Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor-2012, Tetor 2013,-Tetor 2014
Historiku
Xhamia e Kusarit është njëra ndër xhamitë më karakteristike të qytetit të Gjakovës dhe gjendet në vendin e quajtur “Mëhalla e Kusarit” nga edhe e ka marrë emrin. Në bazë të mbishkrimit që gjendet në hytbe të xhamisë shkruan se është ndërtuar në vitin 1800. Në vitin 1916 është bërë një adaptim, me ç’rast është rrethuar hajati dhe korridori, ku janë përfituar dy dhoma të cilat kanë shërbyer si mejtepe për një kohë të gjatë.
Xhamia në fjalë është e ndërtuar nga materiali i gurit dhe qerpiçit, ndërsa minarja, si zakonisht, është nga guri. Xhamia është në një gjendje relativisht të mirë, por që me qëllim parandalimi nga ndonjë dëmtim ka nevojë për veprime sanimi. Karakteristikë te ky objekt është edhe streha e gjatë që mbështetet në pajandra. Muret në të gjitha anët janë me llaç gëlqeror dhe të gëlqerosura. Edhe në enterier e hasim një mahvil me trapazona (gardh druri) të dekoruar, ndërsa konstruksioni ndërkatësh është nga trarëzat e drurit dhe me dysheme nga dërrasat. Edhe minberi është në gjendje origjinale të saj dhe mirë i ruajtur. Dritaret dhe dera janë të ndërruara. Dritaret në përdhese janë të formës së rregullt katërkëndësh kënddrejtë, ndërsa në etazhën e sipërme dritaret përfundimin e kanë në formë harkore. Në brendi kemi edhe kupolën mirë të ruajtur. Konstruksioni i kupolës si dhe ai i kulmit janë nga druri, ndërsa mbulesa e kulmit është nga tjegullat mediterane. Muri rrethues i parcelës, që ishte nga qerpiçi dhe me hatulla, është rrënuar dhe është ndërtuar muri i ri nga materiali i fortë dhe me gardh dekorativ nga metali. Në oborrin e xhamisë gjenden edhe disa varreza me gurë karakteristikë të dekoruar.
Intervenimet e fundit në objektin e xhamisë dhe në oborr janë kryer nga ana e xhematit të xhamisë, gjatë viteve 2003-2004.
Emërtimet dhe Referimet
Numri Unik: 000601
Emri: XHAMIA E KUSARIT
Klasa: Monument
Institucioni: QRTK – Gjakovë
Lokacioni
Shteti: Kosove
Komuna: Gjakovë
Qyteti/Fshati: Qytet-Gjakovë
Lokaliteti: Mahalla e Kusarit
Kodi Postar: 50000
Emri i rrugës: Hysni Dobruna
Lloji funksional dhe datimi
Lloji (Tipi):Arkitektuale
Periudha: Osmane
Shekulli: XVIII