Siç e kemi parë, ligji islam ka hedhur themelet për parimin e këshillimit. Si rrjedhojë, gatishmëria për t’u angazhuar në këshillimet e ndërsjella konsiderohen një aspekt jetik i karakterit dhe sjelljes morale të muslimanit dhe një bazë themelore për menaxhimin e çështjeve publike dhe interesave të përbashkëta të njerëzve. Në të njëjtën kohë, ligji islam nuk imponon kushte ose kufizime në mënyrat e veçanta me të cilat duhet të angazhohet këshillimi. Përkundrazi, ai i lë këto çështje, zgjedhjen dhe diskutimet e përbashkëta të njerëzve, në lirinë e tyre të veprimit. Sa i përket praktikës së këshillimit nga individët për çështjet e tyre private dhe familjare, në shumicën e rasteve shihet si rekomandim, por jo i detyrueshëm. Për këtë arsye, ritmi dhe procedurat e veçanta që karakterizojnë një këshillim të tillë, janë lënë në zgjedhjen individuale, të diktuara nga rrethanat dhe kapacitetet e perosnave në fjalë. Përndryshe, këshillimi mund të bëhet një barrë e patolerueshme, jo e vlefshme për të gjitha vuajtjet që ai sjell. Prandaj, çdo individ duhet të këshillohet me kë dëshiron dhe në mënyrën që dëshiron.

Sido që të jetë, ai që na shqetëson në këtë pikë, është këshillimi publik, domethënë këshillimi në lidhje me çështjet publike. Ky lloj këshillimi ka të bëjë me planifikimin dhe lehtësimin e punëve të shtetit, shoqërisë, komuniteteve dhe grupeve më të vogla. Për më tepër, ai kërkon miratimin e një numri të madh procedurash organizative dhe ekzekutive. Shkurtimisht, ai kërkon një sistem, ose një varg rregullash të hollësishme. Ky sistem ose grup rregullash, që kanë të bëjnë me praktikën e këshillimit, është lënë në heshtje nga ligji islam. Rrjedhimisht, rruga është lënë e hapur për mendimin krijues brenda fushës së parimeve legjislative islame, një temë për të cilën do të kthehem në një kapitull të mëvonshëm. Megjithatë, në këtë kapitull do të marr disa baza të caktuara organizative, që kanë të bëjnë me themelimin dhe praktikën e këshillimit në sferën e çështjeve publike dhe menaxhimin e tyre kolektiv. Parime të tilla universale, si detajet e praktikës këshilluese, nuk shkruhen në hollësi në ligjin islam. Sidoqoftë, përmes një procesi induksioni dhe shqyrtimi të kujdesshëm, ato mund të rrjedhin nga tekstet e ligjit islam dhe praktikat këshilluese që mbizotëruan në ditët e Pejgamberit (a.s.) dhe kalifëve të udhëzuar në mënyrë të drejtë.

/Burimi: “Shura – Parimi kuranor i këshillimit, një mjet për rindërtim dhe reformë” Ahmad Al-Raysuni/