Siraaj Muhammad
Siraaj Muhamed trajton konceptin e admirimit të hoxhallarëve me famë: të qenit aq i zhytur në admirimin e personalitetit të një udhëheqësi fetar saqë harrojmë mesazhin e vërtetë të Islamit.
Adhurimi i heronjve
Ne muslimanët jemi njerëz që iu nënshtrohemi të njëjtave dështime që i vuan i gjithë njerëzimi. Të poseduarit e shpalljes me udhëzime nuk përkthehet automatikisht veprim në praktikë. Për disa shembuj të shpejtë, rilexoni suren El- Bekare; do të gjeni ngjarje të popujve që ju është dhënë udhëzim nga Allahu, dhe për një arsye ose tjetër, ata zgjedhën të veprojnë ndryshe. Nuk ishin vetëm Beni Israilët, por edhe babai ynë Ademi i cili ishte në lidhje të drejtpërdrejtë me Allahun. Shembulli i fundit nuk duhet të na bëjë të kemi frikë nga shejtani, por duhet të frikësohemi nga ndjenja “Unë jam i sigurt dhe në parajsë do të shkoj!”.
Ndër problemet njerëzore nga të cilat vuajmë është edhe admirimi e nganjehere edhe adhurimi i personave me famë. Personat fetar shpesh e theksojnë se komuniteti musliman është i dashuruar me kulturën e të famshmëve – në një form pothuajse të adhurimit. Dhe kjo mund të jetë e vërtetë, mirëpo edhe fetarët i kanë personat e tyre me famë, apo jo? Që nga gjeneratat e para të njerëzimit, të devotshmit u përkujtuan me statuja. Këto statuja fillimisht u mbajtën në pjesen e pasme të zonës së lutjes, dhe më vonë u zhvendosën në pjesën e përparme dhe u adhuruan. Historikisht mendimtarët e shkollave të ndryshme të teologjisë kristiane debatuan në mes vete derisa mendimi që e konsideronte Jezusin (paqja qoftë mbi të) vetëm profet (ebionitët) humbi ndaj besimit që e bënte atë mjaftueshëm hyjnor, sa që në një mënyrë apo tjetër të adhurohej.
Ata’-u transmeton se Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Të gjithë idhujt nga populli i Nuhut u shfaqën në mesin e arabëve më vonë. Ata ishin emrat e njerëzve të drejtë në mesin e popullit të Nuhut. Kur ata vdiqën, shejtani i frymëzoi njerëzit e tyre që të ndërtonin statuja në vendet ku ata uleshin dhe t’i emërtonin me emrat e tyre. Ata vepruan ashtu dhe nuk i adhuruan derisa brezi i parë vdiq dhe dituria humbi, pastaj ata u adhuruan. [Ṣaḥīḥ al-Bukhārī 4636]
Një dështim njerëzor
Ne muslimanët jemi njerëz dhe duhet të pajtohemi emocionalisht se edhe ne vuajmë nga problemet njerëzore. Disa me të drejtë ankohen se edhe ne kemi problemin në qasje ndaj hoxhollarëve me famë. Nuk është problemi te hoxha që flet mirë dhe e shpërndan mesazhin e tij – është një problem njerëzor në mes nesh që ne dashurohemi aq shumë pas karizmës së tyre sa që i lejojmë vetëvetet tona të konsumohemi nga personaliteti i tyre. Ne e humbasim vetën në mënyrën se si ata na bëjnë të ndihemi, në vend që mesazhi i tyre të na ndihmojë të madhërojmë dhe adhurojmë më mirë Allahun subḥānehu ue teala (i madhëruar dhe lartësuar qoftë Ai), të zhvillojmë karakterin tonë personal dhe të bëhemi anëtarë kontribues të shoqërisë. Ne padyshim duhet t’i trajtojmë me respekt ata dhe të përfitojmë prej tyre si shembuj model.
Hoxhallarët tanë të famshëm (ang. celebrity sheikhs) nuk janë vetëm ata që jetojnë, por edhe ata që kanë ndërruar jetë kohë më parë dhe kanë lënë trashëgimi (dije) të madhe pas tyre. Shpesh, ata shndërrohen nga njerëz të gabueshëm në legjenda mitike që nuk mund të bënin asnjë gabim. Emrat e tyre shpesh bëhen shkak për bashkim apo kundërshtim. Nuk ka asnjë grup të personave fetar që nuk vuajnë nga ky problem, pasi që në thelb ky nuk është një problem religjioz, por është problem njerëzor. Njerëz me famë të ndryshëm për individë të ndryshëm, por i njëjti këndvështrim mendor i lustruar.
Si të mos jesh ithar i verbër
Shumë janë njerëzit e mëdhenj që kanë sakrifikuar dhe lënë pasuri shpirtërore që komuniteti ynë të përfitojë prej tyre. Përfitoni nga ajo që kanë lënë pas dhe jini mirënjohës duke bërë dua për ta. Vetëm mbani mend se qëllimi nuk ishte që ju të dashuroheshit aq shumë me ta, saqë gjithçka që bëni është të mendoni për ta, të thurni lavde ndaj tyre ose madje të vareni prej tyre për shpëtim. Çështja është që ju të mësoni që marrëdhënia juaj, dashuria juaj, lutja juaj, varësia juaj, e gjithë kjo dhe më shumë të rritet vetëm për Allahun subhanehu ue teala (i madhëruar dhe lartësuar qoftë Ai).
Ju do ta dini se çfarë është sepse do të përkthehet në cilësi dhe sasi më të madhe të namazeve, duave, dhikrit dhe Kuranit; të gjitha lindur nga dëshira për t’iu afruar Allahut subhanehu ue teala (i madhëruar dhe i lartësuar qoftë Ai). Dhe njëkohësisht ju do ta dini edhe të kundërtën: kur, pas gjithë orëve dhe leximit, këto fusha themelore nuk po rriten – ato mund të mos jenë konsistente.
Keni kujdes që të mos i lavdëroni, përkujtoni ose mitizoni njerëzit që përpiqen të ju lidhin me adhurimin e Allahut subḥānehu ue teala (i madhëruar dhe lartësuar qoftë Ai). Padyshim merrini si shembuj model. Duajini dhe përfitoni nga njerëzit, frymëzohuni prej tyre, bëni lutje për ta. Vetëm mos harroni të kërkoni afërsinë shpirtërore me Allahun në të njëjtën mënyrë që bënin sahabët vazhdimisht. Përqëndrohuni në namaz, dua, dhikër, Kuran (leximin, recitimin, meditimin dhe të kuptuarit), bamirësi dhe në përsosjen e karakterit tuaj.
Shembulli i përsosur
Në shembullin e përsosur të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe shokëve të tij do të gjeni më shumë se mundësi të mjaftueshme për t’iu afruar Allahut subḥānehu ue teala (i madhëruar dhe lartësuar qoftë Ai). Është mu nëpërmjet shembullit të tyre që ne mësojmë t’i duam dhe respektojmë siç duhet njerëzit me besim të mirë. Nuk ka dyshim se këta janë modelet më të mira, dhe ata kanë dhënë shembujt më të mirë për t’u ndjekur. Shikoni zakonet e tyre dhe do të kuptoni se ku duhet të shpenzoni shumicën e kohës suaj për t’iu afruar Allahut . Natyrisht, nëse jeni besimtar i rëndomtë (si unë), sigurohuni që të pyesni imamin/dijetarin tuaj të besuar vendas që të ju shpjegojë se çfarë kanë bërë ata dhe sa shpesh e kanë bërë! 😉
Përkthyer nga: Enis Kelmendi
Burimi: muslimmatters.org/2022/05/29/celebrity-shaykh-worship-how-not-to-be-a-groupie/