Falënderimi i takon All-llahut. Atë e
falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga
All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon
All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e
udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe
dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një
frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran:
102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një
veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e
gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin,
se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.” (En-Nisa:1)
“O ju
besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju
mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton
All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.”
(El-Ahzab:70:71)
Thënia më e vërtetë është thënia e All-llahut,
kurse udhëzimi më i mirë – udhëzimi i Muhammedit sal-lall-llahu ‘alejhi ve
sel-lem. Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid’at dhe
çdo bid’at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në
zjarr…
Adhurimi dhe gradat e dashurisë
E gjithë feja është përfshirë në termin Ibadet. Një hadith sahih tregon se Xhebrali, alejhi selam, erdhi tek i Dërguari, alejhi selam, në formën e një njeriu të panjohur dhe e pyeti atë për Islamin.
Pejgamberi, alejhi selam i tha: “Islami është: Të dëshmosh se s`ka të adhuruar tjetër, me të drejtë, përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh haxhin në Meke nëse ke mundësi. Xhebraili e pyeti: “Çfarë është imani? Ai tha-: Imani është të besosh Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij, Ditën e Gjykimit, kaderin në të mirë e në të keqe. Xhebraili pyeti: Çfarë është ihsani: Ai tha-: Të adhurosh Allahun sikur e sheh, edhe pse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty. Në fund të hadithit i Dërguari, alejhi selam, tha: “Ishte Xhebraili erdhi t`ju mësojë fenë tuaj” Muslimi
Të gjitha këto janë pjesë e fesë Islame. Fjala din (fe) përmban në vetvete kuptimin e përgjërimit e të nënshtrimit që nënkupton: Ta adhurosh, t’i bindesh Allahut e të jesh i përulur para Tij, kjo është feja e Allahut, Islami. Fjala ibadet ka gjithashtu kuptimin e nënshtrimit dhe përuljes. Në arabisht një rrugë mund të përshkruhet si “tarik mu`abed” rrugë e lëmuar (ky është kuptimi gjuhësor i fjalës ibadet, sh.r) dhe njerëzit ecin lehtësisht në të. Por lloji i ibadetit që ne jemi urdhëruar të kryejmë, përfshin nënshtrimin dhe dashurinë maksimale ndaj Allahut.
Llojet e dashurisë
Shkalla më e lartë e dashurisë është tatajum (magjepsje e plotë), ndërsa shkalla më e ulët e dashurisë është alakah, kur zemra është e lidhur ngushtë me atë që do, pastaj vjen sababeh (tërheqje), kur zemra zbrazet nga çdo gjë tjetër, pastaj garam (pasion) kur dashuria asnjëherë nuk largohet nga zemra, pastaj ashk (dashuri e flaktë) dhe përfundimisht tatajum. Kur thuhet që një person “Tejeme Allah” e do shumë Allahun, kjo nënkupton se ai e adhuron Allahun dhe i robërohet Atij sepse e do.
Kur një person nuk e pëlqen dikënd por megjithatë i nënshtohet atij, ky nuk është adhurim e as robërim, sikurse nuk konsiderohet adhurim nëse do dikënd por nuk i nënshtrohesh atij. Ngjashëm me këtë, është ai njeri që mund të dojë fëminë ose mikun, por as kjo nuk konsiderohet adhurim e as robërim. Ndërsa në adhurimin e Allahut duhet patjetër të jenë të pranishme dashuria dhe nënshtrimi. Njeriu duhet të ketë dashurinë më të madhe për Allahun, e Ai duhet të jetë më i madhëruar për robin se çdo gjë tjetër, sepse asnjë nuk meriton dashuri dhe robërim të plotë përveç Tij. Dashuria maksimale ndaj të tjerëve përveç Allahut, është dashuri e pa vlerë, ndërsa madhërimi i të tjerëve përveç Allahut është adhurim i kotë. Allahu i Madhëruar thotë:
قُلْ إِن كَانَ آبَاؤُكُمْ وَأَبْنَآؤُكُمْ وَإِخْوَانُكُمْ وَأَزْوَاجُكُمْ وَعَشِيرَتُكُمْ وَأَمْوَالٌ اقْتَرَفْتُمُوهَا وَتِجَارَةٌ تَخْشَوْنَ كَسَادَهَا وَمَسَاكِنُ تَرْضَوْنَهَا أَحَبَّ إِلَيْكُم مِّنَ اللّهِ وَرَسُولِهِ وَجِهَادٍ فِي سَبِيلِهِ فَتَرَبَّصُواْ حَتَّى يَأْتِيَ اللّهُ بِأَمْرِهِ وَاللّهُ لاَ يَهْدِي الْقَوْمَ الْفَاسِقِينَ
“Thuaju (O Muhamed): Në qoftë se etërit tuaj, djemtë, vëllezërit, bashkëshortet, të afërmit tuaj, pasuria që ju keni fituar, tregtia tek e cila keni frikë humbjen dhe vendbanimet tuaja ku ju gjeni kënaqësi, janë më të dashura për ju se Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe se lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni derisa Allahu të sjellë Vendimin e Tij, Allahu nuk e vë në rrugë të drejtë popullin e pabindur.” Teube 24
Vetëm për Allahun
Dashuria dhe bindja e plotë duhet të jenë vetëm për Allahun, të Dërguarin dhe për të fituar kënaqësinë e Tij.
يَحْلِفُونَ بِاللّهِ لَكُمْ لِيُرْضُوكُمْ وَاللّهُ وَرَسُولُهُ أَحَقُّ أَن يُرْضُوهُ إِن كَانُواْ مُؤْمِنِينَ
“… e më e drejtë është që ata të kënaqin Allahun dhe të Dërguarin e Tij nëse janë besimtarë.” Teube 62
Ibadeti dhe gjërat që janë të lidhura me të, si mbështetja e plotë në Allahun, frika e të tjera si këto, duhet të jenë vetëm për Allahun, ashtu siç thotë Allahu:
قُلْ يَا أَهْلَ الْكِتَابِ تَعَالَوْاْ إِلَى كَلَمَةٍ سَوَاء بَيْنَنَا وَبَيْنَكُمْ أَلاَّ نَعْبُدَ إِلاَّ اللّهَ وَلاَ نُشْرِكَ بِهِ شَيْئًا وَلاَ يَتَّخِذَ بَعْضُنَا بَعْضاً أَرْبَابًا مِّن دُونِ اللّهِ فَإِن تَوَلَّوْاْ فَقُولُواْ اشْهَدُواْ بِأَنَّا مُسْلِمُونَ
“Thuaj (O Muhamed): O ithtarë të librave të parë! Ejani te një fjalë që është e drejtë dhe përbashkët mes nesh dhe jush: Të mos adhurojmë askënd përveç Allahut, të mos i vemë shok Atij në adhurim, e të mos marrim të tjerë për zota përveç Tij. Pastaj në qoftëse ata largohen, thuaju: Dëshmoni për ne se jemi muslimanë.” Ali Imran 64
وَلَوْ أَنَّهُمْ رَضُوْاْ مَا آتَاهُمُ اللّهُ وَرَسُولُهُ وَقَالُواْ حَسْبُنَا اللّهُ سَيُؤْتِينَا اللّهُ مِن فَضْلِهِ وَرَسُولُهُ إِنَّا إِلَى اللّهِ رَاغِبُونَ
“Sikur të ishin kënaqur me atë që u dha Allahu dhe i Dërguari i Tij, e të thonin: Allahu është mëse i mjaftueshëm për ne! Allahu do të na furnizojë nga begatitë dhe i Dërguari i Tij nga lëmoshat. Tek Allahu i kthejmë shpresat tona duke iu lutur Atij.” Teube 59
Vetëm Allahut dhe të Dërguarit të Tij i takon të japin, Allahu thotë:
مَّا أَفَاء اللَّهُ عَلَى رَسُولِهِ مِنْ أَهْلِ الْقُرَى فَلِلَّهِ وَلِلرَّسُولِ وَلِذِي الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينِ وَابْنِ السَّبِيلِ كَيْ لَا يَكُونَ دُولَةً بَيْنَ الْأَغْنِيَاء مِنكُمْ وَمَا آتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانتَهُوا وَاتَّقُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ
“… Dhe çfarëdo që t`ju japë i Dërguari, merreni dhe çfarëdo që ai jua ndalon hiqni dorë prej saj dhe kini frikë Allahun. Vërtet Allahu është i Ashpër në ndëshkim.” Hashër 7
Allahu është i Vetmi që na mjafton neve, Allahu thotë:
الَّذِينَ قَالَ لَهُمُ النَّاسُ إِنَّ النَّاسَ قَدْ جَمَعُواْ لَكُمْ فَاخْشَوْهُمْ فَزَادَهُمْ إِيمَاناً وَقَالُواْ حَسْبُنَا اللّهُ وَنِعْمَ الْوَكِيلُ
“E ata (besimtarëve) të cilëve njerëzit (hipokritë) u thanë: Vërtet, populli (idhujtarët) ka grumbulluar kundër jush (një ushtri të madhe) kështu që frikësojuni atyre.
Por kjo në të vërtetë vetëm ua shtoi besimin dhe thanë: “Ne na mjafton Allahu dhe për ne Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve.” Ali Imran 173
يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ حَسْبُكَ اللّهُ وَمَنِ اتَّبَعَكَ مِنَ الْمُؤْمِنِينَ
“O Pejgamber! Allahu është mëse i mjaftueshëm për ty dhe për besimtarët që të ndjekin ty.” Enfalë 64
Ajeti i fundit ka kuptimin: “I mjaftueshëm për ty dhe për ata që të ndjekin ty, është Allahu. Kush mendon se ajeti ka kuptimin: Allahu dhe besimtarët bashkë me Të, të mjaftojnë ty, ka bërë një gabim të madh.” Allahu thotë:
أَلَيْسَ اللَّهُ بِكَافٍ عَبْدَهُ وَيُخَوِّفُونَكَ بِالَّذِينَ مِن دُونِهِ وَمَن يُضْلِلِ اللَّهُ فَمَا لَهُ مِنْ هَادٍ
“A nuk është Allahu më i Mjaftueshmi për robin e Tij?” Zumer 36
Si përfundim, ne mund të themi se termi rob (abd) ka kuptimin e atij që i është robëruar Allahut, që i nënshtrohet dhe i ndjek ligjet universale të caktuara prej Tij.
shejhulislam Ibën Tejmijje
pjesë nga “el-Ubudijje’
perktheu: Ilir Delija
redaktuar për AlbIislam.Com
(sh.r. Ky libër së shpejti pritet të botohet nga Sh.B. NuN-Shkup)
Ibën Tejmijje,
19.12.2003