mekës) dhe ata që banojnë rreth saj. Ata që besojnë në jetën e ardhshme, besojnë edhe në të (Kuran) dhe kujdesen për kryerjen e namazit të tyre.”3
“Ndërsa ky (Kuran) është Këshillë e bekuar, të cilën Ne e kemi shpallur, prandaj, si mund ta mohoni ju atë?!”4
“Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.”5
E treta: Duaja, lutja. Muhamedi (alejhi selam) e kërkonte bereqetin në shumë çështje. Na mësoi që të lutemi për të martuarin po me këtë lutje:
“Allahu të bekoftë ty dhe pasardhësit e tu dhe ju bashkoftë juve të dyve në të mira!”6
E katërta: Përfundimi dhe realizimi i punëve që në fillim të ditës. Kështu u lut Muhamedi (alejhi selam) me lutjen:
“Allahu im! Bekoje (jepi bereqet) popullit tim herët në mëngjes!”7
E pesta: Largimi nga malli haram me të gjitha format që ka. Në pasurinë e ndalur nuk ka bereqet dhe argumentet për këtë janë të shumta. Kujtojmë me këtë rast vetëm një fakt:
“Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë.”8
E gjashta: Zbatimi dhe kryerja e namazeve të detyrueshme. Allahu i Lartësuar thotë:
“Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut.”9
E shtata: Kërkim falje nga Allahu i Lartësuar në mënyrë të vijueshme. Allahu i Lartësuar thotë:
“E u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!”10
Të nderuar besimtarë!
Gjithashtu, bereqeti dhe bekimi i Allahut të Lartësuar realizohet edhe duke e falënderuar Krijuesin, duke dhënë lëmoshë, duke u mbështetur në Të, duke pasuar traditën profetike në çdo gjë, duke vizituar farefisin, duke treguar besnikëri në shitblerje, etj..
Nuk mund të kalojmë pa kujtuar edhe fushat e tjera të shtrirjes së bekimit, si:
– disa veprime, fjalë dhe forma sjellin bereqetin, si: të kujtuarit e Allahut, Kurani, xhihadi, tubimi me njerëz në ushqim dhe dituri.
– disa vende janë të bekuara, si: xhamitë, xhamia në Mekë, Medinë, Aksaja, Meka, Medina.
– disa kohë janë të bereqetshme, si: Ramazani, Nata e Kadrit, dita e xhuma, koha e syfyrit.
– disa ushqime janë të bekuara, si: ullinjtë, qumështi, mjalti, hurmat, uji i zemzemit.
Jeta jonë ka nevojë të madhe për të fituar bekimin dhe mbarësinë e nevojshme. Por kur ne po jetojmë në kohën (epokën) e shpejtësisë, shkencës, teknikës dhe teknologjisë, vallë a ka përfunduar bereqeti dhe epoka e bekimit?
Të ndalemi tek pasuria. Nuk ka bereqet, sa e sa njerëz janë të barabartë me të varfrit, edhe pse kanë pasuri, vetëm pse Allahu i Lartësuar ua largoi bereqetin prej atyre.
Shumë njerëz janë të nderuar me fëmijë, por nuk janë të vyer për arsye të jo bereqetit. Kështu ndodh edhe me një pjesë të njerëzve të ditur, të cilët janë edhe enciklopedik, por nuk kanë bereqet.
Sot me të drejtë mund të pyesim: Ku është bereqeti! Ku është jeta e lumtur, e mirë, e sigurt?
Lexoni fjalët e Allahut të Lartësuar:
“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.”11
Shpejtoni në bekimin e Allahut të Lartësuar që ta fitoni shpërblimin e Tij. Lutjuni Atij për bereqet. Allahu ju dhëntë juve bereqet në jetë.
Ulvi Fejzullahu