Standardi Xhamia Fener, është krijuar si standard global i xhamive. Këto janë standarde (minimale) që e bëjnë një xhami t’i shërbejë dhe ta ndriçojë komunitetin e saj dhe përreth saj.

Xhamia Fener është një përpjekje e bërë me përkushtimin më të madh për të nxjerrë në pah praktikat e shkëlqyera të xhamive të mira nëpër botë që janë duke ndriçuar komunitetet e tyre dhe përreth. Këto standarde promovojnë udhëheqjen efektive dhe ndihmojnë në vendosjen e standardeve të cilësisë, të cilat xhamitë dhe qendrat e tjera islame duhet të përpiqen t’i zbatojnë.

Xhamia Fener është zhvilluar për të njohur rolin që luajnë xhamitë dhe qendrat islame në infrastrukturën makro të qyteteve dhe përtej kësaj është një mundësi të kuptohet ndijimi dhe ndikimi i tyre në strukturën sociale dhe kulturore të shoqërisë.

10 standardet e Xhamisë Fener përfshijnë:

  1. Menaxhimi dhe Qeverisja (udhëheqja)

2. Politikat & Procedurat

3. Menaxhimi i objekteve

4. Stafi & Punësimi

5. Financimi & ngritja e fondeve

6. Zhvillimi i Komunitetit

7. Llogaridhënia dhe transparenca

8. Shërbimet plotësuese të Xhamisë

9. Mektebet – Medresetë

10. Komunikimi


 

Shkarko 10 Standardet e Xhamisë Fener

10 Standardet globale per nje xhami fener

 

 

 

 

 

 


10 Standardet Globale për një Xhami Fener

 

 

Faith Associates

Mbretëria e Bashkuar

 

Boton në Shqip:

Nisma për avancimin e thirrjes dhe thirrësve – Thirrja.org

I.              Menaxhimi dhe Qeverisja

 

Një xhami e cila që prej ditës së parë është themeluar në respekt ndaj All-llahut (pa hile), është më e drejtë të falesh në të, aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e All-llahu i do të pastrit.

(Sureja Teube: 108)

 

Pikënisja – Vizioni, synimet dhe objektivat

 

Mesxhid (xhami) do të thotë ‘vend i sexhdes’. Në praktikë tani do të thotë një shtëpi e dedikuar për shërbimin hyjnor. Para së gjithash, xhamia është një vend faljeje. Meqë Islami e konsideron çdo veprim në botë si ibadet, ose adhurim, nëse bëhet me qëllimin e kënaqësisë së Allahut, atëherë çdo gjë e mirë dhe e ligjshme mund të bëhet brenda xhamisë. Për këtë arsye, nuk ka nevojë të ketë një shtëpi të veçantë për çdo fushë të punës islame, dhe është e mundur që të ketë një xhami që është shumë funksionale në të gjitha çështjet. Megjithatë, për ta arritur këtë ju nevojitet vizion i qartë, menaxhim dhe udhëheqje e mirë, si dhe struktura mbështetëse organizative.

 

Zgjedhja e një strukture organizative

Pasi të keni vendosur synimin ose qëllimin e xhamisë suaj, pse ekziston dhe çfarë synon të ofrojë, do t’ju duhet një strukturë dhe kornizë organizative. Kjo do t’ju ndihmojë të arrini qëllimin dhe objektivat tuaja, dhe gjithashtu do t’ju ndihmojë të kontrolloni, monitoroni dhe rishikoni përparimin dhe arritjet tuaja

 

Qeverisja e Xhamisë

Qeverisja përbën sistemet dhe proceset që sigurojnë drejtimin e përgjithshëm, efektivitetin, mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e një organizate. Në rastin e xhamive, ka të bëjë me mënyrën se si ndahet autoriteti dhe përgjegjësia ndërmjet stafit të lartë dhe komitetit të menaxhimit, bordit ose administratorëve.

 

Komiteti i Xhamisë (Këshilli i Xhamisë)

Komiteti menaxhues është grupi i njerëzve që janë përgjegjës për udhëheqjen dhe menaxhimin e aktiviteteve të organizatës. Ata gjithashtu mund të njihen si “bordi i të besuarve” ose “komiteti ekzekutiv”. Në pjesën tjetër të këtij manuali ne kemi përdorur termin ‘komitet menaxhues’ për hir të konsistencës.

 

Përfshirja e të rinjve dhe grave

Të rinjtë janë e ardhmja! Ata sjellin energji të re, entuziazëm dhe freski në një organizatë. Megjithatë, ata duhet të udhëhiqen dhe të edukohen nga ata që janë më të moshuar dhe më me përvojë. Këshillat e Xhamive duhet të bëjnë një përpjekje të veçantë për të përfshirë të rinjtë dhe gratë në vendimmarrje dhe për t’u dhënë atyre përgjegjësi. Ky është suneti (praktika) e Profetit (a.s.). Ai nuk i përjashtoi të rinjtë apo gratë nga dhënia e mendimeve dhe ideve të tyre dhe nga ndihma në kryerjen e detyrave. Jeta e Profetit (a.s.) është plot me shembuj se ku të rinjtë si Aliu, Ibn Abbasi, Zejdi, Usamah, Ajjesha (ra) ishin të gjithë të përfshirë në procesin e vendimmarrjes dhe konsultoheshin rregullisht. Gjithashtu është vërtetuar mirë se gratë merrnin pjesë për namaze dhe tubime të tjera në xhami gjatë kohës së Profetit (a.s.) dhe pasardhësve të tij.

 

Takimet (Mbledhjet)

Mbajtja e mbledhjeve të rregullta të komitetit të menaxhimit (Këshillit të Xhamisë) është një funksion i rëndësishëm. Takimet do t’ju ndihmojnë të diskutoni, të vendosni dhe të planifikoni për nevojat e xhamisë suaj dhe përdoruesve të saj.

 

II.            Politikat & Procedurat

 

“Allahu dëshiron që t’ju sqarojë, t’ju udhëzojë në rrugën e të dërguarve të mëparshëm dhe t’jua pranojë pendimet tuaja. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.”

Sureja Nisa: 26

 

Kush duhet të zhvillojë politika dhe procedura?

Komiteti i menaxhimit (Këshilli i Xhamisë) është përgjegjës për zhvillimin e politikave dhe procedurave brenda organizatës dhe njëkohësisht është institucioni përgjegjës për t’u siguruar që ato të ndiqen. Megjithatë, ata duhet së pari të konsultohen me anëtarët (xhematin), stafin, vullnetarët dhe këdo tjetër që mund të preket prej tyre. Ju mund të merrni ndihmë dhe këshilla nga organizatat apo institucionet relevante apo edhe nga këshilltarët tuaj ligjorë. Gjatë zhvillimit të politikave dhe procedurave, është e rëndësishme që të ketë një proces për zhvillimin, miratimin, rishikimin dhe ndryshimin e tyre, si dhe për edukimin dhe trajnimin që ato të kuptohen, të përbrendësohen dhe zbatohen sa më lehtë. Ne sugjerojmë udhëzimet e mëposhtme për zhvillimin e politikave dhe procedurave të shkruara (manualet e politikave).

 

 

Çfarë politikash dhe procedurash na duhen?

Lloji i politikave dhe procedurave për të cilat organizata juaj ka nevojë do të varet nga një sërë gjërash si:

  • Llojin e punës që bëni
  • Shërbimet që ofroni
  • Madhësia e organizatës suaj
  • Në çfarë niveli zyrtar dhe formal veproni.
  • Çfarë detyrime ligjore ka në kontekstin tuaj
  • Kur zhvilloni politikat tuaja, duhet të mbani mend ligjet që ndikojnë në organizatën tuaj

 

Dokumenti drejtues (Dokumenti qeverisës)

Ky është dokumenti zyrtar i shkruar që përshkruan strukturën, menaxhimin, synimet dhe objektivat e organizatës. Në varësi të statusit tuaj ligjor, mund të jetë një:

 

  • Statut ose grup rregullash (organizatë e pa inkorporuar)
  • Një udhëzues menaxhimi për xhamitë dhe qendrat islame
  • Memorandumi dhe Statuti i Shoqatës

 

Politika e Mundësive të Barabarta

Xhamitë janë organizata të bazuara në besim, të cilat drejtojnë aktivitete fetare sipas besimit islam. Prandaj ju keni të drejtë të emëroni njerëz të mirë të besimit Islam për t’i shërbyer xhamisë dhe komunitetit mysliman në mënyrën më të mirë. Megjithëse ligji nuk thotë se duhet të keni një politikë të mundësive të barabarta, një politikë e qartë dhe një sërë procedurash për zbatimin e saj është mënyra më e mirë për t’u siguruar që ju të respektoni ligjin për mundësi të barabarta.

 

Shëndeti dhe Siguria

Ligji thotë se ju duhet të keni rregulla të shëndetit dhe sigurisë dhe duhet ta zbatoni Ligjin e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë etj. dhe rregulloret e tjera që vijnë me të. Të gjitha organizatat kanë një ‘detyrë të kujdesit’ ndaj vullnetarëve, anëtarëve (xhematit), punonjësve dhe publikut të gjerë.

Mbrojtja e fëmijëve

Fëmijët janë një grup veçanërisht vulnerabël. Ligji thotë se të gjitha organizatat që punojnë ose ofrojnë shërbime për fëmijët, të rinjtë ose të rriturit e cenueshëm duhet të kenë masat mbrojtëse dhe qasjen e duhur për t’i mbrojtur ata. Këto masa mbrojtëse duhet të përfshijnë një politikë për mbrojtjen e fëmijëve dhe procedurat për trajtimin e çështjeve shqetësuese.

E kaluara penale

Institucionet e sigurisë dhe zbatimit të ligjit lëshojnë dokumentacionin për të kaluarën penale të personave, gjendjen e tij pranë institucioneve gjyqësore, statusin nëse ndaj një personi ka dënime apo edhe dënimet e kaluara. Meqë kjo mundësi ekziston, gjithmonë të punësuarve dhe të angazhuarve para se të lidhni marrëdhënie me ta, ua kërkoni këtë dokumentacion për tu siguruar që nuk po i ofrohet qasje personave me precedent penal apo me potencial për të qenë abuzues në të ardhmen.

Sigurimi i aseteve

Komiteti menaxhues ka përgjegjësinë të kujdeset dhe të mbrojë pronën dhe asetet e organizatës nga humbja ose dëmtimi i drejtpërdrejtë. Nëse ato dështojnë, atëherë ata mund të mbahen personalisht përgjegjës për të kompensuar humbjet.

 

Procedurat e ankesave dhe sugjerimeve

Reagimet nga përdoruesit e xhamive do të ndihmojnë në përcaktimin e çështjeve me të cilat duhet të merren dhe do të ndihmojnë menaxhmentin të bëjë përmirësime të vazhdueshme. Puna me efektshmëri për ankesat dhe sugjerimet do të ndihmojë për të rritur besimin e shërbimit tuaj.

 

III.          Menaxhimi i objekteve

 

Ai drejton çdo çështje, prej qiellit deri në Tokë, pastaj ato kthehen tek Ai në ditën, gjatësia e së cilës është një mijë vjet sipas llogaritjes suaj.

Sureja Sexhde: 5

 

Objektet miqësore për përdoruesit (xhematin)

Fjalori e përkufizon ‘miqësor për përdoruesin’ si i lehtë për t’u mësuar, përdorur, kuptuar ose trajtuar. Arkitektët flasin për “formën” (si duket) dhe “funksionin” (si funksionon). Të dyja janë të rëndësishme. Xhamitë kanë tendencë t’i kushtojnë më shumë vëmendje pamjes, dhe pak, nëse ka, miqësores me përdoruesit. Të qenit miqësorë ndaj përdoruesve është një pjesë e funksionit, një pjesë që arkitektët dhe udhëheqësit e xhamive në përgjithësi e kanë injoruar për një kohë të gjatë.

 

Mjedisi

Kursimi i energjisë është një nga pjesët kryesore të lëvizjes drejt përdorimit më të qëndrueshëm të burimeve dhe kujdesit për mjedisin. Xhamitë janë zakonisht të mëdha; ato mund të jenë ndërtesa të vjetra ose të listuara që përdoren në mënyrë të parregullt dhe kështu mund të humbin lehtësisht shumë energji.

 

Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Bota është e bukur dhe e gjelbëruar, dhe me të vërtetë Zoti, i Lartësuar, ju ka bërë kujdestarët e Tij në të dhe Ai sheh se si ju veproni”. (Hadith Muslimi)

 

  • Përdorni llamba me efikasitet të energjisë
  • Përdorni çezma që ruajnë ujin në abdes’hane dhe tualete
  • Ulni nivelin maksimal të ujit të nxehtë dhe termostatet e ngrohjes, përdoreni teknologjinë e energjisë solare për ujin e sanitarisë.
  • Inkurajoni besimtarët që të ecin për ardhje në xhami ose të përdorin biçikletë apo mjete të tjera të lëvizjes ekologjike për të ruajtur ambientin, hapësirat e parkingut dhe hyrje-daljen e lehtë.
  • Minimizoni përdorimin e letrës.
  • Bëni një vlerësim të konsumit, nevojave dhe humbjes së energjisë në xhami.

 

IV.          Stafi & Punësimi

 

Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, përgëzoji me kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Sa herë që atyre t’u jepet si ushqim ndonjë frutë e kopshteve, ata do të thonë: “Këtë e kemi ngrënë edhe përpara”. Por atyre do t’u jepen vetëm fruta të ngjashme me ato të Tokës. Në Xhenet ata do të kenë bashkëshorte të pastra dhe atje do të jetojnë përgjithmonë.

Sureja Bekare: 25

 

Zgjedhja dhe emërimi i një personi

Xhamia duhet të ndjekë politikën e saj të rekrutimit dhe përzgjedhjes ose të ketë procedura dhe politika të caktuara për emërimin e stafit. Këta mund të jenë ose staf me pagesë ose vullnetar.

 

Reklamimi i postimit

Reklamoni postimin duke përdorur metoda të ndryshme, të tilla si tabelat e njoftimeve, gazetat, njoftimi në hyrjen qendrore të xhamisë, portalet e punës, rrjetet sociale, kanalet digjitale publike të xhamisë.

 

Lista e ngushtë

Është praktikë e mirë të përdoret një sistem formal kur bëhet një listë e shkurtër. Për shembull, mund të përdorni një sistem pikësh për të vlerësuar kandidatët kundrejt cilësive të listuara në specifikimin e pozitës së kërkuar.

Intervistat

Është gjithashtu një ide e mirë të përdorni një sistem vlerësimi për intervistat dhe të shkruani komentet ndërsa zhvilloni intervistën. Përdorni këto për të ndihmuar veten dhe ekipin rekrutues në marrjen e një vendimi sa më të mirë pas përfundimit të intervistave. Nëse mendoni se është e përshtatshme, ju mund të organizoni një lloj testi ‘të bazuar në kompetenca’ si pjesë e intervistës (për sa kohë që ju i keni njoftuar kandidatët që më parë).

 

Koha e vendimit

Duke përdorur sistemin e vlerësimit si ndihmë, vendosni se kush mendoni se duhet ta marrë punën. Nëse keni nevojë, mund të mbani intervista të dyta për kandidatët që i keni në listën e ngushtë finale. Por së pari vendosni nëse kostoja e një raundi të dytë intervistash është e justifikuar apo jo.

 

Menaxhimi i vullnetarëve

Drejtuesit e xhamive vazhdimisht kërkojnë ndihmë në detyrat e tyre dhe rekrutojnë vullnetarë për realizuar këtë proces. Por shumë xhami nuk kanë një sistem për të rekrutuar vullnetarët, për t’i informuar ata apo edhe për t’i mbajtur.

 

V.            Financimi & Ngritja e Fondeve

 

Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zekatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun.

Sureja Bekare: 177

 

Një xhami e udhëhequr mirë duhet të mbajë një sërë shënimesh. Këto të dhëna i mundësojnë komitetit menaxhues të japë llogari për atë që ka ndodhur me paratë brenda xhamisë. Donatorët japin kontribute për xhaminë për të ndihmuar në përmbushjen e objektivave të saj, të vet xhamisë por edhe të aktiviteteve jashtë xhamisë si ato të natyrës sociale ose humanitare dhe për këtë arsye, xhamitë duhet të kenë një sistem për të treguar se si janë shpenzuar paratë.

 

Buxheti dhe planifikimi

Buxheti është një plan për përdorimin e parave për aktivitete që përmbushin misionin dhe qëllimet e organizatës. Ka të bëjë me parashikimin e të ardhurave që do të merrni dhe të vendosni se si do t’i shpenzoni ato gjatë vitit financiar.

Mbledhja e fondeve

Mbledhja e fondeve është një aktivitet që ju ndihmon të merrni burime – para, pajisje, ambiente – që i nevojiten organizatës suaj për të kryer aktivitetet e saj. Ka shumë mënyra për të mbledhur fonde, por çelësi është të kesh një plan financimi. Kjo do t’ju ndihmojë të synoni, dhe të vendosni sipas rëndësisë, financuesit e veçantë, donatorët dhe llojin e aktiviteteve që do të kenë më shumë efekt.

VI.          Zhvillimi i Komunitetit

 

“Vërtet Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në vetvete.”

Sureja Rad: 11

 

Islami nuk ka të bëjë vetëm me ritualet dhe adhurimin fetar, por më tepër me një fe (mënyrë jetese) gjithëpërfshirëse. Ajo beson në zhvillimin e komuniteteve dhe familjeve të forta për një shoqëri të shëndetshme dhe të begatë. Prandaj muslimanët nuk mund të jenë kurrë izolacionistë apo të veçohen. Ata duhet të jenë pjesë përbërëse e shoqërisë ku jetojnë dhe të kenë për detyrë t’i përmirësojnë gjërat.

 

Çfarë është zhvillimi i komunitetit?

Zhvillimi i komunitetit është një term i gjerë i aplikuar për mënyrën se si liderët qytetarë (lider social pa autoritet formal politik), aktivistët, qytetarët e përfshirë dhe profesionistët punojnë për të përmirësuar aspekte të ndryshme të komuniteteve lokale. Zhvillimi i komunitetit kërkon të fuqizojë individët dhe grupet e njerëzve duke u ofruar atyre aftësitë që u nevojiten për të sjellë ndryshim në komunitetet e tyre.

 

A jemi gati të fillojmë punën në komunitet?

Çdo person ose grup mund të përfshihet në punën e komunitetit. Shumë njerëz janë përfshirë tashmë në një mënyrë ose në një tjetër, për shembull duke ndihmuar me një pastrim lokal, duke bërë punë vullnetare në organizimin e një ngjarjeje, duke marrë pjesë në forumet e konsultimit lokal ose duke lobuar tek deputetët ose këshilltarët për të ndryshuar diçka në lagjen tuaj. Këto janë vetëm disa lloje të punës në komunitet.

Çfarë lloj projektesh komunitare mund të bëjmë?

Lloji i projekteve komunitare që mund të bëni varet nga nevojat që keni identifikuar, çfarë mund të ofrojnë hapësirat tuaja dhe sa inovativë ose krijues mund të jeni. Këtu janë disa shembuj:

 

  • Krijimi i skemave për lojëra verore me komunitetin e lagjes, banorët, rininë, fëmijët etj
  • Angazhimi për të krijuar grupe ku promovohet shëndeti dhe fitnesi
  • Aktivitetet e ndryshme sportive
  • Kultivimi i arteve dhe zanateve
  • Thurjet me grep
  • Grupi i nënës dhe fëmijëve të vegjël
  • Arsimi dhe edukimi
  • Këshillimi psiko-social
  • Vizitat ndërfetare
  • Kujdesi ditor
  • Vizitat tek të moshuarit

 

Puna në partneritet me institucionet kryesore

Puna me partneritet është “një gjë e modës bashkëkohore”, partneriteti mbetet një angazhim aktual në rigjenerimin e komuniteteve lokale. Strategjitë kombëtare të qeverive të ndryshme për të rikthyer fokusin në zhvillimin lokal u kanë dhënë autoriteteve lokale përgjegjësi të reja. Ato duhet të konsultojnë dhe të përfshijnë komunitetin fetar dhe komunitetet e minoriteteve, pakicat dhe grupet e tjera të margjinalizuara në zhvillimin e Strategjive të tyre të Komunitetit. Prandaj xhamitë dhe këshillat e xhamive mund të kontribuojnë në zhvillimin dhe mirëqenien e zonave të tyre lokale dhe mirëqenien e njerëzve që jetojnë në to.

 

VII.       Llogaridhënia dhe transparenca

 

“Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Edhe nëse e tregoni apo e fshihni çfarë keni në shpirtin tuaj, Allahu do t’ju kërkojë llogari për të. Kështu, Ai do të falë kë të dojë dhe do të dënojë kë të dojë. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.”

Sureja Bekare: 284

 

Llogaridhënia në kontekstin e menaxhimit të xhamisë ose kujdestarisë për të në cilësi të bordit i cili e ka si emanet mbarëvajtjen e saj, ka të bëjë me marrjen dhe dhënien e fakteve dhe shpjegimeve të gjërave brenda marrëdhënieve të hapura dhe të ndershme. Bëhet fjalë për të mbajtur veten përgjegjës ndaj të tjerëve dhe për t’i komunikuar veprimet në përputhje me rrethanat.

 

Transparenca

Transparenca ka të bëjë me komunikimin e ndershëm dhe të qartë për të përmirësuar zbulimin, për të rritur njohuritë dhe për të përmirësuar mirëkuptimin dhe mbështetjen e ndërsjellë.

Monitorimi dhe vlerësimi

Megjithëse termi ‘monitorim dhe vlerësim’ tenton të përdoret sikur të jetë vetëm një gjë, monitorimi dhe vlerësimi janë, në fakt, dy grupe të dallueshme të aktiviteteve organizative. Ato janë të lidhura, por nuk janë e njëjta gjë.

Sigurimi i Cilësisë

Termi Ihsan në Islam është diçka që i ngjan shumë konceptit të cilësisë. Ka të bëjë me synimin për përsosmëri në çdo gjë që bëjmë. Një sistem i sigurimit të cilësisë tregon se organizata juaj është e përkushtuar për të ofruar shërbime dhe praktikë të mirë duke punuar sipas një sërë standardesh të dakorduara. Ekzistojnë gjithashtu disa mjete formale që janë zhvilluar nga organizatat për vetëvlerësim.

 

VIII.     Shërbime Plotësuese të Xhamisë

 

Ai drejton çdo çështje, prej qiellit deri në Tokë, pastaj ato kthehen tek Ai në ditën, gjatësia e së cilës është një mijë vjet sipas llogaritjes suaj.

Sureja Sexhde: 5

 

Shërbimet plotësuese i referohen shërbimeve shtesë të ofruara nga një xhami për t’u kujdesur për nevojat e ndryshme dhe mirëqenien e xhematit të saj dhe të komunitetit më të gjerë. Këto shërbime shtrihen përtej aktiviteteve thelbësore fetare dhe synojnë të rrisin përvojën e përgjithshme dhe të mbështesin zhvillimin holistik të individëve.

 

Programet Edukativo – Arsimore

Xhamitë që shkëlqejnë në ofrimin e shërbimeve shtesë u japin përparësi programeve arsimore që promovojnë njohuritë, rritjen personale dhe zhvillimin shpirtëror. Vlerësuesit do të vlerësojnë disponueshmërinë dhe cilësinë e iniciativave arsimore, të tilla si klasa islame, studime dhe mësime të Kuranit, kurse të historisë islame dhe seminare mbi aspekte të ndryshme të besimit. Xhamia duhet të tregojë një përkushtim për të ofruar mundësi arsimore lehtë të qasshme dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha grupmoshat.

 

Shtrirja e Komunitetit

Programet e komunikimit me komunitetin luajnë një rol jetik në lidhjen e xhamisë me komunitetin lokal dhe në nxitjen e marrëdhënieve pozitive. Vlerësuesit do të vlerësojnë angazhimin e Xhamisë në iniciativat e shtrirjes, të tilla si bashkëpunimet me organizatat lokale, dialogun, projektet bamirëse dhe iniciativat që trajtojnë çështjet sociale. Xhamia duhet të shfaqë një qasje proaktive në adresimin e nevojave të komunitetit dhe promovimin e kohezionit social.

 

Shërbimet e Këshillimit dhe Mbështetjes

Xhamitë mund të shërbejnë si burime të vlefshme për individët që kërkojnë udhëzim, këshillim dhe mbështetje gjatë kohërave sfiduese. Vlerësuesit do të masin disponueshmërinë dhe efektivitetin e shërbimeve të këshillimit të ofruara nga Xhamia, si këshillimi për martesën, këshillimi familjar, këshillimi financiar dhe ndihma për mirëqenien personale dhe emocionale. Xhamia duhet të tregojë një përkushtim për të nxitur një mjedis mbështetës, që solidarizohet dhe ka dhembshuri për xhematin e saj.

Programet për të rinjtë dhe familjen

Duke e njohur rëndësinë e edukimit të brezit të ri, xhamitë duhet të ofrojnë programe të përshtatura për nevojat e të rinjve dhe familjeve. Vlerësuesit do të vlerësojnë gamën dhe cilësinë e aktiviteteve rinore, të tilla si klubet rinore, programet e zhvillimit të lidershipit, iniciativat e mentorimit dhe aktivitetet sportive dhe rekreative. Për më tepër, vlerësuesit do të marrin në konsideratë disponueshmërinë e programeve dhe mbështetjes për familjet, të tilla si punëtoritë e prindërimit, shërbimet martesore dhe ngjarjet e orientuara nga familja.

Iniciativat për Shëndetin dhe Mirëqenien

Xhamitë që kanë prioritet mirëqenien e xhematit të tyre mund të ofrojnë shërbime dhe iniciativa të lidhura me shëndetin. Vlerësuesit do të shqyrtojnë përpjekjet e xhamisë për të promovuar mirëqenien fizike dhe mendore, duke përfshirë klasat e fitnesit, punëtoritë shëndetësore, seminaret mbi mënyrat e jetesës së shëndetshme dhe fushatat ndërgjegjësuese për çështjet e përhapura shëndetësore. Xhamia duhet të demonstrojë një përkushtim për të inkurajuar një mënyrë jetese të shëndetshme dhe për t’u kujdesur për mirëqenien e përgjithshme të komunitetit të saj.

 

Mbështetja për Persona me Nevoja të Veçanta

Përfshirja dhe qasja janë aspekte të rëndësishme në kuadër të shërbimeve plotësuese të një xhamie. Vlerësuesit do të gjykojnë ofrimin e mbështetjes dhe lehtësive të xhamisë për individët me nevoja të veçanta, duke përfshirë aksesin në karrige me rrota, zonat e caktuara për ta për lutje, burimet arsimore dhe programet e përshtatura për kërkesat e tyre. Xhamia duhet të shfaqë një mjedis mikpritës dhe akomodues për njerëzit me aftësi të ndryshme.

 

 

IX.          Mektebet – Medresetë

 

“Dhe që ata, të cilëve u është dhënë dituria, ta kuptojnë se ai (Kurani) është e Vërteta nga Zoti yt, ta besojnë atë dhe zemrat e tyre të binden e të qetësohen me të. Nuk ka dyshim se Allahu i udhëzon në rrugën e drejtë ata që besojnë.” Sureja Haxh, 54

 

Medrese është një fjalë arabe që do të thotë “shkollë”. Megjithatë, në këtë manual medrese do të thotë shkollë fetare islame. Mekteb si fjalë arabe gjithashtu e njohur tek ne edhe si mejtep, nënkupton klasë, mësonjëtore; hapësirë apo objekt, në të shumtën e rasteve pranë xhamisë, në të cilin zhvillohet baza e mësimit fetar; institucioni i mësimit fillestar islam.

 

Në xhamitë tona supozohet të mbahen normalisht format e ndryshme të mësimbesimit, gjatë pasditeve të ditëve të javës ose në fundjavë. Në shumë mektebe nuk ka një kurrikul formale, ose thjesht një program mësimor bazë dhe fëmijët e grupmoshave të ndryshme shpesh mësohen së bashku. Mësuesit shpesh kanë vetëm një kualifikim të thjeshtë, për shembull ata kanë mbaruar medrese ose fakultet të studimeve islame, ose janë Imam (udhëheqës fetar) të xhamisë. Nxënësit në këtë lloj medreseje ka të ngjarë të jenë gjithashtu nxënës që shkojnë në shkollat e zakonshme shtetërore.

 

Filozofia dhe misioni i medresesë dhe mektebeve

 

Ju duhet të keni një mision, objektiv dhe filozofi për mektebet. Kjo do të ndihmojë në lidhjen e stafit mësimor, menaxhmentit dhe nxënësve të mektebes së bashku. Mektebeja nuk ka qenë kurrë e izoluar nga asnjë formë e të mësuarit. Pra, duhet të bashkëjetojë me mektebet dhe medresetë e tjera, institucionet arsimore laike, akademikët dhe ekspertët e të mësuarit/mësimdhënies së fëmijëve.

 

Orari aktiv i mektebeve

Mos harroni se fëmijët tashmë kalojnë pothuajse një ditë të plotë në shkollë – veçanërisht nëse planifikoni të zhvilloni klasa pas shkollës gjatë ditëve të javës. Lënia e një boshllëku përpara fillimit të mësimbesimit do t’i ndihmojë fëmijët të rimbushin bateritë dhe të freskohen. Kur vendosni se sa do të zgjasë ora e mësim-besimit, mbani mend se është e rëndësishme të mbani vëmendjen e nxënësve si dhe të mbuloni materiale të caktuara gjatë një kohe të caktuar.

 

Lëndët e ofruara

Mund të ofrohen lëndët e mëposhtme, në varësi të llojit dhe aftësive të mësuesve në mektebe. Është e rëndësishme të përdoren udhëzime dhe planprograme të shkruara dhe të testuara gjatë dhënies së këtyre lëndëve.

 

Kurani: Mësimi i alfabetit arab, veçanërisht me shqiptimin e saktë, është i rëndësishëm. Në varësi të nivelit të aftësive të nxënësve, duhet të mësohet shkenca e shqiptimit (texhvidi), memorizimi (Hifzi) dhe të kuptuarit e kuptimit të Kuranit (tefsirit).

Fikhu: Kuptimi i vendimeve islame mbi namazin (namazin), haxhin, martesën, marrëdhëniet, raportin shoqërorë dhe kështu me radhë, brenda kontekstit të shoqërisë, është shumë i rëndësishëm.

Akide: të kuptuarit e besimeve dhe neneve të besimit

Gjuha arabe – kjo mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë më mirë Kuranin dhe tekstet e tjera klasike islame

Sira – të mësuarit për jetën e Profetit Muhamed (a.s.)

Të përgjithshme – të mësuarit për historinë islame, biografitë e profetëve dhe shokëve të tyre, krahasimin e feve, mënyrën se si Islami bashkëjetoi brenda shteteve të veta me popuj të kombësive të ndryshme por edhe të besimeve të ndryshme, sjelljet dhe etiketat (adab), të qenit qytetarë të mirë, mirëqenien e komunitetit dhe aftësitë e zhvillimit personal.

 

 

X.            Komunikimi

 

Ai (All-llahu) tha: “O Musa, Unë të gradova ty mbi njerëzit me shpalljen Time dhe me të folurit tim. Merr atë që të dhashë dhe bëhu mirënjohës. Sureja Araf, 144

 

Komunikimet përkufizohen si çdo mjet i përcjelljes së informacionit midis njerëzve dhe grupeve në xhemat, ose informacione rreth xhamisë në komunitetin e gjerë.

 

Promovimi i xhamisë tuaj në media

Xhamia juaj mund të përfshihet në aktivitete dhe ngjarje që mund tu interesojnë gazetave dhe radiove lokale, dhe ndonjëherë edhe TV rajonale apo më gjerë. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur ngjarjet përfshijnë komunitetin e gjerë. Por mos harroni se është e pazakonta apo e veçanta ajo që bën lajm. ‘Xhamia ofron këtë shërbim’ nuk është lajm. As ‘Imami jepi Hutben’. Por ‘Xhamia mban darkë bamirësie për jetimët e rajonit’ ose ‘Imami foli kundër/pro (një çështjeje lokale ose kombëtare me vlerë)’ janë aktivitete me interes për tu përfshirë në lajme, si të tilla ato kanë më shumë gjasa të fitojnë mbulueshmëri.

 

Zhvillimi i një faqe interneti të xhamisë

Xhamitë po zbulojnë se interneti mund të përdoret në mënyrë efektive për të mbështetur aktivitetet e tyre dhe për të kontaktuar persona të tjerët në komunitetet e tyre dhe në mbarë botën. Përpara se të dizajnoni faqet tuaja të internetit të xhamisë, duhet të keni disa qëllime specifike që dëshironi të arrini me faqen tuaj. Mbani parasysh këto kur e mirëmbani dhe e zhvilloni faqen tuaj. Është gjithashtu një ide e mirë që të keni dikë me aftësi profesionale të projektimit për t’ju ndihmuar.