Letër e hapur për aktivistët dhe organizatat muslimane në SHBA për angazhimin me strukturat e policisë

Kohët e fundit, më kanë dërguar mesazhe private një numër aktivistësh në SHBA, të cilët janë të shqetësuar për mënyrat në të cilat institucionet e shquara muslimane në Amerikë angazhohen me forma të ndryshme të zbatimit të ligjit, pavarësisht nëse mund të jetë Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS), FBI, apo edhe me programe brenda rubrikës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (CVE). Edhe pse me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, kam pasur privilegjin të përfshihem në mbrojtjen ligjore dhe politike të të arrestuarve në SHBA si viktima të Luftës globale kundër Terrorizmit. Kjo më ka çuar në një rrugëtim që më bëri të kuptoj rolin që luajnë agjensitë e zbatimit të ligjit në ndërtimin e këtyre rasteve, por edhe brenda një kompleksi industrial më të gjerë të sigurisë.

E shkruaj këtë letër sepse dua që ne të mendojmë për etikën e angazhimit me forcat e rendit. Kur bëhet fjalë për politikat dhe praktikat e Luftës globale kundër Terrorizmit, shkalla e shkëmbimit të ideve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së është e thellë, duke e bërë patologjinë e tyre të sigurisë të tillë që kërkon të nxjerrim mësime duke rezistuar kolektivisht.

Në SHBA, edhe më shumë se në Mbretërinë e Bashkuar, ekziston një dhunë gjatë ruajtjes së rendit dhe ligjit që është pothuajse e pashembullt. Kjo dhunë nuk ndërlidhet në mënyrë unike me myslimanët, por ka një histori të gjatë që është e lidhur me mënyrën se si ata që janë jashtë shumicës së bardhë në shoqëri konsiderohen “Të tjerë”, dhe është më e dukshme në racizmin e saj anti-zezak. Nëse nisemi nga premisa se vetë ligji, dhe administratorët e ligjit, policia, shërbimet e prokurorisë, gjyqtarët dhe në fakt juritë, të gjithë luajnë një rol brenda strukturës së racizmit dhe diskriminimit, atëherë deri në çfarë mase mund të kërkojmë realisht të angazhohemi në atë sistem?

Si muslimanë, cili është pozicioni ynë në raport me punën që bëjmë? Për ata prej nesh që pretendojnë se janë të përfshirë në punën e mbrojtjes së muslimanëve dhe Islamit, duhet të pranojmë se nuk po i bëjmë askujt asnjë nder duke bërë këtë punë. Kjo është një mundësi dhe bekim unik me të cilin ne kemi qenë të privilegjuar, një mundësi që çdo kush tjetër do të mund të ishin ftuar ta bënin. Për më tepër, ne nuk e kemi në pronësi këtë punë apo institucionet tona, e ka grupi kolektiv kurse ne jemi përgjegjës për gjithçka që bëjmë, në çdo kohë. Pritshmëritë për besim ndaj nesh pa shqyrtim hetues janë të pajustifikuara, pasi ne nuk mund të pretendojmë se përfaqësojmë interesat e komuniteteve tona, pa qenë fillimisht të hapur për të mbajtur llogari. Qofshin para, angazhime, pozicione apo çfarëdo që të jetë çështja, ne kemi detyrim t’u përgjigjemi shqetësimeve të komunitetit kur ato ngrihen sepse nuk mund të pretendojmë t’i përfaqësojmë ata ndërkohë që ka dyshime për ne. Ne nuk e zotërojmë këtë punë, ne jemi përgjegjës ndaj saj.

Ka argumente që shpesh ngrihen nga ata që kërkojnë të krijojnë marrëdhënie me forcat e rendit, që në fund të fundit pa u angazhuar, nuk do të ketë asnjë shans për të ndryshuar sistemin. Kështu, ata pretendojnë se takimet me FBI-në dhe DHS-në i shërbejnë qëllimit të korrigjimit të të metave brenda sistemit. Dua të mendoj për efikasitetin e këtyre ndërveprimeve, sepse në fund të fundit, mendoj se këtu mund të ekzistojnë shumë mospajtime. Shpresoj ti shqyrtoj argumentet e zakonshme që bëhen dhe të jap përgjigje të shkurtra për të cilat lutem që të na ndihmojnë të mendojmë më thellë rreth problemit dhe zgjidhjes.

 “Policia është e nevojshme; na mbajnë të sigurt.”

Përpara se të merremi me ndonjë temë tjetër, duhet të mendojmë për mbajtjen e rendit dhe pretendimin se është një domosdoshmëri, se na mban të sigurt nga ata që mund të na dëshirojnë të keqen. Kryesisht, policia nuk e ndalon krimin të ndodhë, aq sa është pjesë e një procesi kriminalizimi pas kryerjes së krimeve. Mbajtja e shoqërisë të sigurt kërkon adresimin e shkaqeve rrënjësore të krimit, një perspektivë që shkon përtej nocionit të mbajtjes se rendit nga policia – në fakt, veçanërisht në kontekstin e SHBA-së, mund të argumentohet se sistemi strukturor racist i policisë dhe ndëshkimit i ka shërbyer vetëm rritjes së nivelit dhe heqjes së të drejtave. Të thuash se kemi nevojë për policinë për të na mbajtur të sigurt, është të kalojmë përgjegjësinë tek dikush tjetër, do të thotë se ne jemi më pak të interesuar të bëjmë punën e vështirë që duhet bërë që e gjithë shoqëria të bëhet më e sigurt. Mbështetja në polici shërben vetëm për forcimin e strukturës së saj si domosdoshmëri. Organizata ime CAGE është përpjekur të ofrojë njëfarë lidershipi në këtë drejtim dhe puna jonë ka treguar se mund të ketë mënyra për të reduktuar kërcënimet ndaj shoqërisë në tërësi, që ekzistojnë përtej mbikëqyrjes së policisë.

“Disa institucione të zbatimit të ligjit janë të sigurta për të punuar me to, ndërsa të tjerët janë të rrezikshëm.”

Kur mendojmë për institucionet që janë përgjegjëse për mbajtje të rendit, ne duhet të marrim parasysh funksionet e tyre dhe mënyrën se si ato i qasen në thelb komuniteteve. FBI, vetëm si një shembull, ka shpenzuar burime të jashtëzakonshme për të minuar ato që ajo i konsideron si aktivitete armiqësore që nga fillimi i programit të kundërzbulimit COINTELPRO. Duke hyrë në Luftën kundër Terrorizmit, ai program gjeti rrugën e tij në çdo aspekt të mbajtjes së rendit në komunitetet muslimane, por veçanërisht përmes përdorimit të kurthit. Për ata që bëjnë një dallim favorizues mes mënyrës se si funksionon FBI në krahasim me institucionet e tjera si CIA, atëherë ata duhet të flasin me kolegun tim Moazzam Begg dhe shumë të tjerë që i ndërlidhin mënyrat se si FBI ka qenë tërësisht bashkëpunëtor në programe të ndalimit dhe torturës arbitrare.

Këto që u shkruan më lartë fillojnë të prekin funksionet që institucionet tjera shërbejnë, veçanërisht në periudhën e pas 11 shtatorit. Ndoshta shembulli më i hidhur i një institucioni të krijuar me qëllim që muslimanët “t’i shohë e t’i shesë” si kërcënim i sigurisë është DHS, e cila qysh në konceptimin, fillimin dhe praktikën e saj, ka diskriminuar ligjërisht muslimanët, qofshin ata shtetas të vendit apo jo. Është e rëndësishme t’i kujtojmë vetes, se pavarësisht nga normalizimi i ynë ndaj dëmit, se pothuajse çdo ndalesë e profilizimit, qoftë hyrja apo largimi nga SHBA apo Mbretëria e Bashkuar, është një akt racizmi – edhe nëse ju ofrojnë një sanduiç ose qilim lutjeje për ‘ zbutur përvojat e hidhura. Po, sistemi është ashtu siç është, por ne vuajmë nga një amnezi kolektive e përditshme që rezulton në normalizimin e diskriminimit sistematik që jemi të detyruar ta durojmë.

 

“Një forcë policore më e larmishme ose kulturalisht e ndërgjegjshme që përfshin muslimanët do të përmirësojë sistemin.”

Në Mbretërinë e Bashkuar, na tregohen histori të mira për oficer të policisë nga komuniteti jomusliman, i cili është i gatshëm të agjërojë një ditë Ramazani dhe madje të prish agjërimin bashkë me komunitetin në kohën e Iftarit. Qështja me këtë punonjës policie është se ai me të vërtetë nuk ka aftësinë për të përmbysur strukturën ku ai është një anëtar i paguar. Tre blloqe më tutje, kolegët e tij po profilizojnë të rinjtë me ngjyrë në rrugë, por po aq shqetësues, kolegët e tij po u bëjnë presion disa prej po atyre me ngjyrë gjithashtu xhematit në xhami për të spiunuar komunitetin në mënyrë që të nxjerrin informacione. Çështja është se përpjekja për të normalizuar marrëdhëniet me institucionet që në thelb jo vetëm që nuk na besojnë, por janë të përfshirë në mënyrë aktive në dëmtimin tonë nuk është bashkëpunim, por mund të shihet, në rastin më bujar, vetëm si paqësim. Po, ndoshta ai oficeri individual me të cilin bashkëpunoni mund të mendojë dy herë përpara se të brutalizojë një anëtar të komunitetit, por mendoni se çfarë heqim dorë edhe ne në atë moment…u japim atyre justifikimin se ata (institucionalisht) gjatë takimit me ne kanë dëgjuar shqetësimet tona.

 

“Programi Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (CVE) ekziston për të trajtuar të gjitha format e ekstremizmit!”

Me rritjen e kërkesave për mosfinancim dhe zbutje të fondeve të policisë që po zënë rrënjë, kjo mundësi nuk duhet të dështojë për të shtyrë në drejtim të shfuqizimit të komplekseve industriale të sigurisë, ushtarake dhe burgjeve. Këto struktura përforcojnë njëra-tjetrën me menyrën se si ato i kuptojnë komunitetet në të cilat kryesisht fokusohen. Në këtë drejtim, ne kemi parë tashmë një zhvendosje të marketingut të Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (CVE). Ky është një program që i ka rrënjët në një narrativë të sigurisë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) – si në konceptim ashtu edhe në praktikë, ka të bëjë me muslimanët. Ka një dallim të madh, midis atyre që janë strukturalisht të racializuar dhe të margjinalizuar që ndjehen të pakënaqur, në krahasim me ata, brenda shumicës së shoqërisë, ku heqja e të drejtave të cilëve mbështetet si një narrativë brenda të gjitha institucioneve të pushtetit. Burimi i supremacisë së Bardhë është kryesori.

Pretendimet se programi Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (CVE) është për të trajtuar të gjitha format e ‘ekstremizmit’ janë thjesht një mjet marketingu, përndryshe çdo deklaratë raciste që është shqiptuar ndonjëherë nga një konservator ose liberal do të duhej të trajtohej. Kur bëhet fjalë për supremacistët e bardhë, pengesa për atë lëvizje raciste vrasëse që është e papranueshme, është efektivisht në pikën e dhunës.  Me muslimanët, struktura e CVE nuk funksionon në pikën e dhunës, por në pikën e besimit ose në shënjuesit e hapur të ‘muslimanizmit’.  Kjo është e rëndësishme, sepse ideja që financimet e CVE të përdoren në mënyrë që muslimanët të mund të bëjnë mirë me to është e pakuptimtë dhe nuk duhet të hapet kurrë për diskutim nga ndonjë individ apo organizatë muslimane që pretendon se përfaqëson të drejtat e muslimanëve.

“Bashkëpunimi i muslimanëve me organet e zbatimit të ligjit ka të bëjë me zvogëlimin e dëmit.”

Në fund të fundit, bashkëpunimi është një llogaritje e rrezikut që po bëhet nga ata që angazhohen. Pretendimi se po punojnë me forcat e rendit sugjeron se nevojat specifike dhe të kufizuara që ata shpresojnë të ngrenë apo ndryshojnë, ia vlen të normalizohen marrëdhëniet me këto struktura të dhunshme. Kjo shpesh paraqitet si një llogaritje përfitimi mbi dëmin, që në mendjet e atyre që angazhohen, do të ketë një përfitim të prekshëm që del nga ndërveprimi. Pyetja është, megjithatë, për kë? Nga jeta ime gjatë punës dhe shumë studime që janë kryer për zbatimin e ligjit, nuk ka pasur kurrë një ndryshim të politikës që të ketë qenë aq domethënës sa të justifikojë një marrëdhënie të tillë – sistemi në masë të madhe mbetet i njëjtë, dhe në fakt ai është normalizuar dhe ndërtuar. më tej me pjesën tjetër të legjislacionit ose politikës.

“A po sugjeroni se bashkëpunimi është gjithmonë i gabuar?”

Qëllimi i kësaj thirrjeje nuk është të pretendohet se nuk ka asnjë pikë për bashkëpunim, por përkundrazi që çdo angazhim duhet të marrë parasysh dhunën strukturore që po ndodh, dhe kështu llogaritja e rrezikut duhet të bazohet në ndryshim të dukshëm, e jo të kufizuar vetëm në ndërmjetësim mirëkuptimi dhe të ndjenjës së mirë. Rritja e mirëkuptimit mund të ndihmojë për ta bërë një oficer të zbatimit të ligjit, ose disa të tjerë potencialisht më pak armiqësorë në ndërveprimet e tyre, por ata janë ende pjesë e sistemit.

Rekomandime për angazhim transparent:

  1. Ajo që unë do të propozoja për sa i përket ndërveprimit me shtetin, është që çdo ndërveprim duhet të ndodhë vetëm me ata që kanë aftësinë për të zbatuar një ndryshim strukturor në nivel politikash, nëse do të ndodhë ndonjëherë në atë nivel.

Kjo duhet të ndodhë vetëm me politikëbërësit dhe ligjvënësit, dhe sugjerimi im është me askënd brenda vetë zbatimit të ligjit, ndërkohë që strukturat mbeten ashtu siç janë. Arsyeja pse e them këtë është sepse dëmi më i madh është në strukturën e legjislacionit dhe politikëbërjes, jo në kryerjen e detyrave që janë vendosur. Në rastin më të mirë, puna me forcat e rendit mund të përmirësojë kushtet e një pakice të vogël, por është struktura që na kthen të gjithëve në qytetarë të klasit të dytë. Pra, në fund të fundit, kjo është një thirrje për një qasje radikale të mos-angazhimit total me zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe një thirrje për t’u bashkuar drejt qasjeve më kuptimplote të ndryshimit.

  1. Komunikimet duhet të bëhen me shkrim të shoqëruar nga çdo takim, dhe përgjigja duhet të jepet gjithashtu me shkrim – kjo është për t’u siguruar që komunitetet që ne pretendojmë se përfaqësojmë janë të vetëdijshme për ndërveprimet tona dhe ndërveprimet që po bëhen janë transparente.

Procesi i transparencës me komunitetin është vendimtar, sepse ai në mënyrë të pashmangshme do të na mbajë të ndershëm në qasjen tonë dhe do të na mbajë nën kontrollin dhe etikën e të gjithë komuniteteve tona. Ajo gjithashtu do të sigurojë një pengesë të nevojshme nga çdo përfaqësues i shtetit nëse ata do të përpiqen ndonjëherë të përdorin taktika koloniale përçarëse të trajtimit preferencial të një grupi ndaj një tjetri, ndërsa ata përpiqen të ruajnë pushtetin e tyre mbi ne. Për më tepër, për ata që janë dëmtuar më shumë nga dhuna e shtetit, ata do të kuptojnë më mirë pse një individ apo organizatë ka zgjedhur të bashkëpunoj me një strukturë që i ka dëmtuar ata, dhe kështu do të jenë në gjendje të bëjnë një gjykim më të informuar nëse ndonjë angazhim mund të normalizojë dëmin që ata më pare e kanë vuajtur ose vazhdojnë ta vuajnë.

  1. Ndonëse transparenca është e rëndësishme, është thelbësore që përpara se të ndodhë ndonjë bashkëpunim, të konsultohen ata me ekspertizë në këto fusha. Komunitetet kanë burime të pasura intelektuale dhe zëra kritikë të mirëinformuar – këta zëra duhet të konsultohen nga çdo udhëheqës i komunitetit, imam apo organizatë përpara çdo komunikimi me autoritetet. Siç u përmend në pikën 2, viktimat dhe të mbijetuarit sjellin përvojën e tyre të ndikuar nga këto institucione, dhe kështu konsultimi me ta do të jetë gjithmonë vendimtar për të ofruar një pasqyrë njerëzore se si politikat dhe ligjet janë të dëmshme. Pa u konsultuar me ata që janë prekur më shumë, ne rrezikojmë të humbasim nuancën e mënyrave se si dëmi mund të ndodhë.

 

  1. Një rekomandim përfundimtar për ata që pretendojnë se përfaqësojnë interesat e muslimanëve, por kanë një prapavi që ishte pjesë e sistemit të dhunës kundër nesh: ata duhet ta bëjnë të qartë pozicionin e tyre aktual në lidhje me punën e tyre të mëparshme dhe ta bëjnë vetë publikisht. Kjo është pjesë përbërëse e pretendimit të tyre për transparencë, dhe rrjedhimisht për besueshmërinë e tyre. Ndërsa falja dhe zhvillimi janë të rëndësishme në punën që bëjmë, besimi dhe miëbesimi janë shumë më të rëndësishme. Pa qenë në gjendje t’u besojmë plotësisht atyre që na përfaqësojnë, komuniteti do të ndihet gjithmonë i minuar nga sistemi dhe ata që janë të përfshirë në mbrojtjen e tij. Është e mundur që dikush të ketë punuar në projekte që kanë qenë të dëmshme dhe më pas të ndryshojë mendje ose mendim, por duhet gjithashtu të bëjë të qartë se në çfarë ka qenë i përfshirë dhe të deklarojë publikisht gabimin e tij/saj. Pritjet e besimit pa qartësim paraprak, janë të paarsyeshme.

Përfundimisht këto pika mund të përmblidhen në: transparencë, konsultim dhe llogaridhënie.

 

Vërejtjet përfundimtare

Siç u diskutua gjatë kësaj letre, premisa e parë që duhet të sfidojmë, është ajo që mendon për ruajtjen e rendit dhe ligjit (në veçanti) si dicka ekzistues në një hapësirë ​​dashamirëse ose neutrale. Ne duhet të kuptojmë se në identitetin dhe krijimin e tij, vetë funksioni i politikave të vëzhgimit nuk janë të mbajë shoqërinë të sigurt, por funksioni i saj është si një formë e disiplinimit të shoqërisë, përmes arrestimit dhe përfundimisht ndjekjes penale. E konsideruar në nivelin e saj më themelor, marrëdhënia jonë me këto politika duhet të fillojë nga një pozicion për të vënë në pikëpyetje praktikën dhe ideologjinë mbi të cilën është ndërtuar.

Si individë dhe organizata muslimane që kërkojnë të ndihmojnë të shtypurit, ekziston një detyrë që vjen nga të qenit në këtë hapësirë ​​që do të thotë se çdo pretendim përfaqësimi nuk mund të bëhet në mungesë të të kuptuarit se si vendimet tona kanë ndikim në strukturën e plotë të shtypjes. Fitoret e vogla për një qytet apo komunitet lokal janë të pakuptimta, ndërkohë që njerëzit vazhdojnë të arrestohen, torturohen dhe madje vriten në mënyrë arbitrare. Shtypja që po ndodh është një strukturë, dhe pa i përqendruar përgjigjet tona në të gjithë strukturën, ne do të rrezikojmë vazhdimisht ta normalizojmë këtë sistem duke synuar ndryshime të vogla që shërbejnë vetëm për të na bërë përkohësisht të ndiejmë më pak armiqësi nga shteti gjatë kursit të tij të dhunës ndaj nesh.

Së fundi, lutem që këto fjalë të merren në frymën që janë shkruar, nga një vëlla që ka përfituar shumë nga historia e gjatë e aktivizmit dhe mendimit radikal që ështe zhvilluar nga SHBA. Nëse do Zoti shpresoj që të gjithë të mund të këshillojmë njëri-tjetrin për atë që është më e mirë bazuar në njohuritë dhe përvojën tonë, por kryesisht, që të mund të punojmë me njëri-tjetrin për të mbrojtur të gjithë ata që janë të shtypur, amin.

Dr Asim Qureshi

Dr. Asim Qureshi është i diplomuar për Drejtësi dhe doktoraturë në Analizën e Konflikteve Ndërkombëtare në SHBA. Ai është Drejtor Kërkimor në grupin e avokimit CAGE dhe autor i një mori librave.

Muslimmaters.com

Përktheu:
Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org