Ligji i All-llahut mbi vendbanimet

 

1- Lajmet mbi vendbanimet

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Këto janë disa nga lajmet e vendeve që po t’i rrëfejmë ty; disa prej tyre ekzistojnë ende, e disa janë shkatërruar”. (Hud: 100).

Katadeja [rahimehull-llah] thotë: “El-Kaim” domethënë që janë rrënuar në vendin e tyre, ekzistojnë gërmadhat e tyre në vendin ku kanë qenë. Kurse “El-Hasid” ato vendbanime që janë shkatërruar dhe nuk u ka mbetur asnjë gjurmë. Disa komentatorë tjerë të Kur’anit kanë thënë se fjala “Hasid” ka domethënie: e çrrënjosur ose e korrur, ashtu si korret gruri.

2- Përfundimi i vendbanimeve besimtare

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t’ju hapnim begati nga qielli e toka, por ata përgënjeshtruan, andaj i dënuam me shkatërrim për atë që merituan”. (El-A’raf: 96).

3- Përfundimi i vendbanimeve mëkatare dhe zullumqare

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhëmbshëm e i ashpër”. (Hud: 102)

Domethënë: ashtu sikurse i ka ndëshkuar këto vendbanime që kanë qenë të popullit të Nuhit, Adit, Themudit, mund t’i ndëshkon mbarë vendbanimet zullumqare. Është një lajmërim për zakonin e shkatërrimit të popujve më të hershëm kur ata këte e meritojnë.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ato janë fshatra (vendbanime) që kur bënë zullum, Ne i shkatërruam dhe për shkatërrimin e tyre u patëm caktuar kohë të sakta”. (El-Kehf: 59).

Domethënë janë popujt të mëhershëm dhe gjenerata të vjetra të cilat i kemi shkatërruar për shkak të mosbesimit dhe inatosjes së tyre. E këtij shkatërrimi i kemi vërë afat dhe i kemi caktuar kohë, e cila nuk pakësohet e as nuk shtohet.

Andaj ashtu si i ka dënuar All-llahu popujt e mëhershëm përshkak të mosbesimit, idhujtarisë dhe mëkateve mundet t’i dënojë edhe sot njerëzit që i kanë këto cilësi.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ne shpartalluam sa vendbanime që ishin mizore, e ne vend të tyre sollëm popull tjetër”. (El-Enbija: 11).

Domethënë sa e sa fshatra i kemi shkatërruar shkaku i mizorisë së tyre. Tregon numrin e madh të vendbanimeve që i ka shkatërruar All-llahu, kur ata i janë shmangur rrugës së vërtetë dhe janë dhënë pas mosbesimit, imoralitetit dhe mëkateve.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Shumë fshatra që ishin në rrugë të gabuar, Unë ua pata shtyrë dënimin në një kohë, e pastaj i zura me dënim dhe fundi i tyre është te Unë”. (El-Haxhxh: 48).

“E kur të dërguarit tanë (melekët) i erdhën me myzhde Ibrahimit, i thanë: “Ne jemi shkatërrues të banorëve të këtij qyteti, ngase banorët e tij janë mizorë!”. (El-Ankebut: 31).

“Sa shumë banorë të fshatrave, që ishin kryeneçë ndaj urdhërit të Zotit të vet dhe ndaj të dërguarëve të Tij, Ne i kemi shpërblyer me një llogari të ashpër, i kemi ndëshkuar me një dënim të papërshkrueshëm”. (Et-Talak: 8).

All-llahu [subhanehu ve teala] u kërcënohet atyreve që e kundërshtojnë urdhërin e Tij dhe i përgënjeshtrojnë të dërguarit e Tij, nuk pason rrugën të cilën e ka përcaktuar Ai duke u treguar se ka për tu ndodhur ajo që u ka ndodhur popujve para tyre.

Ato vendbanime (banorët e tyre) që tregohen kryeneç, mendjemëdhenjë dhe kryelartë ndaj urdhërave të All-llahut dhe Pejgamberit do të llogariten shumë ashpër dhe do të kenë dënim të dhembshëm.

Kurse Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] na tregon në hadithe mbi këtë gjë duke thënë:

“Një ditë hyri Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] i trishtuar e duke thënë: “La ilahe il-lall-llah, vaj për arabët nga e keqeja që është afruar. Sot është hapur në murin e Jexhuxhit dhe Mexhuxhit kaq, dhe tregoi duke e bërë një rreth me gishtin e madh dhe ate tregues. Zejnebeja tha: a do të shkatërrohemi duke pasur në mesin tonë burra të mira? Tha: “po, nëse e keqeja është shumë”. (Buhariu dhe Muslimi).

E keqja e përmendur në këtë hadith sipas dijetarëve mund të jetë: mëkatet dhe imoraliteti, zinaja, fëmijët e zinasë, ose në përgjithësi gjithë mëkatet.

Pra nëse shtohet e keqja atëhere vjen dënimi i përgjithshëm, edhe poqese në mesin e tyre ka burra të mirë

Buhariu tregon në librin e tij:

“All-llahu i jep afat zullumqarit saqë kur ta mer (denon) nuk e lëshon, e pastaj e lexoi ajetin:

“Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhëmbshëm e i ashpër”. (Hud: 102)”.

Domethënë se All-llahu i jep afat zullumqarit që të pendohet, por nëse ai vazhdon në këtë rrugë e aspak nuk ndalet të mendon për fundin e tij, atëhere i lëshon dënim, të cilin aspak nuk e ngrit mëpastaj prej tij.

4- Si dhe me çka i dënon All-llahu vendbanimet

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Kur duam të shkatërrojmë ndonjë vend (popull), i urdhërojmë pasanikët (parinë) e atyhit (të jenë në rrugë), e ata kundërshtojnë; atëherë zbatohet dënimi i merituar kundër tyre dhe i shkatërrojmë krejtësisht”. (El-Isra: 16).

“Dhe ashtu (sikurse në Mekë) në çdo qytet kemi bërë kriminelët e tij pari, në mënyrë që të bëjnë dredhi në të, por nuk mashtrojnë tjetër kë pos veten e tyre dhe prapëseprapë nuk kuptojnë”. (El-Enam: 123).

Ashtu sikurse ua kemi zbukuruar mosbesimtarëve ate që kanë bërë, kemi bërë në çdo fshat kriminel të mëdhenjë, domthënë pari kriminele që të bëjnë çrregullime. Muxhahidi thotë: dredhia e tyre ka qenë se në çdo kodrinë uleshin nga katër persona dhe i largonin njerëzit nga pasimi i Pejgamberit [salall-llahu alejhi ve sel-lem], ashtu siç kanë bërë edhe popujt e mëhershëm.

“All-llahu sjell si shembull një fshat (vendbanim) që ishte i sigurt dhe i qetë, të cilit i vinte furnizimi nga të gjitha anët me bollëk, kurse ata (banorët) i përbuzën të mirat e All-llahut. Atëherë All-llahu, për shkak të sjelljes së tyre, ua veshi petkun (ua ngjeshi) e urisë dhe të frikës”. (En-Nahl: 112).

Këtë shembull e ka sjellur All-llahu për Mekën, e cila ka qenë e sigurtë dhe e qetë, i ka ardhur furnizim me rehati dhe komoditet, mirëpo i përbuzën të mirat e Zotit e i përgënjeshtruan argumentet e Zotit, mes të cilave ishte edhe dërgimi i Muhammedit [salall-llahu alejhi ve sel-lem]. Këte tregon edhe ajeti:

“A nuk i vërejte ata që dhuntinë e All-llahut e ndërruan me mosbesim dhe popullin e vet e sollën në vendin e shkatërrimit, (e sollën) Në Xhehennem të shijojnë djegien, e sa vend i keq është ai”. (Ibrahim: 28-29).

Andaj All-llahu si rezultat i përbuzjes së tyre këtë gjendje ua zëvendësoj me uri dhe frikë, e atyre mëparë u vinte ushqimi shumë lehtë edhe ishin të qetë dhe të sigurtë.

5- All-llahu nuk i shkatërron vendbanimet pa i paralajmëruar

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Zoti yt nuk është i tillë që të shkatërrojë venbanimet para se në kryeqendër të tyre të dërgoj pejgamber, i cili do t’u lexojë atyre argumentet Tona, dhe Ne nuk shkatërruam vendbanime, po vetëm kur banorët e tyre ishin zullumqarë”. (El-Kasas: 59).

“Këtë (dërgimin e të dërguarve) ngase Zoti yt, nuk është që për shkak të mëkatit të shkatërrojë një vend, e banorët e tij të jenë të painformuar”. (El-Enam: 131).

Domethënë All-llahu nuk i dënon pa i informuar për gjërat që duhet ti besojnë dhe pa u treguar se u vjen denimi atyre që e përgëneshtrojnë këtë.

Çdo vendbanim që e ka merituar dënimin e All-llahut e ka të caktuar afatin e dënimit, i cili është i shënuar në Librin e Ruajtur (levhi-mahfudh).

“Ne nuk kemi shkatërruar asnjë fshat (vendbanim) ndryshe vetëm në afatin e tij të caktuar”. (El-Hixhr: 4).

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Nuk ka asnjë nga fshatrat (nga vendbanimet e kundërshtarëve) e që Ne nuk do ta shkatërrojmë ose ndëshkojmë atë me dënim të ashpër para ditës së kijametit. Kjo është theksuar në Libër (lehvi mahfudh)”. (El-Isra: 58).

Lajmet se All-llahu ka caktuar dhe vendosur se fshatrat, vendbanimet që lajthitin nga rruga e Zotit ka për t’i dënuar janë të shkruara në “Librin e Ruajtur”. Dënimi vjen duke i mbytur të gjithë ose duke i sprovuar me llojlloj sprovash shkaku i mëkateve dhe gabimeve të tyre. Ashtu si na tregon All-llahu për popujt e mëhershëm:

” po Ne nuk u bëmë padrejtë atyre, por ata vetvetes i patën bërë padrejtë”. (En-Nahl: 118).

“Si shembull i atyre jo fort moti që përjetuan të keqen e punës së vet, edhe ata kanë një dënim të rëndë”. (El-Hashr: 15).

6- Koha e ardhjes së dënimit nuk dihet dhe nuk ka garancë

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Sa fshatra (banorë) kemi shkatërruar (me fajin e tyre) e dënimi Jonë u erdhi natën, a (ditën) kur ishin duke pushuar (duke fjetur)”. (El-A’raf: 4).

Domethënë duke fjetur natën ose ditën, në kohën e pushimit, pas dreke, edhe nëse nuk është në atë kohë në gjumë. Ose mund t’ju vjen natën por mund edhe ditën

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ne nuk e dërguam asnjë pejgamber në ndonjë vendbanim e që nuk e ndëshkuam atë (popullin) me skamje e vështirësi të tjera, në mënyrë që ata të përulen (të binden)”. (El-A’raf: 94).

“A mos u siguruan banorët e fshatrave nga dënimi jonë kur ata ishin fjetur (natën)?”. (El-A’raf: 97).

“A mos u siguruan banorët e fshatrave nga dënimi jonë para dite kur ata ishin duke luajtur?”. (El-A’raf: 98).

Domethënë të preokupuar me gjëra nga të cilat nuk kanë dobi. I thuhet je duke luajtur secilit që bën punë që ska dobi prej saj,.

7- Shpëtimi është që banorët e vendbanimeve të jenë përmirësues

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“E Zoti yt nuk është që të shkatërrojë mizorisht vendet, nëse banorët e tyre janë punëmirë”. (Hud: 117).

Domethënë nëse janë punëmirë mes vehte në të drejtat e ndërsjellta. Sepse All-llahu nuk dënon njerëzit vetëm nga shkaku i mosbesimit, por nëse i shtohet edhe çorodia, ashtu siç e ka dënuar popullin e Shuajbit, nga shkaku i vjedhjes në peshore, ose popullin e Lutit, përshkak të imoralitetit anormal. Kjo tregon se mëkatet më tepër se idhujtaria dhe mosbesimi e sjellin dënimin në këtë botë, edhe pse dënimi i idhujtarisë dhe mosbesimit në ahiret është më i madh.

Tirmidhiu na tregon nga Ebu Bekri [radijall-llahu anhu] se ai e ka dëgjuar Pejgamberin [salall-llahu alejhi ve sel-lem] duke thënë:

“Nëse njerëzit e shohin zullumqarin dhe nuk e ndalin nga kjo punë, sëshpejti All-llahu do t’i kaplon të gjithë me dënim prej Tij”. (Tirmidhiu, hadithi është i vërtetë).

8- Urdhër përmbledhës, në të cilin mund të jetë shpëtimi

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ç’keni që nuk luftoni për Zotin dhe për (t’i shpëtuar) të paaftit : nga burrat, nga gratë e nga fëmijët, të cilët luten: “Zoti ynë! nxirrna nga ky fshat (Meka), banorët e të cilit janë mizorë. Jepna nga ana Jote shpëtim e ndihmë!”. (En-Nisa: 75).

All-llahu [subhanehu ve teala] i nxitë robërit e Tij besimtarë në xhihad në rrugën e Tij dhe në veprim për të shpëtuar të shtypurit që kanë qenë në Mekë, qofshin burra, gra ose fëmijë.

Vetëm me veprim pozitiv mund të pengohet ardhja e dënimit të Zotit e t’i kaplon mbarë besimtarët, përndryshe dënimi është i gatshëm për secilin që i shmanget udhës së Zotit dhe nuk mundohet të luan rolin pozitiv në shoqërinë e vet.

Përgatiti: Bekir Halimi

Bekir Halimi,
26.7.2002