– CELULAT E REGJIMEVE TË SHEMBURA –

Pas hapit të parë të përmbysjes formale, lëvizjet islame përsëri alarmojnë për rrezikun e celulave të mbetura të regjimeve të falimentuara, të cilat nuk ndalen së kolaboruari për ta penguar punën e estabilishmentit të ri, e që për këtë poashtu përdorin vokabullar islam, duke ritheksuar rolin e hipokritëve-munafikëve dhe kreut të tyre Abdullah ibn Ubej ibn Selulit, i cili ishte një kolaboracionist në dëm të shtetit dhe popullatës muslimane në Medine. Ky hipokrit, fizikisht ishte pranë muslimanëve, por me zemër dhe mendime dhe me punë, ishte me armiqtë e muslimanëve, dhe shfrytëzonte çdo rast që të del në krah të tyre kundër muslimanëve. Kjo ndodh edhe sot, dhe lëvizjet islame duke treguar dhe folur për Ibn Selulin, në fakt flasin për hipokrizinë e mbështetësve të ish diktatorëve, të cilëve u qan zemra pse arritën lëvizjet islame të bëjnë vend në skenën politike botërore përmes institucioneve shtetërore.

SHEMBUJ TË KOMPLOTIT TË HIPOKRITËVE

Historia islame ka shënuar shumë raste kur hipokritët ua kthyen shpinën, i tradhtuan dhe i prenë në besë muslimanët, edhe pse ishin në mesin e tyre. Nuk luajti rol çështja e atdheut dhe ndjenjave nacionale, ngase hipokritët ishin medinas dhe ishin të të njejtit gjak me medinasit, si dhe Medineja ishte edhe atdheu i tyre. Megjithatë, edhe afërsia e gjakut, edhe afërsia e atdheut ngelën pa vlerë, kur ishte në pyetje çështja e besimit dhe bindjeve fetare. Hipokritët pranuan t’i tradhtojnë bashkëkombasit e tyre arabë-medinas, dhe t’ia ekspozojnë atdheun e tyre Medinen rrezikut, vetëm ta mposhtin Islamin, gjegjësisht fenë dhe besimin Islam. Pra, ata bashkëpunuan me pjestarë të etnive tjera, si çifutët, dhe të fiseve dhe vendeve tjera, si idhujtarët mekas, kundër bashkëkombasve dhe atdheut të tyre-Medines. Në vazhdim do të sjellim vetëm disa shembuj sa për ilustrim, për ta treguar rolin e tyre destruktiv:

– Shantazhet në luftën e Uhudit

Lufta e Uhudit i vuri për ballë për të dytën herë më seriozisht, muslimanët dhe idhujtarët. Me këtë rast, idhujtarët e sulmuan palën muslimane. Kjo luftë u zhvillua në afërsi të malit Uhud, disa kilometra larg qytetit të Medines.

Hipokritët patën një rol mjaft të rrezikshëm në këtë luftë. Kreu i tyre, Abdullah ibn Ubej ibn Seluli, u nis prej Medines bashkë me ushtrinë, por, në mes të rrugës, arriti t’i bind disa bashkëmendimtarë të tij, dhe me treqind vetë, u shkëputën prej ushtrisë muslimane dhe u kthyen në Medine.

Hipokritët dezertuan prej ushtrie, por, kjo nuk ishte më e keqja. Më e keqja ishte se ky numër përbënte një të tretën e ushtrisë muslimane, dhe kjo e pakësoi ndjeshëm numrin e ushtarëve, i cili edhe ashtu nuk ishte shumë i madh. Për Ibn Selulin dhe hipokritët tjerë, nuk ishte me rëndësi se bashkëatdhetarët e tyre janë në luftë, dhe për pasojë edhe atdheu i tyre rrezikohet. Por, për ata ishte me rëndësi që ushtria muslimane të pësojë disfatë, dhe në rastin konkret, ata këtë e panë se mund të arrihet përmes shkëputjes së tyre prej ushtrisë, me çka do të ndikonin edhe në moralin e ushtarëve tjerë. Ja si e përshkruan Kur’ani rolin e tyre:<< Ajo që ju goditi juve ditën e ballafaqimit të dy grupeve (besimtarë dhe idhujtarë), ishte me lejen e Allahut, për t’u dalluar besimtarët e sinqert (166) Dhe, për t’u ditur ata që ishin hipokritë. E atyre u është thënë: “Ejani e luftoni në rrugën e Allahut ose mbroni veten!” E ata thanë: “Sikur të dinim se do të luftohej, ne do të vinim pas jush!” Në atë moment ata ishin më afër mosbesimit se besimit. Flisnin me gojët e tyre atë që uk e kishin në zemrat e tyre, po Allahu e di më së miri për atë që e fshehin (167) Dhe ata që nuk luftuan dhe atyre të vetëve u thanë: ” Sikur të na dëgjon neve (e të ktheheshin siç u kthyem ne ), nuk do të mbyteshim!” thuaju: “Largonie pra vdekjen prej vetes suaj, nëse jeni të sigurt çka thoni?”(168)>>.[1] Muxhahidi transmenton prej Xhabir ibën Abdullahut i cili thotë:Ky ajet ka zbritur për Abdullah ibën Ubejj ibën Selulin.[2]

– Shantazhet në luftën e Hendekut

Lufta e Hendekut është një ndër luftërat më të njohura në historinë islame të kohës së Muhamedit s.a.v.s. Në këtë luftë, ushtria kundërshtare ishte shumë më tepër në numër dhe shumë më e përgatitur me arsenal luftarak, se sa ushtria muslimane. Me këtë rast, shteti islam i Medines u rrezikua seriozisht, dhe me qëllimtë rezistimit sa më të suksesshëm të armikut, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pranoi propozimin e Selman Farisijut që të zbatohet një metodë luftarake e persianëve, të cilët kur janë ballafaquar me ushtri të mëdha dhe të fuqishme, kanë hapur hendeqe rreth qytetit, me qëllim që armiku të mos mund të depërtojë. Me këtë, hendeqet u lehtësonin shumë punë muslimanëve dhe u nxrrinin shumë telashe armiqve të tyre.

Muslimanët iu përveshëm punës pëpr hapjen e hendeqeve, ndërkaq hipokritët, menjiherë filluan me shantazhet e tyre, me qëllim që plani të dështojë dhe ushtria islame të mposhtet dhe shteti islam të shkatërrohet. Ja si i përshkruan Kur’ani shantazhet e tyre:<<Kur hipokritët dhe ata që në zemrat e tyre kishin sëmundje, thonin: “Allahu dhe i dërguari i Tij, nuk na premtuan tjetër vetëm se mashtrim!” (12) Dhe kur një grup prej tyre thanë: “O banorë të Jethribit, nuk ka qendresë për ju, ndaj kthehuni!” E një grup prej tyre kërkonin lejen e Pejgamberit, duke thënë: “Shtëpitë tona janë të pambrojtura!” Edhe pse ato nuk ishin të pambrojtura, në realitet ata nuk donin tjetër por vetëm të iknin (13)>>[3], <<Allahu i ka njohur shumë mirë ata që ndër ju pengonin dhe ata që vëllezërve të vet u thonin: “Ejani me ne!” E ata nuk vijnë në luftë, vetëm një pakicë (18) Janë kopracë ndaj jush (nuk ju duan të mirën). E kur u vjen frika i sheh ata të shikojnë ty, e sytë e tyre rrotullohen si të atij nga të fiktit para vdekjes, e kur largohet frika, ata ju shpojnë juve me gjuhë të mprehta, lakmues për pasuri (për plaçkë -ganimet). Të tillët nuk kanë besuar, andaj Allahu ua asgësojë veprat e tyre, e kjo për Allahun është lehtë (19)>>.[4]

Propaganda me rastin e ngjarjes te pusi

Hipokritët nuk lanë rast pa shfrytëzuar dhe pa u munduar që ta shndërrojnë në favor të tyre për ta goditur bashkësinë muslimane. Këtë e bërë edhe me rastin e një ndodhie, e cila ndodhi me rastin e kthimit të muslimanëve prej betejës me fisin Beni Mustalik, konkretisht, kur ishin ndalur të pushojnë pas betejës, dhe te një pus që ndodhej aty plasi sherri mes dy personave. Një shërbetor i Omer ibn Hattabit pati mosmarrëveshje me nji banor të Medines. Mosmarrëveshja kaloi në zënkë mes këtyre dy personave, ashtu që çdo njëri nga ata i thirri në ndihmë njerëzit e palës së vet, gjegjësisht njëri thirri:”O Muhaxhirë”, e tjetri thirri “O Ensarë”. Kjo qe shkak që rreth tyre të mblidhen njerëz nga të dy palët dhe të fillojnë të fjalosen mes veti e të lëshojnë fjalë kundër njëri-tjetrit. Kur dëgjoi për këtë zënkë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. menjiherë reagoi duke u drejtuar kah ata dhe duke u thënë:”A mos të dëshironi të ktheheni në kohën e injorancës, duke qenë unë në mesin tuaj. Lereni këtë, se ka erë të qelbur”.

Këtë ndodhi mes këtyre dy personave, e cila pastaj përfshiu edhe njerëz tjerë nga të dy palët, kreu u munafikëve, Ibn Seluli, e shfrytëzoi që të shkaktoj përçarje mes muslimanëve. Ai menjëherë iu drejtua njerëzve të vet të fisit Hazrexh:”Këta janë ata të cilët ne i strehuam, kurse sot na poshtërojnë”. Me këto fjalë, ai deshi që t’i kthejë muslimanët në kohën para ardhjes së Muhamedit s.a.v.s. kur ishin të ndarë në baza fisnore. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. intervenoi dhe nuk la që propaganda e kreut të munafikëve Ibn Selulit të ushqehet dhe të trashet.

Këtë shembull, veprimtarët e lëvizjes islame e tregojnë për të paralajmëruar për rrezikun e Ibn Selulave në mesin e forcave që iu bashkangjitën revolucionit kundër tiranëve. Këta, edhe pas perëndimit të pushtetit të diktatorëve arabë, nuk do të pushojnë së vepruari kundër mbështetësve të kauzës islame, të cilët më sinqerisht i qëndruan lëvizjes kundër pushteteve diktatoriale e totalitare arabe.

SHEMBUJ NGA HISTORIA ISLAME

Historia islame prej pas transferimit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në Ahiret dhe më pas, ka shënuar nji varg rastesh kur figura të shquara të sahabeve, tabi’inëve dhe dijetarëve të shquar, i kanë kundërshtuar pushtetarët, për të cilët kanë gjykuar se nuk veprojnë drejtë dhe nuk duhet të ndiqen në gabimet që kanë bërë.

Kështu, burimet e ndryshme relevante historike islame, si Ibn Xherir Taberiju, Ibn Kethiri, Ibn Asakiri, Dhehebiju etj., shënojnë se banorët e Medines, në vitin 63h/683 u rebeluan kundër pushtetit të Jezid ibn Muavijes dhe ndodhi beteja e njohur si Beteja e el-Harre-s në Medine.

Poashtu, rebelimi i tyre ka qenë vazhdimësi e rebelimit të mëhershëm të Ibn Zubejrit dhe bashkëmendimtarëve të tij kundër Jezidit dhe pushtetit Emevit.

Kundër pushtetit është rebeluar edhe Husejn ibn Aliu, nipi i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., të cilit iu bashkangjitën shumë njerëz.

Nga gjenerata e tabi’inëve, kundër pushtetit të Haxhaxhit është rebeluar Hasen el-Basriju, një figurë e shquar e dijes dhe devotshmërisë në brezin e tabi’inëve. Bashkë me të, kundër pushtetit të Haxhaxhit janë rebeluar edhe shumë emra tjerë të njohur të brezit të tabi’inëve në krye me Ibn el-Esh’athin.

Me këtë rast, duhet përmendur edhe kundërshtimin e disa sahabeve të mëdhej ndaj vendimit të Muavije ibn Ebi Sufjanit në vitin 56h, që trashigues të pushtetit pas tij ta len djalin e vet Jezidin dhe popullata ta pranoje atë si drejtues legjitim të shtetit. Këtë vendim e kundërshtuan asahbe të mëdhej si:Abdullah ibn Omeri, Abdullah ibn Zubejri, Abdullah ibn Abasi, Abdurrahman ibn Ebi Bekri, Husejn ibn Aliu etj. Edhe pse këta nuk janë rebeluar ushtarakisht kundër Muavijes r.a., megjithatë e kanë kundërshtuar fuqishëm këte vendim të tij.

Në këtë kontekst, këto shembuj, dhe vetë veprimi aktiv i lëvizjeve islame në mposhtjen e pushteteve të dhunshme totalitare arabe, ndihmojnë dukshëm në kuptimin e saktë të një çështje mjaftë diksutabile në fikhun politik të të drejtës islame, gjegjësisht çështjen e el-huruxh, apo rebelimit kundër pushtetit, që përmendet në disa hadithe. Me këto shembuj, dhe me veprimtarinë aktive, lëvizjet islame treguan se këto hadithe dhe kjo çështje nuk mund të merret si mbulesë për pushtetet totalitare arabe që perënduan.

Ajo që aludohet në hadithe, sipas kuptimit të saktë, është ndalimi i rebelimit të grupeve, e jo e popullit. Mos pjesmarrja në fitne, është për qëllim, mospjesmarrja në rebelime që kanë për qëllim plaçkitjen, turbulencat dhe prishjen e rendit dhe sistemit, jo refomrat dhe ndryshimet pozitive. Nëse rebelohet i tërë populli, apo pjesa më e madhe e popullit, atëherë nuk kemi të bëjmë me ndalesë për popullin që të ngritet kundër pushtetarit tiran, por pushtetari e humb legjitimitetin, ngase ai thirret në emër të popullit, për këtë edhe duhet të largohet.

Poashtu, ndalimi i rebelimit lidhet me pushtetarin e drejtë, apo siç quhet “el-imamu-l- adil”(udhëheqës i drejtë), dhe ky pushtetar duhet të dëgjohet, të respektohet dhe mos të protestohet kundër tij. Ndërkaq, pushtetarët arabë kundër të cilëve u ngrit populli, nuk ishin të drejtë, dhe as që e zbatonin ligjin e Allahut të Madhërishëm. Kjo dhe në mënyrë unanime është e miratuar nga dijetarët se nuk ka dëgjueshmëri ndaj një krijese e cila i shkel ligjet e Allahut.

Bashkim Aliu


[1] Kaptina Ali Imran, 166-168.
[2] Cituar sipas: Tefsiri i Ibn Kethirit.
[3] Kaptina el-Ahzab, 12-13.
[4] Kaptina el-Ahzab, 18-19.