Ky shkrim përshkruan dashurinë ndaj Profetit Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) përmes citimeve nga Kur’ani, Hadithi dhe thënieve të Sahabeve, si dhe liston shenjat kryesore të kësaj dashurie.
I Madhëruari thotë: “Thuaj: Nëse e doni Allahun, më pasoni mua, do t’ju dojë Allahu dhe do t’ua falë mëkatet…” (Alu Imran: 31).
I Dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Nuk beson asnjëri prej jush derisa mos t’i bëhem unë më i dashur se vetja, fëmijët, prindërit dhe të gjithë njerëzit.”
Thanë për dashurinë
Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ishte më i dashur tek ne sesa pasuritë, fëmijët, prindërit dhe se uji i ftohtë në etjen e madhe.”
Zejd b. Detheneh, kur mekkasit e nxorën për ta vrarë dhe e pyetën: “A do të dëshiroje që Muhamedi të ishte tani në duart tona që ta vrasim ndërsa ti të ishe tek familja jote?” Ai u përgjigj: “Vallahi, nuk do të dëshiroja që Muhamedi as në vendin ku është tani, të theret nga një ferrë, e unë përballë kësaj të rrija tek familja ime.” Atëherë, udhëheqësi i tyre, Ebu Sufjani, tha: “Nuk kam parë asnjë njeri që e do dikë prej njerëzve ashtu si e duan Muhamedin shokët e tij.”
Abdullah b. Zejd El-Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të), kur i erdhi lajmi për vdekjen e të Dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të), tha: “O Allahu im, ma merr shikimin që të mos shikoj askënd pas të dashurit tim, Muhamedit,” dhe mbeti i verbër.
Shenjat e dashurisë
Këto janë disa nga shenjat e dashurisë ndaj të zgjedhurit Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të), që t’i kemi përpara dhe të shohim se sa është dashuria jonë ndaj tij:
- Pasimi i tij, praktikimi i sunnetit të tij dhe ecja rrugës së tij. Vetëm me këtë mund të arrijmë tek dashuria e Allahut: “Thuaj: Nëse e doni Allahun, më pasoni mua, do t’ju dojë Allahu dhe do t’ua falë mëkatet…” (Alu Imran: 31).
- Atai ka thënë: “Ai që e disiplinon veten me rregullat e sunnetit, Allahu do t’ia ndriçojë zemrën me dritën e njohjes.”
- El-Xhunejdi ka thënë: “Të gjitha rrugët janë të mbyllura përveç rrugës së atyre që i pasojnë gjurmët e të Dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të), sepse Allahu i Madhëruar thotë: ‘Pasha Madhërinë dhe Krenarinë Time, sikur të vinin njerëzit nga çdo rrugë dhe të kërkonin që t’u hapej çdo derë, nuk do t’ua hapja derisa të mos hyjnë pas teje (o Muhamed).'” (Nga libri Tariku-lhixhretejn, i Ibnu-l-Kajjimit, fq.19).
- Të praktikuarit e dispozitave të sheriatit dhe mosndjenja e ngushtësisë prej gjykimit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Jo, pasha Zotin tënd, nuk kanë besuar përderisa të mos pranojnë ty si gjykatës për atë që nuk pajtohen ata, pastaj të mos ndiejnë ngushtësi për atë që ke gjykuar dhe të dorëzohen plotësisht.” Imani i vërtetë realizohet me pranimin e gjykimit të tyre, qoftë në favor apo kundër teje, me fjalë, vepër, punë, lënie, dashuri dhe urrejtje.
- Të përkujtuarit e tij dhe dërgimi i salavatit mbi të. Ai që do diçka, e përmend shumë. Madje, Allahu e ka bërë shenjë të besimit dërgimin e salavatit mbi të: “O ju që keni besuar, dërgoni salavat dhe përshëndetje mbi të.” Si mundet njeriu të mos lakmojë në dhjetë salavatet e Allahut, kur ky i dërgon një salavat të Dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të)?
- Dashuria ndaj Kur’anit, me të cilin ka ardhur i Dërguari. Nëse dëshiron të dish sa zë vend tek ti dashuria ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, shiko sa zë vend dashuria ndaj Kur’anit në zemra.
- Othmani (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Sikur zemrat tona të ishin të pastra, kurrë nuk do të ngopeshim me fjalët e Allahut.” Këtë e heton ai që e ka zemrën të butë kur dëgjon Librin e Allahut.
- Allahu i Madhëruar thotë: “Kur e dëgjojnë atë që i është shpallur të Dërguarit, i sheh sytë e tyre se si rrjedhin lot, për shkak të asaj që e njohin prej të vërtetës.”
- Ndjenja e madhështisë së tij kur përmendet emri i tij. Shumë prej sahabeve i kaplonte një ndjenjë e veçantë kur përmendej i Dërguari; disa madje edhe qanin.
- Mallëngjimi i madh për ta takuar, sepse çdokush që do dikë, e merr malli për ta takuar.
- Dashuria ndaj sunnetit të tij dhe leximi i haditheve të tij, sepse shpirti dhe zemra nuk gëzohet përveçse kur dëgjon fjalët e Allahut dhe të Dërguarit të Tij.
- Ndihmesa e fesë së tij me fjalë dhe vepra, mbrojtja e sheriatit të tij, dhe pajisja me moralin e tij, si në bujari, altruizëm, mençuri, durim dhe përballim të vështirësive, posaçërisht për hir të fesë.
- Ai që do, forcohet nga dashuria e tij dhe ngushëllohet me rastin e fatkeqësive, duke i përballuar ato më lehtë sesa të tjerët.
- Dashuria ndaj familjes së tij, pasardhësve dhe shokëve të tij.
- Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Të mbaj lidhje me të afërmit e të Dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) është më e dashur për mua sesa të mbaj lidhje me të afërmit e mi.”
- Ndërsa dashuria ndaj shokëve (sahabeve) të tij është dashuri ndaj tij dhe respekti ndaj tyre është respekt ndaj tij. Besimtari i sinqertë nuk u vë veshin transmetimeve të pasakta të historianëve dhe transmetuesve të paditur. Për atë që ka ndodhur mes tyre (mosmarrëveshjet), mundohet të gjejë arsyen më të mirë dhe asnjërin prej tyre nuk e përmend me të keq, sepse Allahu i ka lavdëruar ata në shumë ajete.
- I Madhëruari thotë: “Muhamedi është i Dërguari i Allahut. E ata që janë me të janë të ashpër kundër jobesimtarëve ndërsa të mëshirshëm ndërmjet vete.” (El-Fet’h: 29)
- I Dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Mos flisni keq për shokët e mi, sepse po qe se ndonjëri prej jush shpenzon sa është kodra e Uhudit në flori, nuk do ta arrijë vlerën e një grushti që kanë shpenzuar ata, madje as gjysmën e saj.” (Muslimi)
O ti që dashuron:
Shpenzoje kohën tënde në përulje ndaj Zotit tënd, i cili e ka blerë shpirtin tënd në kompensim për xhenetin e Tij: “Vërtetë Allahu ka blerë prej besimtarëve shpirtrat dhe pasuritë e tyre në kompensim për xhenetin.” Dhe mos e shpenzo jetën tënde përveç se në rrugën e Tij dhe bëhu i sinqertë me fjalën dhe veprën tënde derisa i citon fjalët: “Vërtet namazi im dhe sakrifica ime, jeta dhe vdekja ime, janë për Allahun, Zotin e botëve, i Cili nuk ka rival.”
Vëlla i nderuar, këto ishin disa nga simptomat e dashurisë ndaj të Dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të). E lusim Allahun të na e dhurojë dashurinë e Tij dhe dashurinë e atyre që e duanë Atë, si dhe dashurinë ndaj çdo vepre që na afron tek dashuria e Tij, Ai dëgjon dhe përgjigjet.
/Përshtati: Ekrem B. AVDIU/



