Ramazani muaji i durimit
Rezymeja e hutbes: llojet e durimit; të jemi dakord me caktimin e All-llahut; fatkeqësitë janë sprovë dhe testim nga All-llahu; kërkimi i vdekjes gjat rënies së fatkeqësisë; trishtimi dhe vetvrasja; shembuj të durimit; rëndësia e edukatës së durimit në përzierjen me njerëzit; shpërblimi i durimit në dynja është realizimi i qëllimeve.
Robër të All-llahut!
Pa dyshim se Ramazani është muaji i durimit, andaj ai që agjëron ai është i disiplinuar me një disiplinë të plotë gjatë një muaji të plotë, andaj sigurisht se me përfundimin e këtij muajit ai edhe e fiton këtë virtyt. Ai që duron nda harami, ai që duron nga ngrënia dhe pirja, ai që duron gjatësinë e namazit të teravisë, ai që duron nga fjalët e flliqura, ai që gjymtyrët i largon nga gjërat që i ka ndaluar All-llahu, ai që duron në të gjitha këto gjëra, sigurisht se me përfundimin e muajit të Ramazanit del si njeri durimtar.
Mirëpo nëse në tërë këto gjëra duron, kurse nuk bëhet njeri durimtar, pa dyshim se i ka ikur një e mirë shumë e madhe, një mundësi për ta fituar këtë cilësi, e ajo është cilësia e durimit, që është edukatë e pejgamberëve.
Durimi është i nevojshëm në shumë sfera nga jeta e njeriut, andaj kërkojmë që njeriu që ka duruar në Ramazan të duron edhe ta kontrollon vetveten kur ti vijnë fatkeqësitë e kësaj bote dhe mos të trishtohet e as mos të habitet.
Dëshirojmë që agjëruesi pas Ramazanit të ketë aftësi që të duroj dhe të jetë i disiplinuar dhe mos të mërzitet e as mos të lodhet, kur obligohet me detyra dhe vepra që kërkojnë qëndresë dhe durim, ta kongtrollon vetveten kur të hidhërohet dhe mllefoset, atëherë kur e provokojnë disa gjëra dhe e detyrojnë të reagon pa urtësi dhe barazpeshë.
Dëshirojmë që agjëruesi që del nga Ramazani të ket durim dhe mos të frikohet, atëherë kur i paraqiten disa shkaqe të frikës, që mos të bëhet frikacak në vendet ku duhet të jetë trim.
Dëshirojmë durim nga lakmia, atëherë kur paraqiten elemente që e largojnë njeriun nga ajo që kërkon All-llahu.
Dëshirojmë durim nga epshet dhe kënaqja e tij.
Dëshirojmë durim në përballimin e vështirësive dhe dhimbjeve trupore dhe shpirtërore.
Ai që duron, vëllezër të mi, ka shpërblim të madh te All-llahu, subhanehu ve teala.
Mjafton argument për vlerën e durimit, fjala e All-llahut, subhanehu ve teala:
“Thuaj: “O robërit e Mi që keni besuar, kini frikë ndaj Zotit tuaj. Ata që bënë mirë në këtë jetë, kanë të mirë të madhe, e Toka e All-llahut është e gjerë, ndërsa të durueshmive u jepet shpërblimi i tyre pa masë!”. (Ez-zumer: 10).
Robër të All-llahut!
Islami i udhëzon besimtarët që të jenë të kënaqur me caktimin e All-llahut, në të gjitha fatkeqësitë që i ndodhin, të cilat i sjellin dhimbje, lodhje dhe vuajtje.
Ua ka sqaruar besimtarëve edhe urtësinë e sprovës në jetën e kësaj bote.
All-llahu cakton që ta sprovon njeriun me gjëra që i urren dhe që i shkaktojnë dhimbje, mirëpo All-llahu, az-ze ve xhel-le, u ka premtuar durimtarëve shpërblim të madh, nëse ata janë dakord me caktimin e All-llahut, në shenjë respekti dhe dhe duke shpresuar fitimin e kënaqësisë së Tij:
“Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepju myzhde durimtarëve. Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: “Ne jemi të All-llahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi”! Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë”. (El-Bekare: 155- 157).
Pasiqë All-llahu e përmendi se fatkeqësitë e godasin njeriun në trupin, familjen dhe pasurinë e tij, i pakësohet furnizimi, i përgëzoi durimtarët me dy urdhëra të dashur dhe të mëdhenjë:
Një: bekimi nga All-llahu;
Dy: mëshira e All-llahut për ta.
Kurse në ajetin tjetër All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:
” Zoti juaj është një Zot, andaj vetëm Atij dorëzohuni, e përgëzo të dëgjueshmit. Të cilët, kur përmendet All-llahu, u dridhen zemrat e tyre, të cilët janë të durueshëm ndaj asaj që i godet, të cilët rregullisht e falin namazin dhe të cilët japin për qëllime të dobishme nga ajo me çka i furnizuam Ne”. (El-Haxhxh: 34- 35).
Musliman të nderuar!
Kur ta dijë besimtari se All-llahu e sprovon me fatkeqësi që tia teston sasinë e durimit, sa është i kënaqur me Zotin e vet, që ta shpërblen me shpërblim të madh, ai e gjen veten të shtyrë për ti duruar fatkeqësitë dhe të jetë dakord me to, e kur ta dijë se shpërblimi është edhe më i madh se kjo, sepse kaplon edhe faljen e mëkateve dhe gabimeve, me durimin e tij gjat fatkeqësive, atëherë edhe më shumë do të duron.
Transmeton Imam Buhariu dhe Imam Muslimi, rahimehumull-llah, nga Ebu Seidi dhe nga Ebu Hurejre, radijall-llahu anhuma, se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Çdo gjë që e godet muslimanin, qoftë lodhje, sëmundje, brengë, mërzi, dëmtim, stres, madje edhe thera që e shpon, i shlyhen mëkatet me këto gjëra”.
Abdullah ibn Mesudi, radijall-llahu anhu, tregon:
“Hyra te Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe e gjeta të sëmurë. I thashë: si duket paske dhimbje të madhe? Tha: po. Unë kam dhimbje sa dy prej jush”. I thash: sepse ti ke dy shpërblime? Tha: po, kështu është. Secili musliman që e godet ndonjë dëmtim, therra e më shumë se kjo, All-llahu ia shlyn mëkatet ashtu sikur bien gjethet nga druri”. (Buhariu).
Musliman të nderuar!
Kur ta dijë besimtari se durimi i tij ndaj fatkeqësive dhe dhimbjeve ia shlyen mëkatet, ia ngrit shkallët dhe për secilën ndjenjë dhe dhimbje i shënohet shpërblim te All-llahu, ai e kupton se gjindet në një mirësi shumë të madhe, e sheh veten brenda një tregu me tregti fitimprurëse.
Andaj një besimtar i mirëfillt asnjëher nuk e kërkon vdekjen për të shpëtuar nga vuajtjet, fatkeqësit dhe dhimbjet, sepse besimtari e di se ymri i gjatë është mundësi për të bërë vepra të mira, ai që është bamirës dhe që të pendohet ai që është mëkatar.
Transmeton Imam Buhariu, rahimehull-llah, nga Ebu hurejre, radijall-llahu anhu, se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Askush mos të kërkon vdekjen, sepse nëse është bamirës i shton të mirat, kurse nëse është mëkatar, pendohet”.
Kurse në transmetimin e Imam Muslimit qëndron kjo:
“Askush prej jush mos ta kërkojë vdekjen dhe mos të lutet para se t’i vijë koha, sepse nëse vdes i ndërpriten veprat, kurse besimtarit ymri i gjatë vetëm të mirat ia shton”.
Robër të All-llahut!
Këtë e kanë kuptuar shumë mirë sahabet, radijall-llahu anhum, andaj Habab ibn Ereti, nuk e ka kërkuar vdekjen edhe pse ka aritur në një gjendje ku vdekja ka qenë më e dashur për te se sa jeta.
Transmeton Imam Buhariu, rahimehull-llah, në sahihun e tij, nga Kajs ibn Ebi Hazimi, i cili tha:
“Shkuam ta vizitojmë Habab ibn Eretin, radijall-llahu anhu, i cili shtatë herë ishte shëruar me kej (shërim me drapër të skuqur). Ai tha: shokët tanë që kanë shkuar nuk u ka munguar asgjë nga dynjaja, kurse ne kemi fituar gjëra për të cilat nuk gjejmë vend askund përpos se në dhe. Pastaj tha: po mos të ishte ndalesa e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, që ta kërkojmë vdekjen, do ta kërkoja”.
Kjo është edukata islame, e ngrit lart moralin e msulimanit në jetë, ia forcon vullnetin, e largon mërzinë dhe vendon pengesë të madhe mes tij dhe vetvrasjes.
Kurse ai që nuk beson në All-llahun dhe ahiretin, ai që nuk u beson parimeve islame, lindet tek ai mërzia nga jeta, në të keqen e parë që e godet, e nëse i shpështohen këto gjëra, i shkaktojnë shtypje të madhe, saqë nuk gjen as një rrugë tjetër përpos rrugës së besimit në All-llahun dhe ditën e Ahiretit, të dakordohet me caktimin e All-llahut dhe ta pret shpëbrlimin e madh që e ka përgaditur All-llahu për durimtarët.
Nëse i vijnë fatkeqësit njeriut një pas një derisa të eksplodojnë para tij, ky eksplodim i fatkeqësive mund ta shpien në vetvrasje, ose në çmendje, ose në krim të madh, ose në dhënie pas alkoolit dhe pijeve narkotike.
Kurse besimtarët, ata janë rehat nga këto sprova, andaj edhe vendet e muslimanëve janë të pastra nga këto viruse dhe epidemi. Këtu del në shesh imuniteti i habitshëm të cilin e ndërton besimi dhe durimi.
Robër të All-llahut!
Do ta sjelli shembullin më të shkëlqyeshëm që flet për durimin.
All-llahu, subhanehu ve teala, na e tregon tregimin e rrallë, heroizmin e vërtetë nga herozimat e durimit, ku flitet për djalin dhe prindin e tij, në një sprovë të çuditshme, e ata janë dy pejgamberët durimtar: Ismaili dhe Ibrahimi, alejhimesselam.
All-llahu e obligon Ibrahimin me ëndër që ta therrë djalin e tij, Ismailin, alejhisselam. Ai niset me një durim të habitshëm në zbatimin e urdhërit të All-llahut dhe i thotë birit të tij:
“O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. “. (ES-Saffat: 102).
Kurse ëndërat e Pejgamberëve janë obligime. Kurse djali i tij i kujdeshëm i drejtohet duke i thënë:
“Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve!”
Ata iu dorëzuan urdhërit të All-llahut si durmtar dhe duke vepruar për ta zbatuar obligimin. Therës dhe i therur. E kur All-llahu e vërejti respektin e tyre, nënshtrimin e vërtetë, ua zbriti një dash, i cili e shpëtoi djalin dhe me këtë u ndërpre urdhëri edhe për prindin edhe për djalin.
Kur Kur’ani e prezenton këtë tregim, aludon në durimin dhe vlerën e tij, në zbatimin e urdhërave të Zotit, sado që është i rëndë dhe i vrazhdë, udhëzim për tu përgaditur për të duruar vështirësitë, fatkeqësitë e ndryshme dhe nisja drejt tyre me guxim dhe trimëri.
All-llahu, subhanehu ve teala, në suren Es-Saffat duke treguar tregimin e Ibrahimit, alejhisselam, me popullin e tij thotë:
“Ata i menduan atij një kurth, kurse Ne i mposhtëm ata të nënçmuar”. Ai tha: “Unë po shkoj aty ku më urdhëroi Zoti im, e Ai më udhëzon!” Zoti im, më dhuro mua (një fëmijë) prej të mirëve! Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm). Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?” Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve!” E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe e përmbysi atë në fytyrë (në ballë). Ne e thirrëm atë: “O Ibrahim!” Ti tashmë e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët!”. (Es-Saffat: 98- 105).
Robër të All-llahut, ky është tregimi më interesant që sillet si shembull për durimin.
Vallë, a do të përfitojnë agjëruesit nga ky tregim dhe të tjerat, e ta vazhdojnë rrugën e adhurimit, zbatimin e urdhërit të All-llahut, kujdesin për namazin me xhemat në xhami, vazhdimin e leximit të Kur’anit pas Ramazanit, dhe të durojnë në adhurime edhe jashta Ramazanit e jo vetëm në Ramazan.
Robër të All-llahut!
Nëse ndalemi dhe analizojmë hapësirat ku kërkohet durimi në jetën e njeriut, do të shohim se durimi është i domosdoshëm në jetën e njeriut për çdo vepër të mirë. Fitimi i rizkut kërkon durim, sjellja me njerëzit kërkon durim, zbatimi i detyrave dhe kërkesave fetare kërkon durim, largimi nga haramet dhe gjërat e urrejtura kërkon durim, xhihadi në rrugë të All-llahut kërkon durim, rezistimi i vështirësive të jetës dhe bartja e përgjegjësive kërkon durim, pra, të gjitha veprat që i vepron njeriu në jetën e tij, kërkojnë durim.
– Prej argumenteve se edhe veprimet e adhurimit kan nevojë për durim është ajeti:
“Ne (engjëjt, thotë Xhibrili) nuk zbresim (nuk vijmë) vetëm me urdhrin e Zotit tënd. Vetëm Atij i takon e tërë çështja e tashme, e ardhme dhe mes tyre, e Zoti yt nuk është që harron. Ai është Zot i qiejve dhe i tokës dhe çka ka midis tyre, pra Atë adhuroje, e në adhurimin ndaj Tij bëhu i qëndrueshëm. A di për Të ndonjë emnak (adash)?!”. (Merjem: 64- 65).
– Sjellja me njerëz kërkon durim:
” Ne bëmë njërin prej jush sprovë për tjetrin se a do të jeni të durueshëm. E Zoti yt është Ai që sheh çdo gjë”. (El-Furkan: 20).
– Xhihadi kërkon durim:
“O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgaditur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të All-llahut”. (Ali Imran: 200).
“O ju që besuat, kur të konfrontoheni me ndonjë grup, përqëndrohuni dhe përmendni çdo herë All-llahun, që ta arrini fitoren e dëshiruar”. (El-Nefal: 45).
“Dhe respektojeni All-llahun e të dërguarin e Tij, e mos u përçani mes vete, e të dobësoheni e ta humbni fuqinë (luftarake). Të jeni të durueshëm se All-llahu është me të durueshmit”. (El-Nefal: 46).
– Studimet shkencore dhe ixhtihadi për të nxjerur ndonjë dispozitë fetare kërkojnë durim të madh:
“A nuk e di se All-llahu e fut (errësirën) natën në ditë dhe e fut (dritën) ditën në natë, dhe Ai i nënshtroi Diellin e Hënën (të lindin e të perëndojnë) dhe secili rrjedh (noton) deri në një afat të caktuar dhe se All-llahu hollësisht është i njohur për atë që veproni. Kjo (dokumenton) se All-llahu është Ai (Zoti) i vërtetë, dhe se ajo që ata adhurojnë pos Tij është gënjeshtër, e All-llahu është Ai i larti, i madhi. A nuk e sheh se anijet lundrojnë në saje të mirësisë së All-llahut, e për t’ju treguar juve madhërinë e Tij. Vërtet, edhe në këtë ka argument për secilin që është shumë i durueshëm dhe shumë mirënjohës”. (Lukman: 29- 31).
– Frenosja e mllefit dhe gëlltitja e hidhërimit kërkojnë një durim shumë të madh:
“Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt. Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm, dhe nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që kanë virtyt të lartë. E nëse ty të ngacmon ndonjë ngacmim prej djallit, ti kërko mbrojtje prej All-llahut, se vërtet Ai është dëgjuesi, i dijshmi!”. (Fusilet: 34- 36).
Musliman të nderuar!
Durimi është prej virtyteve më të rëndësishme me të cilat duhet të stoliset ai që udhëheq njerëzit, pa marë parasysh se në çfarë sfere, sepse ai që nuk duron dështon dhe bjer nga pozita që ka.
All-llahu, subhanehu ve teala, kur flet për Jusufin, alejhisselam, thotë:
“Ata thanë: “A ti je vetë Jusufi?” Ai tha: “Unë jam Jusufi, e ky është vëllai im, All-llahu na dhuroi shpëtimin, pse ai që ruhet dhe bën durim, s’ka dyshim All-llahu nuk humb shpërblimin e punëmirëve”. (Jusuf: 90).
Për Musain, alejhisselam, ka thënë:
“Ne i patëm dhënë edhe Musait librin, e ti (Muhammed) mos ke dyshim në çka pranon (në Kur’anin libër qiellor si i Musait), kurse atë (librin e Musait) e bëmë udhërrëfyes për beni israilët. Dhe prej tyre Ne bëmë prijës që me urdhrin Tonë udhëzojnë, pasi që ata (që i bëmë prijësa) ishin të durueshëm dhe ndaj argumenteve Tona ishin të bindur”. (Es-Sexhde: 23- 24).
Kurse në suren El-A’raf flet për këtë ligj shoqëror dhe njerëzor:
“E atij populli që ishte i nënshtruar i trashëguam lindje e perëndim të tokës, që Ne e bekuam (me të mira), ndërsa për durimin që patën, u plotësua fjala më e mirë (premtimi i vërtetë) e Zotit ndaj beni israilëve; rrënuam atë që bënte faraoni i tij, si dhe atë që kishin ndërtuar ata”. (El-A’raf: 137).
Nasir Muhamed El-Ahmed
Përshtati: Bekir Halimi
Nasir Muhamed El-Ahmed,
29.10.2004