Këshillë të riut që kupton

Vëlla i nderuar…
Shpresoj ta lexosh këtë shkrim me shpirt të qetë, ashtu siç kam vepruar unë, larg emocioneve dhe marrjes së ndonjë qëndrimi negativ para se ta përfundosh së lexuari, sepse i mençur është ai që dëgjon dhe në fund konkludon! Ndodh që ndonjëri prej nesh të bëjë disa vepra, i nxitur nga epshi, pa menduar thellë për pasojat që mund të rezultojnë. Prej atyre veprave është kontaktimi me gjininë e kundërt. Për këtë, i themi këtij të riu që të ndalet në një çast dhe të shikojë në dritë veprën e tij: Vajza me të cilën kontakton është prej individëve të shoqërisë tënde, dhe kjo do të thotë se ti i ndihmon shkatërrimit të asaj shoqërie për të kënaqur epshin tënd, edhe pse prej teje si bir i Islamit kërkohet që të luash rolin e përmirësuesit. Apo mos dëshiron për shoqërinë tënde degjenerimin?

E reja me të cilën kontakton nxit për të bërë amoralitet, apo ndoshta edhe keni bërë, por dije se në të ardhmen, nëse ajo nuk është bashkëshortja jote, do të jetë bashkëshortja e ndonjërit prej të afërmve të tu apo e ndonjërit prej muslimanëve. Ashtu siç mundet që vajza e cila ka kontaktuar me ndonjë të huaj të jetë bashkëshortja jote në të ardhmen, kjo të jetë sprovë dhe dënim për ty nga ana e Allahut. Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “Të këqiat (gra ose fjalë) janë për të këqinjtë.” (Nur 26).

Degjenerimi i femrës do të thotë degjenerim i tërë shoqërisë, fatkeqësi që mund ta fillosh e ta ndihmosh ti dhe të mbarojë në familjen tënde. Vajza që sot degjenerohet prej teje ose ndokujt tjetër mund të jetë shoqe e bashkëshortes tënde, motrës tënde apo ndonjë të afërme tënde, dhe pastaj ajo të ndikojë tek ato për shkak se të gjitha janë pjesë e pandashme e shoqërisë. Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] na ka tërhequr vërejtjen nga ky rrezik duke thënë: “Keni frikë dunjanë dhe gratë, sepse sprova e parë e izraelitëve ka qenë me gratë.” (Transmeton Muslimi).

Nëse një vajzë dëshiron të ketë lidhje të paligjshme (haram) me ty, atëherë ç’faj ka familja e saj që t’ua nxishë nderin? Dëshira e saj nuk është arsye për armiqësimin e tërë familjes. Me fjalë të tjera, nëse ndokush mban lidhje të paligjshme me ndonjërën prej familjes tënde dhe pastaj kjo gjë del në shesh, a mjafton arsyetimi i këtij personi për cenimin e nderit të familjes të thotë: “Ajo më propozoi!”? Po të përmend rastin e një të riu i cili erdhi te Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] dhe i tha atij: “Më lejo që të bëj prostitucion”. Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] i tha: “A e dëshiron të njëjtën për nënën tënde, bijën, bashkëshortën, hallën dhe tezën tënde?” Ai tha: “Jo, o i dërguari i Allahut”. Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] tha: “As të tjerët nuk e duan këtë për bijat, motrat, hallat dhe tezet e tyre.” (Transmeton Ahmedi nga Ebi Umame).

Nëse të bie të zgjedhësh vdekjen apo cenimin e nderit, si do të kishe vepruar? Atëherë, si i lejon vetes të marrësh nderin e huaj nëpër këmbë? Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Kush vritet duke mbrojtur familjen e tij, është dëshmor.” (Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu, sahih).

Si ndjehet ai i cili jeton së bashku me ty në një shoqëri e ti prek nderin e tij? A të mjafton të jesh i pandershëm një herë, dy apo tri herë, apo djalli dëshiron shkatërrimin tënd? Pandershmëria nuk ndalet lehtë. Ajo vazhdon si zinxhir dhe paraqet rrëshqitje të rrezikshme në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “Shejtani është armiku juaj, pra edhe ju konsiderojeni armik; ai e thërret atë grupin e vet, vetëm për t’i bërë banues të zjarrit.” (Fatir 6). Kam dëgjuar një fjalë të urtë që thotë: “Shpërblimi apo dënimi është i lidhur me llojin e punës; e ti a je i gatshëm që të sprovohesh në nderin tënd, qoftë tani apo më vonë, për t’i kënaqur epshet tua? Nëse thua: Do të pendohem para se të martohem, apo para se të më lindë vajzë, të pyes: Kush të garanton se Allahu [subhanehu ve teala] ta pranon pendimin me këtë qëllim dhe nuk të sprovon? Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “Ndëshkimi i të keqes bëhet me një të keqe në të njëjtën masë.” (Esh-shura 40). Mos harro se edhe ti ke nënë, motër, bashkëshorte, bijë, vajzë të hallës e të tezes, pra ruaju dhe ki kujdes!”

Imam Shafiu [rahimehullah] thotë: “Zinaja (prostitucioni) është borxh që nëse e merr prej ndokujt, e kthen me nderin e familjes.”
Njerëzit ndahen në dy grupe: përmirësues dhe shkatërrues. Në cilin grup do ta anëtarësosh veten? Allahu [subhanehu ve teala] e ka ndaluar çrregullimin. Ai thotë në Kur’an: “Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj.” (A’raf 56). Si do të ishe ndier nëse, duke bërë amoralitet, rastisin prindërit e tu, vëllezërit, shokët që të kanë dashur e besuar, armiqtë që ta duan të keqen e më në fund tërë njerëzit dhe të shohin në atë gjendje? E ç’mendon sikur të ishe larg syve të tyre, në vend të sigurt, ku megjithatë syri i Allahut [subhanehu ve teala] të sheh? A nuk mendon për atë ditë kur do të dalësh para Allahut [subhanehu ve teala] në tokën e ringjalljes? Nëse je i mençur dhe i fuqishëm e ke mundësi të luash me nderin e muslimanëve pa ditur njerëzit për veprat tua, ç’mendon për ajetin kur’anor: “Mos mendoni se Allahu është i paditur e i pavëmendshëm për atë që bëjnë zullumqarët, por Ai u jep atyre kohë deri në një Ditë kur sytë do të zgurdullohen prej tmerrit.” (Ibrahim 42). A mendon se mosdija e njerëzve për veprat tua është nder prej Allahut? Mos u mashtro se mund të jetë shkallëzim në zjarr dhe për ta takuar Allahun duke i bërë ato vepra, e atëherë: Kush vdes në një gjë do të ringjallet në po atë gjë. (Silsiletu-sahihatu 282)

Pastaj, nëse llogarisim se Allahu t’i ka mbuluar të këqijat, a nuk turpërohesh prej Tij? A nuk pendohesh? Deri kur do të vazhdosh në mëkate? Fundi i rrugës së jetës tënde është vdekja. “Atëherë, çdokush do të paguajë çfarë ka fituar…” (Bekare 281). A ke mundësi që ta ndërrosh këtë realitet, këtë rrugë që e ndjek çdonjëri? Atëherë përse nuk përgatitesh për vdekjen, varrin e tmerrin e tij, urën e Siratit e rrezikun e saj? Dije se do të vdesësh i vetëm, do të ringjallesh i vetëm dhe do të japësh llogari i vetëm.

Transmeton Buhariu në Sahihun e tij se Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Mbrëmë më erdhën dy njerëz të panjohur dhe më thanë: Nisu!”. Pastaj përmendi rastin derisa arriti te fjala e tij: “Arritëm afër një objekti që dukej si furrë. Aty dëgjoheshin zëra dhe këlthitje, dhe ne shikuam në të. Kur ja, në të pamë burra e gra të zhveshura, u vinte flaka nga poshtë. Çdoherë që u vinte flaka, kërcenin sa që nuk dilnin (nga furra)”. Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] i pyeti melekët për ata njerëz e ato iu përgjigjën: “Ata burra dhe gra të zhveshura janë lavirët dhe laviret”.

Nëse thua nuk mund të martohem për shkak të kushteve të vështira, atëherë zgjidhja nuk është në ndjekjen e rrugës së haramit. Ecja jote në rrugën e haramit duke u ballafaquar me vështirësi dhe duke harxhuar mund, pasuri e mendime, dhe për këtë dënohesh e nuk shpërblehesh, mund të zëvendësohet me ndjekjen e rrugës së hallallit, ku ke vështirësi po ashtu, por në këtë rrugë shpërblehesh. Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Allahu ia ka bërë obligim vetes t’u ndihmojë tre njerëzve; prej tyre përmendi: ‘Atij që dëshiron të martohet për tu mbrojtur nga zinaja (prostitucioni)’.” (Transmeton Tirmidhiu dhe Nesaiu. Albani thotë hadithi është hasen).

Ç’po zgjedh? Të marrurit me ndonjë vepër e shtyn njeriun që ta dojë atë vepër dhe të thërrasë në të. Për këtë shkak ekziston frika për atë që bën amoralitet që ta tolerojë çnderimin edhe në familjen e tij e me këtë të bëhet dejjuth (ai që nuk xhelozon për nderin e familjes së vet). Është vërtetuar se Pejgamberi ka thënë: “Allahu nuk do të shikojë Ditën e Kijametit në tre njerëz: në atë që nuk respekton prindërit e tij, femrën që iu përngjan meshkujve dhe dejjuthin”. Vëlla musliman… femra me të cilën mban kontakt të paligjshëm mund të jetë e martuar. A e di se me këtë vepër ke bërë një krim të madh, jo vetëm në nderin e femrës por edhe në nderin e bashkëshortit të saj. Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Nuk është prej nesh ai që degjeneron gruan e martuar.” (Transmeton Ebu Davudi). Pastaj ke prekur edhe nderin e fëmijëve nëse ajo ka fëmijë. Çfarë faji kanë ata që të ndytet nderi i tyre e të ndahen prindërit e tyre e më pas të devijojnë në jetë? Për gjithë këtë, përgjegjës je ti. A ke ndonjë arsye para Allahut [subhanehu ve teala]?

Në fund, shpresoj të mos jesh prej atyre për të cilët Allahu ka thënë: “Dhe kur i thuhet atij: Kij frikë Allahun; ai udhëhiqet nga arroganca (krenaria, mospërfillja) në krime të mëtejshme. Kështu, për të është i mjaftueshëm Xhehenemi”. (Bekare 206). Pra, kthehu te Allahu [subhanehu ve teala] dhe dije se pendimi anulon mëkatet e të kaluarës; shpejto kah pendimi i sinqertë para hyrjes tënde në varr dhe para se të merresh në pyetje për veprat tua. Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “Por kushdo që pendohet pas krimit të bërë dhe kryen vepra të mira e të drejta (duke iu nënshtruar Allahut) atëherë sigurisht Allahu do ta falë atë (do t’ia pranojë pendimin). Pa dyshim që Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.” (Maide 39). Po ashtu Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “Thuaj: O robët e mi që keni kaluar caqet kundër vetvetes (duke kryer ligësi e gjynahe)! Mos i humbni shpresat nga mëshira e Allahut, vërtet Allahu i falë të gjitha gjynahet. Ai gjithnjë është Falës i Madh, Mëshirëplotë. Dhe kthehuni me pendim e përkushtim me besim të vërtetë te Zoti juaj…” (Ez-Zumer 53/54).

Vëlla i ri. Shfrytëzoje rininë tënde para pleqërisë, jetën para vdekjes dhe përdore mençurinë tënde për dobinë e Islamit dhe muslimanëve, për ngritjen e flamurit të kësaj feje të pastër. Allahu të bëftë udhëzues, prijës në të mirë dhe të vërtetë, dhe të gjithë neve na furnizoftë me moral të pastër dhe devotshmëri.

Ve sal-lallahu ala nebijjina Muhammed ve ala alihi ve sahbihi ve sel-lem

Publikimi i parë më: 6.10.2000

albislam/hutbe,
31.8.2001