Gjërat që na ndihmojnë në rrugën e dijes

Ne hutbet e kaluara kemi folur mbi shumë gjëra të cilat duhet ti kemi parasysh edhe si xhemat edhe si hoxhallarë. Në hutben e fundit kemi folur për gjërat që duhet ti ketë parasysh njeriu që është nisur në rrugën e dijes. Kurse në këtë hutbe do të flasim për disa gjëra që i ndihmojnë njeriut në këtë rrugë.

Rruga e dijes është rrugë e vështirë, andaj edhe ka nevojë që njeriu i cili niset në këtë rrugë të jetë i përgaditur edhe psiqikisht edhe fizikisht. Në këtë hutbe do të mundohemi ti përmendim disa gjëra që janë me rëndësi të madhe dhe i ofrojnë ndihmesë njeriut në këtë rrugë.

Duke u mbështetur në disa këshilla të hoxhës së madhe, Ibën Uthejminit, rahimehull-llah, ju ofrojmë këto gjëra:

1- Devotshmëria.

Devotshmëria është porosi për mbarë njerëzimin, që nga fillimi i tyre dhe deri në mbarimin e sojit të tij.

All-llahu, azze ve xhel-le, ka thënë:

” Ne ju patëm sugjeruar atyre që iu pat dhënë libri para jush, e edhe juve që të keni frikë nga All-llahu. Po në mos besofshit, (dine) e All-llahut është ç’ka në qiej dhe ç’ka ka në tokë. All-llahu është i panevojë e i falënderuar”. (En-Nisa: 131).

Kjo ka qenë edhe porosia që Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ia ka dhënë ummetit të tij, siç tregon Ebu Umamete El-Bahiliu, radijall-llahu anhu, duke thënë:

“Kam dëgjuar Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në hutben lamtumirëse duke thënë: “Keni frikë Zotin tuaj, falni pesë kohët e namazit, agjëroni ramazanin, jepne zekatin e pasurisë tuaj dhe respektoni udhëheqësit e jua, do të hyni në xhennetin e Zotit tuaj”. (Tirmidhiu).

Këtë porosi e kanë bartur muslimanët e parë brez pas brezi dhe secili ka porositur vëllanë e vet që të jetë i devotshëm, të ketë frikë All-llahun dhe të bëhet takva. Ata kanë shfrytëzuar hutbet, letërkëmbimet dhe porositë në shtratin e vdekjes për tua dhënë këtë porosi.

Omeri, radijall-llahu anhu, ka porositur djalin e tij duke i thënë:

“Të porosis që të jesh takva, sepse ai që ka frikë prej Tij ruhet, kurse ai që ijep All-llahut borxh shpërblehet dhe ai që e falënderon i shtohet e mira”.

Aliu, radijall-llahu anhu, ka porositur një njeri duke i thënë:

“Të porosis që të jesh takva ndaj Atij që patjetër do të takohesh me Te dhe nuk mund të arrish fundin tënd pa Te, e Ai është Poseduesi i dynjasë dhe ahiretit”.

Një njeri i devotshëm ia dërgon një letër vëllaut të vet për feje dhe mes tjerash i thotë:

“Të porosis që të jesh takva, sepse kjo është bashkëbiseduesi yt në sekret dhe kontrolluesi yt në publik. Ke All-llahun në kujtesë në çdo gjendje dhe gjatë ditës dhe gjatë natës. Frikoju All-llahut aq sa është afër teje dhe aq sa ka fuqi ndaj teje. Dije se ti nuk mund të dalish nga pushteti i Tij në pushtetin e dikujt tjetër, as nga mbretëria e tij në mbretëri tjetër. Ke kujdes të madh ndaj Tij dhe ke frikë të madhe. Selam”.

All-llahu, tebareke ve teala, ka përmendur se xhenneti është bërë gati për ata që janë të devotshëm, që domethënë se takvatë janë xhenetli, na bëftë All-llahu prej tyre, për këtë njeriu duhet të jetë takva, të zbatojë urdhërat dhe të largohet nga ndalesat, duke kërkuar shpërblimin dhe shpëtimin nga denimi.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

“O ju që besuat, nëse keni frikë All-llahun, Ai do të vërë udhëzim (në zemrat tuaja) për ju, do t’ua mbulojë të këqijat, do t’ua falë mëkatet. All-llahu është dhurues i madh”. (El-Enfal: 29).

Si ndërlidhet takvallëku me kërkimin e dijes?

Nëse ndalemi dhe analizojmë këtë ajet që cituam, do të nxjerim prej tij disa dobi shkencore që e japin edhe ndërlidhjen mes këtij nëntitulli me kërkimin e dijes.

“Do tu jap furkan – Ai do të vërë udhëzim (në zemrat tuaja) për ju (sikurse qëndron në përkthimin e Sherif Ahmedit”.

Domethënë: do të keni aftësi për të bërë ndarjen mes të vërtetës dhe të kotës, mes asaj që është e dobishme dhe asaj që është e dëmshme. Ska dyshim se kjo ndodh me dije. All-llahu, azze ve xhel-le, ia hap këtij njeriut diapazonet e dijes, aq sa nuk ua hap tjerëve, sepse takvallëku jep udhëzim shtesë, dije shtesë, kujtesë shtesë, etj.

Njeriu aq sa ma shumë i shtohet dija aq ma shumë duhet t’i shtohet njohja dhe furkani, dalluesi mes të vërtetës dhe të kotës, mes të dobishmes dhe të dëmshmes.

Takvallëku është shkak shumë i fuqishëm që i jep njeriut kuptim të shëndoshë të gjërave, ia shton dijen dhe i jep njeriut fiziognomi, firase për të bërë dallim mes njerëzve nga shikimi i parë.

2- Qëndresa dhe vazhdimi në rrugën e kërkimit të dijes.

Njeriu i cili niset në rrugën e dijes duhet ta dijë se nuk do të arrijë të posedojë dije të mjaftueshme nëse nuk ëshjtë i përgaditur të qëndrojë i paluhatur në këtë rrugë dhe të vazhdojë pa ndalur në këtë drejtim. Duhet të lodhet për të nxënë dije, duhet duruar gjat nxënies dhe duhet ruajtur ate pas nxënies. Njeriu nuk mund të arrijë dien pa u lodhur dhe raskapitur. Kërkuesi i dijes duhet ti ecë të gjitha rrugët që e çojën deri te dija, kjo është një vepër e mundimshme, mirëpo ka shpërblim prej All-llahut.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Ai që ecë rrugës së dijes All-llahu ia lehtëson rrugën për në xhennet”. (Muslimi).

Andaj njeriu që është nisur në këtë rrugë nuk duhet të ndalet, por duhet të qëndrojë dhe të braktisë të gjtiha gjërat që e angazhojnë nga dija.

E kanë pyetur Ibën Abasin, radijall-llahu anhu:

“Si e fitove dijen? Tha: me gjuhë pyetëse, zemër që kupton dhe trup që nuk përton”.

Ai ka treguar për vehten e tij dhe lodhjen në rrugën e dijes duke thënë:

“Kuptoja se dikush ka ndonjë hadith dhe shkoja te dera e tij. Nëse e gjeja duke pushuar pas dite, kajlula, mbështetesha te dera e tij, kurse era më rahte fytyrën time me rërë. Kur dilte dhe më shihte më thoshte: o djal i axhës së Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, pse ke ardhë te unë? Më kishe thirrë, e unë kisha ardhur te ti. Unë kam më shumë detyrë që të vijë te ti dhe e pyesja për hadithin “.

Ibën Abasi, radijall-llahu anhu, u tregua modest ndaj dijes, kurse dija e ngriti shumë lart.

Njeriu që është nisur në rrugën e dijes duhet të ketë qëndresë dhe durim të madh.

Disa tregime në këtë drejtim

Tregohet se Imam Shafiu, rahimehull-llah, kishte shkuar musafir te Imam Ahmedi, rahimehull-llah. I ofroj darkën. E ngrëni darkën Imam Shafiu derisa e përfundoi tërësisht pjatën, pastaj u ndanë, secili shkoi në dhomën e vet. Imam Shafiu mbeti duke menduar mbi një hadith, tentim për të nxjerur dispozitat fetare që mund të nxiren prej këtij hadithi. Ky hadith është shumë i vogël si tekst: “Ebu Umejr, çka bëri nugajri”. (Buhariu).

Imam Shafiu, rahimehull-llah, tërë batën mendoi rreth këtij hadithi kaq të vogël dhe sipas disa dijetarëve vetëm nga ky hadith ka nxjerur mbi një mijë përfitime shkencore dhe dispozita fetare. Kështu vazhdoi deri në mëngjes. Kur thirri ezani i sabahut, Imam Shafiu u ngrit ta fal namazin pa marë abdest. Kur Imam Ahmedi, e lavdëronte Imam Shafiun, rahimehumull-llah, para familjes së tij, ata ia kthyen:

Si e lavdëron këtë njeri, kur ngrëni dhe piu, ra në gjum dhe nuk fali namaz nate dhe e fali sabahun pa abdest?! E pyeti Imam Shafiun për këtë gjë, kurse ai iu përgjigj: Ngrëna derisa e përfundova pjatën sepse nuk kam gjetur ushqim më hallall se ushqimi i Imam Ahmedit, andaj dëshirova ta mbushi barkun me ushqim hallall. Sa i përket faktit se nuk kam falur namaz nate, ajo është e vërtetë, mirëpo angazhimi me dijen është më i vlefshëm se angazhimi me namaz, kurse unë mendoja mbi një hadith dhe sa i përket faljes së namazit të sabahut pa abdest të ri, sepse unë nga jacija deri në sabah nuk kam fjetur andaj edhe nuk kam patur nevojë të mar abdest të ri”.

Shikoni se çfarë ndodhi dhe çfarë qëndrese dhe durimi në marrjen e mësimeve nga hadithet e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem?!

Kjo është vetëm një rast prej shumë rasteve që tregojnë qëndresën e madhe të kërkuesve të dijes në këtë rrugë.

A kemi kësi lloj qëndrese në mesin tonë?! Njeriu si të del nga shkolla e hedh çantën dhe nuk merret më aspak me librat derisa të vijë dita e ardhshme, ose kemi njerëz të cilët nga dita që kanë përfunduar fakultetin nuk kanë hapur asnjë libër për të shtuar dijen apo për të rifreskuar mësimet, apo për të përmirësuar ndonjë mësim që gabimisht e ka kuptuar apo e ka mësuar!

Tregon shejh Ibën Uthejmini, rahimehull-llah, nga hoxha i tij Abdurahman Sadiu, rahimehull-llah, se ai ka përmendur një ditë rastin e Imamit të kufijanëve në gjuhë dhe gramatikë arabe. Ai kur filloi ta mësojë këtë lëndë nuk i shkonte aq lehtë dhe ishte në dilemë të madhe ta braktisë ate. Një ditë duke ecur rrugës pa një bubrec i cili mbante ushqimin dhe tentonte të hyp në një murë. Mirëpo çdo herë që hypte pak binte, por ajo qëndroi në këtë tentim derisa e tejkaloi këtë pengesë dhe hypi në murë. Kur e pa këtë pamje Imam Kesaiu, rahimehull-llah, tha: ky bubrec qëndroi derisa ia arriti qëllimit, andaj edhe ky qëndroji derisa u bë imam në gjuhën arabe.

Njeriu duhet të ketë qëndresë dhe nuk duhet të dëshpërohet, sepse dëshpërimi e mbyll derën e të mirës. Njeriu në këtë rrugë nuk duhet të jetë pesimist por duhet të jetë optimist i madh dhe të punojmë në këtë drejtim.

3- Kujtesa

Njeriu që është nisur në rrugën e kërkimit të dijes duhet të përsërisë sa ma shumë mësimet, ti mëson mirë dhe ti futë në kujtesën e tij apo ti regjistron në libër, sepse njeriu mund të haron , andaj nëse nuk i përsëritë mësimet mund ti haron ato.

Poeti ka thënë:

Dija është gjah, kurse shkrimi është pranga

Prnagos gjahun tënd me litar të fuqishëm

Se është mendjelehtësi të kapish syrkadhen

e ta lësh të lirë mes krijesave

Mënyra më e mirë për të mbajtur në kujtesë mësimin e marrë është zbatimi i asaj në jetën e përditshme dhe tregimi i kësaj gjëje tjerëve.

All-llahu, azze ve xhel-le, ka thënë:

“Kurse ata që e gjetën rrugën e drejtë, Ai atyre u shton edhe më udhëzimin në rrugën e drejtë dhe u ofron mundësi të jenë edhe më të matur”.(Muhammed: 17).

“E All-llahu u shton besimin atyre që u udhëzuan, e veprat e mira të përjetshme janë shpërblim më i dobishëm te Zoti yt, dhe përfundim më i mirë”. (Merjem: 76).

Andaj ç do herë që njeriu punon me dijen e tij, All-llahu, tebareke ve teala, ia shton kuprimin dhe kujtesën, sepse fjala: “zadehum huden- Ai atyre u shton edhe më udhëzimin në rrugën e drejtë”, i kaplon të gjitha këto domethënie.

4- Qëndrimi me dijetarë

Njeriu që është nisur në kërkimin e dijes duhet të kërkojë ndihmë te All-llahu, subhanehu ve teala, e pastaj të shoqërohet me dijetarë, të ndihmohet me librat që kanë shkruar ata, sepse vetëm leximi i asaj që kanë shkruajtur kërkon kohë të gjatë dhe mund të keqkuptohen shumë gjëra, kurse marrja e dijes nga dijetarët e shkurton këtë rrugë dhe të mbron nga keqkuptimi i këtyre çeshtjeve.

Më herët kanë thënë:

“Kush udhërrëfyes ka librin gabimet e tija janë më të mëdha se sa qëndrimet e sakta të tija”.

Andaj rruga më e saktë është marrja e dijes nga hoxhallarët dhe dijetarët sepse kështu e shkurton këtë rrugë të gjatë dhe mbrohesh nga devijimi në kuptimin e shumë çeshtjeve dhe dispozitave fetare.

Këto ishin disa gjëra që na ndihmojnë në ecurinë e shëndoshë në rrugën e dijes, kurse ne e lusim All-llahun që të na dhurojë dije të dobishme dhe vepra të mira. Amin.

Bekir Halimi

Bekir Halimi,
5.5.2006