Burimet e shpresës
Umeti islam ka një të kaluar dhe histori përplot me burim shprese, i cili nuk thahet dhe nuk ndalet dhe çdo herë që njerëzit pijnë nga ky burim ata mbushen me shpresë, nur, bindje dhe besim në All-llahun.
Prej burimeve më të mëdha nga të cilat pinë dijetarët, përmirësuesit dhe liderët e umetit janë këto:
NJË: BESIMI NË CAKTIMIN (KADA DHE KADER) E ALL-LLAHUT.
All-llahu, subhanehu ve teala, i ka krijuar krijesat dhe ua ka regjistruar përcaktimet, në Dorë të Tij është Pushteti, i Udhëheq gjërat, askush nuk mund ta kundërshton vendimin e Tij, askush nuk mund ta refuzon gjykimin e Tij, Ai çdo gjë ka kapluar me dijen e Tij.
“Çelësat e fshehtësive janë vetëm te Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush pos Tij. Ai e di çka ka në tokë dhe në det, Ai e di për çdo gjeth që bie dhe s’ka kokërr në thellësi të tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë që nuk është (shënuar) në librin e qartë (Levhi – Mahfudh)”. (El-Enam: 59).
“Për ta ditur se ata kanë kumtuar shpalljet e Zotit të tyre, dhe se Ai e ka përfshi atë tek ata, Ai e di sasinë e çdo gjëje që ekziston. (El-Xhin: 28).
“…E sikur të donte All-llahu, nuk do të mbyteshin ndërmjet vete ata (populli) që ishin pas tyre, …”. (El-Bekare: 253).
Ky besim tek shokët e Muhammedit, alejhisselam, shpërtheu shpresa të mëdha, për arritjen e të cilave vepruan dhe në këtë rrugë asgjë nuk mundej ti ndalte, as pengesë, as iluzion, e as kërcënim. Ata me këtë besim e ndryshuan botën dhe e dominuan atë dhe u bënë për ata që erdhën pas tyre burim i inspirimit, krenarisë dhe shpresës.
DY: E VËRTETA E JETËS.
All-llahu, azze ve xhel-le, dynjanë e ka bërë një etapë pas së cilës vjen një etapë tjetër. Kjo dynja nuk është fundi i udhëtimit tonë, as vend i krahasimit të fitimit dhe humbjes, nuk është mejdani i fundit, por është stacioni i provimit dhe punës, kurse fundi i këtyre veprave është Dita e Kiametit dhe llogari i këtyre veprave, pas të cilave vjen xheneti apo xhehenemi.
All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:
“Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, e që është si shembull i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit, e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë, mandej bëhet e thyer, e llomitur, e në botën tjetër është dënimi i rëndë, por edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga All-llahu; pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues”. (El-Hadid: 20).
Besimtari ndryshe e shikon jetën dhe i vlerëson ndodhitë e saja për dallim nga qafiri i cili aspak nuk e llogaritë Ditën e Ahiretin gjatë veprave të veta.
All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:
“Atyre që nuk besuan, u është bërë e hijshme jeta e kësaj bote dhe bëjnë tallje me ata që besuan. Po ata që u ruajtën (besimtarët) në ditën e kiametit. All-llahu i jep (shpërblim) pa masë atij që e do”. (El-Bekare: 212).
“All-llahu i ofron furnizim me bollëk atij që do dhe ia kufizon (atij që do). Po ata (jobesimtarët) janë të gëzuar me jetën e kësaj bote. E jeta e kësaj bote ndaj botës tjetër nuk është tjetër vetëm se një përjetim (i shkurtër)”. (Er-Rad: 26).
Atëherë kur e kaplon besimtarin ngushtica dhe vështirësitë dhe i ofrohet mundësia të zgjedh mes fesë dhe dynjasë, tek ai nuk ka dilema, jeta e tij është e lirë për ta dhënë për All-llahun, subhanehu ve teala. Këtë e deklaruan magjistarët kur i besuan Musait, alejhisselam, edhe pse kërcënoheshin nga Faraoni, duke thënë:
“Ata thanë: “Pasha Atë që na krijoi, nuk të japim përparësi ty ndaj argumenteve që na erdhën, e ti bëje atë që mendon ta bësh, dhe mund ta zbatosh vetëm atë që i takon jetës së kësaj bote!” (Taha: 72).
Besimtari është shpirtmadh, ka zemër të madhe dhe mendje të kthjellur, misioni i tij në jetë lidhet me All-llahun dhe urdhrat e Tij, është i qartë, preciz dhe ka synim të definuar, arritjen e kënaqësisë së All-llahut, andaj Atij i drejtohet dhe prej Tij kërkon sabër dhe ndihmë.
“Ata (që besuan) thanë: “S’ka dyshim, ne jemi të kthyer te Zoti ynë”. Ti nuk hakmerresh ndaj nesh vetëm pse besuam në argumentet e Zotit tonë, pasi që na erdhën ato. Zoti ynë, na dhuro durim (për dënimin që do të na e bën faraoni) dhe na bëjë të vdesim muslimanë!” (El-Araf: 125- 126).
TRE: NGADHËNJIMI I PRINCIPIT.
Besimtarët ndryshe e perceptojnë ngadhënjimin, fitorja e tyre ndërlidhet me fenë e tyre dhe krenarinë e islamit. Nëse ngadhënjen feja Islame edhe ai ka ngadhënjyer. Domethënia e qartë e ngadhënjimit tek besimtari është kur njerëzit do të hyjnë në fe të All-llahut në grupe.
Në fundin e tregimit për hendeqet përplot zjarr, ku u dogjën besimtarët, kur All-llahu, azze ve xhel-le, flet për përfundimin e grupit besimtar, thotë:
“Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata kanë xhennete nën të cilët burojnë lumenj, e ai është suksesi më i madh”. (El-Buruxh: 11).
Pra, përfundimi i tyre u quajt fitim i madh!
Kjo domethënie e shtyn besimtarin drejt besimit dhe veprave të mira dhe e bën pikësynimin e tij parësor.
Për këtë shkak kur e goditën Haram ibën Melhanin, radijallahu anhu, nuk gjeti fjalë tjetër të thotë përpos:
“Fitova, pasha Zotin e Qabesë”. (Buhariu dhe Muslimi).
KATËR: MYZHDEJA E DURIMIT.
Durimi i besimtarit është një burim i cili i siguron besimtarit qëndresë në fe derisa të kalojë stuhia. Shembull më i mirë është bojkoti i muslimanëve të parë, i cili zgjati tre vite, kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e duronte këtë vështirësi dhe në këtë vështirësi participonin edhe ithtarët e tij. Përfundoi ky bojkot i egër kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i qëndroi stoikisht përballë, nuk la asnjë pjesë të fesë pas dore, nuk ndryshoi asnjë gjë nga feja dhe nuk shlyhu asgjë prej fesë.
Qëndresa në princip është fryt i durimit dhe është fitore para fitores konkrete.
“Ti pra bën durim, pse premtimi i All-llahut është i saktë, e kurrsesi të mos luhatin ty ata që janë të dyshimtë”. (Er-rum: 60).
Besimtarin e gëzon qëndresa në princip, është i qetë përball asaj që ka ndodhur dhe ndodhë, sepse mbi te All-llahu, tebareke ve teala, lëshon qetësinë, mëshirën dhe myzhdenë:
“Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: “Ne jemi të All-llahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi”! Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë”. (El-Bekare: 156- 157).
PESË: FITORJA ËSHTË DUKE ARDHUR.
All-llahu, tebareke ve teala, ka premtuar fitoren me premtim i cili nuk kthehet mbrapa:
“…Obligim Yni ishte të ndihmojmë besimtarët”. (Er-Rum: 47).
Prej burimeve të pashterura të shpresës, i cili e shtyn njeriun që të punojë për një fe ngadhënjimtare është ajeti Kuranor:
“Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, All-llahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’ju dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë ata më të prishurit”. (En-Nur: 55).
Ky ajet ka zbritur kur muslimanët e kanë pas vështirë me qëllim të orientojë shikimin e besimtarëve drejt të ardhmes së sigurt edhe pse realiteti i hidhur i detyron ata të kenë mendime dhe paragjykime të këqija.
Bera ibën Azib, na rrëfen: Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, na urdhëroi të hapin hendekun dhe papritmas na doli një shkëmb i madh që nuk mund ta thyenim me kazma e iu ankuam Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Erdhi Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e kapi kazmën dhe tha: bismilah dhe e goditi shkëmbin dhe u thye një e treta e tha: All-llahu Ekber, më janë dhënë çelësat e Shamit. Pasha All-llahun, jam duke i parë pallatet e kuqe atje nga ky vend. Pastaj tha: bismilah dhe e goditi shkëmbin për së dyti e u thye një e treta e dytë. Tha: All-llahu Ekber, më janë dhënë çelësat e Persisë! Jam duke parë nga këtu Medainin dhe pallatet e bardha të atjeshit. Pastaj tha: bismilah dhe e goditi shkëmbin për të tretën herë dhe u thye edhe pjesa e mbetur e tha: All-llahu Ekber, më janë dhënë çelësat e Jemenit. Pasha All-llahun jam duke i parë dyert e Sanasë nga ky vend ku jam”. (Ahmedi, Hasen).
GJASHTË: IBTILAJA, SPROVA ËSHTË E PASHMANGSHME.
Besimtari nuk trishtohet kur i bie një sprovë mbi kokë, ai nuk moliset dhe nuk dorëzohet kur ballafaqohet me pikëllimin. Dija se sprovat janë të pashmangshme e përgatisin besimtarin që ti pres vështirësitë, të përgatitet për to dhe të kupton urtësinë e tyre dhe të kupton se Ai që i ka caktuar Ai mundet edhe ti largon.
All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:
“Po ju menduat se do të hyni në xhennet, pa u provuar edhe ju me shembullin e atyre që ishin para jush, të cilët i patën goditur skamjet e vuajtjet dhe qenë tronditur, saqë i dërguari thoshte, e me te edhe ata që kishin besuar: “Kur do të jetë ndihma e All-llahut”?! Ja (u erdhi ndihma) vërtet ndihma e All-llahut është afër”! (El-Bekare: 214).
Shokët e Muhamedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke e kuptuar këtë të vërtetë, ata analizonin ndodhitë e ndryshme sipas këtij kriteri:
“E kur muslimanët e panë ushtrinë aleate, thanë: “Kjo është ajo që All-llahu dhe i dërguari i Tij na premtuan neve, e All-llahu dhe i dërguari i Tij e thanë të vërtetën”. Ajo (ushtria e armikut që e panë) vetëm ua shtoi atyre besimin dhe mbështetjen”. (El-Ahzab: 22).
SHTATË: FE E NATYRSHME.
Edhe pse e kota ka mekanizma të shumta dhe të llojllojshme për përhapjen e saj, sërish tek njerëzit ka mirësi të madhe dhe sheh shtresa të shumta dhe të llojllojshme duke iu kthyer All-llahut dhe fesë së Tij. Krejt kjo ndodh pasiqë feja Islame është fe e natyrshme, fe që përputhet me natyrën e njeriut dhe nuk i paraqet aspak vështirësi përqafimi i rregullave të tij.
Feja Islame që nga fillimi i saj në Mekë nuk di zvogëlim të numrit të ithtarëve të vet, kurse sot është prej feve që më së shpejti është duke u përhapur. Kjo pa dyshim se paraqet një burim të madh të shpresës dhe ia ripërtërin besimtarit aspiratat drejt ardhmërisë së lumtur për këtë fe.
TETË: NUK HUMBIN VEPRAT E BESIMTARIT.
Çdo vepër të cilën e bën besimtari për fenë e All-llahut nuk i humbet, çfarëdo vepre qoftë dhe sado e fshehtë qoftë. Besimtari me sinqeritetin e vet dhe pasimin e Sunnetit të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e meriton ta fiton shpërblimin e All-llahut, azze ve xhel-le:
“Dhe nuk japin kontribut, të vogël ose të madh, nuk e kapërcejnë ndonjë luginë, e që të mos u shënohet (për shpërblim) atyre, për t’i shpërblyer All-llahu më së miri atë që vepruan. Nuk është e nevojshme të dalin në luftë të gjithë besimtarët. E përse nga çdo grumbull i tyre të mos shkojë një grup për t’u aftësuar në diturinë fetare, për ta mësuar popullin e vet kur të kthehet te ata, në mënyrë që ata të kuptojnë (e të ruhen)”. (Et-Teube: 121- 122).
NËNTË: KEMI MËSIME NË HISTORI.
Edhe historia është një lloj burimi i shpresës. Shembujt dhe rastet nga historia ndezin në shpirtin e besimtarit një besim të madh në fitoren. Historia është përplot me ndryshime dhe ndodh që gjenerata të tëra të mos i kuptojnë ndodhitë, fillimin dhe mbarimin e tyre. Andaj, pastaj, dikush e nxiton fitoren e dikush dhe bën veprime të pamatura.
Këta harojnë se Nuhu, alejhisselam, pritke dhe bëni sabër nëntëqind e pesëdhjet vjet, kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e çliroi Mekën njëzet e tre vite pas shpalljes, kurse thesaret e Persisë, Kisrasë dhe Jemenit i grumbulluan muslimanët pas vdekjes së Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.
All-llahu, tebareke ve teala, thotë:
“Derisa të dërguarit gati e humbnin shpresën (se do t’i besojë populli), dhe menduan se u përgënjeshtruan (pse ende nuk i kapi dënimi), atëherë u erdhi atyre (të dërguarve) ndihma Jonë. Ne e shpëtuam atë që deshtëm. E dënimi Ynë kundër popullit idhujtar nuk zmbrapset”. (Jusuf: 110).
Historia i thërret të demoralizuarit të shikojnë se sa e sa shtete pasi ishin të dobëta u forcuan dhe sa e sa shtete pasiqë ishin superfuqi u dobësuan!
“Elif, Lam, Mim. Bizantinët (rumët) u mundën, në tokën më afër (tokës së arabëve), po pas disfatës së tyre, ata do të ngadhënjejnë, brenda pak viteve. Çështja është vendim i All-llahut, fillim e mbarim (për disfatë dhe për fitore). E atë ditë (kur do të fitojnë bizantinët) besimtarët do të gëzohen, për ndihmën e All-llahut. Ai ndihmon atë që do dhe Ai është i gjithëfuqishëm, mëshirues”. (Er-Rum: 1-5).
Pas këtyre burimeve të mëdha të shpresës nuk është çudi pse feja Islame ia ndalon kategorikisht besimtarit dëshpërimin, duke thënë:
“… mos e humbni shpresën nga mëshira e All-llahut, pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në All-llahun”. (Jusuf: 87).
“Askush nuk e humbë shpresën në mëshirën e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur”. (El-Hixhr: 56).
All-llahu na dhashtë shpresë dhe optimizëm dhe na ruajt nga dëshpërimi, demoralizimi dhe pesimizmi. Amin.
Në hutben e ardhshme do të flasim për “Veprat që duhet bërë në kohëra të vështira”.
Bekir Halimi
Bekir Halimi,
29.6.2007