Thirrja për te Allahu është thirrje në sheriatin e Tij, ndërsa praktika e saj çon drejt kënaqësisë së Allahut, nderimit të Tij dhe vendit të lartë tek Ai. Thirrja e të gjithë të dërguarve të Allahut ka qenë i bazuar në tre themele në kënaqësisë së Allahut,

1-Njohja e Allahut me anë të emrave të bukur dhe cilesive të Tij,

2-Njohja e sheriatit të Allahut që çon drejt dashurisë dhe kënaqësisë së Allahut,

3-Njohja e shpërblimit që i pret të dëgjueshmit(besimtarët) dhe dënimi që i pret të padëgjueshmit(jobesimtarët) dhe mekatarët.

Thirrja në fenë e Allahut(daveti) radhitet në komponentët kryesorë të institucionit të bërjes së veprave të mira, ashtu që suksesi i vërtetë dhe bamirësia e përgjithshme nuk mund të rea- lizohet ndryshe përveçse me davet. Allahu i Lartësuar thotë “Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri- tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” (El-asr, 1-3)

Rekomandimi i të vërtetës që është përmendur në ajet e nënkupton edhe davetin, në të vërtetë thirrjen e njerëzve në atë të vërtetë. Po ashtu, rekomandimi i durimit nënkupton thirrjen e njerëzve që të jenë të durueshëm me rastin e manifestimit dhe të praktikimit të fesë së Allahut, pa marrë parasysh se a behet fjalë për themelet ose për degët e saj.

Në kohën në të cilën po jetojmë, thirrja në fenë e Allahut nga njëra anë gjendet në mes dy skajshmërive që janë të ndaluara dhe të gabuara dhe nga ana tjetër, brenda një ambienti që është i lavdëruar dhe i pëlqyer.

SKAJSHMËRIA E PARE: TEPRIMI DHE EKSTREMIZMI

Këtu kemi parasysh thirrësin që është i ashpër dhe i rrept kur i thërret të tjerët në fenë e Allahut. Një njeri i ketillë dëshiron që ta kuptojnë dhe ta praktikojnë fenë sipas perceptimit dhe kuptimit të tij dhe nuk është tolerant madje edhe ndaj asaj qe e toleron vetë feja. Nganjëherë mund të vërejë se njerëzit jane te shkujdesur ndaj ndonjë dispozite dhe kjo do ta brengosë shume fort, pa marrë parasysh se ajo gjë ndoshta në Islam është vetëm e pëlqyer e jo e obligueshme dhe ai u afrohet atyre njerëzve dhe ua tërheq vërejtjen në mënyrë të ashpër e jo shembullore për shkak të asaj që bëjnë, sikur ata ta kishin lënë ndonje vaxhib, pra ndonjë vepër të urdhëruar (onligim).

Ka mjaft shembuj që e sqarojnë këtë skajshmëri:

Shembulli i parë: Për shembull, një njeri e ka parë një grup njerëzish të cilët derisa falen, nuk bëjnë një ulje të shkurtër pas rekatit të parë para se të ngrihen për rekatin e dytë, as pas rekatit të tretë para se të ngrihen për rekatin e katërt. Dijetarët këtë ulje të shkurtër mes rekatit të parë e të dytë, të tretë e të katërt e quajnë “ulje për të pushuar”. Njeriu i lartpërmendur këtë ulje e konsideron sunnet, pra vepër të cilën e ka praktikuar Pejgamberi salallahu alejhi ue selem dhe kur e vëren dikë që nuk e praktikon, atij i vjen keq dhe i bie terri syve dhe menjëherë pyet se pse nuk e bën uljen e përmendur. Ai i drejtohet atij duke përkrahur mendimin se kjo ulje e shkurtër është e obligueshme dhe e përcaktuar rreptësisht në namaz, përkundër asaj se një numër i caktuar i dijetarëve muslimanë e transmetojnë konsensusin se kjo ulje nuk është e obligueshme. Në të vërtetë, në lidhje me dispozitën e kësaj ulje ekzistojnë tre mendime:

Mendimi i parë: se ajo në të gjitha rastet është mustehab, pra diçka e pëlqyer;

Mendimi i dytë: se ajo kurrë nuk është mustehab dhe se kurrë nuk duhet të praktikohet;

Mendimi i tretë: se ajo është mustehab – e pëlqyer për atë i cili për ndonjë arsye ka nevojë për të me qëllim që ta lehtësojë veten, siç është personi i moshuar, i sëmuri që ka probleme me gjunjë e të ngjashme.

Përkundër kësaj, ka njerëz të cilët sillen ndaj kësaj dispozite sikur të ishte e urdhëruar dhe e obliguar rreptësisht.

Shembulli i dytë: Disa njerëz, nëse e shohin ndonjë njeri i cili pasi ngrihet nga rukuja e vendos dorën e tij të djathtë mbi të majtën dhe i mban ato në gjoks, ata i afrohen dhe i thonë se një veprim i këtillë është risi dhe se duart pas rukusë është obligim që të lëshohen teposhtë nëpër trup, madje duke i thënë se një veprim i tillë nuk ka bazë e as që është i vlefshëm, edhe përkundër asaj se kjo çështje kthehet në ixhtihad. Ka mundësi që argumenti të jetë në anën e atyre të cilët thonë se duart li- dhen në gjoks pas rukusë, ashtu siç lidhen para rukusë, sepse kjo mund të kuptohet prej hadithit të cilin e përmend Buhariu prej Sehl b. Sa’dit radijallahu anhu, në të cilin thuhet: “Njerëzit ishin të urdhëruar që në namaz dorën e tyre të djathtë ta vendosin në nyjen e dorës së majtë,” ¹

Shembulli i tretë: Disa të tjerë i qortojnë ashpër ata të cilët bëjnë në namaz qoftë edhe një lëvizje të vogël, pa marrë parasysh se ato lëvizje në esencë janë të lejuara dhe që sunneti autentik dëshmon se është e lejuar që të bëhen lëvizje edhe më të mëdha se ato që u përmendën. Të këtillët mund t’i shohësh se i gjykojnë ashpër dhe me egërsi ata që bëjnë ndonjë lëvizje, pa marrë parasysh se ato janë të lejuara dhe se sheriati i ka miratuar, ashtu siç thamë pak me pare. Nuk ka dyshim se një sjellje e këtillë konsiderohet ekstremizëm dhe teprim

Në një rast, Ebu Xhuhejfe radijallahu anhu e kishte falur namazin duke i mbajtur dizgjinët e kalit të tij në dorë. Kali lëvizte, kurse ai ngadalë lëvizte pas tij dhe kështu kishte vepruar derisa e kishte mbaruar namazin. Një njeri që ishte i ashpër dhe i paedukuar, duke e parë këtë, papritmas kishte bërtitur: “Shikojeni këtë njeri!” dhe këtë ai e kishte përsëritur tri herë. Ebu Xhuhajfe radijallahu anhu, ky sahab fisnik, pasi që dha selam dhe e kreu namazin, iu afrua këtij njeriu dhe i shpjegoi në mënyrë të mirë se ky veprim është i lejuar, sepse sikur ta kishte lëshuar kalin e tij, ai me siguri do të humbte diku dhe ndoshta nuk do ta gjente deri në mbrëmje.

Të mendojmë edhe për shembujt e tjerë të butësisë dhe lehtësimeve me të cilat ka ardhur sheriati:

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem njëherë u printe sahabëve në namaz, kurse në duar e mbante Umamen, vajzën e vajzës së tij, Zejnebes radijallahu anhu, pra mbesën e tij. Ai kur ngrihej, ai e ngrinte, ndërsa kur shkonte në sexhde, ai e lëshonte atë. ² Në këtë veprim mund të shihet se sa ishte Pejgamberi salallahu alejhi ue selem i mëshirshëm dhe i butë ndaj kësaj vajze. Po ashtu, prej këtij hadithi është e qartë edhe se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem jo vetëm që e kishte mbajtur fëmijën në namaz, gjë e cila kërkon shumë lëvizje, por ai edhe i kishte udhëhequr njerëzit në namaz, ndërkohë që edhe ata kishin lëvizur në një mënyrë me qëllim që të shihnin se çfarë bënte ai në namaz me mbesën e tij. E gjithë kjo është argumenti më i mirë se një gjë e këtillë është e lejuar, sepse Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka qenë njeriu më i devotshëm dhe e ka njohur më së miri fenë e Allahut dhe, sikur kjo të ishte e ndaluar, ai me siguri nuk do ta bënte këtë.

Shembulli i katërt: Një grup i sahabëve ishte interesuar rreth veprave që Pejgamberi salallahu alejhi ue selem i bënte në vetmi dhe kur i kishin mësuar disa prej tyre, ata ishin dëshpëruar dhe kishin thënë: “Pejgamberit salallahu alejhi ue selem i janë falur të gjitha lëshimet që i ka bërë dhe që do t’i bëje, ndërsa ai prapë vepron kështu dhe prapë i bën ibadet Allahut! Për këtë shkak, ne jemi të obliguar që të bëjmë akoma më shumë vepra të mira me qëllim që Allahu të na i falë mëkatet tona.” Njëri prej tyre tha: “Unë do të agjëroj çdo ditë dhe nuk do ta ndërpres agjërimin kurrë”, tjetri tha: “Unë do të falem gjithë natën dhe nuk do të fle natën kurrë”, ndërsa i treti tha: “Unë nuk do të martohem kurrë.” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, kur u informua lidhur me atë që kishin thënë këta persona, tha: “Unë disa ditë i agjëroj, ndërsa disa jo, disa net falem, ndërsa në disa fle dhe unë jam martuar. Ai që e refuzon sunnetin tim, ai nuk më takon mua.”³

Të gjitha këto që u përmendën tregojnë shumë qartë se nuk na ka hije e as që e kemi të lejuar që ta teprojmë në fenë e Allahut, qoftë në rastin e thirrjes së të tjerëve në Islam, qoftë në rastin e praktikimit tonë të dispozitave fetare. Ne e kemi për obligim që të jemi të matur dhe të ndjekim rrugën e mesme, pikërisht ashtu siç na e kanë urdhëruar këtë Allahu i Lartësuar dhe Pejgamberi i Tij salallahu alejhi ue selem. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.” (El- En’am, 153)

Po ashtu, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thene “Mos e teproni lidhur me mua ashtu siç e kanë tepruar të krishterët sa i perket Isait (alejhi selam). ” ⁴

Deri sa kishte udhëtuar prej Muzdelifes për në Mina, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem kishte marrë në dorë guralece dhe kishte thënë: “O njerëz, merrni guralecë të kësaj madhësie dhe gjuani me to xhemeratet dhe ruajuni mirë prej teprimit në fe…”⁵

SKAJSHMËRIA E DYTË: PAKUJDESIA DHE LËSHIMET PA ARSYE

Nga ana tjetër, hasim ata të cilët janë shumë të pakudesshëm ndaj obligimeve të thirrjes në fenë e Allahut dhe i lëshojnë me shumë lehtësi situatat që janë tepër të përshtatshme dhe të mira për davet, duke mos bërë asgjë me qëllim që të veprojnë në këtë fushë. Nganjëherë shkak i pakujdesisë së këtyre personave është pëshpëritja e shejtanit se ende nuk është koha që disa persona t’i thërrasë në Islam ose se ata persona, nëse ai i thërret ata, nuk do t’i përgjigjen thirrjes së tij, ose vesvese dhe pëshpëritje të këtilla të ngjashme, të cilat shejtani i fut në zemrat e tyre me qëllim që ata t’i lëshojnë këto raste të mira.

Të tjerët, nëse shohin ndonjë njeri që bën ndonjë gjë të ndaluar ose që lëshon diçka që është e urdhëruar, ata menjëherë zemërohen, largohen prej tij dhe e humbin shpresën se personi në fjalë do të përmirësohet ndonjëherë dhe, me të vërtetë, ky është një problem i madh. Allahu i Lartësuar na e ka bërë të qartë se ne duhet të jemi të durueshëm dhe të vendosur dhe duhet të shpresojmë në shpërblimin e Tij. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Prandaj, ti bëhu i durueshëm (o Muhamed), ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të dërguarit e vendosur dhe mos kerko shpejtimin e dënimit për ata!” (Ahkaf, 35). Për këtë njeriu e ka për obligim që të jetë i durueshëm dhe që të presë shpërblim prej Allahut të Lartësuar, edhe nëse nganjëherë ai përjeton lloje të ndryshme të nënçmimit. Pejgamberi sala alejhi ue selem, pasi që i ishte lënduar gishti në një luftë dhe prej tij dilte gjak, duke iu drejtuar gishtit të tij, tha në vargje:

“Ti nuk je përveçse një gisht i përgjakur, Në rrugen e Allahut, kjo të ka ndodhur.”

Pra, ky grup është në kundërshtim të plotë me grupin e parë për të cilin folëm më parë. Njerëzit e këtillë janë dëshmita rë se si shkelet sheriati i Allahut dhe bëhen mëkate të ndry shme, mirëpo edhe përkundër kësaj, ata nuk i këshillojnë nje rëzit që të përmirësohen e as që i thërrasin ata që të largohen prej mëkateve.

Disa madje i dëgjojmë duke thënë se të gjithë njerëzit të cilët, në parim, deklarohen si muslimanë dhe të cilët në namazin e tyre drejtohen nga Kibla, është obligim që të gjithë këta konsiderohen si një grup i vetëm dhe se ata nuk duhet të ndahen në asnjë bazë. Ata thonë se nuk lejohet që muslimanët të klasifikohen në risimtarë dhe në ithtarë të sunnetit, që është një gabim i qartë dhe një gjë e rrezikshme, sepse është obligim që të vërtetën ta ndajmë prej gënjeshtrës, ashtu siç është obligim që të bëjmë dallim mes ithtarëve të së vërtetës dhe ithtarëve të gënjeshtrës. Sikur të gjitha fraksionet që i përshkruhen Islamit të ishin përzier, të ishin bashkuar dhe të sjellin përfundim se si bashkërisht do të jetojnë në Islam, edhe përkundër asaj se mes tyre ndoshta ka të atillë që praktikojnë risi të cilat largojnë prej islamit, me këtë rast do të ndodhte diçka me çka nuk do të mund të pajtohej e as që do ta pranonte dikush i cili sinqerisht orienton dhe këshillon për hir të Allahut, librit të Tij, Pejgam berit të Tij, për prijësit e muslimanëve dhe për masën e zakonshme muslimane.

Ekzistojnë njerëz që kanë edhe dituri, edhe aftësi që të the rrasin në fenë e Allahut, mirëpo edhe përkundër asaj se i shohin njerëzit nëpër lloje të ndryshme të mëkateve dhe lëshimeve, ata nuk ua tërheqin vërejtjen, sepse kanë frikë se do të ofendohen dhe nënçmohen dhe për këtë arsye ata e lënë obligimin e thirrjes për te Allahu.

BURIMI: Shejh Uthejmin / “ZGJIMI ISLAM RREGULLA DHE DREJTIME”

¹ Buhariu, nr. 740, Libri rreth ezanit, Kapitulli rreth vendosjes së dorës së djathtë mbi të majtën në namaz.

² Buhariu, nr. 516, Libri rreth namazit, Kapitulli rreth mbajtjes se vajzës në namaz. Buhariu e përmend edhe në një vend tjetër, nr. 5996 prej Ebu Katade el-Ensariut radijallahu anhu

³ Buhariu, nr. 5063, Libri rreth marteses, Kapitulli rreth nxitjes për martesë. E përmend edhe Muslimi, nr. 1401, Libri rreth martesës, Kapitulli rreth pëlqyeshmërisë së martesës prej Enes b. Malikut radijallahu anhu

⁴ Buhariu, nr. 3445 prej Abdullah b. Abbasit radijallahu anhu, Libri rreth pejgamberëve, Kapitulli rreth fjalëve të Allahut të Lartësuar. “Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen…” (Merjem, 16)

⁵Pjesë e hadithit të cilin e kanë përmendur Nesaiu, 5/267, nr. 3057, Ibn Maxhe, nr. 3029 dhe Ahmedi në Musned, 1/215, 347 prej Abdullah b. Abbasit radijallahu anhu

⁶ Buhariu, nr. 2802, Libri rreth xhihadit dhe vëzhguesve, Kapitulli për atë që plagoset në mugën e Allahut. E përmend edhe Muslimi, nr. 1796, Libri rreth xhihadit, Kapitulli në të cilin fitet për gjerat e pakëndshme të cilat i kishte përjetuar Pejgamberi salallahu alejhi ue selem prej idhujtarëve. Hadithin e transmeton Xhundub b. Sufjani radijallahu anhu