Duke shfletuar internetin dhe rrjetet sociale hasim në shumë thënie, shkrime, këshilla e ligjërata që kanë karakter fetar. Shumë prej tyre përmbajnë hadithe, disa prej të cilave janë autentike dhe të sakta, disa janë të dobëta por ka raste kur ato mund të jenë të fabrikuara dhe të trilluara. Shumë njerëz duke u nisur nga qëllimi i mirë për të përhapur fenë i shpërndajnë ato nëpër statuse apo grupe të ndryshme të rrjeteve sociale duke mos u preokupuar e as interesuar shumë rreth autenticitetit të tyre. Duke pasur parasysh faktin se shkenca e hadithit nuk është e lehtë për t’u studiuar nga të gjithë, përhapja e haditheve të shpifura është bërë një çështje e frikshme. Rreziku shtohet edhe më shumë kur këto hadithe përhapen nga ana e disa influencuesve mediatikë fetarë.
I dërguari i Allahut ﷺ paralajmëroi se disa njerëz do të shpifnin hadithe për të, prandaj i këshilloi shokët e tij që të ishin të kujdesshëm dhe vigjilent në pranimin e haditheve.¹
Ai ﷺ ka thënë: “Kush gënjen për mua qëllimisht le ta përgatitë ulësen prej zjarri.”²
Në një thënie tjetër qëndron: “Kush transmeton nga unë thënie e cila vërehet se është gënjeshtër, konsiderohet njëri prej gënjeshtarëve.”³
Shumë prej haditheve të shpifura janë tërheqëse dhe prekin emocionet e njerëzve. Disa të tjera përmbajnë shpërblime imagjinare.
Në periudhën e hershme islame kishte tregimtarë që kontribuan në trillimin e haditheve. Ideja për t’u treguar njerëzve histori dhe tregime në xhami ishte shfaqur qysh herët dhe motivi i ekzagjerimit dhe gënjeshtrës tek tregimtarët ishte i fortë. Ata ofronin materiale interesante dhe emocionuese kur u predikonin dëgjuesve që kryesisht ishin nga masa e gjerë.⁴ Ibn Kutejbe përmend se tregimtarët që nga kohërat e mëhershme mundoheshin t’i kthenin fytyrat e masës së gjerë drejt tyre duke i joshur dhe tërhequr me përmendjen e haditheve të rreme dhe të çuditshme. Masa e gjerë ulej rreth tyre për të dëgjuar tregime që nuk i kap dot mendja e njeriut apo rrëfenja që i zbusin zemrat dhe bëjnë që lotët të shkojnë rrëke.⁵
Është e obligueshme që hadithet të verifikohen para dërgimit të tyre tek individët apo grupet nëpër rrjetet sociale. Duhet gjithsesi të mirret vesh nëse hadithi në fjalë është i pranueshëm tek dijetarët apo i refuzuar, nga frika se mos bie në gënjeshtër ndaj Pejgamberit ﷺ . Nuk lejohet që dikush të thotë: “I Dërguari i Zotit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë” përveç nëse hadithi është autentik ose i mirë.⁶
Së paku, ato të mirren nga adresa të besuara të hoxhallarëve kompetent dhe të besuar e jo të shpërndahen pa e ditur paraprakisht burimin e tyre.
Sot është shumë lehtë të konfirmohet saktësia apo josaktësia e haditheve për ata që e dinë gjuhën arabe. Shumë sajte e faqe të besueshme në internet janë të qasshme për ata që dëshirojnë verifikimin e tyre.


1- Buthuth fi tarihis-sunetil musherrefeh fq 13.
2-Transmeton Buhariu në Sahihun e tij nr. (110), (1291), (3461), dhe Muslimin në sahihun e tij nr. (3-4). Hadithi është mutevatir.
3-Transmeton Muslimi në parathënien e librit të tij “Sahih” 1/8. 4-Buthuth fi tarihis-sunetil musherrefeh fq 13.
5-Te’vil muhtelefil hadith fq 355-357. Në këtë trajtesë të shkurtër përmenda vetëm këtë shkak të shfaqjes së haditheve të trilluara në Islam për shkak të lidhjes së tij me temën. Megjithatë, dijetarët kanë përmendur shumë shkaqe . Për më shumë rreth tyre shih: Fet’hul Mugith 2/106-118, El Vad’u fil hadith 1/218-284, Buthuth fi tarihis-sunetil musherrefeh fq 14-40.
6-https://www.islamweb.net/ar/fatwa/131198

Shkroi: dr. Muhamed Broja
18/09.2023