Falënderimi i takon vetëm Allahut që ia shpalli robit të vet Librin (Kuranin) dhe në të nuk lejoi ndonjë kundërthënie. Vetëm Atij i takon falënderimi në këtë botë dhe në botën tjetër dhe vetëm Atij i takon gjykimi dhe tek Ai ktheheni.
Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e mëshirës, Muhamedin, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të.
Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, kurse çdo lajthitje të çon në zjarr.
Muslimanë të respektuar!
Kurani është libër i Allahut të Lartësuar, përmbyllës i të gjitha mesazheve hyjnore, libër i cili përfshin lumturinë e të dy botëve.
إِنَّهُ لَقُرْآنٌ كَرِيمٌ .فِي كِتَابٍ مَّكْنُونٍ .لاَ يَمَسُّهُ إِلاَّ الْمُطَهَّرُونَ .تَنزِيلٌ مِّن رَّبِّ الْعَالَمِينَ
“Se me të vërtetë ai është Kuran i famshëm. Eshtë në një libër të ruajtur. Atë nuk e prek kush, vetëm të pastrit (melaiket). Eshtë i zbritur prej Zotit të botëve.”1
Kurani është libër që përmban udhëzimin dhe dritën, mburrjen dhe krenarinë, fitoren dhe suksesin. Andaj, muslimanët duhet të jenë të vetëdijshëm për madhështinë e librit të Allahut.
Kam ndërmend të shtroj një pyetje të rëndësishme duke ia drejtuar çdo muslimani. Pyetja është: Cila është pozita e Kuranit në jetën tënde duke filluar nga bindja, besimi, dituria, kuptimi, gjykimi, zbatimi dhe jetësimi? Vallë! Ku do ta gjejnë veten muslimanët me Kuranin? A do të jenë që do të gjejnë qetësinë dhe udhëzimin?
تَقْشَعِرُّ مِنْهُ جُلُودُ الَّذِينَ يَخْشَوْنَ رَبَّهُمْ ثُمَّ تَلِينُ جُلُودُهُمْ وَقُلُوبُهُمْ إِلَى ذِكْرِ اللَّهِ
“Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemra e tyre, kur përmendet Allahu. Ky libër është udhëzim i Allahut.”2
Apo mosdëgjimin dhe largimin prej librit të Allahut?
لا تَسْمَعُوا لِهَذَا الْقُرْآنِ وَالْغَوْا فِيهِ لَعَلَّكُمْ تَغْلِبُونَ
“Jobesimtarët thanë: “Mos e dëgjoni këtë Kuran! Flisni e qeshni me zë të lartë, që të ndërprisni leximin e tij!”3
E lusim Allahun e Lartësuar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta të na bëjë prej grupit të parë!
Në vazhdim, le të kujtojmë së bashku disa mirësi madhështore të Kuranit, librit të Allahut të Lartësuar, duke kujtuar së bashku Kuranin me Kuran.
Muslimanë! Kini parasysh se Kurani që po lexojmë dhe dëgjojmë është fjalë e Allahut e jo fjalë e njeriut:
قُل لَئِنِ اجْتَمَعَتِ الْأِنْسُ وَالْجِنُّ عَلَى أَنْ يَأْتُوا بِمِثْلِ هَذَا الْقُرْآنِ لا يَأْتُونَ بِمِثْلِهِ وَلَوْ كَانَ بَعْضُهُمْ لِبَعْضٍ ظَهِيرًا
“Thuaj sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhinët për ta hartuar një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të hartonin një të ngjashëm me të, madje edhe sikur ta ndihmonin njëri-tjetrin.”4
Atëherë, le të mësojmë diçka më tepër për librin e Allahu, i cili u quajt me disa emra dhe u cilësua me disa cilësi për shkak të vlerës dhe peshës që ka.
– Allahu e quajti Libër i cili shkruhet në rreshta:
(الم ذٰلِكَ ٱلْكِتَابُ لاَ رَيْبَ فِيهِ)
“Elif, Lam, Mim. Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim.”5
– Allahu e quajti Dallues, që dallon të vërtetën nga e pavërteta:
(تَبَارَكَ ٱلَّذِى نَزَّلَ ٱلْفُرْقَانَ عَلَىٰ عَبْدِهِ لِيَكُونَ لِلْعَـٰلَمِينَ نَذِيراً)
“I lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin (Kuranin) robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët.”6
– Allahu i Lartësuar e cilësoi Librin e Tij udhërrëfyes:
(هُدًى وَرَحْمَةً لّلْمُحْسِنِينَ)
“…udhërrëfyes dhe mëshirë për punëmirët.”7
– Allahu i Lartësuar e cilësoi Librin e Tij libër drite:
(وَأَنزَلْنَا إِلَيْكُمْ نُوراً مُّبِيناً)
“…nga Zoti juaj dhe ju është zbritur një Dritë e dukshme (Kurani).”8
– Allahu i Lartësuar e shpalli Kuranin edhe shërues:
(وَنُنَزّلُ مِنَ ٱلْقُرْءانِ مَا هُوَ شِفَاء)
“…Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim…”9
– Allahu e quajti urtësi:
(حِكْمَةٌ بَـٰلِغَةٌ)
”Urtësi e përsosur (është Kurani)!”10
– Allahu i Lartësuar e quajti këshillë:
(قَدْ جَاءتْكُمْ مَّوْعِظَةٌ مّن رَّبّكُمْ)
“Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kurani).”11
– Allahu e Lartësuar e quajti edhe shpallje:
(إِنَّمَا أُنذِرُكُم بِٱلْوَحْىِ)
“Unë ua tërheq vërejtjen vetëm me anën e kësaj shpalljeje.”12
– Allahu i Lartësuar e vlerësoi libër mëshire:
(يٰأَيُّهَا ٱلنَّاسُ قَدْ جَاءتْكُمْ مَّوْعِظَةٌ مّن رَّبّكُمْ وَشِفَاء لِمَا فِى ٱلصُّدُورِ وَهُدًى وَرَحْمَةٌ لّلْمُؤْمِنِينَ)
“Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kurani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.”13
-Allahu i Lartësuar e zbriti si libër bekimi:
(وَهَـٰذَا كِتَـٰبٌ أَنزَلْنَـٰهُ مُبَارَكٌ مُّصَدّقُ ٱلَّذِى بَيْنَ يَدَيْهِ)
“Edhe ky (Kuran) është libër që e zbritëm; është i bekuar, vërtetues i të mëparshmes.”14
– Allahu e zbriti libër të qartë:
(قَدْ جَآءَكُمْ مِّنَ ٱللَّهِ نُورٌ وَكِتَابٌ مُّبِينٌ)
“Juve ju erdhi nga Allahu dritë dhe libër i qartë.”15
– Allahu i Lartësuar me Kuran i përgëzoi besimtarët:
(مُصَدّقًا لِّمَا بَيْنَ يَدَيْهِ وَهُدًى وَبُشْرَىٰ لِلْمُؤْمِنِينَ)
“…që është vërtetues i asaj që ishte më parë dhe udhërrëfyes e përgëzues për besimtarët.”16
– Allahu i Lartësuar e quajti libër ngadhënjimi:
(وَإِنَّهُ لَكِتَـٰبٌ عَزِيزٌ)
“…ai është një libër ngadhënjyes (i pashoq).”17
– Allahu i Lartësuar e quajti libër lavdie:
(بَلْ هُوَ قُرْءانٌ مَّجِيدٌ)
“Përkundrazi, ai është një Kuran i lavdishëm.”18
Të nderuar besimtarë!
Këto ishin disa të dhëna nga Kurani i Madhërishëm për vetë Kuranin e lavdishëm. Kur muslimanët shprehin dashurinë dhe respektin ndaj librit të Allahut të Lartësuar, armiqtë e Islamit provokojnë ndjenjat e muslimanëve duke e përdhosur librin e udhëzimit të tyre. Sulmet e armiqve nuk janë diçka e re; ata çdoherë kanë zhvilluar fushata të njëpasnjëshme duke tentuar që t’i largojnë ata nga Libri i Allahut, nga Kurani, i cili thërret në besimin e pastër, në moral dhe vlera.
Qëllimet e tyre janë të qarta; ata e përdhosën Kuranin, e hodhën në mbeturina dhe tani së fundi Libri i Allahut u bë tabelë qitjeje me pushkë për ushtarët e një ushtrie të një vendi të qytetëruar. Mjetet e informimit na dhanë nja pamje mjaft të hidhur, kur në Librin e Allahut e mbarë bota pa katërmbëdhjetë vrimat plumbash. Po, vëllezër, katërmbëdhjetë shenja të bëra nga një ushtarak qitës.
Ata i përdhosën fletët e Kuranit, por ne muslimanët a po e nderojmë librin e shenjtë duke i jetësuar mësimet e tij?! Çdonjëri le të mendojë dhe t’i japë përgjigje vetes. Dhe në fund, mos të harrojmë dhe së bashku të kujtojmë se Allahu i Lartësuar me këtë Kuran i ngre njerëzit në nivele dhe pozita të larta, nëse ata e lexojnë dhe punojnë me librin e Allahut të Lartësuar. I Dërguari i Allahut thotë:
إِنَّ اللَّهَ يَرْفَعُ بِهَذَا الْكِتَابِ أَقْوَامًا وَيَضَعُ بِهِ آخَرِينَ.
“Pa dyshim që Allahu po më këtë Kuran i ngre disa popuj, ndërsa disa të tjerë i ul.”19
1 Vakia, 77-80.
2Zumer, 23.
3 Fussilet, 26.
4 Israë, 88.
5 Bekare, 1-2.
6 Furkan, 1.
7 Lukman, 3.
8 Ennisa, 174.
9 Israë, 82.
10 Kamer, 5.
11 Junus, 57.
12 Enbija, 45.
13 Junus, 57.
14 Enam, 92.
15 Maide, 15.
16 Bekare, 97.
17 Fussilet, 41.
18 Buruxh, 21.
19 Transmeton Muslimi
Ulvi Fejzullahu