Ah, sikur ta dinte populli im se çka është ahireti?!
(Xhenneti)

Kur flasim për ahiretin nënkuptojmë edhe xhennetin, e cila është shtëpi e bamirësve edhe xhehenemin që është shtëpi e keqbërësve.

Të fillojmë nga xhenneti, për shkak të shpresës se të gjithë besimtarët besimdrejtë dhe punëmirë do të jenë banorë të tij.

Ah, sikur ta dinte populli im se “çka është xhenneti”?

1- XHENNETI ËSHTË SHTËPI E PËRJETSHMËRISË.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Për ata që janë ruajtur, ata kanë te Zoti i tyre Xhennete nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe aty do të jenë përgjithmonë, kanë bashkëshorte të pastra, dhe kënaqësi nga All-llahu. All-llahu është Basir (Ai që sheh çdogjë) për robërit”. (Ali Imran: 15).

E shumë ajete tjera që e tregojnë këtë fakt.

Imam Taberaniu transmeton në “Muxhemin” e tij, kurse Imam Albani e konsideron të vërtetë, hadithin nga Muadh ibn Xhebeli [radijall-llahu anhu], se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Kthimi është te All-llahu, qoftë në xhennet ose xhehenem, ku do të ketë përjetshmëri (amshueshmëri) pa vdekje dhe qëndrim pa shpërngulje”.

2- XHENNETI ËSHTË VENDBANIM I BEGATIVE, KU SKA FATKEQËSI DHE MJERIM.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ata të cilët besuan, migruan dhe luftuan me pasurinë dhe veten e tyre në rrugën e All-llahut, ata kanë pozitë më të larët te All-llahu dhe vetëm ata janë fatlumë. Zoti i tyre i përgëzon ata me mëshirë nga Ai, me disponim ndaj tyre, me Xhennete ku ata do të kenë nimet (hirësi-mirësi) të pandërprerë. Ata aty do të jenë të pasosur e te All-llahu është shpërblim i madh”. (Et-Teube: 20- 22).

Kurse imam Buhariu transmeton nga Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] , i cili e ngritë hadithin te Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem], ku thotë:

“Një njeri nga banorët e xhennetit kërkoi leje nga Zoti i vet që të mbjellë. E Zoti i tha: a nuk je i kënaqur me këto gjëra? Tha: po, mirëpo dëshiroj të mbjelli. Ai e mbjelli farën, e filloi të rritet kjo bimë, e të piqet dhe të bëhet për tu korrur. U rrit aq shumë saqë u bë sa një kodër. All-llahu i tha: ndalu bir i Ademit, se asgjë nuk të ngop”.

3- KËNAQËSI EDHE MË E MADHE SE KJO ËSHTË FAKTI SE BANORËT E XHENNETIN FITOJNË DHUNTINË MË TË MADHE KUR TA SHOHIN ZOTIN E BOTËRAVE PËR ÇDO TË PREMTE.

Kjo ditë atje emërtohet dita e shtimit.

Vallë a nuk mallëngjohemi për këtë ditë!

Transmeton imam Muslimi nga Enesi [radijall-llahu anhu], i cili transmeton nga Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem]:

“Në xhennet ka një treg, te i cili vijnë për çdo të premte. Aty ka kodrinë me misk (parfym), të cilën e frynë një erë e veriut e ua përplas fytryës dhe rrobave të tyre, kurse atyreve u shtohet bukuria dhe mirësia, e kthehen te familja e tyre më të mirë dhe më të bukur, kurse familja e tyre u thotë: Vall-llahi qenkeni bërë më të bukur dhe më të mirë. Edhe këta do tua kthejnë: edhe ju qenkeni bërë më të bukura dhe më të mira”.

Imam Ahmedi, Ibn Maxheja dhe Ibn Huzejmeja transmetojnë nga Suhejbi [radijall-llahu anhu], i cili tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Kur banorët e xhennetit të hyjnë në xhennet dhe banorët e xhehenemit të hyjnë në xhehenem, do të thërras një thirrës: o ju banor të xhennetit, keni një premtim të All-llahut, të cilin dëshiron tua realizon. Thanë: e cili është ai premtim? A nuk na i ka rënduar peshojat (me të mira), a nuk na i ka zbardhur fytyrat, e na ka futur në xhennet e na ka shpëtuar nga zjari?! Atëherë All-llahu e largon mbulesën, e ata e shikojnë Ate. Vall-llahi, nuk ju ka dhënë All-llahu gjë më të dashur për ta dhe më të këndshme se sa shikimi në te”. (hadithi është sahih).

Ky është edhe komentimi i ajetit:

“Ata aty kanë çka të dëshirojnë, e te Ne ka edhe më shumë”. (kaf: 35).

“Atyre që bëjnë vepra të mira, u takon e mira (Xhenneti) edhe më tepër (e shohin All-llahun). Fytyrat e tyre nuk i mbulon pluhuri i zi as nënçmimi, ata janë banues të Xhennetit, aty janë përgjithmonë”. (Junus: 26).

Nëse të intereson diçka më tepër për përshkrimin e xhennetit, ja kjo që vijon:

4- PËRSHKRIM I XHENNETIT

a- Ajo i ka tetë dyer

Transmeton Ibn Sadi nga Utbe ibn Abdi se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Xhenneti i ka tetë dyer, kurse zjari i ka shtatë dyer”. (imam Albani këtë hadith e konsideron të vërtetë).

Nëse dëshiron të dishë diçka më tepër për ato dyer, dëgjo se sa të gjëra janë ato:

Transmeton Imam Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejre merfuan:

“Pasha Ate në Dorë të të Cilit është shpirti im, mes krahëve të dyerve të xhennetit ka hapësirë sa mes Mekës dhe Hexhrit, ose sa mes Mekës dhe Basrës”.

b- Toka e xhennetit është si buka e bardhë.

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Toka e xhennetit është sikurse buka e bardhë”. (Ebu Shejh në “el-Adhame”, kurse shejh Albani thotë se është sahih).

c- Në xhennet ka lumenj

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Besimtarëve dhe besimtareve All-llahu u premtoi Xhennete nën të cilët rrjedhin lumenj, në to do të jenë përgjithmonë, dhe (u premtoi) vendbanime të bukura në Xhennetin e Adnit, edhe një disponim nga All-llahu që është mbi të gjitha. Ky, pra është ai shpëtimi i madh”. (Et-Teube: 72).

Ka edhe shumë ajete tjera që flasin në këtë drejtim.

Transmeton Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu nga Muavije ibn Hajde merfuan:

“Në xhennet ka deti nga uji, deti nga qumështi dhe deti nga vena, e pastaj burijnë lumenjtë”. (Imam Albani thotë: hadithi është sahih).

Në xhennet është Keutheri të cilin All-llahu ia ka dhënë Pejgamberit të Tij

Transmeton imam Buhariu nga Enesi [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Duke udhëtuar në xhennet, mu shfaq një lum, në dy skajet e tij kishte kupollë nga margaritari i zbrazur nga mbrenda. Thashë: Xhibril, çka është kjo? Tha: ky është keutheri, të cilin ta ka dhënë All-llahu, pastaj e futi dorën në baltën e sajë dhe nxori misk (parfym), pastaj mu ngrit shikimi kah Sidretul-munteha, e aty pash një dritë të madhe”.

Transmeton Shiraziu në “El-Elkab”, kurse shejh Albani e konsideron të vërtetë, nga Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Katër lumenjë janë nga lumenjtë e xhennetit: Sihan, Xhihan, Nili dhe Eufrati”.

Kurse All-llahu [subhanehu ve teala] për këtë rast ka veçuar sure të plotë në Kur’an, të cilën edhe e ka emërtuar me këtë emër, sureja El-Keuther:

“Ne, vërtet, të dhamë ty shumë të mira (Keutherin)”. (El-Keuther: 1).

d- Xhenneti ka dhoma

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre do t’u bëjmë dhoma të larta në Xhennet në të cilin rrjedhin lumenj, aty janë përgjithmonë; sa i mirë është shpërblimi për ata që vepruan”. (El-Ankebut: 58).

“Ndërkaq, ata që u ruajtën për hir të Zotit të tyre, për ta do të ketë dhoma të ndërtuara njëra mbi tjetrën, nën të cilat rrjedhin lumenjtë. Premtimi i All-llahut, e All-llahu nuk e thyen premtimin”. (Ez-Zumer: 20).

Imam Ahmedi dhe Ibn Hibbani transmetojnë nga Ebu Malik El-Eshariu se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Në xhennet ka dhoma, ku shihet pjesa e jashtme nga mbrenda dhe pjesa e brendshme nga jashtë. Këto dhoma All-llahu ia ka përgaditur ati që japin ushqim, flasin butë, e vazhdojnë agjërimin dhe falen kur njerëzit flejnë”. (shejh Albani thotë: hadithi është sahih).

e- Në xhennet ka një dru me pozitë të madhe

Transmeton Imam Buhariu dhe Muslimi nga Enesi [radijall-llahu anhu] merfuan:

“Në xhennet ka një dru, në hijen e të cilit dru vrapon kalorësi i një kalit të shpejtë dhe të stërvitur një qind vjet dhe nuk i del në fund”.

Kurse Imam Ahmedi dhe ibn Hibbani transmetojnë nga Ebu Seid El-Hudriu [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Tuba, është një dru në xhennet, i gjërë aq sa kalon njeriu për një qind vjet. Rrobat e banorëve të xhennetit dalin nga degët e saja”. (shejh Albani thotë: hadithi është hasen).

f- Shtëpitë e xhennetit janë të ndërtuara nga ari dhe argjenti

Transmeton imam Ahmedi dhe Tirmidhiu nga Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] merfuan:

“Xhenneti është i ndërtuar nga një tullë e argjendit dhe një e arit, kurse llaça mes tyre nga misku me erë të këndshme, hasbahua nga margaritari dhe xhevahiri, dheu nga shafrani. Ai që hynë në te begatohet e nuk mërzitet, jeton përgjithmon dhe nuk vdes, nuk u vjtersohen rrobat e as u plaket rinia”. (imam Albani thotë: hadithi është sahih).

g- Në xhennet ka tenda nga margaritari

Imam Muslimi transmeton nga Ebu Musa El-Eshariu [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Besimtari ka në xhennet tendë të ndërtuar prej një margaritari të zbrazur nga brenda, e gjatë gjashtëdhjet mila, e veçantë për besimtarin. Në te ka gratë e veta, të cilat i viziton besimtari, e ata nuk mund ta shohin njëri tjetrin, (nga madhësia e tendës)”.

Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Musa [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Tenda është nga margaritari i zbrazur nga brenda, i gjatë në qiell gjashtëdhjet milë, në secilin skaj besimtari ka gra, të cilat nuk i shohin të tjerët”.

h- Mos pyet për përshrkimin e grave tuaja në xhennet

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“E, përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira se ata do të jenë në Xhennete në të cilët rrjedhin lumenj. Saherë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: “Ky është që me te u ushqyem edhe më parë”. Ngase, u sillet ushqim i ngjashëm (vetëm në formë, e jo edhe në shije). Aty do të kenë ata bashkëshorte të pastra dhe aty do të jenë përgjithmonë”. (El-Bekare: 25).

Në këtë drejtim flasin shumë ajete, ne nuk do të mundemi t’i paraqesim të gjitha, andaj në vijim do t’i përmendim vetëm disa hadithe që flasin mbi këtë temë.

Ibn Omeri [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Gratë e banorëve të xhennetit do tu këndojnë burrave të tyre me zërat më të bukur që janë dëgjuar ndonjëherë. Prej asaj që do të këndojnë është edhe kjo:

Ne jemi të mira dhe të bukura

gra të njerëzve fisnik.

Shikimi në to ta kënaq syrin.

Prej asaj që këndojnë është edhe kjo:

Ne jemi të amshuara e nuk vdesim

Jemi të sigurta e nuk frikësohemi

Jemi të vendosura e nuk shtegtojmë”. (Transmeton Taberaniu, kurse shejh Albani thotë: hadithi është sahih).

Vëllezër

Nuk duhet haruar se xhenneti është grada grada, dhe secili e fiton atë gradë për të cilën punon dhe lodhet.

Imam Buhariu transmeton nga Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] merfuan:

“Në xhennet ka njëqind shkallë, të cilat All-llahu i ka përgaditur për atë që lufton në rrugë të All-llahut. Mes dy shkallëve ka hapsirë sa mes qiejve dhe tokës. Kur të kërkoni prej All-llahut kërkoni firdeusin, sepse ai është xhenneti më i mesëm dhe më i larti, e mbi te është Arshi i të Mëshirshmit, e prej tij burojnë lumenjtë e xhennetit”.

Muadh ibn Xhebeli [radijall-llahu anhu] tregon se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Lërëni njerëzit të punojnë, sepse xhenneti është njëqind shkallë, mes dy shkallëve ka hapësirë sa mes qiellit dhe tokës, kurse Firdeusi është në shkallë më të lartë dhe është në mes, kurse përmbi sajë është arshi i të Mëshirshmit, e prej tij burojnë lumenjtë e xhennetit. Kur të kërkoni prej All-llahut, kërkoni Firdeusin”. (Transmeton imam Ahmedi dhe Tirmidhiu, kurse shejh Albani thotë: sahih).

Për fund, ky është përshkrimi i xhennetit dhe këto janë të mirat që na presin aty.

Le të përvjelim krahët e të punojmë seriozisht për ta fituar këtë shtëpi.

Ose vallë akoma ka prej nesh njerëz që i japin përparësi jetës së kësaj bote para të mirave të xhennetit, ose mos vallë akoma jetojnë në neglizhencë shkatërruese.

Ky është xhenneti, e ku janë ata që punojnë për këtë xhennet?

Ky është xhenneti e ku janë ata që mallëngjohen për te?

Nëse vazhdojmë në këto telashe dhe belaja, nëse i japim përparësi të shpejtës kalimtare para të mëvonshmes së përjetshme, vallë a e dimë se ku do të përfundojmë?!

p.s. Origjina e materialit është e shejh Muhamed Husjen Jakub, mirëpo unë e kam përpunuar, duke mënjanuar ose duke shtuar, ashtu siç kam menduar se është më mirë.

Përshtati: Bekir Halimi,

Bekir Halimi,
18.10.2002