Duke qenë se këshillimi është një domosdoshmëri në lidhje me çështjet private, duke përfshirë çështjet që kanë të bëjnë vetëm me individin, individin në raport me të tjerët, burrat dhe gratë, prindërit dhe fëmijët e tyre, atëherë këshillimi është qartësisht më vital, në lidhje me çështjet publike dhe çështjet kryesore që ata ngrenë.

Rëndësia e këshillimit në sferën publike bëhet e dukshme në dy ajete kuranore. I pari flet për ata, “qëllimi i të cilëve (në të gjitha çështjet me interes të përbashkët) është këshillimi mes tyre”. Kjo frazë gjendet në pasazhin vijues:

“Dhe mos harroni se çdo gjë që ju jepet, është vetëm për gëzimin e jetës në këtë botë, ndërsa ajo që është me Zotin, është shumë më e mirë dhe më e qëndrueshme.
(kjo do t’u jepet) Të gjithë atyre që arrijnë të besojnë dhe e ven dosin besimin te Mbështetësi i tyre; atyre që shmangin mëkatet dhe mëkatarët më të tmerrshëm; atyre që falin lehtë dhe që janë zmbrapsur sa herë prej zemërimit; atyre që i përgjigjen [thirrjes së] Mbështetësit të tyre dhe janë të vazhdueshëm në lutje dhe qëllimi i të cilëve [në të gjitha çështjet me interes të përbashkët] është këshillimi midis tyre; atyre që shpenzojnë për të tjerët, nga ajo që Ne ua sigurojmë si ushqim”. ¹⁸

Sa i përket ajetit të dytë, ai përbëhet nga urdhri i Zotit ndaj të Dërguarit (a.s.), që “të këshillohet me ta në të gjitha çështjet me interes publik”. Fragmenti në të cilin paraqitet ky urdhër, është si vijon:

“Dhe, me anë të hirit të Zotit, ti [O Pejgamber] u bëre i butë me pasuesit e tu. Sepse, po të kishe zemër të ashpër, ata do të largoheshin nga ti. Fal, pra, dhe lutu që ata të falen! Dhe këshillo hu me ta në të gjitha çështjet me interes publik! Kur të vendosni mbi një rrugë veprimi, vendoseni besimin tuaj te Zoti, sepse, me të vërtetë, Zoti i do ata që i besojnë Atij!”¹⁹

Ajeti i parë, i cituar më lart, gjendet te surja 42 e Kuranit, që mban emrin “Esh-Shura” – Këshillimi. Fakti që njërës nga suret e Kuranit i është dhënë ky emër, në vetvete, është dëshmi për rëndësinë e këshillimit dhe vendin e nderit që i është dhënë në shpalljen islame. Në këtë ajet këshillimi përmendet në mënyrë sipërfaqësore, së bashku me një numër karakteristikash themelore të bashkësisë besimtare muslimane. Që nga ardhja në besim, ata vendosën besimin e tyre në Zot, shmangën mëkatet më të urryera, iu përgjigjën urdhrave të Zotit, kryen lutje të rregullta, u konsultuan midis tyre në të gjitha çështjet me interes të përbashkët, shpërndanë të dhjetën e zekatit dhe shpenzuan për të tjerët, atë që Zoti ua ka dhënë atyre. Ky, pra, është konteksti në të cilin gjejmë përshkrimin e komunitetit musliman, si ata që konsultohen në mënyrë të vazhdueshme mes tyre, në të gjitha çështjet me interes të përbashkët. Duke komentuar këtë ajet, El-Kannuxhi shkruan: “Ky ajet nënkupton se ata angazhohen në këshillime lidhur me çdo çështje apo pyetje që hasin. Rrjedhimisht, pikëpamja e një personi nuk merret parasysh për përjashtimin e të tjerëve”.²⁰ Dijetarët kanë vënë në dukje faktin se praktika e këshillimit është e listuar së bashku me një numër karakteristikash që konsiderohen si përbërës thelbësorë dhe themelet e fesë islame. Duke qenë kështu, dalim në përfundimin se edhe këshillimi është një përbërës thelbësor i praktikës islame. El-Xhessasi thotë:
“Referenca e Zotit për ata që “i përgjigjen [thirrjes] së Mbështetësit të tyre dhe janë të vazhdueshëm në lutje; qëllimi i të cilëve [në të gjitha çështjet me interes të përbashkët] është këshillimi midis tyre; që shpenzojnë për të tjerët nga ajo që Ne i siguroj më si ushqim për ta…” (42:38) është dëshmi e rëndësisë jetike të këshillimit. Në fund të fundit, Ai e përmend atë, së bashku me besimin dhe shfaqjen e lutjes së rregullt. Prandaj shërben si dëshmi, fakti se besimtarët janë urdhëruar të angazhohen në këtë proces.²¹

Sa i përket ajetit të dytë mbi rëndësinë së këshillimit (3: 159), i drejtohet të Dërguarit (alejhi selatu ue selam) në cilësinë e tij si udhërrëfyes, edukator, komandant dhe udhëheqës, si ai që i thërret të tjerët në besimin te Zoti. Këto role kërkonin që ai të ishte i butë, i sjellshëm dhe i dhembshur ndaj të tjerëve, tolerant ndaj dështimeve të tyre dhe falës kur mëkatonin. Në mënyrë të ngjashme, ata kërkuan që ai të merrte për bazë këshillën e tyre dhe të tregonte konsideratë për mendimet e tyre. Për më tepër, urdhri i dhënë të Dërguarit (alejhi selatu ue selam) për t’u konsultuar me sahabët e tij, vlen për të gjithë ata që, si ai, shërbejnë si komandantë, udhëheqës dhe ata që i thërrasin të tjerët në besim.
Në të vërtetë, studiuesit dhe komentuesit kuranorë pohojnë se individë të tillë janë nën një detyrim më të rëndë sesa Pejgamberi (alejhi salatu ue selam), që ishte duke zbatuar këtë urdhër, pasi ata kanë nevojë shumë më të madhe sesa ai.

Rrjedhimisht, ky ajet shihet si një parim themelor në qeverinë dhe udhëheqjen islame si dhe në marrëdhëniet midis sundimtarëve muslimanë dhe atyre që ata sundojnë. Duke komentuar këtë ajet, gjykatësi Ibn ‘Atije bëri deklaratën e tij të fuqishme dhe të mirënjohur, se “këshillimi është ndër themelet dhe urdhërimet më të detyrueshme të ligjit islam. Prandaj, ai që nuk arrin të konsultojë ata që zotërojnë dije dhe devotshmëri, duhet të largohet. Kjo pikë është përtej mosmarrëveshjes”.²²

Burimi: “Shura – Parimi kuranor i këshillimit, një mjet për rindërtim dhe reformë” Ahmad Al-Raysuni

¹⁷ Kuran, 42:38.
¹⁸ Kuran, 42:36-38.
¹⁹ Kuran, 3:159.
²⁰ Siddiq ibn Hasan al-Qannuji, Fath al-Bayan fi Maqasid al-Kuran (Katar: Idarat Ihya’ al-Turath al-Islam, 1989), 12/311.
²¹ Abu Bakr al-Jassas, Ahkam al-Kuran (Beirut: Dar al-Fikr, pa datë), 3/386.
²² ‘Abd al-haqq ibn ‘Atiyyah, Al-Muharrir al-Wajiz fi Tafsir al-Kitab al-’Aziz, ed.al-Rahhali al-Faruqi, et. al., edicioni i 1-rë (Doha, Qatar, 1977), 3/397.