Çfarë i duhet një lideri për të qenë një udhëheqës i madh? Cilat janë ato cilësi që më parë janë konsideruar dobësi?

Njëherë e një kohë, rangu ose pozita e familjes dhe statusi socio-ekonomik konsideroheshin faktorë të fuqishëm për ata që ngjiteshin në shkallët e suksesit.

Sot, megjithatë, fokusi është zhvendosur te cilësitë personale.

Vizioni udhëheqës, pasioni dhe integriteti janë cilësi të njohura udhëheqëse. Por ka edhe cilësi më pak të njohura, që në fakt dikur janë perceptuar si dobësi.

Këto cilësi të fshehura mund të zhvillohen dhe përmirësohen për të avancuar më tej në karrierën tuaj dhe në rolin tuaj si udhëheqës, në punë, në komunitet apo në jetë në përgjithësi.

Shihni nëse ndoshta i keni disa ose të gjitha këto cilësi personale që janë të dobishme për udhëheqje:

  1. Empatia
    Empatia është aftësia për të kuptuar dhe ndarë ndjenjat e të tjerëve. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme në çdo mjedis pune dhe ju ndihmon të menaxhoni konfliktet dhe marrëdhëniet. Njerëzit nuk duan të analizohen dhe tregtohen; ata duan që nga lidershipi dhe organizatat të kuptojnë çfarë dëshirojnë dhe çfarë kanë nevojë. Udhëheqësit empatikë funksionojnë më mirë brenda organizatave, por gjithashtu mund të përdorin këtë cilësi për të fuqizuar organziatën dhe komunitetin e tyre.

Empatia përputhet me mësimet islame për mirëkuptimin dhe dhembshurinë ndaj të tjerëve. Kur’ani thotë: “Besimtarët janë vetëm vëllezër, prandaj bëni paqe ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë Allahun që të mëshiroheni.” {49:10}

Hadith i koleksionuar nga Muslimi: “Ai që nuk është mëshirues ndaj njerëzve, Allahu nuk do të jetë mëshirues ndaj tij.” Ky hadith përforcon rëndësinë e të treguarit dhembshuri dhe empati për të tjerët, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me mëshirën e Allahut.

Hadithi nga Buhariu dhe Muslimi: “Nuk është prej nesh ai që nuk ka dhembshuri për të vegjlit tanë dhe respekt për të mëdhenjtë tanë.” Ky hadith tregon se empatia është një nga shenjat e muslimanit të mirë, dhe ajo duhet të shfaqet ndaj të gjitha shtresave të shoqërisë.

Hadithi nga Muslimi: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë e tyre dhe mëshirën mes tyre është si shembulli i një trupi të vetëm. Në rast se një pjesë e tij ndjen shqetësim, i gjithë trupi do të ketë dhimbje dhe temperaturë“. Ky hadith përdor metaforën e trupit për të përshkruar se si besimtarët duhet të ndjejnë dhimbjen e njëri-tjetrit dhe të veprojnë për të ndihmuar.

  1. Optimizmi
    Mund të mendoni për optimizmin si cilësinë e të qenit shpresëdhënës, por ai gjithashtu tregon besim në rezultatet e suksesshme. Natyrisht, optimizmi i verbër nuk është gjë e mirë, por udhëheqësit optimistë mund të frymëzojnë dhe motivojnë ekipet.

Në Islam, optimizmi nxit besimin në ndihmën e Allahut dhe përmirësimin e situatave. Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Mos u dëshpëroni, sepse Allahu është gjithmonë me ne.” (Buhariu).

  1. Falja
    Askush nuk e pëlqen një shef që i përkujton për çdo gabim që kanë bërë ndonjëherë. Ka një fuqi të vërtetë në lejimin e punonjësve për të marrë rreziqe të llogaritura, por ata duhet të dinë se nuk do të ndëshkohen më vonë për to. Duke mos e poseduar cilësinë e faljes, shkatërrohet kreativiteti dhe motivimi. Njerëzit do të mendojnë dy herë para se të sjellin një ide të re ose të eksperimentojnë me një proces apo produkt të ri. Mësoni si të falni gabimet për të kultivuar kreativitet dhe frymëzim dhe ekipi juaj do t’ju shpërblejë shumë herë më tepër.

Argumenti: Falja është një parim i rëndësishëm në Islam. Allahu thotë në Kur’an: “… po le t’ua falin (gabimin) dhe mos t’ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që All-llahu t’u falë. All-llahu falë dhe mëshiron shumë.” (Kur’ani, 24:22). Udhëheqësit që falin i ndihmojnë të tjerët të mësojnë dhe të rriten, duke krijuar një mjedis pozitiv dhe produktiv.

  1. Altruizmi
    Altruizmi do të thotë që kujdeseni për mirëqenien e të tjerëve. Në organizata, në biznes, në xhami apo në komunitet kjo do të thotë që dëshironi që njerëzit rreth jush të bëjnë më mirë, të ndihen më mirë dhe të performojnë më mirë. Nuk jeni një ishull i veçuar. Nuk keni nevojë të merrni të gjithë kreditin (meritën) për veten tuaj. Ju e kuptoni që ndërtimi i njerëzve përreth jush ju bën të gjithëve të dukeni më mirë. Kjo është një cilësi e jashtëzakonshme udhëheqëse, por jo një që mund ta lidhni tradicionalisht me fuqinë ose forcën.

Argumenti: Islam nxit ndihmën për të tjerët. Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Më i miri ndër ju është ai që është më i dobishëm për të tjerët.” (Sahihu i Buhariut). Altruizmi është një cilësi që nderohet si një shenjë e vërtetë e udhëheqjes.

  1. Elokuenca
    Aftësia për të folur dhe shkruar në mënyrë bindëse ka pasur rëndësi gjithmonë, por ka fituar rëndësi në epokën e komunikimeve digjitale. Njerëzit presin që udhëheqësit të komunikojnë dhe duan të jenë të impresionuar. Një fjalim elokuent mund të mbyllë një marrëveshje. Një memo elokuente drejtuar stafit mund të qetësojë frikërat, të ulë pakënaqësitë ose të frymëzojë njerëzit për të arritur lartësi të reja. Praktikoni të shkruarit dhe të folurit për t’u bërë një udhëheqës më efektiv dhe bindës.

Argument: Në Kur’an dhe Hadith, fjalët kanë një vlerë të lartë. Kur’ani thotë: “Një fjalë e mirë dhe një lehtësim është më e mirë se një lëmoshë që përcillet me të keqe. All-llahu nuk ka nevojë për askë, është i Butë..” (Kur’ani, 2:263), kjo nënvizon rëndësinë e komunikimit të mirë.

  1. Kthjelltësia në gjykim 
    Kthjelltësia në gjykim është aftësia për të gjykuar mirë, qoftë në lidhje me njerëzit, situatat apo vendimet. Nëse jeni të kthjellët në gjykim, merrni kohë për të kuptuar një problem dhe për të ecur drejt zgjidhjeve të ndryshme për të gjetur atë të duhurën. Ju nuk hidheni me kokë në çdo mundësi, por mendoni në mënyrë kritike dhe gjeni opsionin më të mirë.

Argument: Kthjelltësia dhe mençuria janë cilësi të nderuara në Islam. Kur’ani thotë: “O ju që keni besuar, nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë një dritë për të dalluar të mirën nga e keqja.” (Kur’ani, 8:29), kjo është përforcimi më i mirë i rëndësisë së gjykimit të drejtë dhe të menduarit kritik.

  1. Modestia
    Askush nuk dëshiron të dëgjojë se sa i mrekullueshëm është dikush tjetër gjatë gjithë kohës—sidomos kur ky vlerësim vjen nga vetë personi për veten e tij. Lërini punët të flasin vetë; mos bini në kurthin e të qenit ai që fryn borinë më shumë. Vetëbesimi është një cilësi e mirë, por duhet të shoqërohet me modesti.

Argument: Modestia është një virtyt thelbësor në Islam. Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Ai që është modest për Allahun, Allahu do ta lartësojë atë.” (Sahihu i Muslimit).

Këto cilësi mund të jenë mjete të fuqishme për thirrësit dhe udhëheqësit aspirues që janë të gatshëm të investojnë kohë dhe përpjekje për t’i zhvilluar ato.