Polemika sterile, hasmia dhe debati bosh
Fatkeqësisht shumë herë njerëzit i mësojnë disa çeshtje sa për të bërë polemika të pafrytshme me tjerët, ose për tu futur në hasmi shkencore të pafundta, e jo që nga kjo dije të mësojnë veten dhe të tjerët me gjëra që kanë dobi prej tyre në dynja dhe ahiret.
Njeriu nuk duhet të mëson dijen me qëllim që të hulumton defektet dhe gabimet e tjeravë (miraun), ose për të vërtetuar domosdo pikëpamjet dhe mendimet e tija (xhidalun) ose për të paaftësuar tjetrin që ta mbroj qëndrimin e vet, duke ia ofenduar fjalët dhe duke e akuzuar se është injorantë dhe i paaftë, etj. (Shiko: “Ihjau Ulumidin”, 1/ 113).
Shtytësi për ta bërë këtë vepër njeriu me tjerët është tentimi për të ngritur veten me dijen që ka dhe sulmi ndaj tjerëve duke manifestuar mangësitë e tyre. Këto dy gjëra janë epshe të fshehura të shpirtit. E para ka të bëjë me dlirësimin e shpirit të vet dhe kjo ndërlidhet me pretendimet e mendjemadhësisë dhe kryelartësisë, kurse nënçmimi dhe ofendimi i tjerëve ndërlidhet me natyrët shtazarake, e cila sjell dëshirën për të shkyer, dëmtuar dhe coptuar tjerët.
Nëse vazhdohet me debate dhe polemika sterile dhe të pafrytshme arrihet deri te hidhërimi, dëshira për ta mbrojtur qëndrimin e vet me të drejtë apo pa të drejtë, akuzimin e qëndrimit të kundërshtarit dhe zënka mes tyre shndërrohet në luftë të ngjajshme me atë që ndodh mes dy qenve, ku secili mundohet ta kafshon tjetrin aq shumë dhe fortë sa ta dëmton dhe rrëzon.
Nëse dikush thotë: nëse një njeri është në të drejtë, ai e ka domosdo të insisiton në kërkimin e të drejtës së vet sadoqë i bën padrejtësi dikush, ky njeri si duhet të sillet? A duhet të debaton dhe polemizon? A qortohet ky ngulmim për të marë hakun e vet?
Duhet ditur se ky qortim dhe akuzim vlen për ata që polemizojnë pa të drejtë dhe pa dije, vlen për atë që polemikën dhe hasminë e tij e përzien me fjalë ofenduese dhe nënçmuese për të cilat nuk ka nevojë dhe për atë hyn në hasmi thjeshtë nga inati dhe dëshira për ta mposhtur kundërshtarin.
Kurse atij që i është bërë padrejtësi dhe i cili e forcon argumentin e tij në mënyrë fetare, pa tejkalim të kufinjve, pa ofendime, pa inati dhe dëmtime, kjo vepër nuk është haram. Po, më mirë është ta braktisë me aq sa ka mundësi, sepse kontrollimi i gjuhës në rast të hasmisë është një gjë e vështirë. (Shiko: “Ihjau Ulumidin”, 3/ 113)
Sherijati kërcënon me të madhe ata që posedojnë këto vese të këqija dhe të ulta. Transmeton Imam Buhariu, rahimehull-llah, në sahihun e tij nga Ubade ibën Samit, radijall-llahu anhu, i cili ka thënë:
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, doli të na e tregojë Natën e Kadrit, mirëpo i gjeti dy musliman ziheshin mes tyre e tha:
“Dola tu tregojë kur është Nata e Kadrit, mirëpo ziheshin filani dhe filani, e u ngrit kjo dije prej meje dhe ndoshta kjo është më mirë për ju, andaj kërkojeni në natën e njëzet e pestë, njëzet e shtatë dhe njëzet e nëntë”. (Buhariu dhe Muslimi).
Imam Neveviu, rahimehull-llah, duke e komentuar këtë hadith mes tjerash thotë:
“Zënka dhe hasmia janë të urejtura dhe janë shkak i denimeve të ndryshme”. (shiko: “Komenti i Sahihu Muslimit”, 8/63).
Aisheja, radijall-llahu anha, tregon se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Njerëzit më të urrejtur te All-llahu, janë polemizuesit e ashpër dhe ata që nuk lëshojnë pe në hasmi”. (Buhariu dhe Muslimi).
Ebu Seid El-Hudriu, radijall-llahu anhu, tregon:
“Ishim ulur te dera e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i përsëritnim gjërat, njëri sillte një ajet e tjetri një ajet. Na doli Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i skuqur në fytyrë sikurse kokra e shegës e na tha: a me këtë jeni dërguar, me këtë jeni urdhëruar, , mos u ktheni pas meje në mosbesimtar të godisnin kokat e njëri tjetrit”. (sahih, transmeton Taberaniu).
Ebu Umame, radijall-llahu anhu, tregon se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Nuk devijon një popull pas udhëzimit në të cilin ka qenë përpos nëse janë dhënë pas polemikave sterile, pastaj lexoi ajetin kuranor:
“Ata nuk të thanë atë, vetëm si polemikë, por ata janë njerëz ngatërrestarë”. (Ez-Zuhruf: 58)”. (Sahih, transmeton Tirmidhiu).
Ebu Umamete, radijall-llahu anhu, tregon se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“I garantoj shtëpi në qoshet e xhennetit atij që le polemikën edhe nëse është në të drejtë, shtëpi në mes të xhennetit atij që le gënjeshtrën edhe në shaka dhe shtëpi në lartësi të xhennetit për atë që ka moral të mirë”. (Hasen, Ebu Davudi).
Ragib Esfahaniu në librin e tij “Edh-Dheria ila Mekarimush-Sheria” mes tjerash thotë:
“Hasmia është e padobishme dhe pa efekte kthyese, kurse polemika edhe pse ka mangësitë e veta ndihmon në zgjimin e kuptimit dhe ngacmon dëshirën për absorbimin e dijes. Hasmia shkakton vetëm armiqësi dhe refuzim të vërtetës, andaj All-llahu e ka bërë më të keqe se sa polemikën, e ka thënë:
” por ata janë njerëz ngatërrestarë”. (Ez-Zuhruf: 58)”.
” , ai kundërshtar i rreptë”. (Jasin: 77) “.
SHËRIMI I POLEMIKËS DHE DEBATIT
Shërimi i këtyre sëmundjeve ndërtohet mbi parimin e “thyerjes së mendjemadhësisë, i cili e stimulon për të manifestuar vlerën e tij dhe shtazarisë e cila e stimulon nënçmimin e tjerëve.
Shërimi i çdo defekti ndodh me eliminimin e shkaqeve, kurse shkaqe të polemikës, debatit dhe hasmisë janë ato që i përmendëm, e vazhdimi në to i bën shprehi dhe natyrë që dominojnë me personalitetin e tij dhe nuk mund të duron të qëndron larg tyre.
Tregohet se Ebu Hanifeja, rahimehull-llah, Davud Taiut i ka thënë: pse i ke dhënë përparësi izolimit? Tha: që ta luftoj veten për të lërë polemikën. Tha: participo në tubime, dëgjo çka thuhet dhe mos fol. Tha: ashtu edhe veprova, mirëpo nuk kam parë luftë më të vështirë për mua se kjo”.
EDUKATA E DEBATIT
Hatib Bagdadiu, rahimehull-llah, i ka sqaruar disa rregulla dhe edukata të debatimit në librin e tij “El-Fekih Vel-Mutefekih”, 2/25, dhe nga e gjith ajo del se prej tyre janë keto:
1- Devotshmëria.
Ai thotë: “polemizuesi dhe debatuesi duhet të vëndon devotshmërinë para debatit të tij, sepse All-llahu, subhanehu ve teala, ka thënë:
“Andaj, sa të keni mundësi ruajuni prej dënimit të All-llahut, “. (Et-Tegabun: 16).
“S’ka dyshim se All-llahu është me ata që janë të devotshëm (që ruhen prej të këqijave) dhe me ata që janë bamirës”. (En-Nahl: 128).
2- Sinqeriteti.
Ai thotë: “Le të posedon nijet të sinqertë në debatin e tij, duke patyr synim fitimin e kënaqësisë së All-llahut, sqarimin e të vërtetës dhe përforcimin e tij, e jo ngadhnjimin ndaj kundërshtarit.
Imam Shafiu, rahimehull-llah, ka thënë:
“Me çdo kënd që kam biseduar kam dashur të ketë sukses dhe të ndihmohet, të ketë kujdesin dhe mbikqyrjen e All-llahut. çdo herë që kam biseduar me dikend nuk jam brengosur haku a del nga gjuha ime ose e atij”.
3- Këshilla duhet të jetë për fenë e All-llahut dhe për atë me të cilin debaton.
Ai thotë: “Në këtë mënyrë e përmbledh të gjithë fenë, sepse këshilla është obligim ndaj secilit musliman.
Xherir ibën Abdullahu, radijall-llahu anhu, ka thënë:
“Kam dhënë beslidhjen Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, për të falur namazin, për të dhënë zekatin dhe për të këshilluar secilin musliman”. (Buhariu dhe Muslimi).
Imam Shafiu, rahimehull-llah, ka thënë: “Çdo herë që kam debatuar me dikend nuk kam dashur të gabon ai”.
4- Të jet dinjitoz dhe serioz gjatë debatimit.
Ai thotë: “Gjatë debatiti duhet patur dinjitet dhe seriozitet, sjellje të mirë dhe heshtje të gjatë, flet vetëm kur është nevoja, e nëse del ndonjë fjalë e urrejtur nga kundërshtari duhet gëlltitur atë dhe nuk ia kthen në të njejtën mënyrë. All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:
“Ti të keqen kthe me më të mirën. Ne e dimë më së miri atë që shpifin ata”. (El-Muminun: 96).
“E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: “Paqe!”. (El-Furkan: 63).
Ibën Abasi, radijall-llahu anhu, tregon një rastë që ka ndodhur në kohën e Omerit, radijall-llahu anhu, e cila manifeston nevojën për sjellje të mirë me kundërshtarin dhe veprimin sipas porosive kuranore.
Ibën Abasi, radijall-llahu anhu, thotë: “Ujejne ibën Hisn ibën Hudhejfe erdhi te djali i vëllaut të vet, Hur ibën Kajsi. Ky ishte nga ata që i afronte Omeri, radijall-llahu anhu, sepse kuraatë, dijetarët e Kur’anit, ishin shoqëruesit dhe këshilltarët e Omerit, qofshin pleq ose të rinjë. Ujejneja i tha djalit të vëllaut të vet, Hurit: ti ke autoritet te Kryetari i muslimanëve, mer leje që të takohem me te. Mori leje huri për kushëririn e tij, e kur hyri ujejne te Omeri, radijall-llahu anhu, i tha: Of orë biri i Hatabit! Pasha All-llahun, ti nuk na jep shumë dhe nuk gjykon mes nesh me drejtësi. U hidhërua Omeri, radijall-llahu anhu, saqë deshti ta denojë, kurse Huri i tha: Kryetar i muslimanëve! All-llahu, azze ve xhel-le, i ka thënë Pejgamberit të vet:
“Ti (Muhammed) merre faljen, urdhëro për mirë dhe hiqu prej të padijshmëve”. (El-A’raf: 199). Kurse ky është nga të padijshmit. Pasha All-llahun nuk e kaloi këtë ajet Omeri, radijall-llahu anhu, pasiqë ia lexoi Huri, sepse ishte njeri që i zbatonte porositë kuranore”. (Buhariu).
5- Nuk e ngrit zërin sa nuk duhet.
Ai thotë: “Nuk duhet ngritur zërin, nuk duhet çarë fytin e lodhë gjoksin, sepse kjo vjen nga hidhërimi, por as që e ulë zërin saqë nuk mund ta dëgjojnë ata që janë të pranishëm, por është mesatar”.
6- Duhet të jetë i logjikshëm.
Ai thotë: “duhet të jetë i logjikshëm, të flet rrjedhshëm dhe të din ta shpreh atë që dëshiron ta thotë, sepse kjo i ndihmon në debatin e tij”.
7- Duhet të stërvitë veten kur është në vetmi duke i parashtruar vetes pyetje dhe duke u dhënë përgjigje.
Këtë duhet ta bëjë që mos të frenohet dhe pengohet nga shikimi dhe pyetjet e ndryshme të njerëzve.
8- Të jetë i gjallë dhe ambicioz.
Dija është e rëndë dhe nuk mund të fitohet pa punë dhe sakrificë, por duhet mund dhe flijim.
9- Nuk duhet të nënçmon kundërshtarin.
Edhe në qoftëse kundërshtari është i vogël ose i ri, nuk duhet nënçmuar ate, por sillet me te sikur edhe njerëzit tjerë.
10- Nuk duhet të jetë i mahnitur me fjalët dhe debatin e vet.
Mahnitja është në kundërshtim me veprimet e sakta dhe sjell mëkatin, i cili është koka e çdo belaje.
11- Mos të nxiton me gjykimin ndaj kundërshtarit.
Vlerësimet dhe gjykimet nuk duhet t’i nxjer nga fillimi i debatit, sepse ndoshta fjalët e tija të fundit e sqarojnë qëllimin e fillimit të debatit dhe ato mund të japin kuptime të sakta.
Dhe në fund e jep këtë porosi:
“Duhet të flet me dije, të dëgjon me butësi, nuk duhet të nxiton të jep përgjigje, nuk sulmon me pyetje, e ruan gjuhën nga fjalët që mund të thuhen pa dije, nga debatimi mbi gjërat që nuk i kupton, sepse kjo mund ta shpien në turpërim dhe ndërprerje të debatit, e kjo bëhet pastaj mangësi dhe zbritje e pozitës tek ata që e kanë shikuar si dijetar dhe njeri me vlerë”.
All-llahu na dhashtë sinqeritet dhe dashuri për të vërtetën kudo qoftë ajo dhe nga kush do qoftë na ardhtë ajo. All-llahu im, më mundëso ta shoh të vërtetën si të vërtetë dhe ta pasojë atë dhe të kotën si të kotë dhe ti shmangem asaj. Amin.
Bekir Halimi
Bekir Halimi,
29.9.2006