Vazhdojnë aplikimet për bursë studimi në Turqi!

Për të gjithë nxënësit dhe studentët që dëshirojnë të ndjekin studimet e tyre në Turqi me mbështetje të plotë financiare, janë hapur aplikimet për bursat e studimit në kuadër të programeve arsimore për vitin 2025, të ofruara nga Dijaneti Turk. Këto bursa janë një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë që synojnë të thellojnë dijet e tyre në institucione të njohura arsimore dhe fetare.

Programi i bursave përfshin:
Shkollat e mesme ndërkombëtare (Medresetë) të Anadollit – për nxënësit që dëshirojnë të ndjekin studimet e mesme me një kurrikul të pasuruar me dije islame dhe shkencore.
Universitetet ndërkombëtare të Teologjisë – për studentët që dëshirojnë të studiojnë në nivelin universitar në fushën e shkencave islame.
Programet Master dhe Doktoratë – për ata që synojnë të thellojnë më tej njohuritë akademike dhe kërkimore në fushën e Teologjisë.

Bursat përfshijnë mbulimin e shpenzimeve të shkollimit, akomodimit, ushqimit dhe shërbimeve të tjera mbështetëse, duke i lehtësuar studentët nga barrat financiare dhe duke iu krijuar një ambient të përshtatshëm për studime.

Aplikimet pranohen nga data 15 janar deri më 28 shkurt 2025 në adresën zyrtare: https://diyanetburslari.tdv.org.

Kush mund të aplikojë?

  • Nxënësit e shkollave të mesme që dëshirojnë të ndjekin studimet në medresetë e Turqisë.
  • Studentët që dëshirojnë të ndjekin studimet universitare në Teologji.
  • Kandidatët që synojnë të vazhdojnë studimet pasuniversitare (Master & Doktoratë).

Përfitoni nga kjo mundësi unike për të zhvilluar dijet tuaja në një mjedis akademik cilësor! Për më shumë informacione dhe udhëzime mbi aplikimin, vizitoni faqen zyrtare të programit.