Helm në mjaltë – Degjenerim në edukim
Axhendat defitretizuese
Të gjitha falënderimet e plota dhe lavdërimet absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë zotërisë së bijve të Ademit, Muhammedit ﷺ të cilin e dërgoi All-llahu mëshirë për krejt krijesat e Tij, familjes së tij fisnike, shokëve të tij besnik dhe të gjithë atyre që e pasojnë traditën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Sikur të ishte një shigjetë e vetme edhe do të kisha mundësi për ta evituar,
po nga të gjitha anët shumë shigjeta më janë drejtuar.
Edukimi i fëmijëve dhe prindërimi si proces vërtetë se nuk ka qenë asnjëherë proces i lehtë e pa pergjegjësi, siç e thot populli ynë: të hapësh një bunar me gjilperë është më e lehtë sesa të rrisësh dhe të edukosh një fëmijë. Por në ditët e sotshme ai vërtetë se paraqet sfidë më vete dhe vetëm sa vie e bëhet edhe më kompleks e më i ndërlikuar si proces. Kjo ngase nuk jemi ne prindërit të vetmit gdhendës të personalitetit të fëmijëve tanë, e as të vetmit ndikues në formimin dhe edukimin e fëmijëve tanë. Madje thënë më saktë, në ditët e sotme, ne si prindër jemi ndikuesit më të vegjël në këtë drejtim. Për më keq, si prindër që jemi ne mundohemi të luajmë rolin mbrojtës dhe korrektues të sjelljes së fëmijëve tonë, prandaj shumë shpesh në sytë e tyre ne blëhemi të bezdisshëm e monoton, përderisa prej atyre tjerëve, rrethit, shkollës, shoqërisë virtuale apo reale marrin vetëm atë që preferojnë! Megjithëatë ne si prindër, pas Allahut s.v.t., kemi mbetur të vetmit rojtarë dhe mbrojtës të tyre në arenën e ashpër të epokës në të cilën po jetojmë, kur nishan dhe shenjëstër janë mu fëmijët tonë, loçkat e zemrave tona. Ne i shohim forcat e errëta degjenruese se si çdo ditë e më shumë po gërryejnë në personalitetit dhe edukimin e fëmijëve tanë i cili është ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë. Bukur e ka shprehur poeti kur ka thënë:
Kur arrin ndërtimi shkallën e vet, nëse çfarë ti po ndërton
çdo kush tjetër për ta shkatërruar punon?!
Madje, për më keq sesa që mund të paramendohej, në kohën tonë edhe shkolla e cila pretendohet të jetë vatër edukimi dhe arsimimi, siç po duket për çdo ditë e më qartë, është shëndrruar në vatër degjenerimi dhe assesi nuk po arrin të kryej as njërin e as tjetrin rol të saj, as atë të arsimimit e lëre më të edukimit. Për sa i përket procesit arsimor të mësimnxënies është testi i PISA-së ai i cili po na e tregon derexhenë në të cilën ka arrit niveli i dijes në këto vatra të dijes në vendin tonë! Por, ska dert, pasiqë nivelin e edukatës në to e kemi mirë, kjo na ngushëllon! Normal që ishte ironi! Edhe unë edhe ju do të donim të ishte realitet… Paramendone sikur të kishte ndonjë testim sikurse ky i PISA-së për sa i përket nivelit të edukatës e moralit të nxënsëve, çfarë shkalle e në cilin vend do të poziconoheshim si shoqëri. Kjo është dhimbja jonë më e madhe e preukopimi ynë kryesor, prandaj edhe kjo temë senzibiluese sot.
Vëretë se ndikuesit negativ degjenerues janë bërë të shumtë, mediat, muzika, filmat, qasja e lehtë në kanalet dhe faqet me përmbajtje të ndytë, rrjetet sociale me tërë përmbajtjen e tyre denigruese e degjenruese etj. etj. vet interneti me tërë kontektin që përmban brenda vetes, i cili e ka vendosur fëmiun e të riun adoleshentë përballë një dynjaje të tërë të cilën e mban në dorën e vet dhe me një klikim të vetëm i ekspozohet e tëra përpara. Të gjithë këta faktorë janë duke ndikuar fort negativisht në deformimin dhe deedukimin e fëmijëve tonë. Por se do të vie dita që kundër fëmijëve tonë të punojë vet insititucioni i cili duhet të ishte në shërbim të edukimit e assesi të degjenerimit të tyre, këtë as që e kemi paramenduar. Ec e dije se në shërbim të kujt janë në këtë rast, kur miratojnë lëndë e planprograme të atilla degjeneruese çfarë pamë. Vëretë paraqet problem tepër të madh nëse vet rojatari bëhet hajdut dhe bariu kujdestar i tufës e ndjellë ujkun në torishtë. Ky popull tash e dy dekada kërkon prej pushtetarëve të vet lëndën e Edukatës Fetare ndërsa ata qohen dhe i përplasin fytyrës lëndën e Edukatës Seksuale. Të zgjedhurit tonë, ata të cilët ne kemi votuar, të moskeqkuptohemi këtu vetëm fushatë e politikë nuk jemi duke bërë e as që e kemi ndërmend të bëjmë, por në pyetje janë fëmijët tonë e ardhmja jonë. Pra këta që ne me votat tona po i sjellim në pushtet pavarsisht subjketeve politike që ju takojnë, tash e 25 vite janë duke na zhgënjyer. Qeveri pas qeverie e parti pas partie, të gjithë thujase na i kthejnë shkelmat posa të hypin në pushtet.
Po pra BIK-u[1], xhemati, ne që jemi të tyre e ata janë tonët po kërkojmë prej tyre mësimbesimin për fëmijët tonë. Janë këta po të njëjtët të cilët një udhëzim administrativ diskriminues ndaj vajzave me mbulesë nuk ishin në gjendje ta largojnë. Eh nuk e bëjnë ngase janë në zor se si t’ë na i mësojnë fëmijët tonë për edukatën seksuale dhe orientimet e trendet e fundit seksuale! Vërtetë fatkeqësi e madhe.
I Dërguari i Allahut për njerëzit që e neglizhojnë amanetin e marrë dhe nuk e dërgojnë në vendin e vet thotë: “ Çdo njeri që Allahu i ka dhënë në përgjegjësi ndonjë çështje dhe i vie vdekja në ditën kur i vie e ai ka tradhëtuar përgjegjësinë e marrë, xhenneti për të është haram” (Sahih Muslim: 142)
Ndërsa ne jemi dëshmitarë që këta tonët, prapë po themi pa dalllim njëri pas tjetrit, kanë tradhëtuar përgjegjësinë e marrë dhe kanë thyer kontratën e dakorduar mes nesh si votues dhe atyre si të votuarit tonë. Paramndeone sikurse Ministria e Shëndetsisë të filloj të shpërndaj tek pacientët viruse, helm, e sëmundje në vend të mjekimit e ilaçeve! Duket absurde por ja që është realitet përsa i përket Ministrisë së Arsimit dhe jo vetëm, ngase pak më keq se kjo është ajo e Rinisë, Kulturës dhe Sportit.
Poashtu i Dërguari i Allahut thotë: “ Çdo udhëheqës që merr përgjgjësi mbi muslimanët dhe nuk mundohet sinqerisht për ta, i tilli nuk do të hyjë në Xhennet me ta” (Sahih Muslim: 142). Duke e ditur se këta dertin nuk e kanë tek Xhenneti por tek pushteti, ne si votues të tyre duhet të jemi më vigjilent, më kërkues e më insistues përballë atyre që i kemi zgjedhur dhe ti mbajmë përgjegjës për premtimet, vendimet dhe veprimet e tyre. Mos të heshtim ndaj të keqes, le ta denoncojmë atë saherë që mundemi e kudo që mundemi. Përndryshe nëse nuk këndellemi si shoqëri dhe nuk reagojmë me kohë do të na vie puna e të themi se kishim rininë më të shëndoshë po çka na gjeti kështu e ku gabuam?! Edhe ashtu si popull i vogël e i rrethuar nga armiqët në të gjitha anët, jemi në rrezik permanetnt ekzistencial. Megjithëkëtë rreziku i brendshëm i shpërblërjes si shqoqëri; i cili si pasojë e degjenerimit moral dhe dorëzimit tonë para dukurive negative shkatërruese si droga, alkooli e prostitucioni të cilat për fat të keq në mesin e rinisë sonë pothuajse janë bërë të zakonshme, ka rritur gjendjen alarmante. Prandaj le të reagojmë të gjithë para se të bëhet vonë e të na fundoset anija ne të gjithëve. Allahu fuqiplotë thotë: “ Në të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në vetvete.” ( Rrad: 11)
Rrjedhimisht të nderuar xhemat le të jemi më vigjilent, më kërkues e më insistues në të drejtat dhe nevojat tona që na takojnë. Le të kujdesemi në radhë të parë e sa më shumë dhe sa më mirë për loqkat e zemrave tona, të cilët po dojnë të na i rrëmbejnë nga duartë e të na i degjenerojnë. Le të fokusohemi sa më tepër në përkujdesjen dhe edukimin e tyre. Kjo është një betejë me të keqen e cila synon të na i marrë fëmijët tonë prej gjirit, prandaj nuk ka vend për përtesë, lodhje, dëshprim apo dorëzim. Le të këndellemi para se të bëhet vonë. T’i imunizojmë ata me sa më shumë besim të pastërt, dashuri për Allahun s.v.t. dhe të Dërguarin e Tij s.a.v.s., t’i lidhim sa më shumë për xhami, e Mektebe të xhamive aty ku mësohet edukata e mirëfilltë islame dhe forcohet imuniteti. Aty ku mësohen vlerat e vërteta mbi të cilat nëse formohet personaliteti dhe gdhendet karakteri mos u tut për të. Njerëzimi sot më tepër se kurrë ka nevojë për vlerat morale dhe virtytet islame. Ai sot i ngjason një shktretëtire ku nuk mund të shohësh shenja jete e bimësi të njomë përveç se tepër rrallë. Morali pothuajse është në kolaps të plotë. Të gjithë ne po i jetojmë praktikisht një pjesë të atyre faktorëve të shumtë që për çdo ditë e më tepër po e grryejnë moralin individual dhe kolektiv. Shtetet dhe shoqëritë sa më të zhvilluara nga aspekti material, aq më tepër po thellohen në krizë morale dhe shoqërore. Bukur është thënë se njeriu ka arritur të dijë si të fluturojë në ajër e të shkoj në hënë, por nuk po din si të ecën në tokë.
Sot, në postmodernizëm, më tepër se kurrë njerëzimi në përgjithësi e shoqëria jonë në veçanti ka nevojë për udhëzimet e nurin e Allahut s.v.t. fjalët dhe mësimet e Librit të Tij. Të nderuar vëllezër numri total i ajeteve të Kuranit është 6236, prej tyre 130 ajete flasin për ibadetet- adhurimet ndaj Zotit, e që i bie 2.1 % e ajeteve kuranore, ndërsa 1504 ajete flasin për moralin, pra rreth 25% e ajeteve kuranore. Ky është theksi që Fjala e Allahut ka vënë në këtë temë.
Transmetohet nga Ebu Derda r.a. se Muhamedi a.s. ka thënë: “Nuk ka gjë që peshon më rënd në peshojën e besimtarit Diten e Gjykimit sesa morali i mirë”. (Elmusned: 27517)
Dhe po ashtu transmetohet nga Aishja r.a. se e ka dëgjuar të Dërguarin s.a.v.s. duke thënë: “Vërtet besimtari me moralin e tij të mirë e arrin gradën e atij që falet vazhdimisht (namaz vullnetar) dhe atij që agjëron vazhdimisht (agjërim vullnetar). (Elmusned: 24355)
Të nderuar vëllezër, Vërtetë se sprovat ndaj gjeneratave të reja në këtë kohë nuk kanë të ndalur, prandaj le t’iu ndihmojmë që të qëndrojnë stabil para tundimit të këtyre trendeve të rrezikshme për ta. Le të investojmë sa më shumë prej çdo gjëje të çmuar për më të çmuarit tonë! Në fund të fundit e kemi obligim.
“O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (Tahrim: 6)
Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org
[1] Përveç tjerash me 26 Qershor 2009 kishte mbajtur ligjëratë të unifikuar në të gjitha xhamitë e vendit.
(Hytbe, kushtuar kërkesës së Bashkësisë Islame të Kosovës për aplikimin e lëndës “Edukata fetare” në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës)