Nxitja e përçarjes fetare nga të huajt dhe rezultatet në terren

Propaganda e filluar nga konsujt e huaj në territoret shqiptare, që nga çereku i fundit i shekullit XIX do të jepte rezultate gjatë luftës së parë ballkanike kundër Perandorisë Osmane. Shtetet ballkanike kishin parë të gjitha opsionet dhe sipas raporteve të Fuqive të Mëdha, nuk kishin mundësi të luftonin kundër perandorisë. Ende pa filluar lufta, propaganda e aleancës së katër shteteve ballkanike i dha luftës karakter fetar. Me këtë arrinin disa objektiva: përçanin shqiptarët në dy qëndrime, ndikonin te pjesa e ushtarëve të Perandorisë Osmane e besimit të krishterë, që përbënte një të tretën e ushtrisë së saj dhe detyronte Fuqitë e Mëdha të qëndronin neutrale.
Me fillimin e luftës, shtetet e aleancës ballkanike po e bënin të qartë se gjithçka që ishte myslimane duhej zhdukur. Mbreti Ferdinand e kishte thënë që kur shpalli luftën: Kjo do të jetë lufta e kryqit kundër hënës. Madje himni i tij kishte të shkruara fjalët:

“… Përpara ushtarë të krishterë,

Marshojmë nëpër tufan,

Me kryqin e Jezusit,

I skuqur me gjak mysliman”.(1)

Me fillimin e luftës, shqiptarët nuk kishin një qëndrim të përbashkët. Shoqëritë shqiptare jashtë atdheut u bënin thirrje shqiptarëve të luftonin përkrah ushtrisë osmane për të mbrojtur atdheun. Përfaqësuesit e kolonive shqiptare në ShBA, në mbledhjen që bënë më 6 tetor 1912 në Boston, vinin në dukje se “… duke marrë parasysh faktin se po të thyhet Turqia, shtetet ballkanike do ta copëtojnë Shqipërinë”, dhe deklaronin se “Detyra e patriotëve shqiptarë është të bashkohen plotësisht me qeverinë otomane kundër armiqve të perandorisë”.
Me të njëjtat pikëpamje ishte një grup tjetër, “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”, ku bënin pjesë Salih Gjuka, Nexhip Draga, Bedri Pejani, Mid’hat Frashëri etj., të cilët, në mbledhjen që zhvilluan më 14 tetor 1912 në Shkup, vendosën të kapnin armët “…për t’i dalë zot tërësisë tokësore e lirisë së Shqipërisë”.(2)
Propaganda e fqinjëve ballkanikë dhe qarqeve religjioze fundamentaliste në Perëndim e dhanë efektin e tyre. Shqiptarët u ndanë në dy qëndrime: shumica e shqiptarëve myslimanë i bashkuan armët me ushtrinë e Perandorisë Osmane për të mbrojtur territoret shqiptare dhe popullsinë shqiptare, ndërsa një pjesë e besimeve të tjera u bashkuan me aleatët ballkanikë kundër territoreve shqiptare. Organizata “Narodna odbrana” ishte shumë efikase në Kosovë. Shumë shqiptarë të Kosovës nuk iu përgjigjën apelit për t’u rreshtuar përkrah ushtrisë së Perandorisë Osmane në mbrojtje të territoreve shqiptare dhe pasojat ishin tragjike.


Serbët morën me lehtësi Kosovën dhe iu drejtuan Shkupit. Ata kryen masakra mbi popullsinë myslimane. Në provincën e Manastirit të pushtuar nga serbët dhe grekët, përfaqësuesit britanike të Fondit të Ndihmave Maqedonase llogarisnin se tetëdhjetë për qind e fshatrave myslimane ishin djegur. Në Selanik, Manastir dhe Shkup u dyndën mijëra refugjatë myslimanë të uritur.(3)
Propaganda religjioze e shteteve ballkanike për t’i përçarë shqiptarët kishte dhënë efektet e saj dhe lufta kundër tyre mori karakterin e kryqëzatës. Shtëpitë e shqiptarëve myslimanë, fshatra e zona të tëra u shkatërruan.(4) Leo Freundilch, në librin Il Golgota dell’ Albania, botuar në Vicenca më 1913, jepte të dhëna të shumta për masakrat e serbëve kundër shqiptarëve myslimanë.
Në rrethinat e Dibrës e njëjta pamje. Të pritur edhe atje paqësisht, trupat serbe në katër muaj pushtim dogjën 20 fshatra, plaçkitën orenditë shtëpiake dhe depozitat e grurit duke u vënë më pas flakën. Shumë gra i përdhunuan, ndërsa myslimanëve u ndaluan të gjitha liritë fetare.(5)
Masakra të përgjakshme kryen edhe malazeztë. Qysh pa filluar lufta, Princi Danillo, kishte deklaruar që myslimanët e Rugovës duhej të asgjësoheshin. Në librin “Lufta për Shkodrën”, Edith Durham, përshkruan barbaritë e kryera mbi shqiptarët myslimanë.(6) Jam shumë në ankth për miqtë e mi të varfër në Shkodër”, – i shkruante Edit Durham, zotit Crane. “Një shumicë myslimanësh, fshatrat e të cilëve u dogjën dhe u plaçkitën… u larguan të llahtarisur me leckat e trupit. Edhe sikur të kthehen nuk do të gjejnë veçse shtëpi të djegura, arat e bukura dhe pjellore të shkatërruara …”(7)
Masakra të ngjashme me ato të serbëve, bullgarëve dhe malazezëve bënë edhe grekët. Në të vërtetë, në kryqëzatën kundër myslimanëve ata kishin përvojë të pasur qysh nga koha e revolucionit. Petro Harizi përshkruante dëbimin e familjeve myslimane të Korçës nga andartët: “… Gra, burra, djem, vajza, çiliminj, duke qarë, duke lebetitur, më të shumtët në këmbë, të paktët me kafshë, ca mbathur, ca zbathur, iknin me të çpejtë dhe nuk vështronin prapa. Iknin, linin shtëpitë e tyre të shkreta, linin gjënë e mallë, të gjitha, iknin, linin atdheun e tyre të dashur!”(8)
Krahas masakrave mbi myslimanët, propaganda antishqiptare dhe antimyslimane po i demonizote, ndërsa ishin të paktë zërat në mbrojtje të tyre. Në një shkrim, botuar më 8 gusht 1913 në Zvicër, dr. Mihal Turtulli, i bënte të ditur Evropës: “Populli shqiptar në këto 7-8 muaj të fundit, që është pothuajse pa qeveri, me urtësinë e tij (se në këto muaj gjëkundi nuk u bë ndonjë trazim i lehtë) rrëfeu që është shumë i urtë dhe me shenja tepër të mira. Ku janë ata të krishterë të vrarë prej myslimanëve të vendit posa që serbët i lëshuan viset që kishin marrë, ose të ngarë prej lyre? S’ka asnjë. Mendimi i armiqve është ky: Në qoftë se me gënjeshtra edhe me çpifje do të mundin të poshtërojnë katër të pestat e shqiptarëve, lufta e tyre është e fituar sepse pakica tjatër që mbetet është, thonë armiqtë, e grekosur edhe e përndarë. Na lypset të mos e lëmë pa përgjigje edhe pa luftuar rreptësishtë këtë çpifje të tmerruar.”(9)
Perandoria Osmane po shembej dhe shqiptarët do të humbitnin statusin e tyre të privilegjuar në Ballkan. Për ta do të fillonte kaluari i mundimeve si komb dhe vazhdimi i copëtimit të territoreve të tyre në favor të fqinjëve ballkanikë.
Me lufiën ballkanike (1912-1913) aleanca e shteteve ballkanike pushtoi territoret shqiptare dhe Fuqitë e Mëdha, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), vendosën copëtimin e tyre. Ushtria e Perandorisë Osmane së bashku me redifët shqiptarë luftoi për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe ia dolën të shpëtojnë Shkodrën dhe pjesë të tjera të atdheut. Gjatë luftës për mbrojtjen e territoreve shqiptare ranë afro 50 mijë ushtarë të Perandorisë Osmane, ku një numër shumë i madh vdiqën nga uria dhe sëmundjet. Në kryqëzatën ballkanike kundër shqiptarëve myslimanë u shfarosën dhjetëra mijëra prej tyre.
Alternativa e shpëtimit të tyre ishte të konvertoheshin në të krishterë. Propagandë intensive në këtë drejtim u ndërmor nga misionarët protestantë dhe nga kleri katolik roman. Misionarët protestantë “… propozuan të evangjelizonin Shqipërinë në një kohë rekord”. Kleri katolik roman që nga Roma “… lëshuan thinje solemne për të kthyer në fenë e tyre të vërtetë ortodoksët dhe myslimanët shqiptarë”. “Është për tu habitur”, – shkruante Aleksandër Popoviç, – “kur sheh se si njëra palë, ashtu edhe tjetra nuk arritën të kuptonin situatën reale në të cilën ndodhej vendi”.(10)
Me formimin e shtetit të cunguar shqiptar, përsëri u zhvillua veprimtari kundër shumicës së shqiptarëve nga ana e Fuqive të Mëdha evropiane. Ambasadori amerikan në Greqi, Fred Williams, për situatën e atyre viteve do të shkruante “Që Evropa e ka marrë në qafë mizorisht Shqipërinë, kjo as që mund të diskutohet, por që të ndreqen këto gabime duhet drejtësi”. “Myslimanët e Shqipërisë, i mbajnë për profetë të tyre të dy, si Krishtin dhe Muhametin, megjithëkëtë të dyve u janë drejtuar më kot. Tani në emër të kujt duhet ta bëjnë apelin për liri?”- pyeste ai.(11)

Fuqitë e Mëdha evropiane që e filluan copëtimin e Shqipërisë në Kongresin e Berlinit do ta vazhdonin me traktatin e fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915 dhe Konferencën e Paqes në Versajë (Paris) 1919-1920. Ishin rrethanat rastësore, rivaliteti midis Fuqive të Mëdha dhe lufta botërore që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi i mëtejshëm i territoreve të saj.
Me rënien e regjimit komunist, u rrit presioni i Fuqive të Mëdha dhe ndërhyrja në punët e brendshme. U rihapën përsëri çështjet e kufijve, të mbyllura një shekull më parë. Kufijtë e Shqipërisë, si në Jug e Veri, u bënë objekt diskutimesh, madje Malit të Zi iu dhurua tokë shqiptare. Po kështu, u diskutua kufiri me Greqinë, në jug-perëndim të vendit. U zhvilluan bisedime midis Kosovës dhe Serbisë, duke rrezikuar ndarjen e territoreve shqiptare në veri të Kosovës.

__________________________
1. Edith Durham, vepër e cituar, f. 152.
2. “Histori e Shqipërisë”, v. 2, Tiranë, 1965, f. 353.
3. Luftërat e tjera të Ballkanit, botim i shtëpisë botuese “Onufri”, f. 72. Raport i Komisionit të Ballkanit.
4. Leo Freundilch, Il Golgota dell’ Albania, Vicenca, më 1913.
5. Eugeno Vaina, La Nazione Albanese, Catania, 1917, f. 87.
6. Edith Durham, vepër e cituar, f. 163.
7. AQSH, fondi 52, dosja 9, ?. 14.
8. Petro Harizi, Istori kronografike e Qarkut të Korçës, Boston Mass, 1919, f. 85-86.
9. Gazeta “Përlindja e Shqipniës”, 24 gusht 1913, f. 3.
10. Aleksandër Popoviç, Islamizmi Ballkanik, Dituria 2006, f. 33.
11. George Fred Williams, Shqiptarët, cituar sipas prof. dr. Skënder Rizaj, E drejta e Shqiptarëve për vetvendosje, Prishtinë 2005, f. 119.

Xhafer Sadiku