Falni që t’ju falet
Shpesh herë jemi dëshmitar të rasteve kur njerëzit zihen dhe rrihen për shkaqe shumë banale. Që të bëhet kjo e keqe edhe ma e madhe, këto shkaqe banale shumë herë bëhen edhe shkak për ardhjen deri te vrasja e njëri tjetrit.
Vallë a kaq shumë janë ngurtësuar zemrat tona saqë nuk jemi të gatshëm të tolerojmë dhe falim njëri tjetrin?!
Deri kur zënkat shumë të vogla do të bëhen shkak që të derdhet gjaku i muslimanit?!
Deri kur do të inatosemi dhe nuk do të pranojmë inicijativat e ndryshme për pajtim mes nesh?!
A nuk shohim se si mëkatet e ndryshme që janë duke u përhapur në mesi tonë kanë ndikim shumë të madh në zemrat dhe mënyrën e mendimit tonë?!
Kur ka qenë burrë në mesin tonë ai që ka vra dhe pre pa ndonjëfar lidhje dhe rendi?!
Kur është vlerësuar si trim ai që nuk ka lëshuar pe dhe nuk ka pranuar pajtimin, por ka çuar inati dhe ka këmbëngulë në mospajtim dhe hakmarrje?!
Për të gjitha këto dilema që na paraqiten, fatkeqësisht, nga realiteti i hidhur në të cilin jetojmë, më duhet që të flas pak edhe për faljen.
Këtë shkrim do ta fillojmë nga një hadithi i cili e tregon vlerën e madhe që ka falja në jetën e muslimanëve.
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:
“Sadakaja nuk e pakëson pasurinë. Njeriut që fal All-llahu ia shton krenarinë, kurse ai që tregohet modest, All-llahu e ngrit”. (Muslimi).
Nëse ndalemi dhe analizojmë pak këtë hadith do të kuptojmë se:
– Sadakaja e shton bereqetin e pasurisë, i largon të këqijat dhe shton shpërblimin nga kjo vepër.
– Njeriu që njihet për falje dhe tolerancë fiton autoritet dhe publicitet në mesin e njerëzve dhe fiton krenari në dynja dhe ahiret.
– Njeriu modest fiton vend të posaçëm në zemrat e njerëzve dhe grada të larta në dynja dhe ahiret.
Kurse dispozitat fikhore që i nxjerim nga ky hadith janë këto që vijojnë:
1- Pasuria që jepet sadaka, All-llahu lëshon bereqet në atë pasuri.
2- Falja dhe toelranca ia shton besimtarit krenarinë dhe nderimin në dynja dhe ahiret.
3- Falja dhe toleranca është një pozitë e lartë, të cilën nuk e arrinë askush tjetër përpos atij që arrinë gradat e ihsanit, kurse ihsani është të adhurosh All-llahun, sikur që e sheh ti Ate, sepse edhe nëse nuk e sheh ti Ate, Ai të sheh ty.
4- Falja dhe toleranca është prej shkaqeve më të rëndësishme për tiu nënshtruar masa liderit dhe për të mbetur mbretëria.
5- Stimulohet falja dhe toleranca në të gjitha raportet përpos së kur shkelen kufinjtë e All-llahut dhe nëpërkëmbën ndalesat e Tija.
6- Modestia, mosmendjemadhësia dhe mosvetpëlqimi është prej shkaqeve të ngritjes dhe arritjes së pozitës së lartë.
7- Modestia shkakton që t’i shtohet dashuria e njerëzve ndaj tij.
8- Stimulim për të pasuar Sunetin e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, sepse ai është shembull i mirë për mbarë njerëzimin, mëshirë për mbarë botërat dhe thirrës në moral të mirë.
Falni dhe jeni tolerantë
Falja është shumë afër devotshmërisë, vepër e ndershme dhe me dobi në dynja dhe ahiret. Kjo sjellje është morali më i mirë i njerëzve të dynjasë dhe ahiretit.
Falja domethënë të meritosh një të drejtë dhe tia falish ose ta marrish përsipër ti në vend të atij.
All-llahu, subhanehu ve teala, duke i përshkruar njerëzit e devotshëm thotë:
“Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit”. (Ali Imran: 134).
Kjo sjellje përpos që kërkohet që të jetë i pranishëm në mesin e muslimanëve, duhet të jetë i prnaishëm edhe gjatë thirrjes së ithtarëve të Librit në fe të All-llahut.
All-llahu, subhanehu ve teala, pasiqë i sqaron tentimet e jobesimtarëve për t’i bërë tërë njerëzit si vetja, kurthet dhe mashtrimet e tyre në këtë drejtim, kërkon prej ne që tua falim, duke thënë:
“Shumë ithtarë të librit (jehudi, krishterë) edhe pasi u është bërë e qartë e vërteta, nga vetë zilia e tyre personale dëshiruan që pas besimit tuaj t’iu kthejnë në mosbesimtarë, pra ju faljauni dhe largohuni prej tyre derisa All-llahu ta sjellë urdhrin e vet. All-llahu ka mundësi për çdo send”. (El-Bekare: 109).
Falja dhe toleranca është koka e fitores dhe ngadhnjimit, siç kanë thënë disa njerëz nga selefi:
“Forma më e mirë e sjelljes ndaj atij që gabon ndaj teje është që të sillesh duke e respektuar All-llahun në sjelljen tënde ndaj tij”.
Kështu bashkohen zemrat, afrohen dhe kapen për të vërtetën.
Sipas kësaj del se falja dhe toleranca është rruga që na shpien në realizimin e rregullit hyjnor: “Fundi i takon njerëzve të devotshëm”.
Ky rregull aq sa kërkohet të praktikohet nga njerëzit e thjshtë edhe më tepër kërkohet të respektohet nga liderët dhe prijësit.
Secili njeri që ka marë ndonjë posit të liderit apo kryetarit duhet të pajiset me këtë cilësi, nëse dëshiron që ta respektojnë masa dhe njerëzit.
All-llahu, subhanehu ve teala, i drejtohet Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke i thënë:
“Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten”. (Ali Imran: 159).
Abdurahman Sadiu, rahimehull-llah, duke e komentuar këtë ajet thotë:
“Sjellja e mirë e kryetarit musliman i tërhjek njerëzit në fenë e All-llahut dhe i stimulon në te, duke e fituar edhe lavdatën dhe shpërblimin e veçantë, kurse sjellja e keqe e kryetarit musliman i largon njerëzit nga feja dhe ua bën të urrejtur fenë, po edhe fiton qortimin dhe denimin e veçantë. Shikoni se çka i thotë All-llahu këtij Pejgamberi që nuk gabon, atëherë çka mbetet për tjerët. A nuk është prej detyrave më të mëdha dhe më të rëndësishme pasimi i moralit të tij të ndershëm dhe të sillet me njerëz sikurse është sjellur ai me ta, me butësi, sjellje korrekte, afrim, duke zbatuar urdhërin e All-llahut dhe për ti afruar njerëzit te feja e Tij. Pastaj e ka urdhëruar All-llahu që tua fal atyre gabimet dhe mangësitë kundrejt tij dhe të kërkojë falje për ta për për gabimet ndaj All-llahut. kështu ka grumbulluar edhe faljen dhe bamirësinë”.
Falja gjat ekzekutimit të denimeve fetare
All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:
“Ndëshkimi i të keqes bëhet me një të keqe në të njëjtën masë, e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek All-llahu. Vërtet, Ai nuk i do zullumqarët”. (Esh-Shura: 40).
“Kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (i lavdishëm)”. (Esh-Shura: 43).
“All-llahu nuk do publikimin e shprehjeve të këqia përveç (publikimit) të atij që i është bërë padrejt. All-llahu është dëgjues, i dijshëm. Nëse publikoni ndonjë të mirë ose e fshihni atë, ose i falni ndonjë të keqe (dikujt), All-llahu i plotfuqishëm falë shumë”. (En-Nisa: 148- 149).
” edhe plagët kanë kundërmasë. E kush e falë atë (hakmarrjen), ajo është shpagim (nga mëkatet) për të. “. (El-Maide: 45).
“Në qoftë se doni të merrni hak, atëherë ndëshkoni në atë masë sa jeni ndëshkuar ju; e nëse duroni, pa dyshim ai është më i mirë për ata që durojnë”. (En-Nahl: 126).
Edhe gjatë raportëve bashkëshortore, po edhe gjatë ndarjes dhe divorcit All-llahu, subhanehu ve teala, na stimulon në falje dhe tolerancë.
All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:
“E nëse i lëshoni ato para se të kontaktoni, por u keni pas caktuar atyre një caktim (kurorë), atëherë duhet t’u jepni gjysmën e asaj që e keni caktuar, përveç nëse ato ju falin ose ju falë ai në duart e të cilit është lidhja e kurorës. E të falni (burra ose gra) është më afër devotshmërisë, e mos e harroni bamirësinë ndërmjet jush. Vërtet, All-llahu sheh atë që veproni”. (El-Bekare: 237).
Si rezyme e tërë kësaj që kemi paraqitur deri më tani mund të themi se mënyra më e fortë dhe më e sukseshme për të forcuar raportet shoqërore dhe për të afruar njerëzit mes vete është falja dhe toleranca. Këtë cilësi nuk mund ta posedon secili njeri, këtë e posedon vetëm njeriu i madh dhe zemërbardhë, e cila është e mbushur me iman, e ata janë bamirësit.
All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:
“Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt. Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm, dhe nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që kanë virtyt të lartë”. (Fusilet: 34- 35).
Disa hadithe që flasin mbi vlerën e faljes
1- Ebu Abdullah El-Xhedeliu thotë:
“E kam pyetur Aishen, radijall-llahu anha, për sjelljen e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem? Ajo më tha: nuk ishte imoral, nuk flitke fjalë të flliqura, nuk bërtitke në treg dhe nuk e kthente të keqen me të keqe, por falte dhe toleronte”. (Sahih, Tirmidhiu).
2- Malik ibën Nudlete El-Xhushmiu thotë:
“O i Dërguar i All-llahut, njëri kur shkoi te ai as nuk më afron e as nuk më gostis, kur vjen te unë, a të kujdesem për te? Tha: po, kujdesu. Kur më pa me rroba të vjetra me tha: a ke pasuri? I thash: nga të gjitha llojet më ka dhënë All-llahu. Më ka dhënë deve dhe dhen. Më tha: le të shihet kjo pasuri në veshmbathjen tënde”. (Sahih, Tirmidhiu).
3- Abdullah ibën Omeri, radijall-llahu anhu, thotë:
“Erdhi një njeri te Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e tha: Sa herë tia fali shërbëtorit tim? Heshti Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Pastaj sërish i tha: sa duhet tia fali shërbëtorit tim? Çdo ditë shatatëdhjet herë”. (Sahih, Tirmidhiu).
4- Aisheja, radijall-llahu anha, thotë:
“O i Dërguar i All-llahut nëse e takoj Natën e Kadrit çka të them në këtë natë? Tha: thuaj: All-llahumme inneke afuvun tuhibul-afve fafu anni- All-llahu im, ti je Falës dhe e do faljen, më fal mua”. (Sahih, Tirmidhiu).
5- Abdullah ibën Amr ibën Asi, radijall-llahu anhu, thotë se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Mëshironi që të mëshiroheni, falni që t’ju falet. Vaj për ata që i zbukurojnë fjalët dhe vaj për ata që insistojnë në gabimet e tyre edhe pse e dinë”. (Sahih, Ahmedi).
Nëse i hedhim një shikim jetëpërshkrimit të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, atje do të shohim raste të shumta që shpalosin shumë qartë këtë veti të ndershme të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Ne do ta përmendim vetëm një rast.
Falje e tij ndaj atyreve që e kishin dëmtuar gjatë qëndrimit në Mekë para se të shpërngulej për në Medinë.
Sa ishte Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në Mekë, maltretohej dhe torturohej nga shumë njerëz. Në ditën e çlirimit të Mekës flamurin e ensarëve e mbante Sad ibën Ubade. Kur kaloi Sadi pran Ebu Sufjanit i tha: Kjo ditë është ditë e përleshjes, ditë që është lejuar lufta në Mekë, në këtë ditë All-llahu i ka mposhtur kurejshitët. Kur i erdhi në vesh Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kjo që kishte thënë Sadi, tha: sot është dita e mëshirës, në këtë ditë madhërohet Qabeja, në këtë ditë All-llahu ka bërë krenar kurejshitët dhe urdhëroi që ti mirret flamuri Sadit e ti jepet djalit të tij, Kajsit”. (“Nektari i vulosur”, fq. 466).
Disa fragmente nga falja e selefit (muslimanëve të parë)
– Tregimi mbi shpifjen që i bënë Aishes, radijall-llahu anha, është shumë e njohur. Njeri që ishte futur në këtë shpifje ishte edhe Mistah ibën Uthathe. Pasiqë zbriti pastrimi i Aishes në Kur’an dhe u shpall pafajsija e saj nga mbi shtat qiejt, Ebu Bekri, radijall-llahu anhu, u betua se nuk do ti jep ndihmë Mistahut pas këtij rasti.
Atëherë All-llahu e zbriti ajetin Kur’anor:
“Të ndershmit dhe të pasurit nga ju, të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe atyre që për hir të All-llahut lanë vendlindjet e tyre, po le t’ua falin (gabimin) dhe mos t’ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që All-llahu t’u falë ju? All-llahu falë dhe mëshiron shumë”. (En-Nur: 22).
Ebu Bekri, radijall-llahu anhu, duke qajtur iu përgjigj thirrjes së All-llahut në katë ajet, duke thënë: gjithsesi se dëshiroj që All-llahu t’mi fal mëkatet.
Dhe vazhdoi tia jep ndihmën që ia jepte më herët.
– Ebu Omer ibën Abdul-Berri, rahimehull-llah, tregon:
Safije kishte një shërbëtore, e cila erdhi te Omeri, radijall-llahu anhu, e i tha: Safija akoma e don ditën e shtunë dhe ka raporte afërsie me çifutët. Omeri, radijall-llahu anhu, dërgoi që të verifikohet ky lajm. Safije duke u përgjigjur tha: që nga dita që All-llahu ma ka zëvendësuar të shtunen me të xhumanë, unë më nuk e dua të shtunën, kurse raportet e afërsisë me çifutë i mbaj për shkak se në mesin e tyre kam farefis, andaj kujdesem për ta. Pastaj Safija i tha shërbëtores së vet: çka të shtyri ta thuash këtë? Tha: shejtani. I tha: shko se je e lirë”. (“Sijer”, 2/ 231).
Edhe pse kjo shërbëtore bëri kësi shpifje shume të rezikshme, ajo ia fali dhe madje i bëri edhe një bamirësi shumë të madhe duke e liruar nga robëria.
A nuk meritojnë këto raste të jenë shembull për ne?!
– Imam Ahmedin e kanë torturuar për çeshtjen e Kur’anit disa herë, mirëpo Imam ahmedi e duroi tërë këtë maltretim, derisa u kuptua e vërtetë dhe u larguar kjo sprovë nga ai. Pas kësaj Imam ahmedi ka thënë:
“Secili që ka qenë shkak për maltretimet e mia ia kam bërë halla, përpos bidat çive. Edhe Mutesimit, Halifes, ia kam falur, sepse kam parë që All-llahu ka thënë:
” po le t’ua falin (gabimin) dhe mos t’ua zënë për të madhe .”, kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e urdhëroi Ebu Bekrin, tia fal Mistahut. Pastaj ka thënë: “Ç’far fiton nëse All-llahu e denon një vëlla tëndin musliman për shkak teje”. (“Sijer”, 11/ 177).
– Imam Ibën Kajim el-Xhevziu, rahimehull-llah, kur flet për lavdatat mbi Ibën Tejmiun dhe faljen e tij, thotë:
“Një ditë i erdha duke e përgëzuar me vdekjen e një armiku të tij të përbetuar, i cili shumë e armiqësonte dhe e torturonte. Ai më qortoi dhe më ndaloi këtë vepër, pastaj tha inna lilah ve inna ilejhi raxhiun dhe shpejt u ngrit e shkoi te shtëpia e tyre, i ngushëlloi dhe u tha: unë për ju jam në vendin e tij, për çdo gjë që keni nevojë, unë ju ndihmoj. U gëzuan shumë këtë gjest, u lutën për te dhe e konsideruan si gjest shumë të madh këtë. Mëshira e All-llahut dhe kënaqësia e Tij qoftë mbi te”. (Tehdhibu Medarixhus-Salikin”, fq. 437).
Vallë a i posedojmë këto vlera ne?!
A nuk duhet të pajisemi me to dhe të bëhen pjesë e pandarë e edukatës sonë?!
Disa fjalë të selefit që e lavdërojnë faljen
Muheleb ibën Ebi Sufrete thotë:
“Asgjë se vazhdon mbretërinë më shumë se falja. Vlera më e madhe e një mbreti është falja”.
Halid Ibën Abdullah El-Kasriu mbajti një hutbe në Vasit e tha:
“Njeriu më i ndershëm është ai që i jep atij që nuk shpreson prej tij, njeriu më falës është ai që fal kur ka fuqi dhe njeriu më i kujdeshëm ndaj farefisit është ai që kujdeset ndaj atyre që nuk kujdesen për te”.
Muntesir Bil-lah kur ia fali Ebul-Umrud Esh-Shari tha:
“Lezeti i faljes është më e ëmbël se lezeti hakmarjes, kurse vepra më e keqe është hakmarja e atij që ka mundësi të hakmiret”.
All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:
“Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një xhennet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit. Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit”. (Ali Imran: 133- 134).
“Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt”. (Fussilet: 34).
E lusim All-llahun që të na e mbush zemrën me butësi dhe falje, të na bën njerëz që anojnë kah pajtimi dhe mirëkuptimi dhe ti ikim inatosjes, hakmarjes, dhunës dhe vrasjes. Amin.
Bekir Halimi
Bekir Halimi,
15.7.2005