Ligji i All-llahut [subhanehu ve teala] për atë që e pason udhëzimin e Tij dhe atij që ia kthen shpinën këtij udhëzimi

1). Udhëzimi i All-llahut është udhëzimi i vërtetë

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“As jehuditë, e as krishterët kurrë nuk do të jenë të kënaqur me ty deri që të pasosh fenë e tyre. Thuaju: “Udhëzimi i All-llahut është udhëzim i drejtë. E nëse pasiqë të ka ardhur ty e vërteta shkon pas mendimeve të tyre, nuk ka kush të ndihmojë e as të mbrojë nga All-llahu”. (El-Bekare: 120).

Udhëzimi i All-llahut [subhanehu ve teala] është feja e vërtetë dhe gjithpërfshirëse, i cili është udhëzimi i vërtetë, udhëzim që me të vërtetë meriton të quhet udhëzim, pos të cilit nuk ka udhëzim tjetër.

Ky është komenti i këtij ajeti, siç përmendet në tefsirin e Ibën Kethirit, tefsirin e Raziut dhe të Kurtubiut.

2). Udhëzimi i All-llahut [subhanehu ve teala] është Islami

Ky është udhëzimi me të cilin All-llahu [subhanehu ve teala] e ka dërguar Muhamedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur thotë:

“Ai është që e dërgoi të dërguarin e Vet me udhëzim të plotë dhe me fenë e vërtetë, që të triumfojë mbi çdo fe, e mjafton All-llahu dëshmitar”. (El-Feth: 28).

Zamahsheriu thotë: “Udhëzimi i All-llahut [subhanehu ve teala] është Islami. Ky është udhëzimi i vërtetë dhe i vetmi që meriton të quhet udhëzim. Krejt Islami është udhëzim, pos tij s’ka udhëzim tjetër, e ajo në të cilin thërrasin çifutët dhe të krishtrët, nuk është udhëzim, por epsh”. (Tefsiri i Zamahsheriut: 1/183).

3). Kush e lë udhëzimin e All-llahut [subhanehu ve teala], All-llahu [subhanehu ve teala] e lë ate dhe ate që ai e ka zgjedhë

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Kush i kundërvihet të dërguarit, pasi që i është bërë e qatë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që ka zgjedhur (në dunja) e fusim në Xhehennem. Përfundim i keq është ai”. (En-Nisa: 115).

Udhëzimi i All-llahut [subhanehu ve teala] është Islami. Ai është rruga e besimtarëve të parë, andaj ai që e armiqëson Pejgamberin e nuk pason Islamin, pasi që i është sqaruar nga All-llahu, All-llahu atë dhe çështjen e tij i lë në lajthitjen që ai e ka zgjedhë.

Raziu thotë: “ate së bashku me atë që ai e ka zgjedhur për vehte e lënë të mbështetur në atë që ai është mbështetur”. (Tefsiri i Raziut: 11/43).

Nga ana tjetër, është shumë e qartë se ajo që ai e ka zgjedhur për vehte është lajthitja, sepse pas hakut (Islamit) s’ka tjetër pos dalaletit.

“E ky është All-llahu, Zoti juaj i vërtetë. Pas të vërtetës nuk ka tjetër pos iluzione, e si po ia ktheni shpinën (të vërtetës)?”. (Junus: 32).

4). Kërcënimi ndaj atij që nuk e pason udhëzimin e All-llahut.

Jemi të detyruar në mënyrë obligative ta pasojmë dinin e vërtetë (Islamin), kurse të tjerat (mendime, ide, plane, metoda) duhet lënë pas shpine dhe duhet larguar prej tyre. Kush kapet për të kotën, ka humbur. All-llahu [subhanehu ve teala] largohet prej tij, nuk e ndihmon dhe kështu ai bëhet prej zullumqarëve. All-llahu [subhanehu ve teala] pejgamberit të tij i drejtohet me urdhër:

“E nëse pasiqë të ka ardhur ty e vërteta shkon pas mendimeve të tyre, nuk ka kush të ndihmojë e as të mbrojë nga All-llahu”. (El-Bekare: 120).

Ibën Kethiri thotë: “Në këtë ajet ka kërcënim të ashpër për ata nga ky umet që pasojnë çifutët dhe të krishterët, pasi që kanë njohuri për Kur’anin dhe Sunnetin”. All-llahu [subhanehu ve teala] na ruajtë nga kjo gjë. (Ibn Kethir, 1/162).

“E pas dijes, e cila të ka ardhur, po e zëmë se ishe vënë pas dëshirave të tyre, atëherë ti do të ishe mizor”. (El-Bekare: 145).

Dituria që i erdhi Pejgamberit është Islami. Ai është udhëzimi i All-llahut [subhanehu ve teala]. Në këtë ajet ka kërcënim për ata që i pasojnë pronarët e të kotës në kohën e tyre, që i pasojnë në epshet e tyre dhe që anojnë kah ato etj.

Rashid Ridaja thotë: “Ky dedikim me këtë kërcënim i është bërë krijesës në pozitë më të lartë te All-llahu [subhanehu ve teala], i është bërë Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], andaj ky kërcënim bëhet edhe më i ashpër për të tjerët të cilët pasojnë epshet e njerëzve dhe mundohen t’i kënaqin ata duke iu bashkangjitur në të kotën e tyre. All-llahu [subhanehu ve teala] iu drejtua me këto fjalë Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], edhe pse qëllimin e kishte në ummetin e tij që ta dinë besimtarët se pasimi i epsheve të njerëzve edhe po të jetë me qëllim të mirë, është zullum i madh, që e ndërpret rrugën e vërtetë dhe i shpie njerëzit në humnerat e të kotës. (tefsirul-Menar, 1/285).

5). Ai që e pason udhëzimin e All-llahut [subhanehu ve teala] as që mërzitet e as që dëshpërohet

All-llahu thotë:

“Ne u thamë: “Dilni prej aty që të gjithë, e juve gjithësesi do t’u arrijë udhëzim prej Meje, e kush pranon udhëzimin Tim, për ata nuk ka as frikë as që do të brengosen”. (El-Bekare: 38).

Ibën Kethiri thotë: “Ai që e pranon këtë që e kam zbritur në libra dhe atë që e kanë dërguar pejgamberët me të, ata nuk do të kenë frikë ndaj asaj që do t’ju vijë në ahiret e as që mërziten ndaj asaj që u kalon prej gjërave të kësaj bote”. (Ibn Kethiri, 1/82).

Rashid Ridaja thotë: “Ata që udhëzohen me udhëzim të All-llahut [subhanehu ve teala] nuk frikohen nga ajo që do t’u vijë e as që mërziten nga ajo që u kalon, sepse pasuesve të udhëzimit u lehtësohet fitimi i të mirave dhe përjetimi i lumturisë së dynjasë dhe ahiretit. Nëse njeriu kështu parapërgatitet, atij i lehtësohet çdo gjë që mund ta godasë ose çdo gjë që mund ta humbë, sepse ai është i bindur se All-llahu [subhanehu ve teala] është ai që e ka krijuar. (El-Menar, 1/285).

6). Pasuesi i udhëzimit jeton jetë të mirë, kurse ai që ia kthen shpinën udhëzimit jeton jetë të vështirë.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ai (All-llahu) u tha: “Zbritni prej aty që të gjithë, do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Nëse u vjen na Unë udhëzim (libër e pejgamber) kush i përmbahet udhëimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në dunja) e as nuk ka për të dështuar (në etën tjetër)”. E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, prse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?” Ai (All-llahu) thotë: “Ashtu si harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je ti i harruar sot. Po kështu Ne e shpërblejmë edhe atë që zhytet në mëkate dhe nk i beson argumentet e Zotit të vet, po dënimi në botën tjetër është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm”. (Taha: 123-127).

Ky ajet sqaron ligjin e All-llahut [subhanehu ve teala] për atë që e pason udhëzimin e Tij dhe për atë që ia kthen shpinën këtij udhëzimi. (kurtubiu, 11/258).

Udhëzim i All-llahut [subhanehu ve teala] në këtë ajet janë:

a) Librat e All-llahut [subhanehu ve teala];

b) Kur’ani; ose

c) Të gjitha librat e zbritura nga All-llahu [subhanehu ve teala] (Kur’ani është njëri prej këtyre librave, por njëherazi edhe më i miri dhe më i ndershmi).

7). Ligji i All-llahut [subhanehu ve teala] par atë që e pason udhëzimin e Tij dhe argumenti për këtë.

Pak më parë thamë se pasuesi i udhëzimit jeton jetë të mirë në këtë botë, kurse argument për këtë ligj është ajeti:

“kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në dunja) e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër)”. (Taha: 124).

Ibni Abbasi thotë: “Nuk lajthitë në dynja dhe nuk vuan në ahiret”. (Ibn Kethir, 3/168).

Kurse, Zamahsheriu thotë: “Vuajtja në ahiret nënkupton dënimin për atë që ka lajthitur në dunja nga rruga e fesë, kurse ai që e pason librin e All-llahut [subhanehu ve teala] aplikon urdhërat e Tij dhe largohet prej ndalesave dhe kështu shpëton nga lajthitja dhe dënimi”. (Zamahsheriu, 3/95).

Nga ana tjetër, konteksti i ajetit na jep të kuptojmë se vuajtja është e ngritur nga pasuesi i Kur’anit në këtë botë dhe në ahiret. Ky është njëri aspekt i komentit të këtij ajeti. (Raziu, 22/130).

Nw realitet pasuesi i udhwzimit tw All-llahut jeton jetw tw mirw, ashtu siç ka premtuar All-llahu dhe ashtu siç cakton ligji i Tij. All-llahu thotw:

“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre”. (En-Nahl: 97).

Pasuesi i udhëzimit është besimtar dhe vepron vepra të mira, sepse përndryshe nuk mund të jetë pasues i udhëzimit, ngase jeta e mirë nënkupton që aspak të mos vuash, pra ajo i kaplon të gjitha aspektet e rehatisë. (Ibn kethir, 2/585).

Vuajtja është në kundërshtim me jetën e mirë, me të cilën pasuesi i Kur’anit kënaqet, andaj vuajtja refuzohet në këtë jetë, ashtu siç është e refuzuar edhe lajthitja në këtë botë. Ai që e pason udhëzimin e All-llahut [subhanehu ve teala], synimi i tij është të arrijë kënaqësinë e All-llahut [subhanehu ve teala], ai është i kënaqur me atë që ia ka caktuar All-llahu [subhanehu ve teala] në këtë botë, nuk hidhërohet për këtë dhe është i lumtur me atë që ia ka dhuruar All-llahu [subhanehu ve teala]. Ai, pra, jeton jetë të mirë dhe komode, sepse pas dhuntisë së Islamit, ai e synon atë që është në duar të All-llahut [subhanehu ve teala], e jo atë që është në dunja dhe kënaqësinë e saj kalimtare. Ai nuk kujdeset me të madhe ta arrijë krejt këtë dynja, nuk e refuzon kur i vjen, por edhe nuk mërzitet dhe dëshpërohet kur i kalon.

8). Ligji i All-llahut për atë që ia kthen shpinën udhëzimit dhe argumenti për këtë.

Ligji i All-llahut [subhanehu ve teala] për atë që ia kthen shpinën udhëzimit, është jeta e vështirë. Argument për këtë është ajeti:

“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë…”.

Dhikri është Kur’ani, Islami, andaj kthyerja shpinën atij, nënkupton lënie, mospasim dhe kërkim udhëzim në gjëra tjera përveç në to. Ibën Kethiri thotë: “Kush kundërshton udhëzimin tim, ia kthen shpinën asaj që e kam zbritur mbi Pejgamberin tim, e harron dhe kërkon udhëzim prej tjerëve”. (ibn Kethir, 3/168).

Ky njeri jeton jetë të vështirë në këtë botë, sepse (dank) do të thotë ngushtësi dhe vështirësi. Kjo ndodhë për shkak të kujdesit të madh që ka për dunjanë, për t’i shtuar të mirat e kësaj bote, nga frika se ato po i harxhohen dhe pakësohen. Andaj ky njeri nuk përjeton as qetësi e as rehati. Gjoksin vazhdimisht e ka në ngushticë për shkak të lajthitjes. Kështu edhe pse shihet se jeton jetë të lumtur dhe me bollëk, zemra e tij është në dhimbje përderisa nuk është e mbushur me udhëzim të All-llahut [subhanehu ve teala]. Ai nuk ndien kurrfarë kënaqësie e as që jeton mirë. Këtë e përjeton në dynja, kurse në ahiret, sipas ligjit të All-llahut [subhanehu ve teala] për shpërblim, ata do t’i godasë dënimi i refuzuesve të udhëzimit. Ky dënim nënkupton ringjalljen e tij të verbër sepse nuk i ka parë argumentet e All-llahut [subhanehu ve teala] dhe udhëzimin e tij në këtë botë. All-llahu [subhanehu ve teala] flet për këtë dënim duke thënë:

“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë…”.

E gjithë kjo është sepse shpërblimi vjen nga lloji i veprës. Ky dënim, që e pret këtë refuzues të udhëzimit të All-llahut [subhanehu ve teala], është dënim i përhershëm dhe më i rëndë sesa dënimi i kësaj bote. I njëjti dënim do t’i kaplojë edhe ata që përgënjeshtrojnë rregullat e All-llahut. All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Po kështu Ne e shpërblejmë edhe atë që zhytet në mëkate dhe nk i beson argumentet e Zotit të vet, po dënimi në botën tjetër është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm”. (Taha: 127).

9) Ai që ia kthen shpinën udhëzimit të All-llahut [subhanehu ve teala] i shoqërohet një shejtan.

Ai që ia kthen shpinën udhëzimit të Kur’anit, atë e shoqëron një shejtan, i cili aspak nuk e le të vetëm dhe kurrë nuk ndahet prej tij. Ky shejtan ia zbukuron të keqen dhe e largon nga rruga e vërtetë, edhe pse ai do të mendojë se është në rrugë të drejtë dhe të qëlluar. Ky është ligji i All-llahut [subhanehu ve teala] për ata që ia kthejnë shpinën udhëzimit:

“Kush mbyll sytë para këshillave të Zotit, atij ia shoqërojmë një djall që nuk i ndahet kurrë. E ata (djajt) do t’i shmangin nga rruga e drejtë, kurse (jobesimtarët) mendojnë se janë duke i udhëzuar”. (Ez-Zuhruf: 36-37).

Dijetarët i kanë komentuar këto ajete duke thënë: “Ai që verbërohet dhe tregohet neglizhent ndaj përmendjes së All-llahut [subhanehu ve teala], ndaj Kur’anit dhe ndaj asaj që e ka zbritur All-llahu [subhanehu ve teala] dhe mbështetet në fjalët e lajthitësve dhe në të kotat e tyre, atij ia shoqërojmë një shejtan i cili kurrë nuk ndahet prej tij, i cili e largon prej hallallit, e nxitë në haram, e ndalon nga respekti, e urdhëron në mëkat dhe ia zbukuron të keqen”. Ky është dënim për atë që ia kthen shpinën udhëzimit të Kur’anit, siç kanë thënë dijetarët edhe më herët: “All-llahu [subhanehu ve teala] dënon për mëkatet me fitim të mëkateve tjera”.

Shejtanët i largojnë nga udhëzimi i All-llahut [subhanehu ve teala] dhe nga rruga e drejtë ata që ia kthejnë shpinën udhëzimit të All-llahut [subhanehu ve teala], duke i bindur se janë në rrugë të drejtë. (shiko: Ibn kethir, 4/128; Kurtubiu, 16/89 dhe Alusiu, 25/80).

Për këta njerëz vlen ajeti kur’anor:

“Thuaj: “A t’ju tregojmë për më të dëshpruarit në veprat e tyre? Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë”. (El-Kehf: 103-104).

Bekir Halimi,
21.7.2000