Para se të bëhet vonë – Fëmijët dhe interneti

Të gjitha falënderimet e plota dhe lavdërimet  absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë.  Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë zotërisë së bijve të Ademit, Muhammedit të cilin e dërgoi All-llahu mëshirë për krejt krijesat e Tij, familjes së tij fisnike e shokëve të tij besnikë dhe të gjithë atyre që e pasojnë traditën e tij deri në ditën e gjykimit.

Teknologjia e internetit është një nga mirësitë më të mëdha të kohës sonë, e cila ofron mundësi të mëdha për komunikim të shpejt dhe informim të lehtë.  Megjithatë, përdorimi i pakontrolluar dhe i gabuar i kësaj teknologjie mund të çojë në pasoja të dëmshme, veçanërisht për të rinjtë e me theks të veçantë tek fëmijët.

Interneti është një mjet i fuqishëm që mund të përdoret për  të avancuar në dije dhe për të forcuar marrëdhëniet familjare dhe shoqërore. Përmes internetit, njerëzit kanë mundësi të mësojnë  shumë për fenë dhe për dynjanë e tyre. Është një mjet i rëndësishëm për zhvillim personal dhe profesional.

Por nga ana tjetër, interneti mund të bëhet një burim rreziqesh për ata që e përdorin në gjëra të gabuara. Përdorimi i tij për argëtim të pafund, gjëra të kota, biseda të padenja dhe ndërtim të   marrëdhënieve të ndaluara mund të çojë në defekte të shumta të natyrave të ndryshme, fetare, morale, psikosociale. Shumë të rinjë dhe të reja dhe jo vetëm ata  sot internetin e shohin   si burim argëtimi, dëfrimi, e kotësie madje shpesh e shfrytëzojnë internetin për veprime të palejuara, çka ndikon negativisht në raport me jetën e tyre  fetare dhe shoqërore.

Dëmet fizike që disa nxënës ia shkaktuan vetes në Gjakovë dhe Kamenicë janë vetëm fluskat e fundit të  problemit që dolën në sipërfaqe, ngase çështja është edhe më e thellë dhe tepër më problematike. Mediat raportuan për më tepër se 20 raste të zbuluara ku nxënës të klasave 6-7 kishin lënduar veten me mjete të mrephta të ndikuar nga një lojë e Tiktokut.[1]

Prandaj  ne sot jemi fokusuar të flasim vetëm për dëmet dhe rreziqet e tij përballë një kategorie të caktuar dhe tepër të ndjeshme dhe që realisht është e paaftë të vetmbrohet nga cilido rrezik, përfshi edhe këtë për të cilin po flasim sot, pra janë hijeshija e jetës tonë, dritat e shiprtëave tonë- fëmijët tonë dhe interneti.

Duhet të pranojmë faktin se ne Sot jetojmë në epokën e revolucionit teknologjik të avancuar, dhe është e pamundur që ne t’i ndalojmë fëmijët tanë nga përdorimi i internetit. “Por ajo që nuk arrihet tërësisht nuk lihet tërsësisht.” Prandaj është e rëndësishme që ne t’i mbikëqyrim ata me kujdes, t’i monitorojmë se çfarë shohin dhe postojnë në faqet e tyre. Prindërit duhet të kenë fjalëkalimet e llogarive të fëmijëve të tyre, sidomos për ata që janë të vegjël, në mënyrë që të kenë kontroll mbi aktivitetet e tyre online dhe t’i ndihmojnë të shfrytëzojnë internetin për të mirë e të mbrohen nga rreziqet që ai bart në vete.

Shpesh neglizhenca e prindërve në këtë drejtim është shqetësuese, ti sheh gjithandej prindër  të cilët dalin me fëmijët e tyre në park  apo gjëtiu për të shijuar natyrën apo ndonjë kafe me shoqëri,  porse për fat të keq sheh se si fëmijët e tyre i kanë angazhuar me nga një telefon të lidhur me internet, ku ai edhe pse jashtë në natyrë mbetet i burgosur në botën e tij virtuale. Pak nga pak, dhe për shkak se ky fëmijë rritet duke e shijuar dopaminën që i japin videot e shkurtëra atraktive dhe lojërat e tij të preferuara të cilat shpesh janë jokompaktibile me moshën dhe nevojat e tij, ai fillon të  bëhet i mvarur prej tyre dhe indiferent ndaj botës reale aty ku është loja, aktiviteti fizik, psiqik e social. Krejt kjo u ngjan fëmijëve  nga duartë e atyre që i duan më së shumti, vet prindërit e tyre. Nëse një prind i jep fëmijës së tij një telefon të avancuar dhe pastaj nuk e mbikëqyr se çfarë bën fëmija me të, kjo është një formë e madhe neglizhence. Allahu na ka ngarkuar me përgjegjësinë për fëmijët tanë: ” O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (Suretu Et-Tahrim: 6).

A thua pse e bëjnë një gjë të tillë prindërit, të cilët janë në gjendje të sakrifikojnë shumçka për mirëqenien e fëmijëve të tyre,  deri në masën e rrezikimit të vetvetes për sigurinë dhe mirëqenien e tyre. Kjo ndodh  pasiqë nuk kanë përceptuar saktë rreziqet e vërteta të internetit në duartë e fëmijëve.[2] Sikur ta shihnin telefonin në dorën e fëmijës sikurse që shohin një mjet të mprehtë do të reagonin më ndryshe, por ja që përceptimi i tyre është se fëmiu po kënaqet dhe po lumturohet shumë, përballë një dëmi që është i vogël, madje në ndërdije është edhe tjetra se edhe mua po më jep komoditetin e rehatisë së dëshiruar. Prandaj le të flasim për disa prej rreziqeve kryesore në mënyrë që të vetdijësohen ata që kanë veshë për dëgjuar e zemër të hapur për të kuptuar.

 

Interneti dhe zhvillimi fizik i fëmijëve:

Përdorimi i pakontrolluar i internetit nga fëmijët mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e tyre fizik në disa mënyra:

  1. Ulja e aktivitetit fizik: Koha e gjatë e kaluar përpara ekranit zëvendëson aktivitetet fizike si lojërat, sportet ose aktivitete të tjera fizike jashtë, duke rritur rrezikun e mbipeshës dhe rrjedhimisht edhe të problemeve të tjera shëndetësore përcjellëse.
  2. Problemet posturale: Përdorimi i gjatë i pajisjeve dixhitale mund të çojë në probleme posturale, si dhimbjet në qafë dhe shpinë, deformim të boshtit kurrizor, e sidomos kur e dijmë se  fëmijët përdorin telefonat ose tabletët e tyre  në pozita të papërshtatshme.
  3. Ndikimi në zhvillimin e motorikës së fëmijëve: Koha e kaluar në internet shpesh zëvendëson aktivitete që ndihmojnë në zhvillimin e aftësive motorike të fëmijëve, si piktura, ndërtimi ose sportet.
  4. Problemet me gjumin: Ekspozimi ndaj ekranit, veçanërisht para gjumit, mund të ndikojë në cilësinë e gjumit, duke çuar në lodhje, irritim dhe gjumë jocilësor, gjë kjo e cila ka impakt të madh në zhvillimin e mirë të fëmijëve, pasiqë dihet rëndësia e gjumit tek fëmijët.
  5. Rritja e stresit dhe ankthit: Përdorimi jo i moderuar i internetit nga fëmijët si në sasi edhe në cilësi mund të kontribuojë në rritjen e niveleve të stresit dhe ankthit, sidomos kur kujtojmë se shpesh ata ekspozohen ndaj pamjeve dhe lojërave që nuk përkasin me moshën e tyre.
  6. Ndikimi në zakonet ushqimore: Përdorimi i tepruar i internetit shpesh shoqërohet me ngrënien të ushqimeve të shpejta ose të dëmshme, dhe  pakontrollë.

Efektet negative në zhvillimin e trurit[3]:

  1. Zhvillimi i aftësive të përqendrimit dhe vëmendjes: Përdorimi i tepërt i internetit, veçanërisht atyre me  përmbajtje të shpejtë dhe shpërqendruese, siç janë në trend  videot e shkurtra ose lojërat interaktive, mund të ndikojë në aftësinë e fëmijëve për të përqendruar vëmendjen për periudha më të gjata. Kjo çon në rënie të aftësisë për të qëndruar të koncentruar në detyra të tjera, si leximi ose zgjidhja e problemeve logjike etj.
  2. Mungesa e zhvillimit social dhe emocional: Ndërveprimi virtual mund të zvogëlojë kohën që fëmijët kalojnë në ndërveprime të drejtpërdrejta sociale me bashkëmoshatarët dhe familjen. Kjo zakonisht ndikon në  kufizimin e  zhvillimit të   aftësive sociale dhe emocionale të rëndësishme, si empatia, komunikimi, marëdhënia me të tjerët etj.
  3. Varësia teknologjike: Ekspozimi i tepërt ndaj teknologjisë dhe internetit mund të çojë në varësi teknologjike, ku fëmijët fillojnë të zhvillojnë nevojën për të përdorur pajisje dixhitale në mënyrë të vazhdueshme, dozë kjo e cila shkon duke u rritur në vazhdimësi. Ajo që mjaftonte dje nuk mjafton sot, ndërsa kjo që mjfaton sot nuk është e mjaftueshme nesër. Ata edhe nuk e kuptojnë se  për çfarë,  porse ekspertët të cilët paralajmërojnë e shpjegojnë këtë gjë edhe në mënyrë shkencore. Shumica e platformave me video të shkurtra janë të dizajnuara në atë formë për të krijuar një përvojë të kënaqshme dhe të shpejtë për përdoruesit, e cila  nxit lëshimin e dopaminës. Dopamina është  një neurotransmetues që lidhet me kënaqësinë dhe shpërblimin. Prandaj  fëmijët,  nga këtu hyjnë në një cikël varësie, ku ata ndjejnë nevojën për të konsumuar vazhdimisht përmbajtje të re dhe të shpejtë për të mbajtur të njëjtën ndjenjë kënaqësie.
  4. Rënia e kreativitetit: Aktivitetet pasive, si shikimi i videove ose përdorimi i lojërave pa sfida kreative, mund të kufizojnë aftësinë e fëmijëve për të zhvilluar kreativitetin dhe zgjidhjen e problemeve. Kjo mund të ndikojë në formimin e aftësive të rëndësishme për të menduar në mënyrë kritike dhe inovative.

Problem i ngecjes në të folur

Studimi nga Universiteti i Torontos (2017):

Një studim i kryer me 900 fëmijë të moshave 6 muaj deri në 2 vjeç zbuloi se fëmijët që përdornin pajisje dixhitale për më shumë se një orë në ditë kishin 49% më shumë gjasa të përjetonin vonesa në të folurit e tyre. Fëmijët që kalonin më shumë kohë para ekraneve ishin më të prirur të vonoheshin në përdorimin e fjalëve dhe ndërtimin e fjalisë. Të njëjtin  përfundim paralajmërues e jep edhe Universiteti i Harvardit dhe Akademia Amerikane e Pediatrisë ( AAP) të cilët poashtu konfrimojnë ndikimin negativ që ka ekspozimi ndaj internetit në fazat fëmijërisë së hershme. [4]  Ndërsa ne hoxhollarët shpesh  ballafaqohemi pastaj me prindër të cilët kërkojnë t’iu fryhet e t’iu këndohet fëmijëve se kanë ngecje në të folurit e tyre! As që u shkon mendja se shkaktar shpeshherë mund të jenë ata vet me moskujdesin dhe neglizhimin e tyre, duke i lënë fëmijët me orë të tëra të ekspozuar para ekraneve dhe të lirë të notojnë në oqeanin e internetit. Më paradoksalja është kur i dëgjon teksa  lavdërohen duke thënë se është tepër i zgjuar djali/vajza jonë, krejt vet i din me hi e  me dal  e ku me prek e si me instalu! Deri kur do të ngecim ne prindërit në të njëjtin vend, përderisa gjithçka rreth nesh po zhvillohet me një dinamikë të frikshme?!

Përveç këtyre që cekëm më lartë janë edhe këto rreziqe të përgjithshme që u kanosen fëmijëve gjatë përdorimit të internetit:

  • Përmbajtja e papërshtatshme: Fëmijët mund të hasin në materiale që nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre, si përmbajtje të dhunshme, pornografike ose gjuhë të papërshtatshme, që mund të dëmtojë zhvillimin emocional dhe psikologjik të tyre.
  • Ngacmimi – bullizmi kibernetik: Interneti shpesh here din të jetë një mjedis ku fëmijët bëhen viktima të ngacmimeve apo talljeve online, që mund të kenë pasoja psikologjike të rënda, si ankth, depresion dhe izolim social.
  • Abuzimi dhe mashtrimet: Fëmijët mund të bien pre e mashtruesve që përpiqen të përfitojnë nga naiviteti i tyre. Këto mund të përfshijnë kërkesa për informacion personal, cënim të privatësisë, abuzim me kontent të papërshtatshëm etj.
  • Kontaktet me të panjohur: Platforma të ndryshme të rrjeteve sociale dhe lojërave online mund t’u japin fëmijëve mundësinë të lidhen me persona të panjohur, që mund të jenë të rrezikshëm. Rreziqe të tilla përfshijnë manipulime, shantazh apo edhe abuzime të mundshme.

Këto aspekte tregojnë sesa është e rëndësishme që prindërit të inkurajojnë fëmijët të angazhohen në aktivitete fizike dhe të kufizojnë kohën që kalojnë para ekraneve, si dhe t’i mbajnë në monitorim të moderuar se çfarë kontenti po e kalojnë atë kohë të përcaktuar. Sipas ekspertëve të zhvillimit të fëmijëve dhe organizatave si Akademia Amerikane e Pediatrisë (AAP), kohëzgjatja e rekomanduar për përdorimin e ekraneve (që përfshin internetin, lojërat, dhe pajisjet dixhitale)  në varësi të moshës së fëmijëve është si në vijim:[5]

Për fëmijët nën 2 vjeç, nuk rekomandohet fare përdorimi i ekraneve përveç rasteve të kufizuara si bisedat me familjarët, pasi ata mësojnë më së shumti përmes ndërveprimeve reale. Për fëmijët 2-5 vjeç, rekomandohet 1 orë në ditë me përmbajtje kompaktibile, ndërsa për fëmijët 6-12 vjeç, një kohë prej 1-2 orësh në ditë është e përshtatshme, gjithmonë duke ruajtur balancën me aktivitete fizike dhe sociale. Për adoleshentët 13-18 vjeç, rekomandohen rreth 2 orë për argëtim jashtë mësimeve.  Tani krahasimin me realitetin po ua lë juve ta bëni vet, pasi të gjithë jemi pjesë e tij.

Prandaj, para se të bëhet vonë e të ndodh ndonjë dëm me pasoja afatgjata, mos e dhashtë Zoti, prindërit duhet të marrin sa më shumë  rolin e tyre të kujdesit mbrojtës të cilin e kanë edhe përgjegjësi. Me vullnet të lirë dhe me dëshirë çdo njëri bëhet prind, dhe posa të bëhet prind ai ka në emanet  kujdesin ndaj fëmijëve të vet. Sikurse që kujdeset mos po rrëzohen, apo lëndohen në botën reale është përgjegjësi e tij të kujdeset për ta edhe nga rreziqet virtuale, të cilat shpesh janë edhe më të rrezikshme. I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “ Çdo njëri prej jush është bari dhe do të merret në përgjegjësi për tufën e tij. Prijësi i popullit është bari dhe përgjegjës për tufën e tij (popullin e tij) dhe burri është bari i familjes së tij dhe përgjegjës për familjen e tij. Gruaja është bareshë e shtëpisë së burit dhe e fëmijëve të tyre, dhe përgjgjëse për ta, robi është bari i pasurisë së zotëriut të tij dhe përgjegjës i saj.  Pra gjithë  secili prej jush jeni barinj, dhe gjithë secili është përgjegjës për tufën e tij”. ( Shënon Buhariu dhe Muslimi).

Është përgjegjësi e prindërve që në vazhdimësi të mbikëqyrin fëmijët e tyre se çka bëjnë dhe  shikojnë, e si dhe sa  e përdorin internetin. Kjo është në domenin e përgjegjësisë së tyre për të cilën ata do të merren në pyetje në Ditën e Gjykimit. Këta janë disa hapa konkret që prindërit duhet ti marrin në raport me këtë çështje:[6]

Vendosja e kufijve të qartë kohorë për përdorim të int dhe shmangia e qasjes së pakufizuar;

Kujdesi dhe Mbikëqyrja ndaj  përmbajtjes, ku  prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për atë që fëmijët shohin dhe bëjnë në internet;

Modelimi i sjelljes së përgjegjshme: Prindërit duhet të jenë shembull i mire praktik  në përdorimin e internetit dhe pajisjeve teknologjike;

Edukimi dhe vetdijësimi: Prindërit duhet të informojnë fëmijët për rreziqet e internetit;

Hapësira të sigurta për diskutime me fëmijë: Prindërit duhet të krijojnë një mjedis të lirë dhe të besueshëm, ku fëmijët mund të ndihen të sigurtë  të diskutojnë për çështjet që hasin në internet;

Angazhimi në aktivitete jashtë internetit: Prindërit duhet të inkurajojnë fëmijët të angazhohen sa më shumë  në aktivitete fizike dhe sociale që ndihmojnë në zhvillimin e tyre të gjithanshëm.

Për fund duke ua rikujtuar rëndësinë e lutjes së prindit për fëmijët e vet  dhe të edukimit të tyre imanor si masa më imunizuese përballë të gjithë virusave të kohës e përmbyllim këtë hutbe duke ju drejtuar Allahut s.v.t. me lutjet tona  që fëmijët tanë të na i ruaj nga çdo e keqe dhe e ligë, reale apo virutuale, fizike apo psiqike qoftë ajo, si e lusim Allahun s.v.t.  që  të na e lehtësojë rritjen dhe edukimin e tyre qysh Ai ka kërkuar dhe është i kënaqur.

Thirrja.org

Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve  

 

 

[1] https://kallxo.com/lajm/dyshohet-se-8-nxenes-ne-kamenice-provuan-ta-lendojne-njeri-tjetrin-shkak-loja-ne-tiktok/

https://telegrafi.com/te-nxitura-nga-sfida-ne-tiktok-shkon-ne-numri-19-nxeneseve-ne-gjakove-qe-dyshohet-se-lenduan-duart-teh-te-mpreheseve-te-lapsave/

[2]https://prinderimi.com/perdorimi-i-internetit-a-po-bejne-prinderit-mjaftueshem-ne-rritjen-mireqenien-dhe-sigurine-e-femijeve-sot/

https://www.syri.net/sociale/212620/unicef-publikon-shifrat-ja-si-interneti-po-vret-femijet/

[3] https://shendeti.com.al/shmangia-e-teknologjise-ne-femijerine-e-hershme-dhe-te-vone/

[4] https://www.evropaelire.org/a/video-lojerat-femijet-/32398931.html

[5] https://prinderimi.com/sa-kohe-para-ekranit-eshte-shume-per-femijet/

https://kopshtiim.com/shmangia-e-teknologjise-ne-femijerine-e-hershme-dhe-te-vone/

[6] https://www.logiscool.com/xk/blog/2021-02/how-to-ensure-your-kids-are-safe-online