Është e ditur se menaxhimi mbështetet tek fuqia punëtore që është e aftë për zbatimin e detyrave dhe realizimin e objektivave të synuara.

Për këtë arsye Profeti [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], gjatë menaxhimit të çështjeve të shtetit islam dhe ftesës tek feja islame, i ka kushtuar rëndësi forcave njerëzore që punonin me të. Kujdesi dhe vëmendja ndaj ndihmësve dhe fuqisë punëtore konsiderohet një nga përparësitë më të rëndësishme të menaxhimit si në kohët e hershme ashtu edhe në kohët moderne, madje ky është vetë shpirti i menaxhimit mbi të cilin mbështetet. ¹

Ndoshta procesi i regjistrimit, i urdhëruar nga i Dërguari i Allahut, [sal-lallahu alejhi ve sel- lem], për banorët e Medines, pas një periudhe nga koha e migrimit, është një nga dëshmitë më të mëdha të interesimit për njohjen e fuqisë njerëzore dhe vlerësimin e saj.

Është transmetuar se i Dërguari i Allahut, [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], urdhëroi që të bëhej numërimi i gjithë muslimanëve. Ai u tha: “Mbajini shënim për të gjithë ata që kanë dëshmuar shehadetin”.

Hudhejfe Ibn Jeman thotë: “Ne evidentuam dhe regjistruam një mijë e pesëqind burra”²

Edhe pse urdhri nuk kishte të bënte drejt- përdrejtë me administrimin, por na jep të kuptojmë rreth konceptit të kujdesit për fuqitë njerëzore dhe studimin e tyre.

Sistemi i shoqërisë muslimane në epokën e Profetit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] u përfaqësua në fillimet e tij të hershme në Medine, veçanërisht pasi ata që punonin me të Dërguarin e Allahut i përkisnin dy elementeve kryesore, muhaxhirët dhe ensarët, të cilët kryenin shumicën e detyrave administrative në shtetin islam dhe kishin karakteristikat e tyre të përshkruara në Kuranin famëlartë: “Ndërsa ata që banojnë në Medine dhe që e kanë pranuar besimin qysh më parë, i duan mërgimtarët që vijnë në Medinë dhe në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë, që u është dhënë atyre, por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues”. (El-Hashr: 9)

Ata i kishin cilësitë e besimtarëve që sakrifi- kojnë veten dhe pasurinë e tyre për hir të Allahut të Lartësuar dhe për ruajtjen e amanetit: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zeqatin, të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve), të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra”. (El- Mu’minun: 1-8)

Nisur nga kjo, Islami u përpoq ta forconte besimin fetar dhe frikën ndaj Zotit tek individi dhe saktësinë në punë, dhe rrjedhimisht ishte kjo referenca e të gjithë atyre që u ngarkuan me punë të ndryshme që kishin lidhje me shërbimin ndaj shoqërisë muslimane dhe ftesën, si dhe adminis- trimin e çështjeve të ndryshme. Gjithashtu, i Dërguari i Allahut, [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], i urdhëronte anëtarët e fiseve të ndryshme që ki- shin hyrë në fenë islame të emigronin drejt Medi- nes, për t’i bashkuar energjitë e muslimanëve në Medine dhe nxiste në mënyra të ndryshme për shtimin e numrit të tyre, që të bëheshin besimtarë të mirë, punëtorë dhe aktivë brenda shoqërisë së re muslimane, si dhe të jepnin ndihmën e tyre në administrim, në organizim dhe në realizimin e qëllimeve të ndryshme të shoqërisë.

dr. Abdulaziz b. Ibrahim el-Umeri
“Parimet e planifikimit dhe menaxhimit në jetën e Profetit (sal-lallahu alejhi ve sel-lem)”

¹ Shiko tek David Richman dhe të tjerë, “Menaxhimi bashkëkohor”, f. 247. ² El-Huzai “Tahrijxh ed-delalat es-sem’ije”, f. 10.