Falënderimi i takon All-llahut. Atë e
falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga
All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon
All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e
udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe
dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.


“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një
frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!”
(Ali Imran:
102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një
veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e
gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin,
se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.”
(En-Nisa:1)
“O ju
besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju
mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton
All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.”

(El-Ahzab:70:71)
Thënia më e vërtetë është thënia e All-llahut,
kurse udhëzimi më i mirë – udhëzimi i Muhammedit sal-lall-llahu ‘alejhi ve
sel-lem. Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid’at dhe
çdo bid’at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në
zjarr…

Dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhxhes

(1-DhilHixhxhe-1424 është më 23-01-2004, e xhuma)

Transmeton Buhari se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka ditë ku punët e mira janë më të dashura tek All-llahu sesa këto ditë, dhjetë ditët e Dhul Hixhxhes, i thanë: E xhihadi ja Resulull-llah!? Tha: As xhihadi, pos atij i cili ka dalur vetë dhe me pasurinë e tij në rrugë të All-llahut dhe nuk është kthyer me gjë”.

Poashtu transmeton Imam Ahmedi se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka ditë ku punët llogariten më të mëdhaja dhe janë më të dashura tek All-llahu sesa këto ditë, prandaj në këto ditë shtoni përmendjen e këtyre fjalëve: La ilahe il-lall-llah, All-llahu Ekber dhe El-hamdu lil-lah”.

Ibën Hibbani transmeton se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dita më e vlefshme është dita e Arafatit”.

Punët që mund të bëhen këto ditë:

1. Bërja e haxhit dhe Umres, kjo është më e vlefshmja. Thotë Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: “Prej Umres deri në Umren tjetër shlyhen mëkatet, ndërsa Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër pos Xhennetit” (Buhariu dhe Muslimi)

2. Agjërimi i këtyre ditëve apo disa prej tyre e veçanërisht dita e Arafatit. Thotë Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: “Secili musliman që agjëron një ditë për hirë të All-llahut, All-llahu ia largon fytyrën e tij prej Xhehennemit aq sa mund të udhëtohet për 70 vjet” (Buhariu dhe Muslimi), poashtu transmeton Muslimi se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Për agjërimin e ditës së Arafatit shpresoj se All-llahu i falë mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm”

3. Tekbiri dhe dhikri i shumtë. Transmeton Imam Ahmedi rahimehull-llah se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: ” … në këto ditë shtoni përmendjen e këtyre fjalëve: La ilahe il-lall-llah, All-llahu Ekber dhe El-hamdu lil-lah”. Buhariu rahimehull-llah ka transmetuar se Ibën Omeri dhe Ebu Hurejre radijall-llahu anhuma kur dilnin në treg gjatë këtyre ditëve i thonin tekbiret me zë e pastaj fillonin edhe njerëzit tjerë t’i thonë tekbiret. Poashtu tregon se dijetarët e gjeneratës së tabiinve- All-llahu i mëshiroftë- tekbiret i thonin kështu: “All-llahu Ekber All-llahu Ekber La Ilahe il-lall-llah Vall-llahu Ekber All-llahu Ekber velil-lahil hamd”. Eshtë e pëlqyeshme ngritja e zërit gjatë thënies së tekbireve kur je nëpër tregje, rrugë, xhamia etj.

4. Teubeja dhe largimi prej mëkateve, ashtuqë të arrish faljen dhe mëshirën e All-llahut subhanehu ue teala. Mëkatet janë shkak për largimin nga mëshira, ndërsa kryerja e urdhërave të All-llahut subhanehu ue teala dhe respekti i Tij janë shkak që të afrohesh tek All-llahu subhanehu ue teala. Thotë Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: “Me të vërtetë All-llahu është xheloz, është xheloz atëherë kur njeriu i bën ato punë që All-llahu ia ka ndaluar” (Buhariu dhe Muslimi)

5. Shtimi i veprave të mira vullnetare qoftë namaz, sadaka, xhihad, lexim të Kur’anit, urdhrim në të mira, largim prej të këqijave etj. Sepse e pamë se vepra në këto ditë është më e vlefshme dhe më e dashur tek All-llahu subhanehu ue teala.

6. Tekbiret që i përmendëm mund të thuhen në çdo kohë, natën e ditën, deri në namazin e Bajramit. Por, ka edhe tekbire që janë të posaçme dhe thuhen pas namazeve farz që falen me xhemat. Për ata që nuk janë në Haxhxh, këto tekbire fillojnë prej namazit të Sabahut të ditës së Arafatit, ndërsa për ata që janë në Haxhxh, prej namazit të drekës të ditës së Bajramit, dhe këto tekbire thuhen deri në namazin e iqindisë të ditës së fundit të Bajramit.

7. Prerja e Kurbanit ditëve të Bajramit. Ky është sunnet që na ka mbetur prej babait tonë Ibrahimit alejhis selam kur All-llahu subhanehu ue teala e urdhëroi që t’a bën kurban djalin e tij. Transmetohet se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka prerë dy kurbana ditën e Bajramit me dorë të tij, duke thënë Bismil-lah dhe All-llahu Ekber.

8. Transmeton Muslimi se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur t’a shihni Hënën e muajit Dhul Hixhxhe, mos i pritni flokët e as thonjët” në transmetim tjetër thuhet “…mos i pritni flokët e as thonjët përderisa nuk vjen dita për t’i prerë kurbanat që i keni”. Kjo ndalesë, ashtu si shihet është për ata që duan të presin kurbana, e jo për gjithë familjen e atij që pret kurban. Sa i përket larjes gjatë atyre ditëve nuk ka kurrfarë dyshimi se lejohet. Dijetari i madh i Medinës Abdulmuhsin el-Abbad tha se urtësia e kësaj ndalese është se ai që pret kurban në shtëpi të përngjasohet me haxhiun i cili është në Mekke dhe i ka të ndaluara të njëjtat gjëra në kohën e Haxhxhit.

9. Duhet të prezentohet në faljen e namazit të Bajramit kudo që të falet, të dëgjohet hutbeja (ligjerata) e Bajramit dhe të përfitohet prej saj. Të mësohet shkaku i ligjësimit të tij dhe të dihet se ajo është ditë e falënderimit, e punëve të mira dhe bëmirësisë. Mos të kthehet kjo ditë në ditë e të këqijave dhe vizitave të varreve. As mos të mendohet se kjo festë e muslimanëve duhet të festohet me këngë,valle,koncerte dhe dehje, vepra këto që mund të bëhen shkak për zhdukjen e punëve të mira që i ke bërë. Namazin e Bajramit mund t’a falin edhe gratë, por jo të zbuluara, të zbukuruara apo të parfymosura. E ato që i kanë ciklet mujore rrijnë nëpër shtëpitë e tyre.

Cdo musliman dhe muslimane duhet t’i shfrytëzojë këto ditë në respekt ndaj All-llahut subhanehu ue teala dhe në praktikimin e të gjitha urdhërave të Tij dhe të largohen nga çdo e keqe.

Disa dispozita rreth kurbanave

Kjo vepër është sunnet muekkede (i fortë) dhe është mekruh (e urrejtur) të mos pritet kurban në gjendeje të mundësisë. Për kurban mund të priten deve, lopë dhe dhen. Prej kushteve të kurbanit është që mos të jenë me të meta. Koha e prerjes së kurbanave është pas faljes së namazit të Bajramit.

Thotë Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: “Kush e therrë kafshën para namazit të Bajramit, ai e therrë për vete, e kush e therrë pas namazit të Bajramit ai e ka qëlluar sunnetin tim në therrjen e kurbanave” (Buhariu dhe Muslimi) Shpërndarja e kurbanave Është sunnet që ai i cili therrë kurban, të han pak nga mishi i kurbanit të tij dhe t’ju dhurojë farefisit nga ai mish, fqinjëve dhe të varfurve. Disa prej Selefit (gjeneratave të para të muslimanëve) kanë pasur zakon që kubanin e tyre ta ndajnë në tre pjesë: një pjesë: një për familjen e tij, një për farefisin dhe një për të varfurit, ndërsa therrtorëve nuk u jipnin nga mishi, por i paguanin.

Eshtë sunnet që ditën e Bajramit mos të hahet gjë derisa të kthehesh prej xhamisë, sepse kështu vepronte vet Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem .

Së fundi: Mos harro vëlla i dashur musliman të kujdesesh për punët e mira, të vizitosh farefisin, t’i ikish urrejtjes dhe xhelozisë, ta pastrosh zemrën tënde dhe të kujdesesh për të ngratit, të varfurit dhe jetimat, të mundohesh me mish e me shpirt që në zemrat e tyre të futish gëzimin. E lusim All-llahun subhanehu ue teala të na inspirojë në veprimin e gjërave të cilat i don dhe është i kënaqur me to, të na forcojë në fenë tonë, të na bëjë prej atyre që bëjnë gara në punë të mira dhe e lusim që punët tona të jenë të qëlluara sipas sunnetit të Resulull-llahut sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem dhe të sinqerta,vetëm për arritjen e kënaqësisë së All-llahut subhanehu ue teala. Amin

Omer Berisha

Medine

22 Dhul Ka’de 1421 16 Shkurt 2001

Publikimi i parë në Albislam.Com: 23.2.2001

Omer Berisha,
16.1.2004