Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme e mban titullin: “A besojmë se Pejgamberi e thotë të vërtetën?”

Në vargun e karakteristikave me të cilat cilësoheshin të pejgamberët është edhe sidk (se ata flisnin të vërtetën) dhe ismet (se ishin pa mëkate). Pejgamberët janë të zgjidhurit e Zotit të botëve me detyrë të qartë, që ta përcjellin fjalën e Tij dhe që t’i udhëheqin njerëzit në rrugën e drejtë. Për ta bërë këtë, për të qenë të denjë për këtë detyrë, është e domosdoshme që ata t’i posedojnë (dy) cilësitë e përmendura. Është e domosdoshme që t’u besohet, kështu që ne e dimë se pejgamberët as edhe me shaka nuk i janë shmangur të vërtetës, dhe se kurrë nuk kanë vepruar atë që ua ndalonin të tjerëve, prandaj nuk kanë bërë mëkate.

Kur Pejgamberi (a.s.) u kthye nga Miraxhi, ai ua tregoi përjetimin e tij të pranishmëve në haremin e Qabesë, ndërsa politeistët e dëgjonin me mosbesim dhe ishin të sigurt se ajo që ai po thoshte nuk ishte e vërtetë. Ata u gëzuan për një tregim të tillë të Pejgamberit, duke besuar se ai kishte halucinacione dhe se e kishte humbur mendjen. Të gëzuar për një përfundim të tillë, ata nxituan tek Ebu Bekri për t’i thënë se Pejgamberit i ishte turbulluar mendja dhe ai po thoshte se kishte përjetuar të pamundurën. Mirëpo, Ebu Bekri, nuk dyshoi. Ai e njihte mirë Pejgamberin (a.s.) dhe e dinte se edhe atij, sikurse edhe pejgamberëve të tjerë, i ishin dhënë vetia e sidkut (për ta folë të vërtetën) dhe ismetit (se ishte pa mëkate). Ai tha: “Nëse Pejgamberi e ka treguar atë, atëherë ajo është e vërtetë.” Ebu Bekri nuk dyshonte se Alejhiselami shkoi nga Meka në Jerusalem brenda një nate, pastaj u ngjit në qiell dhe po atë natë përsëri u kthye në Mekë.

Vëllezër të dashur!

Miraxhi na kujton një të vërtetë të madhe, e cila thotë se, Profeti gjithmonë e flet të vërtetën dhe fjalët e Pejgamberit duhet të besohen dhe të jetohen. Në muajin e Miraxhit të Pejgamberit (a.s.) duke menduar për mesazhet e Miraxhit, jemi të lirë të pyesim veten; a po besojmë ne në atë që thotë Pejgamberi?

Ai thotë: – “Namazi është shtyllë e fesë”; – “Kush e fal namazin, kujdeset për abdesin dhe falet me kohë, rukunë dhe sexhden e bën bukur, duke e ditur se namazi i tillë është e drejtë e Allahut, ai do të jetë i ndaluar për zjarrin e Xhehenemit.” (Transmeton imam Ahmedi); – Ebu Hurejre (r.a.) transmeton: “Nëse ndonjëri prej jush merr abdes siç duhet, pastaj shkon në xhami pa qëllim tjetër përveçse për të falur namaz, Allahu i Plotfuqishëm gëzohet po aq sa gëzohet njeriu kur e gjen një gjë me vlerë që e ka humbur.” (Transmeton Ibni Huzejme) Këto janë fjalët e Pejgamberit (a.s.) dhe ai e thotë të vërtetën. Çfarë na pengon neve, që edhe ne të jemi si Ebu Bekri siddik, dhe ta pranojmë dhe jetojmë pa hezitim atë që thotë Pejgamberi (a.s.)?

Pejgamberi (a.s.) na thotë që të fitojmë dituri, se ajo është farz për çdo musliman dhe muslimane. Ai e krahason vlerën e fitimit të diturisë me namazin vullnetar, dhe thotë se është më mirë të mësosh diçka të dobishme sesa të falësh një mijë rekate namaz nafile. Ai, gjithashtu, na inkurajon që të përhapim atë që kemi mësuar, duke ua mësuar të tjerëve. Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Ai që ka dituri dhe nuk ua përcjell të tjerëve, ai është i ngjashëm me atë që grumbullon thesar dhe nuk e shpërndan.” (Tergib) Këto janë fjalë të vërteta të Pejgamberit (a.s.), por le të mos i mbyllim veshët dhe le ta dëgjojmë këtë të vërtetë që e flet Pejgamberi dhe të veprojmë sipas saj. Transmetohet nga Abdullah bin Amri se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Sa shumë ka nga ata që kanë dituri për fenë, por nuk e kuptojnë fenë, nga ata të cilëve dituria nuk u bën dobi, por u bën dëm. Lexoni Kuranin, ai do të të mbrojë nga ajo që është e ndaluar, sepse nëse Kurani nuk të mbron, atëherë ti nuk e lexon atë sinqerisht.” (Mexhmeuz-zevaid)

O njeri, Pejgamberi (a.s.) nuk flet sipas qejfit të tij, ai është ismet (pa mëkate), kërkon që të mos e komentosh atë që nuk kupton; nëse e ke mësuar një ajet, e ke lexuar, por nuk e ke mësuar shkakun e shpalljes së tij, nuk e di nëse ndonjë ajet tjetër e komenton apo e derogon atë, nuk e din se çfarë ka thënë Pejgamberi gjatë komentimit të tij dhe nuk ke lexuar asnjë tefsir klasik të atij ajeti.

Problemi që ka umeti sot është për shkak të interpretimeve sipërfaqësore, arbitrare dhe të pabaza të fesë sonë. Armiqtë, politeistët gëzohen për një keqinterpretim të tillë, sepse ai na komprometon edhe neve edhe fenë tonë. A beson se Pejgamberi (a.s.) e thotë të vërtetën? Nëse beson, mund të ngjitesh në gradën e siddikut në të cilin është Ebu Bekri, por duhet ta braktisësh punën që nuk e din dhe të pranosh ta punoshë, për hir të umetit, atë që e din. Çfarë na pengon, përveç dembelizmit tonë, që të fitojmë njohuri dhe, çfarë na pengon të ndalemi nga diskutimet e kota. Tani më thuaj, kush është më i dobishëm për umetin? Ai që kalon gjithë ditën në xhami duke shpjeguar tema të vështira si xhihadi, dallimet sektare etj. apo vëllai ynë që punon me mund në arën e tij, ose ka shkuar të fitojë për ta mbajtur familjen e tij? Pejgamberi (a.s.) me siguri do të votonte për këtë të fundit.

A i besojmë ne Pejgamberit (a.s.) kur thotë se martesa është gjysma e fesë; Kur ai thotë se ne nuk do të jemi besimtarë të vërtetë derisa të dëshirojmë për tjetrin atë që dëshirojmë për veten tonë; Kur thotë se nuk duhet të shkojmë të flemë të ngopur nëse fqinji ynë është i uritur; Kur thotë se Xheneti është nën këmbët e nënës; Kur na mëson se pasuria e djalit është gjithashtu edhe pasuri e babait, por pasuria e babait nuk është në të njëjtën kohë edhe pasuri e djalit; Kur na urdhëron ta vizitojmë të sëmurin dhe si shpërblim atje do ta gjejmë Zotin e botëve; Kur na kërkon që të mos u ngjajmë të tjerëve, të mos e ndjekim askënd, por të qëndrojmë fort në themelet e fesë sonë dhe ta ndërtojmë identitetin tonë; Kur thotë se dynjaja është arë e ahiretit. Kur thotë se një fëmijë i edukuar mirë është e mirë e përhershme, etj…

Se sa jemi të bindur se fjalët e Pejgamberit (a.s.) janë të vërteta, shihet nga realiteti në të cilin martesat po bëhen gjithnjë e më të rralla, kurse imoraliteti po e shkatërron shoqërinë tonë; shihet edhe në faktin se ne nuk sillemi vëllazërisht ndaj njëri-tjetrit dhe nuk dëshirojmë për tjetrin atë që dëshirojmë për vete, por gëzohemi për të keqen që i ndodh atij. Ne jemi mbyllur në shtëpitë tona dhe askush prej nesh nuk mendon kur shkon në shtrat, se fqinji i tij a ka ra në gjumë i uritur? Se sa jemi të bindur se fjalët e Pejgamberit (a.s.) janë të vërteta, shihet edhe nga kriza e identitetit në të cilën ndodhemi, sepse gjithnjë e më shpesh, nga fjalët e deri te mënyra se si vishemi, i imitojmë të tjerët. Kjo botë është qëllimi ynë dhe ne nuk jemi shumë të sigurt, nuk besojmë plotësisht se është e vërtetë kur Allahu thotë: “Jeta tjetër është më e mirë dhe e amshuar.” (el-A’la, 17)

Miraxhi i dha Ebu Bekrit pseudonimin e nderuar siddik. As neve nuk na pengon asgjë që të zbukurohemi me të njëjtin pseudonim, nëse e kuptojmë se çdo fjalë e Pejgamberit (a.s.) është e vërtetë, dhe nëse atë fjalë e marrim si udhërrëfyes dhe e jetojmë, për hir të lumturisë sonë në të dy botët.

O Allahu i Plotfuqishëm! Na ndihmo të kuptojmë se kur flet Pejgamberi (a.s.), ne jemi duke e dëgjuar të vërtetën. Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić;

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

Burimi