Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e
udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran: 102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.” (En-Nisa:1)
“O ju besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju
mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton
All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” (El-Ahzab:70:71)
Thënia më e vërtetë është thënia e All-llahut, kurse udhëzimi më i mirë – udhëzimi i Muhammedit sal-lall-llahu ‘alejhi ve sel-lem. Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid’at dhe çdo bid’at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr…

Mësuesi shpresa e ummetit

Pa dyshim se zhvillimi i arsimit dhe zgjimi i ambicjeve në këtë drejtim nuk është obligim vetëm i prindërve, por në këtë fusha detyra dhe obligime kanë edhe mësuesit.

Nuk mund të zgjidhet ky problem i cili është mjaft i madh në rrethet tona, nëse nuk e marrim për sipër zgjidhjen e tij të gjith ne, hoxhallarët, mësuesit, prindërit, intelektualët, studentët, secili që ka ndonjë rol sado të vogël në shoqëri, pasiqë pasojat e këtij defekti do të na kaplojnë të gjith neve, andaj edhe secili prej nesh duhet ta luan rolin e tij në këtë drejtim.

Pa dyshim se njeriu sa më i aftë që është dhe sa ma i ngritur intelektualisht që është, pastaj sa ma shumë që ka të bëjë profesioni i tij me lëndën që flasim për te, edhe përgjegjësia e tij është më e madhe.

Andaj problemi i arsimit shumë ka të bëjë edhe me kualitetin e mësimdhënësve.

Për këtë shkak do të mundohemi që në këtë hutbe ti tregojmë disa tipare që duhet ti ketë mësimdhënësi, për të qenë studimi dhe arsimi i nxënësve në nivel më të lartë.

Vlera e detyrës mësues

Nëse një mësues dëshiron të dijë vlerën që ka kjo detyrë në jetën e popujve i mjafton fakti se edhe pejgamberët në përgjithësi e kanë luajtur këtë rol, e në veçanti kjo përmendet për Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

All-llahu, subhanehu ve teala, tregon në Kur’an se roli i Pejgamberit, alejhisselam, është edhe mësimi i injornatëve.

“Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiu i tyre të dërguar që t’u lexojë atyre ajetet Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t’i pastrojë (prej ndytësisë së idhujtarisë) ata. S’ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i dijshmi”. (El-Bekare: 129).

“Është e vërtetë se All-llahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur”. (Ali Imran: 164).

“Bëhuni dijetarë të mësimeve të Zotit, ngase u keni mësuar njerëzve librin dhe e keni studiuar atë”. (Ali Imran: 79).

Shikoni se si All-llahu, az-ze ve xhel-le, e ka nderuar mësuesin duke ia atribuar Vehtes, duke e quajtur rabanij.

“Jam dërguar si mësues”. (sahih, Ibn Maxhe).

Të gjitha këto ajete dhe hadithe tregojnë se njerëzit më të ndershëm në historinë njerëzore kanë qenë mësues.

Ua kanë mësuar njerëzve të mirën, të vërtetën, të bukurën, moralin, nderin, aktivitetin, punën, zhvillimin, lëvizjen, etj.

Cilësitë e mësuesit të sukseshëm

a) Cilësitë e përgjithshme

Mirëpo një mësues nuk mundet ta luan rolin kryesor në procesin edukativo arsimor nëse nuk i plotëson disa kushte të caktuara dhe disa veçori personale.

Disa dijetarë bashkëkohor prej këtyre cilësive i kanë numëruar edhe këto:

1- Kultura e gjërë.

Pasiqë detyra kryesore e mësuesit është përhapja e njohjes dhe diturisë në mesin e nxënësve, andaj kultura e gjërë te ai është sikur malli te tregtari.

2- Të jetë shembëlltyrë.

Nxënësit nuk binden me ato dije që i prezenton mësuesi, nëse ai këto dije nuk ua mëson edhe praktikisht, andaj mësuesi nëse nuk përputh jetën e vet me dijen dhe njohuritë që ua përhap nxënësve nuk mund të jetë i sukseshëm.

Ai duhet të jetë shembull në të gjitha sjelljet, në të gjitha lëvizjet me nxënësit dhe me të tjerët, sepse mësuesi duhet të jetë edhe pedagog.

I këtillë ka qenë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, shëmbëlltyrë për mbarë njerëzimin:

“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën jetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun”. (El-Ahzab: 21).

3- Edukata.

Mësuesi nuk mund të arrijë sukses si edukator nëse nuk e luan rolin e prindërit të vetëdijësuar dhe të sillet me nxënësit sikur që sillet prindi me fëmiun e vet.

b) Cilësitë personale

1- Ta don profesionin e vet.

Nëse mësuesi e don profesionin e vet, e kryen detyrën me zell dhe vullbet të madh, në këtë do ta pasojnë edhe nxënësit e tij.

2- Të jetë modest.

Kjo asesi nuk domethënë të jetë i dobët.

Të ketë dhimbsuri, mirëpo kjo asesi nuk domethënë që mos të jetë i kujdeshëm dhe mendjeprehtë, të jetë i çliruar nga kompleksi i vlerës së ultë dhe të lartë. Duhet ta dijë se kur është argëtues dhe kur është serioz.

3- Të ketë shëndet, të jetë i gjallë, të ketë elan, etj.

4- Të ketë barazpeshë gjatë reakimeve dhe afekteve. Mësuesi duhet të jetë durimtar, zemërgjërë, i qëndrueshëm, i qetë, etj, sepse këto cilësi shkaktojnë te nxënësi qetësi dhe zell.

5- Të jetë elegant dhe i pastër. Ti vjen aroma e këndshme, të ketë pamje të bukur, joshës në dukje, madhërues i dijes dhe dijetarëve.

Transmeton Imam Maliku se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ishte në xhami, e hyri një njeri me flokë të pakrehura dhe mjekër të paregulluar. Tregoi Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në drejtim të tij me dorë, sikur dëshironte ta urdhërojë që ta kreh flokët dhe të rregullon mjekrën e tij. Ai ashtu edhe veproi, e pastaj u kthye. Pastaj Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tha: a nuk është kjo më mirë se sa të vijë dikush me flokë të pakrehura sikur të ishte shejtan. (sahih, shiko: “Mushkatul-Mesabih”, nr. 4421).

6- Oratoria.

Oratoria, sqarimi i mirë, zëri i qartë, shprehjet e bukura, biseda e rrjedhshme, tërë këto janë të rëndësishme te një mësues i sukseshëm, andaj nëse ka nevojë ai këto gjëra duhet edhe ti ushtrojë.

7- Mendjeprehtësia, intelegjenca, largpamësia, diapazoni i gjërë, zgjuarësia, tërë këto gjëra duhen nëse dëshiron të zgjedh problemet e mësimdhënies me urtësi.

8- Ti kuptojë nxënësit e vet, tua dijë emrat, të participon në zgjidhjen e problemeve të tyre, të vepron për interesin e tyre, mos të jetë i njëanshëm gjatë sjelljes me ta, duke patur parasysh hadithin e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem:

“Keni frikë All-llahun dhe jeni të drejtë ndaj fëmijëve tuaj”. (Buhariu).

Tërë kjo sjellje e forcon raportin me nxënësit dhe bëhet prej shkaqeve më të rëndësishme të suksesit të tij.

Imam Ibn Xhemaa thotë:

“Nëse mungon ndonjë nxënës në mënyrë jo të zakonshme, pyet për te mësuesi, ose shkon në shtëpinë e tij; nëse është i smëurë e viziton, nëse ka ndonjë nevojë i ndihmon, nëse ka ndonjë brengë ia lehtëson, e nëse nuk ka asgjë nga kjo që përmendëm, atëherë i afrohet dhe e thërret”.

9- Njohja e lëndës së vet, sepse gabimet në lëndën e vet, e humbin besimin që ka te nxënësit, andaj edhe ata nuk lodhen për ta përgaditur mësimin.

10- Të jetë shumë i lexuar. Nuk duhet të mjaftohet vetëm me librin shkollor, por ai vazhdimisht duhet të lexon dhe shfleton, sidomos librat e reja që dalin dhe që kanë lidhje me lëndën e tij.

11- Të kujdeset për orarin e mësimeve.

12- Të jetë i afërt me kolegët dhe të ikë nga zënkat. Të jetë i sjellshëm, të kujdeset për gjuhën dhe të jetë larg përgojimit dhe muhabeteve që e dëmtojnë veshin. All-llahu, subhanehu ve teala, na mëson duke thënë:

“E ti robve të Mi thuaju: “Le ta thonë atë që është më e mira, pse djalli ndërsen mes tyre, e është e ditur se djalli është armik i hapët i njeriut”. (El-Isra: 53).

13- Përzierja me njerëz dhe participimi me ta në jetën shoqërore.

Imam Ibn Xhemaa konsideron se:

“Ska gjë më të dëmshme për mësuesin se distancimi nga shoqërimi me njerëz dhe ikja nga lëvizja e jetës së masës së gjërë”.

14- Ta njeh fenë dhe të kapet për te. Të urdhëron në të mirë dhe të ndalon nga e keqja dhe mos të frikohet nga askush.

Ebu Is’hak El-Xhubnejani thotë:

“Fëmijën tënd le ta mësojë njeriu fetar, sepse feja e fëmiut është sikur feja e mësuesit të tij”.

Kurse Utbe ibn ebi Sufjani i thotë mësuesit të fëmiut të vet:

“Përmirësimi i fëmiut tim le të fillon me përmirësimin tënd, sepse sytë e tyre janë të drejtuara kah ty, e mirë te ata është ajo që ti e ban, kurse e keqe, ajo që ti e le”.

15- Të jetë i sinqertë.

Tërë veprimtarinë e tij në mësimdhënie ta bëjë për hirë të All-llahut, për të vazhduar dija, për tu larguar e kota, për tu shtuar dijetarët, andaj e flijon kohën dhe rehatinë e tij për ta kryer misionin e vet.

c) Cilësitë profesionale

1- Ta nderon personalitetin e nxënësit, duke u kujdesur për nevojat, preokupimet, të drejtat, duke i njohur mundësitë dhe aftësitë e tija.

2- Aftësia për ta udhëhequr klasën.

3- Tu jepet mundësi nxënësve që të flasin, sepse pjesmarja e tyre me bisedat dhe sqarimet e tyre i shpalos edhe më shumë mangësit e tyre, kurse kjo ndikon në përmirësimin e këtyre gabimeve.

4- Trimërimi i nxënësve në pjesmarje në aktivitetet e shkollës. Në këtë mënyrë arrimë të nxjerim në shesh personalitetin e vërtetë të nxënësit, e në këtë mënyrë e kuptojmë ate dhe ia njohim problemet e tija.

5- Konsiderimi i dallimeve individuale.

6- Sjellja e kujdeshme ndaj sjelljeve të pahijeshme të nxënësve.

Utbe ibn Ebi Sufjani i thotë msuesit të fëmiut të vet:

“Përmirësoje me afërsi dhe butësi, e nëse refuzon atëherë me ashpërsi dhe vrazhdësi”.

7- Stimulimi për edukatë të mirë, seriozitet dhe përpjekje në studime, duke e falënderuar, duke e lavdëruar, duke ia pëlqyer veprimtarinë, etj.

8- Nuk duhet tua mësojmë nxënësve lëndën e librit vetëm në mënyrë teorike duke ikur nga praktikimi i tyre në jetën tonë të përditshme.

9- Mësimit duhet shtuar edhe pak argëtim sepse në këtë mënyrë zgjojmë gjallërinë e tyre dhe e ripërtërimë aktivitetin e tyre, mirëpo me kusht që mos të teprohet në këtë drejtim.

Imam Aliu, radijall-llahu anhu, thotë:

“Përzie bisedën me shaka aq sa e përzien ushqimin me krip”.

d) Cilësitë negative të mësuesit

1- Mësuesi i pakujdeshëm.

Ky është një njeri që ka hyrë në profesionin e mësuesit gabimisht, raporti i tij me këtë profesion është sipërfaqësor dhe formal. Moskujdesi i tij del në shesh gjat përgaditjes së mësimit, vlerësimit të detyrave dhe provimeve të nxënësve, nuk e preokupojne ankesat e tyre e as nuk mendon për gjendjen e tyre.

2- Mësuesi diktator.

Ky njeri nuk posedon shpirt sportiv dhe elasticitet mental. Ai është literar, i kapur për rregulloren dhe nuk shikon gjendjen e veçantë të disa nxënësve. Ate e preokupon vetëm kryerja e planprogramit. Nuk i jep rëndësi kulturës së përgjithshme dhe zhvillimit të personalitetit të nxënësve.

3- Mësuesi kaotik.

Ky mësues është në të kundërtën e mësuesit diktarorial. Nuk u jep rëndësi udhëzimeve të administratës, nuk e përfill regulloren, nuk kujdeset që ta kryej planprogramin dhe nuk e preokupojnë synimet e arsimit. Ky lloj mësuesi kujdeset që të fitojë vetëm pëlqimin e nxënësve, kurse aspak nuk i intereson niveli i diturive që do të fitojnë.

4- Mësuesi i zakonshëm.

Ky lloj mësuesish dominon në shumicën e shkollave, kurse ajo që e përkufizon mësuesin e zakonshëm dhe jo të zakonshëm është ambienti i përgjithshëm i arsimit. Mësuesi i zakonshëm në vendet e përparuara dallon nga mësuesi i zakonshëm në vendet e varfëra.

Mësuesi i zakonshëm kujdeset që ta kryen planprogramin dhe kujdeset që ti zbaton udhëzimet që i vinë nga lart, mirëpo edhe u jep mundësi të caktuar të participmit nxënësve, ashtu sikurse edhe u mundëson që të parashtrojnë numër të caktuar të pyetjeve.

Njohja e tij e lëndës është e zakonshme, kujdesi për zhvillimin e personalitetit të nxënësit dhe përmirësimit të akitivitetit të tij është i zbeht ose nën mesataren.

Këto janë disa cilësi, të cilët i kemi përmendur duke u mbështetur në disa analiza dhe përvoja të disa pedagogëve musliman, andaj edhe ua kemi afruar si një kontribut, sado që është modest, mirëpo mendojmë se do të ndihmon në ngritjen e nivelit të mësuesve tanë, pa marrë parasysh sferën ku e zhvillonn procesin mësimor.

All-llahun e lusim të na jep dije, të na orienton kah ajo që është më e mirë dhe më e dobishme, të na ndihmon në organizimin e punëve tona dhe të na dhuron urtësi.

All-llahun e lusim që të na jep nga të mirat e kësaj bote dhe të ahiretit.

Të na bëjë çelës të të mirave dhe mbyllës të të këqijave.

Amin

Bekir Halimi,
10.9.2004