Prishtinë, më 27 nëntor 2024
Në ambientet e “Medresesë Alauddin” u organizua një program festiv për nder të 28 Nëntorit, Festës Kombëtare. Në këtë program nxënësit prezantuan pika të ndryshme artistike, duke përfshirë recitime dhe këngë patriotike, që krijuan një frymë festive e frymëzuese.
Nxënësit e Medresesë shprehën krenarinë për këtë datë historike, duke e cilësuar si simbol të rezistencës, unitetit dhe krenarisë kombëtare.
I pranishëm në këtë ceremoni qe edhe Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili theksoi rolin e rëndësishëm të Medresesë në historinë kombëtare dhe veçanërisht në procesin e çlirimit të Kosovës.
“Medreseja ka pasur një rol vendimtar në çlirimin e Kosovës dhe në ruajtjen e vlerave tona kombëtare. Në kohët më të vështira, siç e dini edhe ju të dashur nxënës, së bashku me shumë profesorë që ende janë këtu i hapëm dyert në shërbim të kauzës sonë kombëtarë për çlirimin e vendit,” tha Myftiu Tërnava.
Nga ana tjetër, drejtori i “Medresesë Alauddin”, Fadil ef. Hasani, u shpreh se aktivitete të tilla duhet të na nxisin të rrisim dashurinë dhe përkushtimin ndaj vendit tonë.
“Festa të tilla duhet të na bëjnë ta duam vendin edhe më shumë dhe të punojmë për të ardhmen e tij”, tha drejtori Hasani.
Në fund të programit u ndanë edhe mirënjohje për nxënësit më të mirë në shkrimin e poezive dhe të eseve.
Burimi
* Rubrika e informacioneve sjell lajme nga aktivitetet që organizojnë institucione islame organizata islame, thirrës apo ngjarje të tjera me interes për komunitetin musliman. Sjellja e informacioneve nuk nënkupton pajtueshmëri të redaksisë së Thirrja.org me ngjarjet apo përmbajtjen e informacioneve që sillen.