Allahu i lartesuar thote: “Pa dyshim, Ne të dërguam ty me të Vërtetën, si përgëzues dhe paralajmërues. Ti nuk do të pyetesh për banorët e Zjarrit të madh.” [BEKARE 119]
Shpjegimi i ajeteve
- “Pa dyshim, Ne të dërguam ty me të Vërtetën, si përgëzues dhe paralajmërues.” – Ibn Ebu Hatimi sjell me senedin e Tij hadithin nga Ibn Abasi, që tregon nga Profeti, që ka thënë: 110. “Mua mu shpall: “Pa dyshim, Ne të dërguam ty me të Vërtetën, si përgëzues dhe paralajmërues.” Pastaj shpjegoi: “Përgëzues me Xhenet dhe qortues e paralajmërues me Zjarr.” Allahu tha:
- “Ti nuk do të pyetesh për banorët e Zjarrit të madh.” – Shumica e lexojnë: “Nuk do të pyetesh”, pra, si folje jokalimtare. Kuptimi: Nuk do të të marrim në pyetje rreth mohimit e mosbesimit të atyre që nuk të besojnë ty. I Lartësuari thotë: “… detyra jote është vetëm kumtimi i qartë (i Shpalljes), kurse gjykimi për ta i Yni.” [Ra’d 40]. “Ti këshillo, sepse je veçse një kujtues dhe nuk je kontrollues i tyre.” [Gashije 21, 22].
Ndërsa me një lexim tjetër, ajeti vjen: “ue la tes’el” – “Mos pyet rreth banorëve të Zjarrit dhe gjendjes së tyre.” Pra, kështu ajeti na ndalon nga të pyeturit rreth gjendjes së tyre, siç transmetohet nga Abdur-razaku, e ky nga Muhamed Ibn el Kea’ab el Kuradhij, që tregon se Profeti i Allahut thoshte njëherë: 111 “Oh, i gjori unë, çfarë u bë me prindërit e mi! Oh, i gjori unë, çfarë u bë me prindërit e mi! Oh, i gjori unë, çfarë u bë me prindërit e mi!” Atëherë u shpall ajeti: “Ti mos pyet për banorët e Zjarrit të madh!” Dhe ai nuk i përmendi më ata, derisa ndërroi jetë e shkoi tek Allahu.”.
Për sa i përket hadithit ku përmendet se Allahu i madhëruar ia ngjalli Profetit a.s të dy prindërit e tij dhe ata e besuan atë, ky është një hadith i pasaktë dhe nuk ndodhet në ndonjë nga librat e Sunetit. Senedi i tij është i dobët. Allahu e di më mirë. Ka mundësi që Profeti a.s në fillim kërkonte falje për dy prindërit e tij para se të mësonte për gjendjen e tyre, por pasi e mësoi, nuk vazhdoi më me kërkim faljeje, madje njoftoi se ata të dy ishin banorë të Zjarrit, sikurse ka ardhur në hadith të saktë. (1)
TEFSIR IBN KETHIR
(1) Shejh Muhamed Nasib el Rifai thotë: “Imam Muslimi sjell në Sahihun e tij hadithin nga Enesi, se një burrë i tha Profetit (a.s.): 112 “O i Dërguari i Allahut, ku është babai im?” Profeti i tha: “Ai është në zjarr …” Kur bëri të largohej, Profeti a.s e thirri dhe i tha: “Babi im dhe babai yt janë në zjarr.”
Gjithashtu, Muslimi sjell në Sahihun e tij hadithin nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) që ka thënë: 113. “Profeti a.s vizitoi varrin e nënës së tij dhe qau, aq sa bëri të qajnë edhe ata që ishin rreth tij, dhe pastaj tha: “I kërkova leje Zotit tim që të kërkoj falje për të, dhe nuk m’u dha leje. Kërkova leje që të vizitoj varrin e saj, dhe m’u dha leje. Vizitojini varrezat, se ato ju kujtojnë vdekjen!” Rreth kësaj teme janë sjellë hadithe të shumta, por po mjaftohemi me ato që gjenden në Sahihun e Muslimit. Nga të gjitha hadithet bëhet e qartë se të dy prindërit e Profetit a.s vdiqën në idhujtari. La haule ue lâ ku-uete il-lâ bil-lâhil Alijil Adhim!”
Tefsir nga Ibn Kethiri