Defektet në rrugën e dijes Vl

6- Menjemadhësia dhe mburrja

Njeriu të ndihet krenar me dije dhe ta ruan ate, kjo sdo të thotë mendjemadhësi e as mburrje, sepse mendjemadhësia dhe mburrja janë cilësi të urrejtura, ato nuk i dëshiron as një besimtar i thjeshtë e jo më ai që miret me dije.

All-llahu, azze ve xhel-le, ka qortuar mendjemadhësinë në shumë vende në Kur’an, duke thënë:

“Unë do t’i zbraps nga argumentet e Mia ata të cilët pa pasur të drejtë bëjnë kryelartësi në tokë, të cilët edhe nëse shohin çdo argument nuk besojnë, dhe nëse shohin rrugën e shpëtimit nuk e marrim atë rrugë, e nëse e shohin rrugën e gabuar ata e marrin atë rrugë. Këtë (këtë verbërim të tyre), ngase ata i konsideruan të rreme faktet Tona dhe ngase i lanë pas dore ato”. (El-Araf: 146).

“Nuk ka dyshim se ata që përgënjeshtruan argumentet Tona dhe nga mendjemadhësia u larguan prej tyre, atyre nuk u hapen dyert e qiellit dhe nuk do të hyjnë në xhennet deri të përbirojë deveja nëpër vrimën e gjilpërës. Ja, kështu i shpërblejmë kriminelët”. (El-A’raf: 40).

“E kur u thamë engjëjve: përuluni (bini në sexhde) Ademit, ata menjëherë iu përulën, me përjashtim të iblisit (djallit). Ai refuzoi dhe u mbajt në të madh dhe u bë pabesimtar”. (El-Bekare: 34).

“Mesihu nuk tërhiqet prej asaj se është rob i All-llahut, nuk tërhiqet as engjëjt më të zgjedhur. Kush tërhiqet prej adhurimit ndaj Tij dhe bën mendjemadhësi, Ai do t’i ringjallë dhe do t’i tubojë të gjithë pranë Tij. E përsa u përket atyre që besuan dhe vepruan mirë, atyre do tu përmbushet shpërblimi i merituar, por edhe do t’iu shtohet prej dhuntisë së Tij. Përsa i përket atyre që u tërhoqën dhe mbajtën veten kryelartë, ata do t’i ndëshkojë me një ndëshkim fort të dhëmbshëm dhe pos All-llahut nuk do t’i gjejnë vetes as mbrojtës as ndihmës”. (En-Nisa: 172- 173).

“Është e vërtetë se All-llahu e di atë që e fshehin dhe atë që e shfaqin haptazi dhe se Ai nuk i do arrogantët”. (En-Nahl: 23).

” e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në xhehennem”. (Gafir: 60).

” sot, për shkak se keni bërë mendjemadhësi në tokë pa të drejtë dhe për shkak se nuk respektuat urdhrat e Zotit, do të shpërbleheni me dënim nënçmues”. (El-Ahkaf: 20).

” Po kështu All-llahu vulos çdo zemër të arrogantit, të zullumqarit”. (Gafir: 35).

Këto ajete janë vetëm disa prej shumë ajeteve që flasin për këtë ves shumë të keq dhe të rezikshëm për secilin njeri, ai që dëshiron ti dije të gjitha ajetet që flasin për këtë ves le ti drejtohet Kur’anit, Librit të All-llahut, azze ve xhel-le, se aty i gjen të gjitha këto edhe ma shumë se kjo.

Edhe hadithet e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, që kanë folur mbi këtë ves janë të shumta prej tyre do ti përmendim vetëm disa:

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Nuk hyn në xhennet ai që në zemrën e tij ka sa një grimcë atomi mendjemadhësi. Një njeri tha: nëse një njeri dëshiron që të ketë rrobat dhe këpucët e mira. Tha: All-llahu është i bukur dhe e do bukurinë, kurse mendjemadhësi është refuzimi i të vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve”. (Muslimi).

Ebu Seid El-Hudriu, radijall-llahu anhu, tregon se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Debatuan Xhenneti dhe Zjari. Zjari tha: te unë jan tiranët dhe mendjemëdhenjtë, kurse xhenneti tha: te une jan të dobtit dhe të ngratët e muslimanëve. All-llahu gjykon mes tyre duke thënë: xhennet, ti je Mëshira ime, me ty mëshiroj atë që dua unë, kurse zjarit i tha: ti je denimi Im dhe me ty denoi ata që dua. Dyjat Unë do ti mbushi”. (Muslimi).

Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu, tregon se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Një njeri i veshur me petka të bukura, i pëlqente vetvetja, me kokë të krehur dhe ecte me mendjemadhësi, duke qenë në këtë gjendje All-llahu bëri që ta vithisë toka dhe ai mbetet në këtë gjendje deri në ditën e Kijametit”. (Buhariu dhe Muslimi).

Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu, tregon se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“All-llahu, teala, ka thënë: Krenaria dhe Mendjemadhësia janë petku Im, ai që mundohet t’ma merr njërën prej tyre do ta denoj”. (Muslimi).

Llojet e mendjemadhësisë

“Dije se mendjemadhësia ndahet në të dukshme dhe të brendshme. Mendjemadhësia e brendshme është veti në shpirt, kurse mendjemadhësia e dukshme është ajo që e manifestojnë gjymtyrët. Emri mendjemadhësi më shumë u përket asaj që është në shpirt se sa asaj që e manifestojnë gjymtyrët, sepse veprat janë rezultat i kësaj vetie.

Kjo veti shkakton edhe veprime, andaj kur duken veprimet e mendjemadhësisë në gjymtyrë thuhet: u tregua mendjemadh, e nëse është kjo veti në shpirt thuhet: është mendjemadh.

Njeriu është mendjemadh atëherë kur është në mesin e njerëzve tjerë dhe mendon se është mbi ta për shkak se posedon cilësi të plota ma shumë se ata.

Ky njeri nëse debaton ose polemizon nuk pranon që dikush ti përgjigjet atij edhe nëse këshillohet nuk e pranon atë këshillë, kurse nëse jep këshillë është i vrazhdë, e nëse i refuzohet ndonjë fjalë e tij hidhërohet, nëse mëson dikend aspak nuk ka mëshirë dhe dhembshuri ndaj atyre që i mëson, por i nënçmon, i qorton, i shfrytëzon dhe ua përmend ato të mira që ua ka bërë, masën e gjërë e shikon sikur të jenë gomar, i trajton si injorantë dhe i nënçmon.

Veprat që burojnë nga kjo veti janë të shumta, ato janë aq shumë saqë nuk mund të numërohen, andaj edhe nuk ka nevojë që ti rendisim, sepse ato janë të njohura.

Kjo është mendjemadhësia, ky defekt është shumë i madh, dëmin e ka të hatashëm, saqë shkakton edhe shkatërrimin e elitës. Mjafton për keqësinë e kësaj vetie hadithi i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem:

“Nuk hyn në xhennet ai që në zemrën e tij ka sa një grimcë atomi mendjemadhësi”. (Muslimi). (shiko: “Tehdhibu Ihjai Ulumudin”, Abduselam Harun, 2/ 128).

Dallimi mes mendjemadhësisë dhe prestigjit

Shumë herë njerëzve u përzihet prestigji me mendjemadhësinë dhe e kundërta, kjo ndodh për shkak se dallimi është shumë i hollë mes mendjemadhësisë dhe prestigjit dhe këtë nuk mund ta hetojnë shumica e njerëzve.

Imam Ibën Kajim El-Xhevzie, rahimehull-llah, thotë:

“Dallimi mes prestigjit dhe mendjemadhësisë qëndron në:

– Prestigji është gjurmë prej gjurmëve të mbushjes së zemrës me madhërim, dashuri dhe respekt të All-llahut. Kur të mbushet zemra e njeriut me këto elemente, atëherë mbushet me nur- dritë, zbret në te qetësia, vesh petkun e prestigjit, fytyra e tij rezaton ëmbëlsi dhe dinjitet, mbushet kjo zemër me dashuri dhe prestigj, mallëngjohen për te zemrat, kënaqen sytë dhe rehatohen zemrat, andaj fjala e tij është nur, hyrja e tij është nurë, dalja e tij është nurë, vepra e tij është nur, nëse hesht ka dinjitet, e nëse flet ua pushton zemrat dhe veshët njerëzve.

– Kurse mendjemadhësia është gjurmë prej gjurmëve të mburrjes dhe zullumit që gjinden në zemrën e atij që është mbushur me injorancë dhe padrejtësi, nga e cila zemër është larguar adhurimi e ka zbritur mbi te mllefi. Ky njeri i shikon njerëzit me bisht të syrit, në mesin e tyre ecë me mendjemadhësi, sillet me ta me egoziëm dhe pa altruizëm e maturi, nuk ia fillon me selam me ata që takohet, e nëse ua kthen dikujt selamin sheh se u ka bërë të mirë ma shumë se meritojnë, nuk u jep buzëqeshje kur takohet me ta, morali i tij nuk u jep vend, mendon se askujt si ka borxh, kurse krejt dynjaja u ka borxh, nuk sheh dhuntitë e tyre ndaj tij, por vetëm të vetat ndaj tyre. Ky njeri me këto vepra vazhdimisht largohet prej All-llahut, kurse njerëzit vazhdimisht e nënçmojnë dhe urrejnë”. (Shiko: “Er-Ruh”, Ibën Kajjimi, fq. 316).

Dallimi mes mendjemadhësisë dhe mburrjes

Duke shfletuar literaturën islame që flet për këto smundje shumë delikate dhe shumë të rënda shohim disa dallime që i kanë bërë dijetarët mes mendjemadhësisë dhe mburrjes.

Ata duke folur për mendjemadhësinë tregojnë se mendjemadhësia është një ves që formohet nga bindja se njeriu është i plotë në krahasim me tjerët, kurse mburrja është një ves që nuk kërkon të krahasohet me tjerët por mjafton që ai të mendojë për vehten e tij se ka bërë shumë mirë dhe i haron gabimet dhe të këqijat e tija.

“Mburrja shpie në mendjemadhësi, sepse është njëri prej shkaqeve që e shkaktojnë mendjemadhësinë, kurse nga mendjemadhësia lindin shumë defekte tjera”.

Mburrja është kategori dhe lloje.

– Mburrja para All-llahut. Ky ves shkakton që njeriu ti harojë mëkatet e veta dhe t’i injorojë ato. Ai disa gabime dhe gjynahe as i kujton e as i hulumton, sepse mendon se nuk ka nevojë ti hulumtojë, andaj edhe i haron, kurse ato që i kujton i zhvlerëson dhe nuk i konsideron të mëdhaja, andaj edhe nuk përpiqet që ti përmirëson ose eliminon, por mendon se i falen.

– Mburrja me adhurime dhe vepra të mira. Njeriu mburravec i zmadhon veprat e tija që i ban dhe lavdërohet me to dhe e kushtëzon All-llahun me to, duke haruar se po mos të ishte suksesi dhe përkrahja All-llahut ai asgjë nuk do të mund të arrinte. Pastaj kur një njeri mburret me punën e vet ai nuk i sheh edhe defektet e asaj pune, kurse ai që nuk hulumton defektet e veprave të veta, shumica e mundit që e jep për ato vepra i shkon huq, sepse veprat e dukshme nëse nuk janë të sinqerta dhe të pastërta nga çdo njollë, zor se bajnë dobi.

– Mburraveci mashtrohet me vetveten dhe mendimin e vet, e ndien veten të sigurtë nga kurthet e All-llahut dhe denimi i Tij, mendon se ka pozitë te All-llahu dhe se veprat e tija i mjaftojnë për të merituar atë pozitë, kurse haron se këto vepra janë dhunti dhe dhurate e All-llahut. Kjo veti bëhet shkak që ky njeri ta lavdëron, ngrit dhe zmadhon vetveten.

Njeriu që mburret me mendimin, veprat dhe mendjen e tij pengohet nga përfitimi, pyetja dhe konsultimi, andaj bëhet tiran dhe egoist, nuk pyet ata që janë më të ditur se ai, madje ndodh që ti pëlqejë mendimi i vet i gabuar dhe të gezohet me këtë mendim, andaj nuk dëgjon këshillën dhe porosinë e askujt, por i shikon tjerët si injorantë, insiston në gabimin e vet. Nëse ky mendim ka të bëjë me çeshtje të dynjasë dështon në to, e nëse ka të bëjë me çeshtje të fesë dhe bazave të saja, shkatërrohet në te.

Defekti më i madh i mburrjes është pasiviteti në vepra të mira, sepse mendon se ka fituar dhe se nuk ka nevojë, kurse ai është duke qëndruar në shkatërrim të qartë dhe të padyshimt”. (shiko: “Tehdhibu Ihjai Ulumudin”, 2/ 138).

Gradët e adhuruesve dhe dijetarëve në çeshtjen e mëndjemadhësisë

Të gjith njerëzit nuk janë një kategori në çeshtjen e mendjemadhësisë, por janë grada të ndryshme.

Imam Ibën Kudame El- Makdesiu, rahimehull-llah, thotë:

“Dije se dijetarët dhe adhuruesit në çeshtjen e mendjemadhësisë janë tre kategori:

Një: Njeriu që mendjemadhësinë e ka të ngulitur në zemrën e tij, e mendon veten më të mirë se tjerët, por përpjekët dhe mundohet që të jetë modest. Ky njeri e ka të mbjellur në zemrën e tij pemën e mendjemadhësisë, mirëpo nuk lejon të bëje degë dhe gjethe.

Dy: Ta manifestojë mendjemadhësinë me gjymtyrët e veta, e ngrit veten nëpër tubime, del para mocanikëve të vet, e qorton atë që nuk sillet me te ashtu sikurse e meriton, dijetari ua kthen fytyrën njerëzve dhe i injoron ata, kurse adhuruesi jeton duke i trajtuar tjerët si të fëlliqur. Këta dy kategori njerëz kanë haruar atë me të cilën e ka edukuar All-llahu, azze ve xhel-le, Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem:

“E të jeshë i butë ndaj besimtarëve që të pranuan ty”. (Esh-Shuara: 215).

Tre: Ta manifestojë mendjemadhësinë me gjuhën e vet duke pretenduar gjëra të ndryshme që si ka, duke u mburrur, duke e lavdëruar vetveten dhe duke treguar raste të ndryshme për tu lavdëruar para tjerëve”. (Shiko: “Muhtesaru Minhaxhul-Kasidin”, fq. 292).

Dija dhe mendjemadhësia

Ka shumë gjëra me të cilat njeriu bëhet mendjemadh ndaj tjerëve, prej tyre është dija, veprat, adhurimet, pamja e bukur, etj.

Mirëpo prej të gjithave këto mendjemadhësia me dije është më e rezikshmeja.

Ebu Hamid Gazaliu, rahimehull-llah, thotë:

“Mendjemadhësia nga shkaku i dijes është prej defekteve më të mëdhaja dhe sëmundjeve më të përhapura dhe sëmundjeve që shumë vështirë shërohen, përpos se me një mund dhe ashpërsi shumë të madhe. Kjo është kështu sepse pozita e dijes është e madhe te All-llahu dhe e madhe te njerëzit, ka pozitë më të madhe se sa pasuria, bukuria, etj, madje këto gjëra skanë asnjëfar pozite nëse nuk shoqërohen me dije dhe vepra, andaj Kab ibën Ahbari tha: “Edhe dija jep një tirani sikurse pasuria”, kurse Omeri, radijall-llahu anhu, ka thënë: “Nëse rrëshqet një dijetar me te rrëshqet e tërë bota”.

Si të mbrohet dijetari nga mendjemadhësia

Një dijetar që është sprovuar me këtë ves, mund të pastrohet prej tij duke njohur dy gjëra:

Një: Argumenti i All-llahut ndaj dijetarëve është më i fortë dhe se All-llahu nuk pranon prej dijetarit as një të dhjetën e asaj që pranon prej injorantit, sepse ai që bën gabim ndaj All-llahut me dije dhe njohje ban gabim më të madh, sepse nuk ka respektuar obligimin që ka për shkak të dhuntisë së All-llahut për dijen.

Dy: Dijetari duhet ta dijë se mendjemadhësia nuk i përkon askujt përpos All-llahut dhe nëse njeriu bëhet mendjemadh me këtë bëhet i urrejtur te All-llahu, subhanehu ve teala, sepse All-llahu do që dijetari të jetë modest “. ((shiko: “Tehdhibu Ihjai Ulumudin”, 2/ 136).

Dijetarë duhet të kenë shembull Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në modestinë e tij

Imami i dijetarëve, shembulli i adhuruesve dhe modeli i besimtarëve, Muhammedi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, edhe pse kishte pozitën më të lartë, ai ishte shumë modest.

Esved ibën Jezidi, radijall-llahu anhu, thotë: E kanë pyetur, Aishen, radijall-llahu anha: çka bënte Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në shtëpinë e tij? Ishte në shërbim të familjes, kurse kur thërriste ezani për namaz, dilte të fal namazin”. (Buhariu).

Ebu Rifaa, Temim ibën Esidi, radijall-llahu anhu, thotë: Iu afrova Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kurse ai mbante hutben, e i thash: Resulull-llah, një njeri i huaj ka ardhur dhe pyet për fenë e tij, kurse nuk di asgjë për fenë e vet. U drejtua kah unë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe e la hutben. Ia sollën një karigë dhe u ul në te. Filloi të më mësojë atë që ia kishte mësuar All-llahu, pastaj iu kthye sërish hutbes dhe e përfundoi”. (Muslimi).

Enes ibën Maliku, radijall-llahu anhu, kaloi pranë disa fëmijëve dhe u dha selam, e tha: “Kështu bënte Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem”. (Buhariu dhe Muslimi).

Kanuni të cilit i nënshtroheshin selefi dhe me të cilin udhëzoheshin, ishte zbatimi i hadithit që e transmeton Ijad ibën Himari, radijall-llahu anhu, se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“All-llahu më ka shpallur: jeni modest dhe mos të mburret askush ndaj askujt dhe mos ti ban zullum askush askujt”. (Muslimi).

Shikoni rastin e Uvejs Karniut, radijall-llahu anhu, i cili i dha përparësi qëndrimit me njerëz të ngratë dhe të varfër dhe refuzoi pritjen e tij solemne dhe lavdata.

Transmeton Imam Muslimi nga Usejr ibën Xhabiri, radijall-llahu anhu, i cili thotë:

Omeri, radijall-llahu anhu, e kishte zakon të pyeste logjistikën e ushtrisë islame që vinin nga Jemeni: a është në mesin tuaj Uvejs Karniu? Derisa një ditë kishte ardhur Uvejsi, e i tha: a je ti Uvejs ibën Amir nga fisi Murad, pastaj nga fisi Karni? Tha: po. Ke patur lebrën dhe je shëruar përpos një vendi sa një dirhem? Tha: po. A ke nënë? Tha: po. Tha: kam dëgjuar Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke thënë:

“Do t’ju vijë Uvejs Karniu me logjistikën (e ushtrisë Islame) nga Jemeni, ai ëshë nga fisi Murad e pastaj nga fisi Karen, ka patur lebrën dhe është shëruar përpos një vendi sa një dirhem, ka një nënë që shumë kujdeset për te. Ky njeri po ti betohet All-llahut, All-llahu do tia përmbush betimin, nëse ke mundësi të kërkosh prej tij që të kërkon falje për ty, kërko”. Andaj kërkoj prej teje që të kërkosh prej All-llahut falje për mua, edhe ashtu veproi Uvejsi. Omeri i tha: ku dëshiron të shkosh? Tha: në Kufë. Tha: a ti shkruaj letër guvernatorit të Kufës që të kujdeset për ty? Tha: jo, më shumë dëshiroi të jem në mesin e masës së thjeshtë.

Mendjemadhësia dhe mburrja janë defekte që shkaktojnë që njeriu të harojë se tërë ato dhunti dhe begati që i ka janë nga All-llahu dhe se të gjitha çështjet janë në dorë të All-llahut, kurse dija e shëndoshë dhe udhëzimi i vërtetë i luftojën maksimalisht këto dukuri negative dhe të poshtra sikurse janë mendjemadhësia, mburrja dhe vetpëlqimi, sepse sikurse na tregon Imam Ibën Xhevziu në një prej mendimeve të tija “nëse njeriu e ka plotësuar dijen e tij, ka kuptuar se asnjë vepër nuk është e tij, por është dhunti e Suksesdhënësit dhe Ai i ka mundësuar secilit njeri të mençur të kuptojë se nuk duhet tia mvesh veprat vetvetes dhe të mburret me to, sepse:

– kjo vepër është sukses që ia ka dhënë All-llahu.

All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:

” por All-llahu juve ua bëri të dashur besimin dhe ua zbukuroi atë në zemrat tuaja, “. (El-Huxhurat: 7).

– Nëse e krahason këtë vepër me dhuntitë e All-llahut, ajo nuk vlen as sa një e njëqinda e saj.

– Nëse vërehet madhësia e Atij që i shërben zhvlerësohet çdo vepër dhe adhurim.

Kjo do të ishte kështu nëse këto vepra shpëtojnë nga njollat dhe shkujdesi

Analizo këtë fakt. Melaqet që natën dhe ditën nuk ndalen duke e madhëruar All-llahun, ato thonë: All-llahu ynë, ne nuk të kemi adhuruar aq sa duhet.

Halili, Ibrahimi, alejhisselam, i cili tha: ” ..kam shpresë se do t’i m’i falë mëkatet e mia në ditën e gjykimit”. (Shuara: 82) nuk përmendi durimin e tij në zjar e as gatishmërinë për ta bërë kurban djalin e tij.

Kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:

“Askush nuk do të hyjë në xhennet me veprat e veta. Thanë: “As ty, ja Resulullah? Tha: as unë, përpos se nëse më kaplon All-llahu me rahmetin e Tij”. (Buhariu dhe Muslimi).

Andaj Ebu Bekri thoshte: “Unë dhe pasuria jeme a nuk jemi tuajt o Resulullah?

Omeri, radijall-llahu anhu, thoshte: “po të kisha mbarë botën do ta jepja që të shpëtoj nga trishtimi nga ajo që kam para meje, para se të dijë së çfarë lajmi më vjen”.

Abdullah ibën Mesudi, radijall-llahu anhu, thotë: “Ah, sikur të kisha mundur që pas vdekjes mos të ringjallem”.

Aisheja, radijall-llahu anha, thotë: “Ah, sikur të isha haruar”.

Kështu veprojnë të gjith njerëzit e mençur, All-llahu qoftë i kënaqur me ta.

Po të kishin njerëzit këtë kuptim nuk do të bëheshin mendjemëdhenjë ndaj gjinisë së vet dhe secili njeri i plotë do të frikohej dhe do të nënçmonte veprën e vet, sepse do të ruhej nga mangësia e veprës përballë falënderimit ndaj dhuntive që ia ka dhënë All-llahu.

Kuptimi i këtij sqarimi ia ulë kokën mendjemadhit dhe e bën të përulur dhe të mposhtur. Analizoje këtë gjë sepse është një rregull shumë i madh”. (Shiko: “Sajdul-Hatir”, fq. 472).

Ska dyshim se stolia dhe petku më i mirë dhe i bukur me të cilën stoliset dhe vishet dijetari është modestia, kurse petku më i keq dhe i pavlerë është mendjemadhësia dhe vetpëlqimi.

Andaj Omeri, radijall-llahu anhu, ka porositur që edhe nxënësi edhe mësuesi të jenë modest në një këshillë shumë të shtrenjtë që ua ka dhënë njerëzve.

Omeri, radijall-llahu anhu, tha:

“Mësoni dijen dhe njerëzve mësonua. Mësoni të keni prestigj dhe qetësi, jeni modest ndaj atyre që ju mësuan dhe ndaj atyreve që i mësoni, mos u bëni tiranët e dijetarëve, sepse nuk mund të ngritet atëherë injoranca juaj me dijën tuaj”. (Shiko: “Xhamiu Bejanil-Ilmi”, fq. 179).

Na bëftë All-llahu të këtillë. Amin

Bekir Halimi,
7.7.2006