Të dashur vëllezër besimtarë! Allahu ka emrat më të bukur dhe cilësitë më të larta. Secili emër i Tij tregon diç për Të. Prej emrave të Tij është edhe el-muxhib-المجيب që nënkupton se Allahu i dëgjon lutjet dhe i pranon kërkesat tona.
Ai është Krijuesi jonë. Të gjitha begatitë janë nga Ai. Furnizimet rrjedhin vetëm prej Tij. Ai na krijoi që ta adhurojmë vetëm Atë, e atëherë kur gabojmë, Ai nuk na ndëshkon, por na jep kohë që ne të kërkojmë falje dhe të afrohemi më tepër pranë Tij. Asnjëherë nuk e mbyll derën për ne, ajo përherë është e hapur për ne. Ai pret nga ne lutjet tona, që më pas të vijë edhe pranimi i atyre lutjeve prej Tij.
Salihu, që ishte njëri ndër pejgamberët e Allahut, pasi thirri popullin e tij në besim, më pas edhe u tregoi atyre se Allahu është përherë afër robërve të Tij dhe Ai u përgjigjet lutjeve të tyre:
وَإِلَىٰ ثَمُودَ أَخَاهُمْ صَالِحًا قَالَ يَا قَوْمِ اعْبُدُوا اللَّهَ مَا لَكُم مِّنْ إِلَٰهٍ غَيْرُهُ هُوَ أَنشَأَكُم مِّنَ الْأَرْضِ وَاسْتَعْمَرَكُمْ فِيهَا فَاسْتَغْفِرُوهُ ثُمَّ تُوبُوا إِلَيْهِ إِنَّ رَبِّي قَرِيبٌ مُّجِيبٌ
“Edhe te (populli) Themud e patëm njërin prej tyre, Salihun, e ai u tha: “O populli im, adhurojeni Allahun, ju nuk keni zot tjetër pos Tij, Ai së pari ju krijoi nga dheu dhe ju bëri banues të tij, andaj kërkoni falje prej Tij, dhe shprehni pendim te Ai. S’ka dyshim, Zoti im është afër (me mëshirë), Ai përgjigjet (lutjeve)”!
Allahu është afër robërve të Tij
Allahu është gjithnjë pranë robërve të Tij. Ndaj vëzhgimit të Tij askush s’mund të fshihet. Nuk ka dyshim se Ai është afër dhe i përgjigjet lutjeve e kërkesave tona:
… إِنَّ رَبِّي قَرِيبٌ مُّجِيبٌ
“S’ka dyshim, Zoti im është afër, Ai përgjigjet (lutjeve)”!
Ai është pranë nesh dhe pret nga ne që t’i lutemi Atij për të na dhënë përgjigjen: “E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet…”
Allahu i përgjigjet kërkesave të robërve të Tij
Vëllezër besimtarë! Dijetarët kanë përmendur se Allahu u përgjigjet kërkesave të robërve të Tij në dy mënyra;
– E para: Përgjigja e Tij ndaj lutjeve është e përgjithshme, dhe përfshin të gjithë njerëzit pa dallim feje, e kjo vjen më tepër në shprehje kur ata janë në ndonjë vështirësi apo telashe. Ai u përgjigjet edhe atyre që e mohojnë, sepse Ai është i mëshirshëm dhe i butë. Përderisa ata tregojnë anën e keqe me të, Ai tregon ndaj tyre të kundërtën e asaj që tregojnë ata.
– E dyta: U përgjigjet enkas besimtarëve dhe robërve të Tij të sinqertë, më konkretisht ata të cilët janë të sinqertë në lutjet e tyre.
Ndodh të vonohet përgjigjja, por ajo do të vjen gjithsesi
E, në rast se përgjigja ndaj lutjes mungon, dije se kjo bëhet për dy gjëra; që të vonohet pak, por kur të përgjigjet Allahu, të të befasojë me diçka edhe më tepër se që ke kërkuar ti, ose për shkak që Allahu dëshiron të të mbrojë nga ndonjë e keqe, sepse ti ndoshta mendon se ajo që po lutesh për të është diçka e mirë, mirëpo ka mundësi që të jetë jo e mirë për ty. Prandaj, Allahu i di urtësitë e çdo gjëje!
I Dërguari i Allahut tha: “Nuk ka mysliman që bën lutje të sinqertë dhe pa e shoqëruar lutjen me ndonjë gjynah e që Allahu mos t’i përgjigjet me njërën prej këtyre triave: (1) përgjigje të menjëhershme, (2) t’ia shtyjë përgjigjen për ahiret (që Allahu t’i jap më tepër atëherë) dhe (3) që Allahu me të t’ia largojë një të keqe.”
Omeri thoshte: “Nuk shqetësohem për përgjigjen nga Zoti, por e mbaj shqetësimin e lutjes, kështu që nëse frymëzohem për lutje, atëherë e di se përgjigja është me të!”
Shembuj kur Allahu iu përgjigj robërve të Tij
Të dashur xhematlinj! Janë të shumta rastet kur Allahu iu përgjigj lutjeve të robërve të Tij, andaj po përzgjedhim disa prej tyre:
– Iu përgjigj Ejubit a.s. me shërim të plotë:
وَأَيُّوبَ إِذْ نَادَىٰ رَبَّهُ أَنِّي مَسَّنِيَ الضُّرُّ وَأَنتَ أَرْحَمُ الرَّاحِمِينَ
“(Përkujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: “Më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër Mëshiruesit!”
Pas shumë viteve sëmundje, përgjigjja e Allahut ishte kjo:
فَاسْتَجَبْنَا لَهُ
Ne iu përgjigjëm atij…”
Zekerija a.s. nuk kishte fëmijë, pleqëria e kishte kapluar, flokët iu kishin thinjur, trupi iu kishte kërrusur, e gruaja e tij ishte sterile, ai dinte që në bazë të shkaqeve njerëzore nuk mund të kishte fëmijë, megjithatë ai bëri lutje, ngase e dinte se lutja mund të ndryshojë gjithçka: “(Përkujto) Edhe Zekerijan kur e luti Zotin e vet: “Zoti im, mos më le të vetmuar se Ti je më i miri trashëgues (pas çdokujt)”.
Përgjigjja e Allahut qe e shpejtë: “Ne ia pranuam lutjen e tij, ia dhuruam atij Jahjain…”
Kur Junusi ishte në barkun e balenës, në errësirat më të thella, ai u lut: “Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejt vetes!” Ndërsa përgjigja e Allahut qe e menjëhershme: “Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët.”
Vazhdo me lutje, se lutja është arma e besimtarit. Ti i drejtohesh Atij që Veten e quajti Pranues të lutjeve, andaj bëhu i sinqertë në lutjen tënde dhe prite përgjigjen, edhe nëse vonohet, mos e humb shpresën, ajo gjithsesi do të vijë, ndoshta do të vjen në një kohë që do të jetë më mirë për ty!