Pikërisht, lëvizjet që e promovuan opsionin islam si zgjidhje të popullit arab musliman në botën arabe, duke i dhënë një kornizë më të gjërë dhe gjithpërfshirëse nocionit të shtetit islam, se sa thjeshtë zbatimi i ligjeve dhe miratimi i një legjislature të caktuar, ushqyen shëndetshëm, gjatë dhe përshtatshëm, apetitet e brezit të ri të botës së globalizuar, për t’u ripozicionuar si popull dhe entitet në hartën politike dhe në zonat strategjike të botës bashkëkohore, e që filloi me pastrimin e terrenit nga parazitët politikë dhe nacional, të cilët falë diktaturës, e lanë mbas çështjen arabe dhe popullatën muslimane me dekada.

Duke u shërbyer shpesh herë me historinë, që disa e cilësuan si monotone, demode dhe të papërshtatshme për mentalitetin e ri, lëvizjet islame vunë në pah dështimin e pushteteve, qeverive dhe shteteve të ndryshme, për shkak të të njejtave shkaqe që i detektonin edhe te qeveritë tashmë të përmbysura pseudonacionaliste servile arabe. Duke përdorur si simbole të të keqes emra nga vokabullari Kur’anor, i cili ka theksuar si destruktivë dhe mohues të Zotit, Faraonin, Nemrudin, Karunin, Hamanin, etj., lëvizjet islame folën shumë në një mënyrë mjaft të sofistikuar për dështimin e pushteteve të dhunës, korrupsionit, abuzimit dhe anarkisë, ngase ligjet e Zotit në botë, me dëshminë e Kur’anit dhe historisë, kanë vërtetuar një përfundim të tillë, por këto mesazhe, o nuk u kuptuan drejtë, o nuk deshën të kuptohen nga ata, kundër të cilëve drejtoheshin. Megjithatë, mbetën objekt frymëzimi për forcat progresive popullore.

Ekzistimi i këtyre lëvizjeve, edhe pse jolegale sipas sistemeve diktatoriale në botën arabe, dhe prezenca e liderëve të tyre të ekzil, nga vetvetiu ka hapur dilema dhe pyetje për njerëzit në shtetet amë, dhe në veçanti për brezin e ri, pse këta njerëz duhet të jenë larg trollit të vet, dhe për çfarë mëkati këto lëvizje janë jolegale. Normalisht, këto dilema dhe pyetje kanë qenë karburant i fuqishëm i motorit të revolucionit i cili ka punuar, por që zëri ka qenë i padëgjueshëm sa duhet në periudha të ndryshme kohore.

Me këtë rast, duhet anashkaluar me çdo kusht keqkuptimin e shpeshtë, jo vetëm te shtresa laike e qasjes ndaj Islamit dhe Lëvizjeve Islame, por edhe te disa oratorë dhe autorë muslimanë, të cilët shpjegimin e rrëfimeve kur’anore në kontekst të realitetit të krijuar të rebelimit ndaj pushteteve diktatoriale, e shohin se politizim të Islamit dhe të mësimeve të tij, apo me fjalë tjera, instrumentalizim të mësimeve islame dhe rrëfimeve e historive Kur’anore, për qëllime politike dhe partiake e grupore. Bile, ka të tillë që mendojnë se qasja e kësaj natyre ndaj historive Kur’anore, është oksidentializim i përsiatjeve në tekstet fetare dhe komentimin e historisë, i ndikuar nga revolucioni francez dhe natyra opozitare oksidentialiste.

Mirëpo, qasja e këtillë analitike dhe interpretimi në dritë të zhvillimeve aktuale të rrëfimeve dhe historive, s’ka të bëjë domosdoshmërisht me një mënyrë krejt të re të panjohur më parë të interpretimit të historive dhe rrëfimeve Kur’anore, por është një vazhdimësi e qëndrimeve antidiktatoriale dhe rebeluese ndaj pushtetarëve të padrejtë që nga koha e sahabeve dhe më pas. Është gabim të mendohet se version tradicional dhe më autentik i interpretimit të historive dhe rrëfimeve Kur’anore është këputja e lidhjeve të pëmbajtjes së rrëfimeve Kur’anore me realitetin ekzistues dhe me zhvillimet që ndodhin në periudha të ndryshme historike. Dhe e kundërta është e saktë, gjegjësisht, moskëputja e lidhjeve të përmbajtjes së rrëfimeve Kur’anore me zhvillimet në periudha të ndryshme kohore, nuk është oksidentializim i Islamit, apo politizim i interpretimeve Kur’anore.

Nëse do të donim t’i nënvizonim në mënyrë më specifike disa rrëfime Kur’anore të cilat bartin frymë antidiktatoriale dhe shpirt protestues kundër të keqes të të gjitha llojeve, në këtë kontekst edhe të asaj politike, do të përmendim sa vijon:

FARAONI, SIMBOL I KRIMIT TË TË GJITHA LLOJEVE

Kur’ani famëlartë ka folur në disa kaptina të tij për një pushtetar tiran dhe të devijuar, i cili ka qenë simbol i së keqes, dhunës, terrorit dhe çoroditjes, në këtë kontekst, mund të nënvizojmë tre segmente si më të dalluara:segmentin e besimit, atë politik, dhe të drejtave të njeriut. Për abuzimet ekonomike dhe financiare të Faraonit, do të duheshin shumë fletë dhe ngjyrë, por, në krahasim me segmentet e përmendura, këto të fundit ngelin nën hije.

Faraoni u përshkrua në Kur’an si pushtetar tiran i cili tejkaloi çdo normë, dhe i cili nuk u vu në siklet aspak për të drejtat e njerëzve. Pushteti i tij ishte absolutist dhe totalitar, i dhunshëm dhe diskriminues.

Por, karshi këtij pushtetari të egër dhe të degjeneruar si në aspektin doktrinor, poashtu edhe në atë moral, dhe në të gjitha aspektet tjera të jetës, qëndroi Musai a.s. dhe Haruni a.s., dy të dërguar të Allahut, simbol të pastërtisë në besim, moral dhe çdo fushë të jetës. Këta e kundërshtuan Faraonin, nuk u pajtuan me mënyrën e tij të pushtetit, e thirrën të hek dorë prej besimit të gabuar dhe bindjes primitive se ai është zoti më i madh i njerëzve, kërkuan që mos i shtyp dhe mos i diskriminoj njerëzit dhe mos të jetë i padrejtë ndaj shtresave të ndryshme të shoqërisë. Në fakt, Musai a.s. dhe Haruni a.s. kërkuan prej tij reforma rrënjësore në të gjitha aspektet, si në besim, politikë, ekonomi, shoqëri, të drejtat e njeriut, politikën e jashtme dhe të brendshme, etj. Por, përgjigja e Faraonit qe negative, bile jo vetëm kaq, por edhe kaloi në veprime konkrete për eliminimin fizik të Musait a.s., Harunit a.s. dhe besimtarëve tjerë të cilët u ishin bashkangjitur atyre. Musai a.s. iu kundërvu atij me të gjitha forcat, edhe intelektualisht edhe fizikisht, dhe iu drejtua Allahut të Madhërishëm me lutje që ta shpëtojë prej këtij pushtetari injorant, blasfemist dhe tiran e arrogant duke thënë:<<: “Zoti ynë, Ti i ke dhënë faraonit dhe parisë së tij mjete të përjetimit dhe pasuri në jetën e kësaj bote, ashtu që o Zot ynë, po i largojnë njerëzit prej rrugës tënde. Zoti ynë, zhduke pasurinë e tyre, shtrëngoi zemrat e tyre, e të mos besojnë derisa të shijojnë dënimin e idhët (88)>>.[1]

Allahu i Madhërishëm e pranoi lutjen e Musait a.s., ngase ishte lutje e një të dërguari të Allahut, dhe një njeriu që e luftonte të keqen, bënte rezistencë kundër tiranëve dhe abuzuesve të të gjitha formave:<<Ai (Allahu) tha: “Lutja juaj është pranuar, prandaj ju të dy qëndroni ashtu si jeni e mos ndiqni rrugën e atyre që nuk dinë! (89)>>.[2]

Dhe çka ndodhi? Ndodhi ajo që ishte e pritshme nga një njeri dhe pushtetar i korruptuar dhe degjeneruar:Shkatërrimi i tij dhe i pushtetit, si dhe rrënimi i mbretërisë së tij, dhe fitorja e besimtarëve të denjë. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<Ne i kapërcyem beni israilët përtej detit, e faraoni dhe ushtria e tij i ndoqi mizorisht dhe armiqësisht derisa e përfshiu atë përmbysja, e ai tha: “Besova se nuk ka Zot tjetër pos Atij që i besuan beni israilët, edhe unë jam nga muslimanët!” (90) Ti tani beson, ndërsa ma parë kundërshtove dhe ishe njëri prej shkatërruesve! (91) Sot po të shpëtojmë ty (po të nxjerrim prej detit) me trupin tënd (të vdekur), që të shërbesh si argument për ata që vijnë pas teje. Vërtet, ekziston një shumicë njerëzis që nuk hulumtojnë argumentet Tona (92)>>.[3]

Rrëfimi i përfundimit të Faraonit, paraqet mesazh të qartë dhe bindës se zullumqarët do të mbarojnë keq, por lypet prej besimtarëve të denjë dhe konstruktivë të jenë optimistë, aktiv dhe rezistues kundër këtyre pushtetarëve dhe sistemeve, çdo herë duke e vënë në rend të parë besimin në Allahun, përkushtimin ndaj fesë së Tij, devotshmërinë sinqeritetin në lutjet drejtuar Allahut dhe punën për reforma dhe transformim shoqëror.

NEMRUDI, SIMBOL I INJORANCËS, ARROGANCËS DHE MOHIMIT

Kur’ani famëlartë na ka folur edhe për një pushtetar tjetër të dështuar i cili u shndërrua në simbol të tiranisë, injorancës, arrogancës dhe mohimit. Fjala është për Nemrudin i cili u ballafaqua me të dërguarin e Allahut, Ibrahimin a.s. Mënyra e tij injorante dhe arrogante e sundimit, nuk arriti ta tejkalojë vendosmërinë dhe rezistencën e Ibrahimit a.s. Edhe pse ishte i vetëm, Ibrahimi a.s. nuk u zbraps nga denoncimi i politikave të gabuara të mbretit tiran Nemrud, dhe parasëgjithash, mohimit të besimit të tij të gabuar, duke e thirrur atë dhe popullin që ta braktisin besimin e gabuarn dhe ta pranojnë besimin e drejtë në Allahun Nji dhe të pa shok. I thirri të bëjnë reforma rrënjësore të cilat do të prekin çdo sferë të jetës ë tyre, ta ndryshojnë mënyrën e të menduarit për fenomenet natyrore dhe shoqërore, dhe kur është në pyetje pushtetari, ta ndryshojë qasjen e tij ndaj popullit, shtetit dhe mënyrës së administrimit të gjërave. Për këtë, Allahu i Madhërishëm e quajti Ibrahimin a.s. “umet”, edhe pse ishte i vetëm. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<Me të vërtetë që Ibrahimi ka qenë një umet, adhurues i Zotit, besimtar i drejtë dhe nuk ishte politeist>>.[4] Muxhahidi ka thënë:”Fjala “umetten”, do të thotë se ai vetë ka përfaqësuar një umet-një popull”.[5]

Përgjigja e sundimtarit të degjeneruar nga të gjitha aspektet-Nemrudit, qe negative dhe e ashpër, gjegjësisht, jo vetëm që nuk e pranoi ftesën e Ibrahimit a.s., por edhe e luftoi me të gjitha forcat që kishte. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<A nuk e ke parë atë (Nemrudin)që polemizoi me Ibrahi­min rreth Zotit, dhe që Zoti i kishte dhënë pushtet. Kur Ibrahimi tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe vdekje”! Ai tha: “Edhe unë jap jetë dhe vdekje”! Ibrahimi tha: “Zoti im e sjell diellin nga lindja, sille pra ti atë nga perëndimi”? Atëherë ai që nuk besoi mbeti i hutuar. Zoti nuk e shpie në rrugë të drejtë popullin mizor>>.[6]

Ibn Kethiri, përkitazi me këtë ka komentuar:”Nemrudhi nuk e e mohonte ekzistimin e Krijuesit, por ai e pretendoi këtë pozitë nga mendjemadhësia dhe kokëfortësia duke u munduar të krijojë përshtypje se Ai është i Cili i bën këto gjëra, se Ai është i cili jep gjallëri dhe vdekje.Rrugën e tij e pasoi më vonë edhe Faraoni, kur tha:<<…unë nuk njoh ndonjë zot tjetër për ju pos meje…>>[7].

Për këtë, ai pasi u tregua kaq mendjemadh, Ibrahimi i tha:<< >>( Zoti im e sjell diellin nga lindja, sille pra ti atë nga perëndimi?”…), d.m.th. nëse ti me të vërtetë je ashtu si që pandeh, pra se jep jetë dhe vdekje, atëherë dije se Ai që jep jetë dhe vdekje, dirigjon me krijesat, gjegjësisht Ai i ka krijuar krijesat, Ai ia ka nënshtruar Vetes trupat qiellor dhe lëvizjen e tyre.Kështu, ky Krijues e bën që dielli çdo ditë të lind në lindje, e nëse ti je zot, si që pandeh, i cili jep jetë dhe vdekje, atëherë bëne që dielli të lind nga perendimi? E ky kur e pa se është i pa fuqishëm, i pa aftë të vazhdojë në polemizim dhe nuk mund të jetë edhe më tej mendjemadh në këtë drejtim, u habit dhe u shtang, pra shuajti dhe nuk mundi të flet sepse u mposht nga argumentet bindëse”.[8]

Me këtë rrëfim Kur’anore, lëvizjet islame thirrën në domosdoshmërinë e demantimit të tezave të pushtetarëve, të cilët filozofinë e tyre politike dhe domosdoshmërinë e të qenit të tyre detyrimisht në krye të shtetit, e justifikonin me turbullirat që mund të shkaktohen në shoqëri nga ardhja në pushtet e lëvizjeve islame, jokompatibilitetin e ndërtimit të sistemit shtetëror mbi parimet e sheriatit me kohën dhe rrethanat aktuale, dhe ngushtimin e hapësirës politike, ekonomike, kulturore dhe jetësore të pjestarëve të feve tjera, në rast se shteti gjykon sipas konceptit islam të qeverisjes.

MBRETI NË KOHËN E JUSUFIT A.S., NEVOJA E PUSHTETIT PËR DIJETARËT

Një rrëfim tjetër Kur’anor që përmban mesazhe të shumta për individin, shoqërinë, ekonominë, politikën, shkencën dhe çdo sferë të jetës, është ai i të dërguarit të Allahut, Jusufit a.s., i cili kaloi nëpër sfida dhe sprova të shumta, por në asnjë mënyrë nuk u përkul dhe nuk u dorëzua para të pavërtetës dhe presionit, bile edhe para presionit të klasës sunduese dhe njerëzve me ndikim, siç ishte rasti me gruan e mbretit të Egjiptit. Dhe rezistenca e vendosmëria e Jusufit a.s. në parime, si dhe të jetuarit e tij për ideale të besimit të Teuhidit, sollën për rezultat ngadhnjimin e tij, pastrimin e tij nga të gjitha akuzat, dhe ardhjen e tij në pozita udhëheqëse në shtet, që në kohën e sprovave, as që kishte mund të merret me mend nga ndonjë nga aktorët e ngjarjeve të lidhura për të. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<Mbreti tha: “Me sillni mua atë, thjeshtë ta veçoj për veten time!” (ia sollën Jusufin) E pasi që bisedoi me të tha: “Tash ti ke te na pozitë dhe je i besueshëm” (54) >>; <<Dhe kështu Ne Jusufit i dhamë pozitë në vend (Egjipt)zinte vend aty ku dëshironte. Ne u japim nga të mirat Tona kujt të duam, Ne nuk ua humbim shpërblimin punëmirëve>>.[9] Pra, kështu është ligji i Allahut, dikë e ngre, edhe pas një kohe sprovash kur testohet besimi dhe vendosmëria e tij, dhe dikë e ulë dhe poshtëron, edhe pas një kohe sprovash me pushtet, pasuri dhe ndikim, që të vërtetohet se njëmend ai e ka merituar një përfundim të tillë.

Përmes rrëfimit të Jusufit a.s., lëvizja islame dha shumë mesazhe dhe e ushqeu fuqishëm dhe gjithanshëm shpirtin revolucionar të besimtarëve për rebelimin kundër tagutëve dhe tiranëve injorantë, por, ajo që duhet të nënvizohet me këtë rast është mesazhi i varësisë së pushtetarit prej dijetarit, dhe jo e kundërta. Për këtë, kur e kanë pyetur një pushtetar për sekretin e fuqisë dhe autoritetit të Hasan el-Basrijut, ka thënë:”Ne ishim të nevojshëm për fenë e tij, ndërkaq ai nuk kishte nevojë për pasurinë dhe pushtetin tonë”.[10]

Kjo shihet me rastin e kërkesës së mbretit që t’i interpretohet ëndërra që kishte parë, e pasi nuk e kënaqën interpretimet e fallxhorëve, e pranoi propozimin e një shërbyesi që këtë ta bëjë një i burgosur i cili është i ditur, gjegjësisht Jusufi a.s. Pasi Jusufi a.s. bëri interpretimin adekuat të ëndrrës, mbreti kërkoi që të sillet tek ai në oborin mbretëror Jusufi .a.s., por ky i fundit, nuk pranoi të shkon me vrap te mbreti, pa iu plotësuar kushtet. Dhe çka ndodhi? Mbreti detyrohet t’i pranoj kushtet e Jusufit a.s. Pra, ky është një shembull i përjetshëm i dorëzimit të mbretit para dijetarit, në këtë rast të dërguarit të Allahut, Jusufit a.s. Ja si e përshkruan Kur’ani këtë rast:<<E mbreti tha: “Më sillni mua atë (Jusufin)!” Dhe kur i shkoi atij (Jusufi) i dërguari (i mbretit), ai tha: “Kthehu te zotëriu yt dhe pyete atë: ç’ëshë puna e grave, që i prenë duart e tyre? Vërtet, Zoti im e di shumë mirë dredhinë e tyre” (50) Ai (mbreti) tha: “Çka ishte puna juaj kur ju vetë e dëshiruat (iu vërsulët) Jusufin?” Ato thanë: “Zoti na ruajt, ne nuk dijmë ndaj tij asnjë të keqe!” Gruaja e ministrit tha: “Tash doli në shesh e vërteta, e unë iu vërsula atij me dashuri, e ai është nga të drejtit!” (51) Këtë (e bëra thotë Jusufi) për ta ditur ai (ministri) se unë nuk e tradhtova tinëzisht dhe së vërtet Allahu nuk realizon dredhinë e tradhtarëve (52)>>.[11] Ibn Kethiri, përkitazi me këto ajete komenton:”Allahu i Madhërishëm tregon për mbretin se kur ia sollën lajmin për komentimin e ëndërrës së tij, atij ky koment i pëlqeu dhe e bindi. Me këtë, e pa se Jusufi a.s. ishte njeri me vlera të larta, i ditur dhe kishte edukatë të mirë në krahasim me banorët tjerë të mbretërisë së tij, dhe tha:<< >>( Më sillni mua atë…), d.m.th. nxirreni atë njeri prej burgu dhe sillnie këtu. Por, kur shkoi i deleguari i mbretit t’ia kumton këtë urdhër Jusufit a.s., ai nuk pranoi të dale derisa mbreti dhe paria e tij nuk e vërtetojnë pafajsinë, pastërtinë dhe ndershmërinë e tij, për atë që ia shpifi atij gruaja e ministrit, si dhe se burgu ishte padrejtësi dhe zullum ndaj tij, e jo se ai e meritoi këtë dënim. Për këtë, i tha të deleguarit të mbretit:<< >>( “Kthehu te zotëriu yt…).”[12]

MBRETI QË HAPI HENDEQET, PUSHTETARI QË NUK ARRITI T’I GJUNJËZOJË DIJETARËT DHE BESIMTARËT

Kur’ani famëlartë në kaptinën el-Buruxh na flet për një ndodhi që ka ndodhur te popujt e mëparshëm, kur një mbret i cili kishte një magjistar si këshilltar të parë të tij, u sfidua nga një djalosh i cili ishte zgjedhur pikërisht nga magjistari që t’ia mësojë zanatin e magjisë, pasi vetë ishte plakur, por, djaloshi në rrugë e sipër takoi një besimtar të devotshëm i cili kishte dituri në fenë e drejtë, dhe u ndikua nga ai, besoi në fenë e vërtetë dhe e braktisi besimin e gabuar të magjistarit dhe mbretit. Ky djalosh e besoi Allahun sinqerisht, dhe me ndihmën e Allahut i shëronte të sëmurët. Në mesin e atyre të cilët i shëroi ishte edhe një nga njerëzit e afërt të mbretit.Shërimi i këtij personi të afërm të mbretit, e hapi frontin e përballjes mes mbretit, simbolit të mosbesimit, arrogancës, injorancës dhe dhunës, dhe djaloshit, simbolit të besimit, përparimit, pozitivitetit, dijes dhe udhëzimit. Ja si paraqitet përplasja e dy rrugëve: asaj të besimit dhe të mosbesimit, në rastin në fjalë, në transmetimin vijues:”Mbreti kishte një mik të afërt, këshilltar të vetin, i cili ishte verbuar. Kur dëgjoi për djaloshin, ky person i solli dhurata të shumta dhe i tha:”Më shëro dhe merri të gjitha këto dhurata që i sheh këtu”. Djaloshi ia ktheu:”Unë nuk shëroj askë, por Allahu i Madhërishëm është Ai që shëron. Nëse ti i beson Allahut, unë do ta lus Atë që të të shëron”. Personi në fjalë besoi, e djaloshi e luti Allahun dhe Allahu e shëroi.

Më pas, këshilltari shkoi te mbreti dhe u ul si zakonisht pranë tij. Mbreti kur e pa, e pyeti:”O ti, kush ta ktheu shiqimin?” Personi u përgjigj:”Zoti im”. Mbreti e pyeti:”Unë?” Personi iu përgjigj:”Jo, por Allahu që është Zoti im dhe Zoti yt”. Mbreti i tha:”A paske ti zot tjetër pos meje?” Personi ia ktheu:”Po, Zoti im dhe Zoti yt është Allahu”. Mbreti filloi ta torturojë derisa e detyroi të tregojë për djaloshin.

Mbreti dërgoi disa njerëz që t’ia sjellin djaloshin, e kur ia sollën, e pyeti:”O djalosh, si arrite kaq tepër me magji që të shërosh njerëz të verbër, me leprozë dhe të sëmurë tjerë?” Djaloshi iu përgjigj:”Unë nuk shëroj askend, por Allahu i Madhërishëm i shëron”. Mbreti i tha:” Mendon, unë?” Djaloshi ia ktheu:”Jo”. Mbreti i tha:”A paske ti zot tjetër pos meje?” Djaloshi i tha:” Zoti im dhe Zoti yt është Allahu”. Atëherë, mbreti filloi ta torturojë djaloshin pa ndërprerë derisa e detyroi të tregojë për murgun.

Ia sollën edhe murgun, dhe i tha:”Lene fenë tënde”. Murgu nuk pranoi ta bëjë këtë, e mbreti ia vuri sharën në kokë dhe ia ndau kokën në dy pjesë. Pastaj, iu kthye të verbërit dhe i tha:”Lene fenë tënde” Edhe i verbëri nuk pranoi ta bën këtë, e mbreti ia vuri sharën në kokë dhe ia ndau kokën në dy pjesë. Të dy pjesët e kokës ranë në tokë. Më pas, iu kthye djaloshit dhe i tha:”Lene fenë tënde”. Djaloshi nuk pranoi të hek dorë prej fesë së Allahut, e mbreti urdhëroi që disa vetë ta marrin ta dërgojnë në një kodër të caktuar, dhe u tha:”Kur do të arrini në maje të kodrës, nëse e mohon fenë e vet, mos e mbytni, e nëse nuk e mohon, atëherë gjuanie prej në maje të kodrës”. Njerëzit e mbretit e morrën djaloshin dhe e ngjitën në kodër. Kur hypën në kodër, djaloshi u lut:”O Zot, më shpëto prej tyre me çka të duash”. Kodra u dridh, e të gjithë njerëzit e mbretit u rrukullisën prej kodre.

Djaloshi duke pyetur erdhi deri te mbreti, e kur hyri, mbreti përnjëherë e pyeti:”Ç’u bë me shoqëruesit e tu?” Djaloshi i tha:”Allahu i Madhërishëm më shpëtoi prej tyre”. Pastaj, mbreti dërgoi disa njerëz tjerë që ta marrin me një anije dhe ta çojnë në det, e u tha:”Kur të futeni në det, nëse e mohon fenë e vet, mos e mbytni, e nëse nuk e mohon, atëherë gjuanie në det”. Ata u nisën me anije në det, e djaloshi u lut:”O Allah, shpëtom prej këtyre me çka të duash”. Kështu, ata u fundosën të gjithë.

Djaloshi erdhi te mbreti dhe hyri Brenda. Mbreti posa e pa, e pyeti:”Ç’u bë me shoqëruesit e tu?” Djaloshi i tha:”Allahu i Madhërishëm më shpëtoi prej tyre”, pastaj vazhdoi e i tha:”Ti nuk mund të më vrasish derisa ta bësh atë që ta urdhërojë unë. Nëse e bën atë që ta urdhërojë unë, do të mund të më vrasish, e nëse nuk e bën, nuk mund të më vrasish”. Mbreti e pyeti:”E çka duhet të bëj?” Djaloshi i tha:”Tuboi gjithë njerëzit në një vend, pastaj më lidh mua në një trung druri, e pastaj merre një shigjetë nga qesja ime, dhe thuaj:”Në emër të Allahut, Zotit të djaloshit”. Ti nëse e bën këtë, do të më vrasish, përndryshe, jo”. Mbreti veproi si i tha djaloshi. E morri shigjetën, e vuri në hark, pastaj gjuajti duke thënë:”Në emër të Allahut, Zotit të djaloshit”. Shigjeta e goditi djaloshin në ashtin e tëmblave, ai e vuri dorën në vendin kur e goditi shigjeta dhe vdiq. Kur e panë këtë ndodhi, njerëzit brohoritën:”Ne i besojmë Zotit që i besoi ky djalosh”. Atëherë, mbretit i thanë:”A e sheh, ndodhi ajo prej së cilës kishe frikë. Betohemi në Allahun, të gjithë njerëzit besuan”.

Atëherë, mbreti urdhëroi që të hapen hendeqe dhe në to të ndizet zjarr, dhe tha:”Kush heq dorë nga feja e vet, lenie mos e gjuani, e kush nuk hek dorë, gjuanie në zjarr”. Njerëzit vraponin dhe shtyheshin. Në mes tyre, ndodhi edhe një grua e cila e kishte një djalë të vogël për gjyri. Ajo sikur nuk donte të hudhej në zjarr nga dhimbja ndaj fëmijut, por fëmiju foli e i tha:”Duro oj nënë, se ti je në të vërtetën”.[13]

Pra, në këtë rrëfim, kemi dijetarë dhe besimtarë tjerë të cilët nuk u gunjëzuan para mbretit tiran i cili i përdori mënyrat më të egra dhe jo njerëzore të dhunës, për t’i zbrapsur besimtarët nga besimi i tyre. Këta besimtarë të denjë e sakrifikuan veten, për hirë të besimit dhe idealeve të fesë së vërtetë.

Rrëfimi i këtyre besimtarëve të cilët e mposhtën pushtetin femohues dhe tiran të këtij mbreti, ka qenë dhe do të jetë frymëzim për të gjithë ata të cilët frymojnë islamikisht, dhe të cilët janë rezistues ndaj sistemeve xhahile të cilat e luftojnë sistemin islam.

Hendeqe hapën edhe diktatorët e shekullit XX dhe XXI në botën arabe, për t’i trembur veprimtarët islam dhe besimtarët e denjë të hekin dorë nga lëvizja islame dhe puna e tyre për mposhtjen e tiranëve dhe jetësimin e mesazhit islam në të gjitha sferat e jetës, por, ashtu siç pati pushtetar të tillë tiran, pati edhe besimtarë të denjë të cilët u hodhën në këto hendeqe të vdekjes në këtë botë, për ta fituar kënaqësinë e Allahut në jetën e amshuar. Kështu, kërcënimet nuk arritën ta zbrapsin Hasen el-Benën, Sejjid Kutubin dhe shumë veprimtarë tjerë islam, që mos veprojnë për kauzën islame. Këto rrëfime të popujve të mëparshëm, dhe vendosmëria, guximi dhe sakrifica e Hasen el-Benës, Sejid Kutubit dhe shumë figurave tjera, kanë qenë ushqim për rezistencën kundër tiranëve.

Pas hapit të parë të përmbysjes formale, lëvizjet islame përsëri alarmojnë për rrezikun e celulave të mbetura të regjimeve të falimentuara, të cilat nuk ndalen së kolaboruari për ta penguar punën e estabilishmentit të ri, e që për këtë poashtu përdorin vokabullar islam, duke ritheksuar rolin e hipokritëve-munafikëve dhe kreut të tyre Abdullah ibn Ubej ibn Selulit, i cili ishte një kolaboracionist në dëm të shtetit dhe popullatës muslimane në Medine. Ky hipokrit, fizikisht ishte pranë muslimanëve, por me zemër dhe mendime dhe me punë, ishte me armiqtë e muslimanëve, dhe shfrytëzonte çdo rast që të del në krah të tyre kundër muslimanëve. Kjo ndodh edhe sot, dhe lëvizjet islame duke treguar dhe folur për Ibn Selulin, në fakt flasin për hipokrizinë e mbështetësve të ish diktatorëve, të cilëve u qan zemra pse arritën lëvizjet islame të bëjnë vend në skenën politike botërore përmes institucioneve shtetërore.

Bashkim Aliu

[1] Kaptina Junus, 88.
[2] Kaptina Junus, 89.
[3] Kaptina Junus, 90-92.
[4] Kaptina en-Nahl, 120.
[5] Cituar sipas:Ibn Kethir, Tefsiru-l-Kur’ani-l-adhim.
[6] Kaptina el-Bekare, 258.
[7] El-Kasas, 38.
[8] Tefsiri i Ibn Kethirit, vëll.I, f.260.
[9] Kaptina Jusuf, 54, 56.
[10] Cituar sipas:Jusuf el-Kardavi, Ku qëndron problemi, f.30.
[11] Kaptina Jusuf, 50-52.
[12] Tefsiri i Ibn Kethirit.
[13] Cituar sipas: Tefsiri i Ibn Kethirit, vëll.VIII, f.374-376.